Punimet kërkimore ose shpesh të njohura si punimet shkencore ose në shumë universitete tona edhe si punime seminarike janë punime të cilat studiojnë një problematikë të caktuar të një fushe studimore. Punime të këtilla mund të kërkohen nga institucione të ndryshme si organizata, kompani, universitete etj. Punimet e kërkuara nga institucione jashtë universitare janë punime profesionale të cilat kërkohet të punohen nga profesionistë të fushave të caktuara për interesa specifike të paracaktuara nga institucionet përkatëse. Në anën tjetër punimet kërkimore të kërkuara nga bartës të lëndëve të ndryshme gjatë studimeve (BcS ose McS) janë punime edukativo-studimore në të cilat raste studentët realizojnë punimet, kurse mbikëqyrësit kontrollojnë punën dhe ofrojnë sugjerime për përmirësim.
Autor: MSc. Skender Mustafi
Llojet
Punimet kërkimore janë unik, të pa përsëritshëm. Përndryshe, në raste të përsëritjes kemi të bëjmë me ripunim ose me plagjiaturë. Përkundër asaj që punimet janë unikë dhe të pa përsëritshëm, ata kanë një pjesë ose të tërë strukturën e tyre të ngjashme përmes së cilës mund të identifikohen lehtë pjesët kyçe.
Shkarkoni shembullin e strukturës së punimit shkencor në MS Word
Punime me strukturë të hapur
Nga stilet më të përhapura të realizimit të punimeve është ajo e punimeve me strukturë pjesërisht të ngjashme ku punimet kanë këto pjesë nga struktura të cilat janë të ngjashme:
- Abstrakti – shkruhet pas përfundimit të punimit d.m.th. edhe pas së shkruarit të Përfundimit. Në abstrakt duhet përfshirë çështjet: përse merremi me problemin, cili është problemi, si u zgjodh problemi, cilat janë pyetjet dhe cili është përfundimi.
- Fjalët kyçe – termet specifike të cilat i përkasin temës dhe janë përdorur dhe definuar në punim.
- Hyrja – flet mbi prapavijën e problemit, synimet e punimit dhe përmbledhje të shkurtë të strukturës së punimit
- Struktura studimore/kërkimore – është pjesa kryesore e punimit pasi që në të paraqitet problemi studimor, metodat kërkimore dhe rezultatet e arritura kërkimore. E gjithë kjo pjesë paraqet një strukturë e cila në vete (përmes kapitujve dhe nënkapitujve) logjikisht ka një hyrje, një trup dhe një të arritur. Hyrja në këtë rast paraqet mbledhjen e të dhënave/informatave/studimeve ekzistuese mbi temën e caktuar, trupi nënkupton analizën e të dhënave të mbledhura në hyrje dhe të arritura janë përfundimet që arrihen mbi elemente të veçanta që janë shtyllë e studimit në përgjithësi si dhe në të përfshihet vlerësimi juaj si studiues i problemit. Në pjesën e fundit arrihen dy lloj rezultatesh: të kuptuarit e literaturës ekzistuese dhe përgjigjes së pyetjes/pyetjeve studimore përmes sajë dhe arritja e konkluzioneve dhe dhënia e gjykimeve ose zgjedhjeve tuaja mbi problematikën e studiuar.
- Përfundimi – përmbledhje e të arriturave në nën-temat e punimit në një përfundim të përgjithshëm.
- Referencat – stili i referimit zakonisht caktohet nga institucioni për të cilin realizohet punimi, edhe universitetet zakonisht përcjellin një stil të caktuar të referimit.
Ky është modeli më i përhapur shkencor i strukturimit të punimeve. Kjo lloj strukture lehtëson edhe grumbullimin e punimeve nga programe të ndryshme kompjuterike bazuar në elementet “fikse” të strukturës.
Punime me strukturë të paracaktuar
Stil tjetër i realizimit të punimeve që është më pak i përhapur, por që promovohet nga institucione të ndryshme është ai i realizimit të punimeve me strukturë të njëjtë. Institucionet përkatëse përcaktojnë strukturën të cilën secili kërkues duhet përcjellë gjatë realizimit të punimit kërkimor. Një ndër projektet e këtilla mbështetet në Zvicër nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në St. Gallen i emëruar “eXperience”. Ky stil i realizimit të punimeve kërkimore lehtëson krahasimin e punimeve të ndryshme kërkimore në fusha të njëjta dhe të ndryshme të kërkimit si dhe rritë afërsinë e studiuesve me gjendjen aktuale të organizatave të studiuara.
Qasja
Lloji i punimit zakonisht përcakton edhe mënyrën e qasjes së studimit të çështjes dhe realizimit të punimit. Nëse struktura është e hapur atëherë studimi duhet qasur në mënyrë të hapur dhe nëse struktura është e paracaktuar atëherë kërkimi duhet pasuar strukturën dhe elementet e sajë.
Meqë në të shumtën e rasteve kemi të bëjmë me punime me strukturë të hapur atëherë më shumë do të thellohemi në këtë lloj punimesh.
Qasja ndaj punimeve me strukturë të hapur nuk duhet ndikuar nga kjo, le ta quajmë, parastrukturë e cila u paraqit më sipër. Elementet e mësipërme të parastrukturës duhet shkruar pas përfundimit të studimit të problemit të punimit. Punimi duhet përcjellë një vi caktuar studimore e cila vetë organizohet dhe vetvetiu shpalos elementet e strukturës. Paracaktimi i një strukture e cila do të përcillet më vonë për realizimin e punimi sa është ndihmues aq është edhe dëmtues pasi që e fut në korniza të caktuara kërkimin dhe nuk e le të lirë të zhvillohet sipas rezultateve të arritura të kërkimit.
Problematika
Një problematikë që dita ditës po bëhet më e madhe është e drejta e autorësisë së punimit ose pjesëve të tij. Kërkuesi duhet pasur parasysh këtë element dhe me përqëndrimin më të madh të mundshëm të përcjell burimet tek të cilat bazohet për mbledhjen e informacioneve. Vërja në pah e citimeve, përfundimeve të arritura nga të tjerët, figurave dhe tabelave të ndryshme është kyçe në realizimin e punimeve kërkimore. Nëse fjalë, gjykime, figura ose tabela të caktuara merren nga të tjerët dhe nuk referohen atëherë kjo njihet si plagjiaturë dhe varësisht nga institucioni dënohen. Në shumicën e institucioneve edukative perëndimore gjetja e elementeve të qarta plagjiature pason largimin e studentit nga programi studimor.
Marrja me referimin e burimeve të informacionit në punime mund të lehtësohet duke përdorur programe të caktuara kompjuterike të cilët sinkronizojnë referencat dhe lejojnë bashkëpunimin mes pjesëmarrësve të ndryshëm në projekt.
Pa autorësia
Akoma në një numër të caktuar institucionesh në listën e realizuesve të punimeve kërkimore radhiten edhe bartës të institucioneve ose persona të cilët kanë realizuar një pjesë minimale të punimit (ndoshta 1%) ose vetëm janë paraqitur në fillim si pjesëtar të grupit punues. Këta persona nuk janë pjesë e projektit për punim kërkimor dhe duhet larguar nga lista e autorësisë. Kultura e mbështetjes dhe mbrojtjes së personave të tillë është e gabuar dhe jo shkencore, ata duhet paralajmëruar dhe larguar nga lista e autorësisë së punimit. Mbikëqyrësi nuk është pjesë e listës së autorëve, ai është përgjegjës për mbikëqyrjen e projektit dhe dhënien e sugjerimeve dhe pikave mbështetëse për orientim megjithatë kjo nuk e bën pjesëtar në realizim të projektit dhe autorë të tij.
Shembuj të strukturave në MS Word
Në kërkesë të lexuesve vendosa që të realizoj një shembull konkret të strukturës së një punimi, në MS Word. Kjo strukturë duhet analizuar dhe përshtatur sipas nevojës suaj. Nuk do të thotë se është struktura e duhur dhe e vetme, por është strukturë standarde të cilën e hasni në shumicën e punimeve shkencore.
Këtu kam bashkëngjitur strukturën e njëjtë për versione të ndryshme të Word-it.
Në kërkesë të lexuesve vendosa që të realizoj një shembull konkret të strukturës së një punimi, në MS Word. Kjo strukturë duhet analizuar dhe përshtatur sipas nevojës suaj. Nuk do të thotë se është struktura e duhur dhe e vetme, por është strukturë standarde të cilën e hasni në shumicën e punimeve shkencore.
Këtu kam bashkëngjitur strukturën e njëjtë për versione të ndryshme të Word-it.
Shkarkoni shembullin e strukturës së punimit shkencor në MS Word