SEO: Çka do të thotë të optimizosh faqen për motorët e kërkimit?

SEO: Optimizimi i ueb faqes për motorët e kërkimit

Autor: Skender Mustafi
MSc. Sistemet Informative të Biznesit
BSc. Administrim Biznesi

Hapi i parë për të realizuar një strategji të suksesshme për SEO është të kuptuarit e SEO. Kjo do të thotë, në çdo rast konkret, të veçantë dhe real duhet kuptuar:

  • Çka do të thotë të optimizojmë faqen për motorët e kërkimit?
  • Çka do të thotë ky optimizim për faqen time/tone?

Për të dhënë një përgjigje të kënaqshme për këto pyetje, duhet kuptuar SEO në përgjithësi dhe më pas duhet vlerësuar atë në veçanti për nevojat që kemi. Gjithnjë duhet pasur ndërmend se qëllimi i gjithë kësaj pune nuk është krijimi i një ueb faqeje të përkryer por të një ueb faqeje më të mire se të konkurrencës. Kjo mjafton për të tejkaluar pengesat dhe për tu afruar tek kërkuesit, lexuesit ose konsumatorët.

Si kërkues informacionesh nëpër motorët e njohur si Gjirafa ose Google, zakonisht përqendrohemi tek 10 rezultatet e para dhe rrallë herë kalojmë tek faqja e dyte ose e tretë e rezultateve. Andaj, si ofrues informacionesh ose produktesh e shërbimesh duam dhe duhet që të jemi të parët, në faqen e pare ose më së keqi në faqen e dytë të listës së kërkimit për një fjalë ose togfjalësh të caktuar kyçe.

Në internet mund të gjeni qindra definicione për SEO dhe në të shumtën e rasteve mund të themi se asnjëri nda definuesit nuk e ka keq, por se varet nga pikëpamja dhe nevoja konkrete për SEO.

Unë do të kisha përmbledhur njohuritë e mia lidhur me SEO në disa pika për të formuluar kështu një definicion më të zgjeruar, por përfshirës i të gjitha elementeve.

Përmbajtje tërheqëse për lexuesit

SEO fillon me ofrimin e një përmbajtjeje e cila është tërheqëse për lexuesin, dëgjuesin, shikuesin, blerësin, e shitësin. Madje, kjo përmbajtje e tërheqë, motivon dhe nxitë atë që të e shpërndajë më tej tek të interesuarit tjerë potencial. Njëjtë sikur kur ne shohim një video interesante diku dhe menjëherë ua dërgojmë njerëzve që mendojnë se gjithashtu e gjejnë atë si interesante ose ndajnë të njëjta emocione sikur ne me përmbajtjen.

Kjo tërheqje e të tjerëve bëhet e mundur vetëm duke njohur veten dhe atë që ofrojmë dhe duke njohur konsumatorin dhe atë që kërkon. Për më shumë, kjo ka të bëjë me themelimin e një emri të mirë, të një marke ose simboli i cili është i njohur për vlerat e veta tërheqëse.

Sidoqoftë, të gjitha përmbajtjet dhe emir i mire duhet të bëjnë që lexuesi të kalojë nëpër këtë proces të identifikimit të rrugës, ku ne ndihmojmë dhe nxisim atë që të vijë tek ne:

  1. Dua të të gjejë – ne nuk jemi të vetmit në internet që ofrojmë diç e që është aq e jashtëzakonshme sa që jemi të pazëvendësueshëm. Të interesuarit dosido do të kërkojnë, por çfarë do të gjejnë? Ne duam që gjatë kërkimit të tyre të na gjejnë ne. Të jemi ne ata që cilët shuajnë dertet.
  2. Dua të di – d.m.th dua të di më shumë rreth përmbajtjes, produktit, shërbimit ose ofruesit i cili më është paraqitur si zgjidhje e mundshme e problemit tim. Nëse jemi paraqitur në pozitë ku kërkuesi na ka gjetur, atëherë gjasat janë të mëdha të ketë kureshtje të dijë më shumë për ne.
  3. Dua të vizitoj – faqen tek e cila është kjo përmbajtje. Faqja ose nyja e caktuar e cila është indeksuar, duhet të jetë funksionale dhe vërtetë të ofrojë atë që kemi pretenduar se bëjmë. E gjithë paraqitja duhet të jetë mbresëlënëse sepse përndryshe do të mbetet gjithmonë si një pike zhgënjimi për vizitorin.
  4. Dua të angazhohem – që do të thotë ndërveprim mes lexuesit dhe faqes në përgjithësi. Ky hap është shumë i rëndësishëm i formimit të një lidhjeje të forte në mes të vizitorit dhe ofruesit të përmbajtjes. Të gjitha nyjat, formularët dhe mjetet tjera të cilat i kemi instaluar për ndërveprim duhet të funksionojnë me sukses. Ndërveprimi duhet të funksionojë pa asnjë të metë. Çdo element i cili tregon joseriozitet ose papërgjegjësi nxitë ndjenjë papërgjegjësie kundrejt vizitorit.
  5. Dua të konsumoj – është hapi që finalizon procesin me pranimin e përmbajtjes si të përshtatshme për të përmbushur nevojës fillestare. Ky hap është i vetmi si dëshmitarë që kishim sukses në realizimin e procesit.

Përmbajtje tërheqëse për motorët e kërkimit

Të pasurit e një faqeje me kod të mire dhe me përmbajtje tërheqëse pa rregullimet e nevojshme nuk na bën më të njohur tek motorët e kërkimit e kështu as tek konsumatori. Andaj, një faqe e mire me një përmbajtje e cila do t’i interesonte konsumatorit, kërkon një rregullim të mirë të përshtatshme për robotët e motorëve të kërkimit. Ky rregullim mundëson që përmbajtja e një faqeje ose një pjese të sajë të paraqitet në pozicione të kënaqshme gjatë kërkimeve organike. Kjo kërkon njohuri rreth mënyrës se si motorët e kërkimit punojnë.

Në këtë pjesë kërkohet një SEO teknike ku duhet njohur të gjitha elementet teknike të cilat janë të rëndësishme për ‘bashkëveprimin’ me motorët e kërkimit.

Madje si pjesë e rregullimit teknik nuk është vetëm puna në faqen tone, por lidhja e sajë me platformat me rëndësi të drejtpërdrejtë me atë që ofrojmë. Nëse kemi faqe turistike, atëherë dosido duhet rregulluar profile tek TripAdvisor ose TripExpert e ofrues të ngjashëm shërbimesh. Pra, e gjithë shtrirja në internet përfshinë pjesën teknike të SEO.

Le të përmbledhim

Duke analizuar përmbajtjen më sipër me pak fjalë mund të themi se SEO është përpjekja e vazhdueshme për të rregulluar ueb faqen në atë mënyrë që të jetë tërheqëse për lexuesit dhe e kapshme për motorët e kërkimit. Natyrisht, për momentin Google sundon pjesën më të madhe të tregut dhe kërkuesit gjithnjë kanë ndërmend Google, andaj dhe duhet përshtatur faqen mbi parametrat që Google kërkon.

Po këto i keni lexuar?