Të dhënat, informacioni dhe interneti

0

Përgatiti: Skender Mustafi

Në këtë artikull në mënyrë të sintetizuar pa mos u futur në detaje mbi elemente të veçanta do të mundohem të qartësoj kuptimin e të dhënave dhe informacioneve në internet. Në një seri artikujsh kam trajtuar zhvillimin e internetit, zhvillimin e biznesit dhe zhvillimin e teknologjisë si dhe ndikimin e secilës mesveti. Ajo që kam lënë anash në atë temë është procesi në prapavijë, pra trajtimi i të dhënave dhe shfrytëzimi i informacioneve për të marrë vendime. Fillimisht le të qartësojmë gjendjen momentale dhe dallimin mes të dhënave dhe informacioneve që më pas të mund të vlerësojmë gjendjen momentale të ndikuar nga bota virtualo-reale.

Të dhënat e sakta janë baza e suksesit. Informacioni është suksesi. Të pasurit e një informacioni të saktë, të vlerësuar me kujdes mbi baza të argumentuara nënkupton hapjen e rrugëve për të marrë vendime strategjike që sjellin suksese të pa kontestueshme. Dikur interneti ishte bazë për informacion. Tani interneti përmban të dhëna. Arritja tek informacionet e dëshiruara, tani, në internet nuk është e lehtë për të gjitha fushat. Thjeshtë, interneti është shndërruar në një bazë të madhe të të dhënave të cilat shpesh herë nuk sjellin rezultate madje as mesatare.

Sidoqoftë, ajo që nuk duhet keqkuptuar në këtë pikëpamje është se interneti është një bazë shumë e mirë e të dhënave. Shumë e mirë sepse të dhënat mund të mblidhen mesatarisht lehtë dhe përkundër mangësive, me një shkallë të caktuar të probabilitetit, mund të trajtohen për të nxjerrë informacione me vlerë.

Pra, të dhënat duhet trajtuar për të nxjerrë informacionin. Ne, ndodh shpesh që edhe për interesa personale pa nevojë biznesi ose nevojë tjetër kërkimore trajtojmë disa burime “informative” për të sintetizuar ato në një informacion të kënaqshëm. Pra, ky informacioni që ne e nxjerrim në fund të trajtimit të “informacioneve” bën që ato “informacione” të jenë të dhëna të cilat i kemi shfrytëzuar për të nxjerrë informacionin e vërtetë. Me shprehjen “e vërtetë” nënkuptoj informacionin final që mendojmë se plotëson nevojën tonë për të sepse analiza e të dhënave nuk ndikon në vërtetësinë e informacionit ose në pa vërtetësinë e tij, thjeshtë kjo analizë nxjerr në pah një rezultat i cili mund të shfrytëzohet në kontekste të ndryshme për nevoja të ndryshme.

Sa i përket të dhënave dhe grumbullimit të tyre, platforma e teknologjisë informative, interneti, luan rolin e një pëlhure, ku ne shohim vetëm njërën anë të sajë, pra ballinën. Në anën tjetër të pëlhurës veprojnë mekanizma edhe më të fortë se këto që ne i shohim dhe roli i tyre është për të grumbulluar të dhëna të cilat janë me vlerë për të marrë vendime.

Rrjetet shoqërore publike siç janë Facebook, Twitter, Google Blogs, Google Groups, Yahoo Q & A, madje edhe ato profesionale si Linkedin, Xing e të tjera, janë pikësynim i hulumtuesve të internetit. Kompanitë e ndryshme të profesionalizuara për trajtimin e të dhënave të ndryshme, programues e statistikanë kanë përpiluar mjete të ndryshme kompjuterike të cilat shkoqisin të dhënat dhe i trajtojnë ato fillimisht në mënyrë digjitale e më pas vlerësohen në mënyrë grupore duke u nxjerrë informacione të llojeve të ndryshme qoftë për qëllime të tyre të drejtpërdrejta të biznesit, qoftë për shitje të tyre.

Kompanitë e mëdha botërore shfrytëzojnë këto të dhëna në mënyrë të moralshme e të pa moralshme, ligjore e jo ligjore për të rritur përfitimet e tyre. Shembuj të veprimeve të tilla kemi të shumtë siç është veprimi i Facebook me ruajtjen e të dhënave edhe pas grisjes së llogarisë, Apple me mbledhjen e të dhënave rreth lëvizjes së konsumatorëve e të tjera.

Le të përmbledhim, pra për të arritur deri tek informacionet për të marrë vendime të ndryshme strategjike, ne duhet analizuar të dhënat në internet, përmes mjeteve të ndryshme përmes gjurmimit të të dhënave (në anglisht shfrytëzohet termi ‘data minig’). Në anën tjetër, nëse jemi vetëm shfrytëzues të internetit, atëherë duhet pasur kujdes gjatë përdorimit të shfletuesve, gjatë lundrimit nëpër internet si dhe më e rëndësishmja është gjatë regjistrimit nëpër platforma të ndryshme të pa njohura ose të dyshimta.

Unë mendoj se me të bërë hapin e parë në internet, ne nuk kemi gjëra private sa i përket të dhënave, por ajo që mund të mbrojmë janë ndjenjat tona, nevojat tona dhe gjërat tona shpirtërore të cilat po qese i shfaqim në internet, atëherë hulumtuesit e të dhënave i shfrytëzojnë për të mirë të tyre e që nuk nënkupton se gjithmonë është për të mirën tonë.

 

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *