Si të fitosh para përmes reklamës së Google.com?

Autor: Skender Mustafi

Hyrje

Të flasësh mbi temën se si funksionon marketingu tek Google është njëjtë sikur të flasësh mbi atë se si vetë Google.com funksionon, madje edhe mbi cilën ide kjo kompani është themeluar dhe ngritur deri në shkallën momentale të përfitimeve.

Në këtë analizë do të keni mundësinë të informoheni mbi konceptin e organizimit të elementeve të marketingut tek Google dhe mundësinë që ju keni për të fituar para përmes Google. Kjo analizë përqendrohet vetëm mbi shtjellimin e koncepteve përbërëse të marketingut të Google-s dhe jo për veprimet teknike që ju duhet t’i ndërmerrni për tu bërë pjesë e këtij sistemi fitimprurës.

Siç edhe e dini, Google ofron falas thuajse të gjitha shërbimet në internet. Për shërbimet që ne shfrytëzojmë si kërkimi i materialeve, posta elektronike, kalendari, qendra për ruajtjen e dokumenteve, qendra për përpunimin e dokumenteve, dhe shumë shërbime tjera , ne nuk paguajmë asgjë, por që Google fiton shumë para. Më konkretisht në vitin 2012 Google kishte 43.686[1] miliard Dollarë Amerikan sjellje të parave vetëm nga reklamimi. Ajo që është shumë e rëndësishme për ne në këtë rast është fitimi që ne mund të arrijmë përmes mundësive që ofron Google përmes sistemit të vetë.

Si funksionin marketingu tek Google

Google ekziston nga fitimi i realizuar nga reklamat. Google ofron hapësirë të lirë ku përmes sistemit të përgatitur nga vetë kompania, AdWords[2], secili konsumatorë i shërbimeve teknike të Google-s mund të vendos reklamën e vetë për të tërhequr vizitorët tek faqja, për të shitur produkte ose/dhe shërbime ose për reklamime tjera. Në anën tjetër konsumatorët e shërbimeve publike të Google-s ndërt tjerash shfrytëzojnë mundësinë të njoftohen me firmat reklamuese.

google marketing

Shkurt e shqip, Google ofron mundësi që thjeshtë e lehtë kompanitë ose individët të mund të regjistrohen dhe të përpilojnë blloqe reklamash të cilat Google i vendos në hapësirën e vetë të paracaktuar për reklama, kurse në anën tjetër ne si shfrytëzues të shërbimeve të Google-s si posta elektronike, Youtube, kalendari e të tjerë i konsumojmë ato reklama. Google në këtë rast fiton përmes grupit të parë të cilët paguajnë që reklama e tyre të paraqitet tek Google.

Shumë kompani janë munduar të konkurrojnë këtë plan gjenial biznesi, por që nuk ia kanë arritur të jenë konkurrent të denjë të kësaj kompanie. Ajo që është shumë e rëndësishme në këtë rast është efikasiteti i sistemit të marketingut si dhe ruajtja e atraktivitetit të hapësirës si për ofruesit e reklamave ashtu edhe për konsumatorët e tyre. Thjeshtë, që një faqe të vizitohet nga njerëzit çdo ditë, madje disa herë në ditë, duhet të jetë tërheqëse për ata, duhet të ofrojë diçka që ata lidhen me faqen. Google është gjithnjë në hulumtim të mundësive të cilat i tërheqin vizitorët me të vetmin qëllim që të ruaj atraktivitetin e hapësirës së vetë. Për këtë qëllim Google ka hapur fillimisht motorin e kërkimit të materialeve, pastaj shërbimet e produktet shumë të njohura e shumë të dashura si kalendari, posta elektronike Gmail, hapësira për përpunimin e dokumenteve Google Drive, shfletuesi i internetit Google Chrome e të tjerë. Për më tepër, kjo kompani ka zhvilluar plan konkret të biznesit mbi të njëjtën ide për mjetet e mençura elektronike siç janë celularët e tabletët.

google reklamaGoogle, nuk ndalon këtu dhe nuk ndërlidhë reklamimin, edhe pse veprimet marketing i ka të mbyllura në sistemin e vetë, vetëm me hapësirën e vetë dhe me produktet e veta, por ngrihet mbi një sistem të hapur i cili mundësin që blloqet e reklamave të mund të integrohen tek “partnerët e Google-s”, përmes shërbimit Adsense[3]. Përmes kësaj strategjie kompania rritë hapësirën e vendosjes së reklamës e cila ndikon në rritjen e të hyrave. Kuptohet që për këtë hapësirë Google paguan. Pra, ne mund të fitojmë për hapësirën që ne ofrojmë që kompania të vendosë reklamat.

Si mund të fitojmë përmes reklamave të ofruara nga Google

Google ka një sistem shumë të mirë të menaxhimit të reklamave dhe të llogaritjes së fitimeve për reklamat. I gjithë sistemi bazohet në sistemin “paguaj për klikim”, ku Google fiton/ofruesi i reklamës paguan ose/dhe ju fitoni vetëm në rast se vizitori i faqes klikon mbi reklamë. Në raste tjera, vizitat dhe lëvizjet nëpër faqe merren vetëm si vlerësues.

Për momentin ka dy mundësi që ju mund t’i shfrytëzoni për të fituar para përmes reklamave në Google edhe atë:

  1. Përmes reklamave në video materialet në Youtube
  2. Përmes reklamave të cilat i integroni në faqen tuaj

Fitimi përmes reklamave të bashkëngjitura në video materialet në Youtube

Reklama mund të vendosni vetëm në video materialet tuaja të cilat i keni ngarkuar në Youtube përmes kontos suaj. Këto video materiale sa më të mira të jenë aq më shumë vizitohen në Youtube ose merren dhe vendosen në faqe tjera, kështu që sa më shumë që shikohen aq më të mëdha janë gjasat që të klikohen, ku ju automatikisht fitoni shumë të përllogaritur të parave.

Fitimi përmes reklamave të integruara në faqen tuaj të internetit

Për dallim nga mundësia e mësipërme ku aktivizimin e reklamave mund të e bëni tek formulari i ngarkimit dhe redaktimit të të dhënave të video materialeve, në këtë rast duhet të konkurroni tek Google që tu hapin një llogari për shërbimin Adsense. Kjo llogari mundëson përpunimin e blloqeve të reklamave sipas dëshirës suaj në kombinim me mundësitë që ofron Google. Pra, reklamat i realizoni ashtu që të jenë sa më të përshtatshme me dizajnin e faqes suaj dhe sa më tërheqëse për vizitorët tuaj. Këto blloqe do të paraqiten vetëm tek faqja/faqet juaj/tuaja.

Shumë me rëndësi është që të keni parasysh që blloqet e reklamave përbëhen nga fjalë kyçe që ju i përzgjidhni, dhe këto fjalë duhen të jenë të ngjashme me tematikën e faqes suaj. Secila fjalë kyçe ka vlerën e vetë tek sistemi i marketingut në Google, vlerë e cila arrihet përmes një ankandi të integruar në vetë sistemin e marketingut të Google-s, pra përbrenda shërbimit Adwords, ku ofruesit e reklamave konkurrojnë me fjalët kyçe. Sa më e madhe të është vlera e fjalëve kyçe, aq më shumë fiton Google dhe aq më shumë u ndanë juve nga fitimi i vetë. Nga përvoja kam arritur të shohë se mund të ndodhë që Google të ndajë fitim deri më 1$ për një klikim të reklamës në faqen tuaj. 

Google lejon që të vendosen vetëm katër blloqe për secilën nyje të faqes suaj. Më shumë, ndoshta mund të integroni përmes ndonjë truku, por nuk është veprim i lejuar.

Sistemi i mençur i marketingut përgjon materialin e faqes, përmes robotëve special, si dhe IP adresën e vizitorëve dhe ofron kombinimin më të përshtatshëm të reklamës së ndërtuar nga fjalët kyçe të përzgjedhura nga ju, nga reklamuesit të cilët kanë shfrytëzuar të gjitha ose disa nga ato fjalë kyçe për të ndërtuar reklamën dhe gjenden në shtetin ose vendin e vizitorit të faqes. Pra, nëse një librari në Tiranë ka reklamuar përmes Google-s në konkurrim me libraritë tjera në botë, dhe vizitori i faqes është një tiranas, atëherë Google shfaq para tij librarinë e Tiranës,nëse në atë konkurrencë nuk ka librari tjera të cilat kanë paguar më shumë për fjalët kyçe.

Për momentin faqet në gjuhën shqipe nuk mbështeten nga kompania, pra edhe pse mund të u jepet e drejta të hapni një llogari Adsense, futja e blloqeve në faqet me materiale në gjuhën shqipe është veprim i ndaluar.

Ajo që duhet të bëni është të hapni faqe në gjuhët e mëdha botërore si anglishtja, gjermanishtja, spanjishtja, frëngjishtja ose dhe gjuhë tjera të pranuara nga Google si turqishtja ose kroatishtja.

 

Suksese!

 

Referencat
[1] Google Inc. (2013), 2013 Financial Tables, së fundi vizituar më Korrik 2013 tek nyja: http://investor.google.com/financial/tables.html
[2] Google Inc. (2013), Google Adwords, së fundi vizituar më Korrik 2013 tek nyja: http://www.google.com/adwords/
[3] Google Inc. (2013), Google Adsense,  së fundi vizituar më Korrik 2013 tek nyja: https://www.google.com/adsense/

Po këto i keni lexuar?