Si i radhit Google fjalët kyçe dhe faqet në motorin kërkimi?

Si i radhit Google Fjalët kyçe

Autor: Skender Mustafi

Po ua sjell këtë artikull lexuesve meqë vlerësoj se edhe juve u është lodhur truri nga disa njerëz të cilët ndoshta nga dëshira për të shprehur një dashuri ose nga pa dituria merren me çështje të kota. Gjithë ditën hanë bukë duke e lyer me Google dhe prapë se prapë e qeshi e përqeshin këtë motor të mrekullueshëm kërkimi. Ta kemi të qartë, unë nuk e kam martuar Google që të e mbrojë, por në brendi jam i tillë që mbrojë vlerat e mira. Andaj, me plotë bindje dhe me shumë përgjegjësi them se Google, si motor kërkimi po flasim sepse ka shumë produkte tjera, me të vërtetë sjellë vlera. Është produkt i mrekullueshëm dhe i lë prapa produktet simotra të kompanive tjera.

Jo me çdo kërkim në Google mund të e vlerësojmë motorin e kërkimit për nivelin e efikasitetit në gjenerim të rezultateve. Gjithashtu, përmes kërkimeve që bëjmë zakonisht, nuk mund të e bëjmë vlerësimin e mënyrës së radhitjes së faqeve të internetit në listën e rezultateve.

Nuk është fjala të kërkosh “speca” dhe të peshosh se cili motor po të hedh më shumë në peshore, por fjala është të kërkosh diç specifike, profesionale, diç që nuk është kërkim i zakonshëm, por vetëm kërkim profesionistësh në fushat e tyre specifike. Unë gjatë realizimit të punimeve kërkimore shpesh herë kam kërkuar materiale në tema aq specifike saqë vetë Google në bazën e të dhënave ka pasur dy apo tre rezultate. Këtu matet pesha e një shërbimi. Në këso raste shërbimet e kompanive tjera si Yahoo, Bing, Ask e të tjera, as që kanë pasur ndonjë rezultat të tillë. Andaj rrini në Google dhe mos kini dert.

Si funksionon renditja e faqeve tek Google?

Natyrisht se kur kemi të bëjmë me një bazë aq të madhe të të dhënave e cila jo vetëm që kërkon të mbushet me materiale të reja të cilat “hidhen” në internet me “ton” për sekondë, por gjithashtu kërkon edhe freskim të materialeve tanimë që ekzistojnë në bazë. Pas gjithë kësaj përdishmërie, le të them përsekondshmërie të mbledhjes e freskimit të të dhënave nëpër adresat e faqeve, Google gjithnjë merret me hulumtimin e mënyrave më të mira për kënaqjen e konsumatorëve, pra ty dhe mua.

Paramendoni, të kënaqni dëshirën e një personi të mënyrë të vazhdueshme. Kjo është një detyrë shumë e vështirë meqë ky person i mirë e i butë, “t’i prishë nervat” me kërkesa e dëshira, me poshtërime e kritika pa vend, me fyerje e kërcënime, edhe pse fundi fundit po ja plotëson këto dëshira falas, pas asnjë copë të shqyer leku. E si do të silleshit në rast të qindra miliona personave e grupeve profesioniste e jo profesioniste?! Kini kujdes se këta janë “të mençur” dhe u shajnë edhe më keq.

Përveç konsumatorëve dhe dëshirave dhe nevojave të tyre të thata tek të cilat nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim askush (ndikim direkt), Google përballet dhe me anën tjetër që janë postuesit e materialeve nëpër faqe të ndryshme. Në internet qindra e mijëra faqe hapen e mbyllen brenda një kohe të shkurtë, madje dhjetra mijëra adresa grisen e ndërrojnë vendin brenda minute.

Madje-madje, në trend tek faqet në gjuhën shqipe është kopjimi i materialeve sikur të vilen në arë personale. 90% të vjelësve të materialeve menjëherë pronësojnë materialet duke fshehur burimin dhe autorin. Ky veprim dhe veprimet tjera e brengosin Google meqë nëse “hajdutët” vihen në kokë të listës gjatë kërkimeve tek motori, atëherë konsumatorët ndahen të pa kënaqur pas një kohe. Në këtë mënyrë Google ka vënë kritere përmes të cilave spastrohen burimet primare nga ato kopjuese ose ripublikuese.

Përkundër faktit se artikulli është i vjedhur, faqja vjedhëse paraqitet e para për shkak se plotëson dy kriteret e para bazë që janë përputhja e fjalëve që përmes të cilave kërkohet me titullin dhe nyjen e artikullit.

Përkundër faktit se artikulli është i vjedhur, faqja vjedhëse paraqitet e para për shkak se plotëson dy kriteret e para bazë që janë përputhja e fjalëve që përmes të cilave kërkohet me titullin dhe nyjen e artikullit.

Pra, Google ka përcaktuar kritere të cilat kombinohen dhe gjatë kërkimeve përcaktojnë rezultatet. Kjo temë është e thellë dhe trajtohet nën ombrellën e SEO (Search Engine Optimisation – shqip: Optimizimi i Motorit të Kërkimit), por ne do të trajtojmë shkurt dhe për shfrytëzues të përgjithshëm këtë temë.  Ndër kriteret e rëndësishme të cilat Google shfrytëzon që gjatë kërkimit tuaj të radhiten faqet në përputhshmëri sa më të lartë janë:

  1. Titulli i artikullit – duhet të jetë sa më i përshtatshëm me fjalët e kërkuara, për këtë dhe titujt e artikujve duhet të jenë sa më të qartë
  2. Nyja e artikullit – çdo artikull ka nyjen e vetë, kështu që kjo nyje duhet të është gjithashtu e qartë. Psh nyja e këtij artikulli është: https://fjalaime.ch/artikuj-te-perzgjedhur/si-i-rendit-fjalet-kyce-dhe-faqet-google
  3. Fjalët kyçe – çdo artikull duhet të ketë të shtuar fjalët kyçe të cilat tek CMS produktet (Content Management Systems – shqip: Sistemet për Menaxhimin e Përmbajtjes) mund të vendosen përmes shtesave të ndryshme, kurse gjat kodimit dhe postimit tradicional vendosen përmes <meta keywords=””>
  4. Koha e publikimit të artikullit – nëse artikulli juaj është publikuar më herët se tek faqet kopjuese atëherë faqja juaj do të paraqitet para të tjerave
  5. Vizitueshmëria e faqe -faqet të cilat kanë më shumë vizitorë lenë të kuptohet se janë më të besueshme, kështu që nëse përputhshmëria e fjalëve gjatë kërkimit është e njëjtë me ato të faqeve tjera, faqet më të vizituara paraqiten më lartë

Si funksionon renditja e fjalëve kyçe tek Google?

Sikur mbledhja, ruajtja, freskimi dhe radhitja e materialeve gjatë kërkimit, gjithashtu edhe trajtimi i fjalëve kyçe tek Google është bërë shumë element i rëndësishëm i motorit të kërkimit.

Gjatë kërkimeve tek Google që në shkronjën e parë fillojnë sugjerimet të cilat pastaj përzgjidhen dhe kombinohen me fjalët tjera në fjali ose më saktësisht në tog fjalësh kyçe.

  1. Kriteri bazë në këtë rast është ekzistimi i fjalës, pra nëse fjala ekziston si fjalë kyçe në bazën e të dhënave, atëherë ajo paraqitet si sugjerim përndryshe jo.
  2. Kriteri tjetër shumë i rëndësishëm është kombinimi i fjalëve për të formuar tog të fjalëve kyç p.sh. tek fotoja mund të shohim shumë togje fjalësh si “fjala ime eshte kenga”. Nëse fjala e shkruar ka kombinim me fjalë tjera, atëherë ato paraqiten ne kombinim, nëse jo, atëherë nuk paraqiten.
  3. Kriteri i fundit dhe kyç në radhitjen e fjalëve kyçe, përveç përputhjes së fjalëve është edhe kërkueshmëria. Ato fjalë ose/dhe togë fjalësh të cilat kërkohen më shpesh paraqiten më sipër në listën e sugjerimeve. Në këtë mënyrë Google u lehtëson shfrytëzuesve gjetjen e materialeve të dëshiruara. Në këtë pikëpamje shumë grupe pa njohuri të mjaftueshme rreth funksionimit të sistemit të veprimit tek motori i kërkimit Google akuzojnë kompaninë për fyerje të ndjenjave të tyre për përzgjedhje të togjeve fyese të fjalëve si sugjerim e të tjera. Kjo nuk është e vërtetë. Google nuk përzgjedh fjalët kyçe, kompania ka hartuar sistem i cili mbështetë rregulla të caktuara përmes të cilave çdo gjë rregullohet dhe kjo asgjë nuk ka të bëje me dorën e njeriut edhe pse kodimin e bën njeriu.

Suksese!

Po këto i keni lexuar?