Autor: Skender Mustafi
Shkruar më: 12 Shkurt 2011
Rishkruar më: 17 Qershor 2014
Gjatë fëmijërisë e mbaj mend se si familjarët mblidheshin dhe kuvendonin qeshnin e qanin së bashku në pritjen dhe përcjelljen e familjarëve kurbetçinj. Ndër tjerash shpesh flitej mbi fillimet e para të dhimbshme e të vështira dhe mbi shkaqet të cilat i kishin shtyrë që të merrnin këtë rrugë. Thuajse të gjithë nga ata që flisnin mbi shkaqet si ndërtimi i një shtëpie, blerja e një are, shlyerja e një borxhi, bërja e një dasme kishin ndërmend t’i shkelnin këto rrugë vetëm një vit, dy e fundja tri vite dhe aspak më shumë. Këta baballarët tanë ishin të huajt e një shteti këmba e të cilit ishte e larë me gjak për vite të tëra. Ata erdhën si të huaj në këtë tokë nga e cila unë tani ju shkruaj dhe me të drejtë e njihnin veten si të huaj pa njohur gjuhën, kulturën, sjelljet e njerëzve.
Me kalimin e viteve dhe paraqitjen e ndryshimeve si në jetën tonë shoqërore ashtu edhe në politikat shtetërore filloi të ndryshoj edhe kuptimi i emrit të një kurbetçiu. Takimet e pritje-përcjelljeve fillimisht u zbehën dhe me kohë arritën të zhduken. Dy-tri vitet e para kaluan dhe u bënë dyzet. Të parët të cilët fillimisht jetonin në kasolle punëtorësh filluan të ndahen, ashtu siç ndahen vëllezërit, sollën gratë dhe sollën e lindën fëmijë. Thjeshtë, u bënë familje, lëshuan rrënjë ashtu siç lëshojnë lulet në një vend plot baltë, vend pjellorë. Në shtëpi nuk mbeti thuajse asgjë, mbetën disa fëmijë, ndonjë vëlla e motër dhe babai e nëna. Këta të fundit tanimë thuajse të gjithë vdiqën. Me kalimin e kohës të mbeturit dhe të shkuarit u bënë të huaj. Temat e kuvendimit tanimë thuajse nuk i lidh asgjë nga afërsia.
Sot, kurbetçiu është një person fytyra e të cilit shpesh herë është sinonim i asaj të gogolit. Tanimë nuk ka lot të cilët mund të derdhen për të qarë një të kaluar në ferra jete. Shpesh të kujtuarit e gjithë asaj buke të ngrënë vetëm me pak gjalpë të fabrikuar është e pa kuptim. Gjithashtu edhe jeta e kaluar në një dhomë të vogël e të huaj, në një qytet të një populli të huaj është e pa kuptim. Këtë absurditet e thellon edhe më shumë sjellja e atyre të cilët ndoshta ndonjëherë i ka mëshiruar me ndihmën e tij, kjo sjellje me mendjemadhësi e cila me vete bart dhe shprehje fyese, është plaga e dytë e kurbetçiut. Kjo sjellje arrogante e po atyre të cilët vite më parë qanin në pritje e përcjellje kanë krijuar një gjendje të re në jetën e shoqërisë sonë, në jetën e një kurbetçiu.
Në një kohë kur për popullin e vetë është i huaj babai i cili lindi në atdhe, atëherë sa i huaj është i biri i cili lindi në dhe të huaj në të cilin vend po ashtu njihet si i huaj?
Unë e kam një risi për ju të dyja palët. Ju mund të qesheni ose të qani me këtë risi.
- Bijtë tanë në dhe të huaj tani kanë filluar të jetojnë tëhuajësimin. Kjo gjendje po bëhet e përditshme e tyre.
Për bijtë e kurbetçinjve vendlindja është bërë një vendsynim pushimesh siç mund të jetë çdo vend në botë. Jo vetëm kaq, ky vend pushimesh dita ditës po humb atraktivitetin në raport me vendet tjera. Pra, shpejt po vije koha që të mos kenë nevojë të çajnë kokën “budallenjtë” me “mendjemëdhenjtë”.
Familjar e miq, kjo është një letër si në kohën e baballarëve tanë.
Nga i huaji në dhe të huaj që edhe për ju është bërë i huaj.