Kaligrafia Islame ose – bukur shkrimi arab fokusohet si një formë parësore e artit dhe si një shprehje vizuale që lidhet me parimet kozmike dhe shpirtërore të popujve që përqafuan Islamin, si dhe me prejardhjet socio-historike të tyre. Anembanë botës islame, kaligrafia është një simbol që përfaqëson bashkimin, bukurinë dhe fuqinë.[14]
Kaligrafia përfaqëson drejtpërsëdrejti përgjigjen e shpirtit të myslimanëve ndaj zbritjes së shpalljes Kur’anore. Poezia arabe ekzistonte para zbritjes së Kur’anit, mirëpo nuk kishte kaligrafi arabe para shpalljes Kur’anore. Kaligrafia islame është një art specifik islam pa ndonjë para prirje para islamike.[15]
Kuptimi i arteve nga pikëpamja islame, dallimi midis arteve dhe mjeshtërive, domethënia e simbolikës, motivet gjeometrike, arabeskat dhe zbukurimet kaligrafiste janë në thelb të studimeve të rralla por eminente të bëra në kohë të ndryshme nga studiues të shumët, të cilët duke u përpjekur të japin opinionet e tyre për kaligrafinë Islame në përgjithësi dhe atë arabe në veçanti, hetojnë origjinën e saj dhe shpjegojnë zhvillimet e hershme dhe të vonshme rreth saj. Ata i kushtuan vëmendje llojeve të kaligrafisë, instrumenteve, hetimit të hollësishëm të ndryshimeve estetike midis kaligrafisë arabe dhe asaj jo-arabe, gjë e cila arriti të sigurojë një metodë për të kuptuar shpirtin thelbësor të secilës kulturë.[14]
Në fillim u zhvillua stili kufi e pastaj stilet e tjera si naskhi, rik’a, ta’lik, divani, thuluth, muhakkik, rejhani e nasta’lik u zhvilluan gjatë shekujve, me një precizitet dhe bukuri të pabesueshme. Kështu, dalëngadalë u krijua një art, që shtrihej nga shkrimi i tekstit të Kur’anit Fisnik gjer te shkrimi i librave në përgjithësi dhe stolisja e objekteve të jetës së përditshme, shtëpive dhe sigurisht xhamive, në mënyrë të tillë që mjedisi fizik islam pasqyronte Fjalën e Allahut dhe kësisoj e kujtonte myslimanin për Atë dhe për mësimet e fesë islame.[15]
Referencat
14. Ramiz Zekaj, PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti IX 2004 Nr. 1 (32) fq. 121-133, Botuesi: Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” – Tiranë
15. Dielli.net – Letërsia dhe artet në Islam, Sejjid Husein Nasr, 18 Mars 2008, fragment nga libri Udhërrëfyes i të Riut Mysliman në Botën Moderne
Përkthyer për projektin Wikipedia në gjuhën shqipe.