Shënime biografike për Demir Krasniqin

0

Shkruan: Shaban Cakolli

demir krasniqiDemir Krasniqi, u lind më datën 10 Shkurt 1950, në fshatin Tugjec të  Malësisë së Gollakut, komuna e Kamenicës, nga nëna Hysnije dhe babai Shefkiu .Rrjedh nga një familje skajshmërish e varfër , por shumë bujare , mikpritëse dhe me bazamente të forta kombëtare .

Shkollën e plotë fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollimin dhe kualifikimin profesional muzikor i kreu në Prishtinë.

Talenti i tij i rrallë muzikor dhe dashuria e madhe ndaj këngës , u vërejt që nga ditët e para të fëmijërisë së tij, në bankat shkollore, në programet e ndryshme shkollore, ku gjithmonë dallohej me talentin dhe interpretimin e tij të shkëlqyeshëm.

Më  25 Maj 1964, në Manifestimin ndërkomunal të Kamenicës “Mikrofoni është i juaji”, Demir Krasniqi i shoqëruar nën përcjelljen e violinës nga arsimtari i tij, Rexhep Bunjaku, përfaqësoi shkollën fillore të Tugjecit, me këngën “Hajredin pasha po na vjen Radikës”, me ç’ rast nga Juria profesioniste u nderua me Shpërblimin e Parë, në vlerë prej 5000 dinarësh, që atë kohë ishin sa dy paga e gjysmë të një mësuesi .

Gjatë  jetës së tij, ka ushtruar këto profesione:

Pedagog i kulturës muzikore me një përvojë rreth dyzet vjeçare në shumë shkolla fillore e të mesme të Kosovës, ku krahas punës edukativo – arsimore , në të gjitha shkollat ku ka punuar, ka themeluar edhe grupe e shoqëri të ndryshme muzikore, si: SHKA “Shpresa e Malësisë” në fshatin Tugjec, të Malësisë së Kamenicës, gjatë vitit shkollor 1970/71, Grupi muzikor i Shkollës Fillore “Zenel Hajdini” në Prishtinë , më 1974- 1977, SHKA “Kosova” në Prishtinë, më 1974, Grupi muzikor i Shkollës Fillore në fshatin Llabjan, në fshatin Slivovë, në fshatin Novo Bërdë dhe në fshatin Viti të Merecit, prej vitit 1977 deri më 1980.

Ka qenë anëtarë i rregullt i AVI “ÇIFTELIA” të Radio Prishtinës, nën drejtimin artistik të kompozitorit dhe etnomuzikologut Lorenc Antoni, prej vitit 1968 deri më 1977. Anëtar dhe bashkëthemelues i Grupit folklorik “Vëllezërit Krasniqi” në Prishtinë, prej vitit 1965 deri më 1980.

Në  Gjilan, ka themelua SHKA “DITURIA” pranë shkollave të mesme të qytetit në fillim të viteve të 90-ta, pastaj themelues i Grupit muzikor “Xhevahiret e Gjilanit”, Grupi muzikor “Krasniqja” në Gjilan, Grupi folklorik “Shahiria” në Gjilan, Grupi muzikor i shkollës fillore “Selami Hallaçi “ në Gjilan, Grupi muzikor “Marigona” i shkollës fillore “Musa Zajmi” në Gjilan, Grupi muzikor i shkollës fillore “Thimi Mitko” në Gjilan, Grupi muzikor “Tefta Tashko” i shkollës fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan etj. etj.

Këngëtar dhe rapsod popullor, i cili duke filluar që nga viti 1968, kur u pranua si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës, ka dhënë një bagazh shumë të madh incizimesh me qindra këngë dhe albume të ndryshme muzikore, duke filluar nga shiritat e celuloidit, disqeve të gramafonit, audio kasetave, video kasetave, kompakt disqeve, DVD- ve etj.

Si këngëtar dhe rapsod popullor, përveç mijëra dasmave e gazmendeve familjare gjithandej trojeve etnike shqiptare, përveç shumë koncerteve e festivaleve vendore, ka qenë katër herë përfaqësues i këngës kosovare në festivalet ndërkombëtare si: Rivista e Folklorit Ballkanik në Zagreb, Rivista e Folklorit Ballkanik në Ohër, Tubimet e Folklorit Ballkanik në Beograd dhe në Festivalin e Folklorit të popujve evropian “Danubi i kaltër” në Novi Sad, ku ka këndua në duet me Nexhmije Pagarushën , këngën “Ku po shkon moj Rrushja e lalës”, festival ky që për herë të parë u transmetua direkt përmes rrjetit televiziv evropian “Eurovizion”.

Në Jubileun e 500 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu , më 1968 , ka incizua dhe publikua këngën “Kushtrimi i Skënderbeut”.

Në Jubileun e 100 – vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit , më 1978 , ka krijua, kompozua , incizua dhe publikua këngën me titull : “Lidhja e Prizrenit”.

Më 1996, ka qenë i vetmi përfaqësues nga Kosova, në Koncertin festiv mbarëkombëtar me karakter fetar në Shkodër.

Me rastin e Jubileut të 100- vjetorit të Kongresit të Alfabetit, më 15 Nëntor 2008, ka qenë i vetmi përfaqësues – kantautor nga Kosova.

Me rastin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, është  prezantuar si kantautor i këngës:”Kosova – nuse me kurorë”.

Me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, para publikut gjilanas është prezantuar si kantautor i këngës :”100 vjet të Pavarësisë”.

Kompozitor i më se 2000 këngëve dhe valleve në frymën e melosit tradicional popullor burimor. Kënga e parë që e ka kompozua , titullohej “Kënga e vashës” dhe këtë këngë e ka incizua në Radio Prishtinë në duet me këngëtaren Liliana Çavolli.

Ka qenë pjesëmarrës disa herë me radhë në Festivalin tradicional “Akordet e Kosovës” më 1969,1970, 1974, 1976, 1980, 1988, 1995 etj. Në Festivalin tradicional “Kosovarja këndon” në Ferizaj më 1976, kënga e tij kushtuar heroit të popullit Zenel Hajdini, është shpërblyer me Vendin e Parë të Jurisë profesionale dhe me Vendin e parë të Publikut.

Që  nga viti 1969 ka qenë anëtarë i Lidhjes së Kompozitorëve të Jugosllavisë (SAKOJ) në Beograd , anëtar i Mbrojtjes së të Drejtave Muzikore të Autorëve (ZAMP) dhe anëtar i Lidhjes së Autorëve të Muzikës Popullore (SANAM) në Beograd .

Është autori i këngës së parë kushtuar UÇK-së, me titull:”Rroftë Ushtria Çlirimtare”, e botuar me tekst poetik dhe notal në të përditshmen “GAZETË E RE SHQIPTARE” në Prishtinë, më datën 17 Nëntor 1998, faqe 16.

Është kantautor i himnit të Televizionit të pavarur “Festa” të Kumanovës, himnit të “Liberalëve”, “Himnit për Kosovën”, “Marshi i UÇK-së” dhe Himni i “Flakës së Janarit” në Gjilan.

Krijues poetik i mijëra poezive dhe vargjeve të dedikuara për këngë dhe rapsodi popullore.

Mbledhës i pasionuar i folklorit burimor muzikor shqiptar, i cili deri më tani ka mbledhur, shënuar dhe daktilografuar mbi 4000 këngë të llojeve të ndryshme gjithandej trojeve etnike shqiptare. Pos kësaj, ka botuar me qindra këngë burimore në “Folklorin muzikor shqiptar” Bleni 4,5,6 dhe 7 të Lorenc Antonit.

Publicist i shumë  studimeve etnomuzikologjike nëpër shumë gazeta, revista dhe agjenci të ndryshme të internetit.

Është radio-gazetar dhe gazetar hulumtues i diplomuar, profesion ky që e ka ushtruar në shumë mediume publike elektronike dhe të shkruara, e që edhe sot punon palodhshëm në këto lëmi . Ndër mediumet publike në të cilat ka punua si gazetar dhe moderator i shumë emisioneve, duhet përmendur : Radio “Viktoria” në Gjilan, Televizioni i pavarur “Vali” në Gjilan, gazeta “Bashkimi” në Gjilan, Gazeta javore “Fokus” në Prishtinë, gazeta javore “Perspektiva” në Preshevë dhe veb faqja elektronike “Zemra Shqiptare” në Londër .

Për punën dhe kontributin e tij, gjatë karrierës prej këngëtari e krijuesi muzikor është nderuar me qindra mirënjohje, pllaketa , e dekorata tjera.

Demir Krasniqit , për mbledhjen dhe publikimin e dy veprave muzikore të këngëtarit legjendar kosovarë Qamili i Vogël – Muhaxhiri ( pas vdekjes së tij) , Familja e këtij këngëtari të pavdekshëm , ia dhuroi dy kompletet e gardërobave kombëtare të Qamilit të Vogël, dhurata këto që Demir Krasniqi i mbanë, i veshë dhe i ruan me krenarinë dhe respektin më të madh njerëzor .

Në  Qershor të vitit 2010, përmes Shoqatës “Miqtë e Amerikës”, dy këngët autoriale të Demir Krasniqit:”Faleminderit Amerikë” dhe “ Këngë për Presidentin Bill Klinton”, i dorëzohen në duar Presidentit historik të SHBA-së , z. Bill Klinton, i cili e falënderon publikisht autorin dhe këto dy këngë janë të parat në historinë e folklorit muzikor shqiptarë, të cilat hynë në Muzeun e burrështetasve amerikanë , në Shtëpinë e Bardhë të Vashingtonit .

Në  Festivalin tradicional “Zëri i Alfabetit-2011” në Manastir, Demir Krasniqi nderohet me një mirënjohje dhe me “Plaketën e Kongresit të Manastirit”.

Në  çmimet e Dhjetorit të vitit 2011, nën moton:”Me më të mirët”,organizuar nga Kuvendi Komunal dhe DKRS e Gjilanit, nderohet me mirënjohje  “PËR KONTRIBUTIN SHUMËVJEÇAR NË SFERËN E ARTIT DHE TË KULTURËS”.

Deri më tash, ka publikuar këto vepra autoriale:

  1. “Mallëngjime e oshtima” – Prishtinë, 1993,
  2. “Qamili i Vogël – zë që nuk shuhet”(monografi)-Prishtinë,1995,
  3. “Gjakon Kosova” – Gjilan, 1998,
  4. “Bejtë Pireva” – Gjilan, 2002,
  5. “Zeqir Maroca” – Gjilan, 2002,
  6. “Këngë krismash lirie I” – Gjilan, 2003,
  7. “Këngë krismash lirie II” – Prishtinë, 2003,
  8. “Familja Kurti nga Tugjeci “ (monografi) – Prishtinë, 2004,
  9. “Shtojzovallet e Gollakut”, ETMMK – Prishtinë , 2005,
  10. “Kushtrim lirie” – Gjilan, 2005,
  11. “Liman Shahiqi – trimi i Gollakut” – Prishtinë ,2005,
  12. “Kroi i këngës “- Gjilan, 2006,
  13. “Qamili i Vogël – Këngë përjetësie” – Gjakovë, 2006,
  14. “Valle popullore” – Gjilan, 2007 ,
  15. “Këngë dhe ilahi fetare” – Gjilan, 2007,
  16. “Krenaria e Gollakut” – Gjilan, 2008 ,
  17. “Diell lirie” – Gjilan, 2008 ,
  18. “Lirika popullore e Gollakut” – Gjilan, 2008,
  19. Gëzim Marku :”Intervistë me Demir Krasniqin”, botoi “Zemra Shqiptare” – Londër , më 2009 ,
  20. “I pa epur” – Gjilan, 2010,
  21. “Malli për Gollakun” – Gjilan, 2010,
  22. “Djepi i këngës” – Gjilan, 2011,
  23. “Therje me vegsh “ – Gjilan , 2011.
  24. “Amaneti” – Gjilan, 2011.
  25. “Tinguj dhe ofshama” – Gjilan, 2012.
  26. “Komentime dhe përkushtime” – Gjilan, 2012.
  27. “ Kënga ime” – Gjilan, 2012.
  28. “ Sofra e këngës ” – Gjilan, 2012.

Jeton i pa punë, pa kurrfarë të ardhurash  dhe krijon në Gjilan.

Motoja e punës dhe krijimtarisë së tij, është:

“Për emrin e Zotit,
Për nderin e kombit,
Për gjakun e dëshmorëve,
Për eshtrat e varreve”!

 

*****Post scriptum :

Pas 38 vite pune, kontributi dhe angazhimi në lëmin e edukimit dhe arsimimit muzikor nëpër shumë vatra arsimore të Kosovës, në vitin shkollor 2007/2008, Drejtoresha e Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan – zonja Bahrie Millaku-Veseli, e lindur në fshatin Ujmirë të Klinës, e martuar në fshatin Breznicë të Bujanocit dhe e sistemuar me punë në Gjilan, në cilësinë e pozitës së Drejtoreshës së kësaj shkolle, e largoi përgjithmonë nga procesi edukativo-arsimor Demir Krasniqin, vetëm e vetëm pse i kishte përgatitur me Grupin muzikor të nxënësve “Tefta Tashko”, për festën e Ditës së kësaj Shkolle (më 24 Prill) këto katër këngë:

  1. Kushtrimi i Skënderbeut,
  2. Ngritja e Flamurit Kombëtar në Vlorë,
  3. Komandanti legjendar Adem Jashari dhe
  4. Agim Ramadani

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *