Zhvillimi i internetit dhe varësia e biznesit

Autor: Skender Mustafi

Teknologjia informative dhe biznesi po gërshetohen në mënyrë të pandashme. Nuk mendoj se ndokush mund të flasë kuptimplotë për njërën pa mos folur për tjetrën. Bill Gates

Kompanitë të cilat tanimë kanë shtrirë rrjetin e sofistikuar të internetit në strukturat e tyre dhe kanë zhvilluar përmbajtje specifike në të e që është jetësore për nevojat e biznesit të tyre, nuk është e thënë të kenë arritur kulmin e suksesit të biznesit të tyre. Në ditët e sodit interneti është teknologjia kyçe e cila u mundëson bizneseve, posaçërisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (këto ndërmarrje në anglisht njihen me shkurtesën SMEs nga fjalët “Small and Medium-size Enterprises ), të e adoptojnë në nivel ndërkombëtarë për të përmirësuar performancën e tyre (Johnston, Wade, & McClean, 2007). Në këtë aspekt dhe në të gjitha këndvështrimet tjera, interneti paraqet një sistem të gjallë i cili dita ditës është duke u bërë më i madh, më i mirë, si dhe më i pa sigurt me secilin kontribut të personave privat ose/dhe organizatave të ndryshme. Nga ky argument i fundit del në pah nevoja e kompanive për të vënë në konsideratë më shumë se vetëm adoptimin e një teknologjie moderne, por edhe aspektet të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në proceset jetike të biznesit të tyre

Synimi i kësaj analize është të vë në pah dy perspektiva shumë të rëndësishme të bizneseve të cilat kanë filluar dhe janë duke realizuar plane për implementimin e teknologjive të informimit edhe atë 1) mënyrën se si zhvillimi dhe shfrytëzimi i internetit ndikon në ndryshimin e strukturës dhe proceseve të kompanive dhe 2) mënyrën se si teknologjia informative ndikon në rritjen e bashkëveprimit dhe varësisë mes kompanive dhe kompanive e internetit. Kjo analizë do të ndihmojë të kuptohet rëndësinë e zhvillimit të strategjive të reja, të pa zakonta për bizneset tradicionale, si për të arritur përfitimet më të mëdha në adoptimin e teknologjive informative ashtu edhe për të ulur rreziqet e shfrytëzimit të këtyre teknologjive dhe krijimin e partneriteteve me rrezik sa më të ulët.

shperndarja e kompanive

Figura 1. Shpërndarja e kompanive

Kompania – Ndërlidhje me internetit dhe varësia nga interneti.
Zhvillimi i shpejtë i internetit ka ngritur shumë çështje të cilat duhet trajtuar me shumë seriozitet nga ana e kompanive, ndër to janë: varësia nga rrjeti i internetit, siguria dhe privatësia, identiteti individual dhe organizativ në internet, ngjashmëria individuale dhe organizative, dallimet dhe marrëdhëniet me identitetet e tyre në botën fizike-reale (Li,  2007)  e të tjera. Intensiteti i ndikimit të çështjeve të sipër përmendura dallon nga kompania në kompani varësisht nga lloji i tyre i biznesit dhe nga modeli i tyre i biznesit. Kompanitë e grupuara në tre lloje të tregtuesve, të analizuara tek artikulli Të kuptuarit e biznesit elektronik, më së miri mund të paraqiten në mënyrë vizuale si tek Figura 1 ku të gjitha llojet e kompanive janë të shpërndara në një shirit në skajet e të cilit janë tregtuesit e pastër tradicional, në njërin, dhe tregtuesit e pastër në internet, në tjetrin. Kështu, kalimi nga e majta në të djathtë më shumë aktivitete ose/dhe procese të kompanive janë të përqendruara në internet, dhe më pak në aspektin tradicional. Për më tepër, sa më shumë që një kompani përfshihet në një ambient në internet, përmes strukturave dhe investimeve në teknologjie e elemente tjera të cilat përbëjnë zhvillimin teknologjik-informativ, aq më shumë rritet ndërlidhja e kësaj kompanie me internetin dhe, logjikisht, rritet edhe varësia e saj nga interneti. Në këtë këndvështrim, për shembull, kompanitë e bazuara vetëm në internet shfrytëzojnë internetin për çdo aspekt dhe çdo proces të biznesit të tyre duke përfshirë pranimin e kërkesave për blerje, kontrollin e inventarit, planifikimin e prodhimit, realizimin e planeve të komunikimit, zhvillimin e programeve dhe aktiviteteve të shitjes, zhvillimin e planeve dhe aktiviteteve të shërbimeve dhe programeve tjera ndihmëse. Kështu, këto kompani mbështesin aktivitetet e tyre bazë tërësisht në internet duke krijuar sfida dhe rreziqe të cilat kërkojnë mënyra të reja të të menduarit për të planifikuar reagimet ndaj incidenteve të mundshme dhe zhvillimet e modeleve të reja të biznesit të përshtatshme me ambientin. (Business  Roundtable,  2007).  Kjo nënkupton çështjen bazë e që është se kompanitë virtuale varen nga interneti në ekzistencën e tyre, pasi që modeli i tyre i biznesit është i bazuar tërësisht në internet (Sadagopan, 2000). Jo vetëm kjo, të gjitha kompanitë, e posaçërisht ato virtuale, janë të detyruara që në mënyrë të vazhdueshme dhe afate të shkurta kohore të shqyrtojnë proceset jetësore të biznesit të tyre, e madje edhe modelin e tërë të biznesit për të përshtatur ose ndryshuar në tërësi në përputhshmëri me ndryshimet e përgjithshme tregtuese e teknologjike.

Interneti dhe kompanitë
Interneti si një strukturë e sofistikuar, bazë e rrjedhës së informacioneve brenda kompanive dhe jashtë tyre ka ndikim të dyanshëm për bizneset: 1) rritë varshmërinë mes kompanive dhe vetë internetit dhe 2) rrit ndërlidhjen mes bizneseve. Në fjalë tjera sa më shumë që kompanitë zhvillojnë dhe shtrinë teknologjinë informative në biznesin e tyre dhe shfrytëzojnë këtë strukturë për të komunikuar sa më mirë me partnerët e tyre, aq më shumë rritet varësia e tyre nga interneti në njërën anë dhe nga partnerët në anën tjetër.

Duke mos shpërfillur çështjet tjera, këtu do të përqendrohem të u sjellë vetëm një çështje të rëndësishme të ndërlidhjes mes internetit   me kompanitë dhe kompanive përmes internetit, kjo është siguria. Siguria është rreziku më i evident i kompanive të cilat veprojnë në internet. Biznesi dhe informacionet të cilat përbëjnë bazën e biznesit të këtyre kompanive janë të siguruara, por të hapura për botën e tërë e cila ka qasje të çfarëdollojshme në internet. Ne jemi dëshmitarë në rastin e kompanisë SONY (EFE, 2011) dhe shumë të tjera ku është arritur deri tek informacionet e ndjeshme të kompanisë pa lejen e sajë nga ana e palëve të treta me vetëm ca mund. Ky është një shembull i problemeve të sigurisë së internetit i cili në shumë diskutime nga ngritur pyetjen nëse bota virtuale është përsëri duke lëvizur drejt “dot kom flluskës” (për më tepër shih: Historiku i zhvillimit të Internetit dhe hapat e përmirësimit të biznesit elektronik) (Meyer,  2011).  Për këtë,  Business  Roundtable  (2007),  asociacioni i zyrtarëve ekzekutivë kryesorë (CEO-ve) të kompanive të Shteteve të Bashkuara të Amerikë vlerëson që “kompanitë duhet vlerësuar varësinë e tyre nga interneti nga perspektiva e biznesit të tyre për tu siguruar që janë në gjendje t’i kenë operacionet jetësore në funksion sa më shpejt që është e mundur pas ndonjë çrregullimi të madh të internetit”, pasi që ky veprim është kritik për të minimizuar sulmet potenciale armiqësore, gjithashtu për të minimizuar ndikimin negativ në ekonominë dhe sigurinë e përgjithshme të vendit. Gjithashtu, Business  Roundtable  (2007) vije në përfundim që “biznesi nuk është në gjendje të trajtoj me maturi çrregullimet domethënëse të internetit”.

Le të përmbledhim.
sigurisht që interneti është një mjet i rëndësishëm dhe jetësorë për shumicën e kompanive në botën e zhvilluar dhe një mundësi shumë e mirë për kompanitë shqiptare për të depërtuar me sukses në tregun kombëtar dhe në atë ndërkombëtar. Për më tepër, interneti mundëson depërtimin e lehtë në treg, ne një kohë shumë më të shkurtë dhe me një buxhet shumë më të ulët se sa në  tregun tradicional. Ajo që sjell interneti me vete është bota e hapur e biznesit ku kompanitë nga e gjithë bota konkurrojnë për çdo pjesë të tregut. Me treg në këtë rast nënkuptojmë jo vetëm atë virtual, por edhe atë tradicional, e që kjo le të kuptojmë që kompanitë virtuale gjithashtu tentojnë të zotërojnë edhe tregjet tradicionale kudo në botë qoftë vetëm përmes shitjes së produkteve të tyre qoftë edhe përmes shtrirjes së filialeve të tyre. Shembull i tillë është Google, kompani e njohur virtuale e cila suksesin e saj e ka provuar në shumë forma edhe në bizneset tradicionale siç është tentimi për depërtim në ofrimin e shërbimeve për rrymën e mençur, gjithashtu edhe kohëve të fundit planifikimi për të depërtuar në tregun tradicional përmes qendrave për informim dhe shitje. Sido që të jetë, interneti nuk është, ndoshta asnjëherë nuk do të jetë, vend njëqind përqind i sigurt. Çështja e sigurisë së rrjedhës së informacioneve, e cila u shfaq me shfaqjen e internetit, kanë nxitur kompanitë që të zhvillojnë strategji të cilat tentojnë të shlyejnë ose së paku të minimizojnë rreziqet e ndryshme të cilat lidhen me sigurinë dhe privatësinë e informacioneve. Përfundimisht, nëse trendi i humbjes dhe keqpërdorimit të të dhënave, siç ishte rasti me Facebook, Applie, e Sony, vazhdon njëjtë edhe në të ardhmen siç ishte në këto vitet e fundit, unë besoj kjo mund shumë shpejtë të shpie drejt pakënaqësisë së konsumatorëve të cilët mund të jenë shkak i përsëritjes së “dot com flluskës” së fillimit të viteve 2000.

Referencat

  • Business Roundtable. (2007). Growing Business Dependence on the Internet — New Risks Require CEO Action. Business. Washington DC.
  • EFE. (2011). Sony Reports Second Loss of Customer Information. Latin American Herald Tribune. Retrieved July 15, 2011, from http://www.laht.com/article.asp?CategoryId=12396&ArticleId=393024.
  • Johnston, D. A., Wade, M., & McClean, R. (2007). Does e-Business Matter to SMEs? A Comparison of the Financial Impacts of Internet Business Solutions on European and North American SMEs. Journal of Small Business Management, 45(3), 354-361.
  • Li, F. (2007). What is e-business?: how the Internet transforms organizations. Wiley-Blackwell.
  • Meyer, J. (2011). Is this a new tech bubble? BBC. Retrieved July 14, 2011, from http://www.bbc.co.uk/news/business-14087394.
  • Sadagopan, S. (2000). When is Your Company getting Dotcommed? Cell. Retrieved from www.iiitb.ac.in/faculty/ss/ss_writings9901/ET_jan13_2000.pdf.

Po këto i keni lexuar?