Shitblerja e sendit që nuk ekziston sipas së drejtës islame

0

Autor: Jusuf ZIMERI

jusufDijetarët islamë janë unik në mendimet e tyre se kontrata e shitblerjes mbi sendin i cili nuk ekziston në momentin e lidhjes së kontratës, ose ekziston mundësia e mosekzistimin të sendit të tillë, është veprim i pa lejuar, kurse kontrata e tillë konsiderohet kontratë e kotë (nula kontratë). Si shembull për këtë dijetarët sjellin shitjen e të voglit në barkun e nënës, shitjen e pemëve dhe perimeve para se të ekzistojnë ato etj.

Argument për ndalimin e këtyre kontratave të shitblerjes kemi hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme të transmetuar nga Abdullah b. Omeri r.a. i cili ka thënë:

. َ نَهَى عَنْ بَيْعِ حَبَلِ الْحَبَلَةِ

ka ndaluar nga shitja e frytit të frytit (të voglit në barkun e kafshës)[1]

Sipas fukahave nga shkolla juridike hanefite, gjithashtu nuk lejohet lidhja e kontratës së shitblerjes mbi sendin, të cilin nuk mund t’ia dorëzojë blerësit në momentin e lidhjes së kontratës, edhe nëse është pronar i sendit të shitur, sepse ky veprim parimisht kundërshtohet nga qëllimi i lidhjes së kontratës së shitblerjes, pas së cilës menjëherë pasojnë detyrimet, e që janë, dorëzimi i sendit të shitur dhe pagesa. Juristët nga medhhebi hanefij, këtë lloj të shitblerjes e radhitën në kategorinë e kontratës së prishur (faside) të shitblerjes, andaj imam Merginani në veprën e tij El Hidaje,[2] në shtjellimin e kësaj çështje thotë: “nuk lejohet shitblerja e peshqve të cilët janë në ujë[3], shpezëve të cilët janë në fluturim, mishit të kafshë derisa nuk është therur, qumështin e lopës derisa është në gjirin e saj[4], tëlyenit derisa është në qumësht, leshin e deles derisa nuk është qethur, shitjen e librit derisa nuk është botuar, etj. Ky mendim i dijetarëve islam mbështetet në hadithin e Pejgamberit Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme të transmetuar nga Ibni Abasi r.a. i cili ka thënë:

نَهَى رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَنْ تُبَاعَ ثَمَرَةٌ حَتَّى تُطْعَمَ ، وَلَا يُبَاعَ صُوفٌ عَلَى ظَهْرٍ ، وَلَا لَبَنٌ فِي ضَرْعٍ

Ka ndaluar i Dërguari i All-llahut Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme që të shiten frytet derisa të bëhet për t’u ngrënë, nuk shitet leshi derisa është në shpinën (e deles) e as qumështi derisa është në gji”[5] Në një transmetim tjetër thuhet “edhe tëlyeni derisa është në qumësht”[6]

Shejh Kemaludini në veprën e tij “Fet’hul Kadir” shpjegon se shitja e shpendëve që fluturojnë në ajër bëhet përmes tri formave, që janë; Shitja e shpendit para zënies së tij, e ky lloj i shitjes është i pavlefshëm sepse bëhet fjalë për shitje të sendit që nuk e ka në pronësi. Nëse bëhet shitja pasi shitësi ta ketë zënë shpendin, dhe e ka lëshuar sërish, edhe kjo shitje është e pa vlefshme. Forma e tretë është shitja e shpendit që konsiderohet si shpend shtëpiak, siç është pëllumbi, pra bëhet fjalë për shpendin i cili fluturon dhe sërish rikthehet te vendi i vet. Sipas mendimit të fukahave të medhhebit hanefij, mendim ky i paraqitur në Dhahiru errivaje, edhe ky lloj i shitjes është i pa vlefshëm, sepse shitësi ka për obligim dorëzimin e sendit të shitur në momentin e lidhjes së kontratës së shitblerjes. Mirëpo disa nga dijetarët hanefij siç paraqitet në librin “Fetava Kadihan” kjo kontratë është e vlefshme.[7]

Referencat

[1] Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Ebu Davudi etj.
[2] El merginani, Burhanudin ebu Hasan Alij b. Ebu bekr b. Abdulxhelil Er-rushdani,El hidajetu sherul bidajeti, 3/44, El Musilij, el ihtijaru li ta’lilil muhtar,1/274.
[3] Nëse e ka zënë peshkun e më pas e ka lëshuar në ndonjë vend të përgatitur enkas për të, siç është ndonjë bazën apo enë që është enkas për të, dhe ka mundësi pa ndonjë problem ta zeje dhe t’ia dorëzoj blerësit, kjo kontratë është e vlefshme, por blerësi në këtë rast ka të drejtën e zgjedhjes, sepse forma e peshkut ndryshon nga momenti kur është në ujë dhe kur del jashtë ujit. (më gjërë shih librin: Fet’hul kadir nga Shejh Kemaludin Muhamed b. Abdulvahid 6/49 daru ihjai et-turathil arabij, Bejrut-Liban
[4] Nga ky rregull bënë përjashtim kontrata e shitjes së qumështit të femrës për gji dhënie edhe pse qumështi akoma është në gjirin e saj, për shkak të nevojës.
[5] Et-Taberani, Bejhekiu, Nasbu Er-raje fi tahrixhilih ehadithi el hidaje, Ez-Zejleij.
[6] Nasbu er-raje,
[7] Shejh Kemaludin Muhamed b. Abdulvahid, Fet’hul kadir 6/50 daru ihjai et-turathil arabij, Bejrut-Liban

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *