Tha: Mos m’i llogarit veprat por dëgjo fjalët që po t’i them …

0

Autor: Faton Azizi

Formulimi i një fjalie të tillë shpesh është prezent në bisedat inter partes që ligjëruesit e ndryshëm religjioz i zhvillojnë me masën. Një fjali e tillë në vete ngërthen elemente të shumta andaj si e tillë meriton një shtjellim pak më serioz (sigurisht nëse duam të mos jemi nën të njëjtin emërues me atë që e lanson këtë fjali). Fjalia për nga natyra është përplot defekte të cilët janë të karakterit të ndryshëm dhe njëkohësisht prodhojnë efekte të ndryshme. Shikuar në aspektin sintaksor ndoshta duket në rregull, mirëpo kur kemi parasysh personat dhe detyrën që ata kryejnë sikur të vjen të rrëqethëse. Përpos efektit negativ që prodhon fjalia e tillë njëkohësisht reflekton një numër të madh informatash për burimin e asaj fjalie respektivisht për formimin e personalitetit i cili e thotë të njëjtën , për shkallën e përgjegjshmërisë si dhe për nivelin e paditurisë që fatkeqësisht posedon i njëjti. Mjerisht këtu mund të futet dhe vaj-halli i masës e cila lejon që ligjërues të tillë të mbajnë hutbe madje dhe udhëheqin institucione shoqërore.

Fjalia e lartpërmendur në kuluaret e ndryshme shpesh përdoret në formë talljeje , mirëpo që në esencë tek perceptuesi serioz ngjall ndjenjën e keqardhjes. Nën vështrimin pak më serioz të një qëndrimi të tillë mund të nxjerrim disa vërejtje dhe mund t’i nënvizojmë disa çështje të cilët s’do të thotë se janë të vetmet. Personi i tillë fillimisht nuk është i vetëdijshëm për punën që kryen dhe sikur në të njëjtën pozitë gjendet pavetëdije , pa vetë-dëshirë ose gjendet me dëshirë mirëpo nuk ka arritur të tubojë dije të mjaftueshme që kërkohet nga një misionar i tillë religjioz, e sidomos kur flitet për një fe serioze. I njëjti nuk i njeh porositë dhe mësimet e Pejgamberit a.s, ka defekte në komponentët e besimit, ka mangësi në përllogaritjen e vetes dhe ajo më e keqja është joserioz në predikimin e fesë.

Që në fillim më duhet të sqaroj që për problem të tillë duhet kapur njerëzit kompetent dhe meritor të cilët kanë më shumë dije dhe më shumë kompetenca në këtë fushë, e jo unë.  Mirëpo gjithë këtë të drejtë ia lejova vetes që të ngrit zërin e arsyes nën arsyetimin që nga këndi i xhematit (respektivisht i perceptuesit të mësimeve religjioze që hoxhallarët  e tillë ofrojnë) në një formë gëzoj të drejtën që të kërkoj nga ligjëruesi të jetë më serioz dhe të jetë më i përgjegjshëm lidhur me sjelljet dhe veprimet që ia ofron masës. Gjithë kjo analizë mbështetet pikërisht në thëniet dhe mësimet që kemi arritur ti marrim nga ligjërues të ndryshëm andaj konform mësimeve mendoj që do t’i parashtroj vërejtjet.

Masa e gjerë si burime nga të cilat nxjerr mësime  dhe informata lidhur me religjionin mund të numërohen :  literatura e shkruar (qofshin ato libra, broshura, fletushka apo ngjashëm, ) ligjëratat e ndryshme që ofrohen në forma të ndryshme ( në xhami, në formë të incizuar, në orë të caktuara ligjërimi dhe ngjashëm).  Andaj dhe unë si pjesë e masës e cila percepton mësime që i ofrohen në forma të ndryshme përgjatë ndjekjes së mësimeve të tilla sado pak kam arritur të krijoj një fond informatash lidhur më disa çështje që janë më se vendimtare dhe bazike për t’u formuar si personalitet i cili tenton që jetën ta organizojë konform mësimeve dhe normave religjioze. Madje dhe jemi të obliguar në këtë drejtim kur veç më kemi përqafuar një besim të këtillë.

Përgjatë rrugëtimit dhe analizës së shumë ligjëratave na keni mësuar që Pejgamberi a.s ka qenë Kur’an i cili ecte ( në kuptimin figurativ, duke u bazuar në thëniet e Aishes r.a). Çdo fjalë e thënë nga ai (pra Pejgamberi a.s) u materializonte në praktikën e tij me çka çdo normë religjioze në një formë shndërrohej në vepër edhe atë për dy qëllime e para : që islami është sistem jete i cili mund të bartet si amanet nga njeriu dhe e dyta që fjala e thënë duhet plotësuar edhe me veprën pasuese si dy komponentë fillimisht të domosdoshme e më pas dhe reflektuese. Andaj nën këtë analizë mendoj që nuk zë vend perceptimi që veprat janë të ndara nga fjalët respektivisht që ligjëruesi duhet të jetë vetëm zëdhënës dhe jo praktikues të së njëjtës. Me lehtësi mund të konstatojmë që Muhamedi a.s ishte materializim i çdo norme që gjendet në Kur’an , ai në çdo moment reflektonte mesazhin që përcjell çdo normë Kur’anore. Në asnjë moment nuk tha që tash do të dalim prej islamit e bëjmë hajgare, madje për shakat  porosiste që ata të jenë me masë dhe në vete të ngërthejnë elemente reale. Kështu nëse fusim në krahasim praktikën e disa hoxhallarëve aktual mund të konstatojmë që kemi një përdhosje të dy burimeve bazike të islamit e para Kur’anit famëlartë dhe e dyta sunetit të Muhamedit a.s.

Kemi kuptuar që besimi sajohet dhe  përbëhet nga tre elemente : besimi me zemër, shqiptimi me gojë dhe veprimi me gjymtyrë. (pra bindja , fjala dhe vepra tri komponente). Më pas na thoshit që nëse ndonjë musliman tregon defekte në njërin prej këtyre elementeve respektivisht nuk i unifikon gjithë këto në një vend atëherë rrezikon të mos jetë pjesë e përndjekësve të denjë të sunetit të Pejgamberit a.s.  Fjalia “shih fjalët e jo veprat” mendoj që është pikërisht defekt në këtë drejtim, dmth grupi i hoxhallarëve të tillë sikur predikon lëvizjen respektivisht ideologjinë e cila mëson masën  që besimi mjafton të qëndroj në zemër dhe fjalë ndërsa veprat janë element terciare ose dhe më larg, ose ose i papërllogaritshëm (gjithnjë sipas tyre). Lidhur me pasojat që sjellin devijimet e tilla as që dua të lëshohem t’i përmend  sepse mendoj që janë të bollshëm personat që rrahin tema të tilla profesionale, megjithatë masa meriton trajtim më serioz kur veç kemi të bëjmë me mësime serioze.

Mendoj që përfundimisht që praktike të tillë duhet dhënë fund edhe atë nën mësimet që na ofrojnë  fjalët  e Omer Ibn Hatabit “ Llogarit vetën kur je në siguri para së të sjellësh në vështirësi…” Andaj kategoria e tillë e cila me ose pa vetëdije lëshon fjali të tillë (jo mjaft të matura) urgjentisht të largojë nga fjalori dhe që predikimit  të tillë duke kthyer në vete dozën e seriozitetit gjithnjë duke pasur parasysh misionin fisnik dhe serioz që i kanë vënë vetes. Uroj që teksti në fjalë të jetë këshillë dhe nxitës për përmirësim dhe vetëdijesim të të gjithë neve.

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *