Dhuna ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve si rezultat i dhunës mes partnerëve

Autor: Skender Mustafi1
BSc. Punë Sociale

Hyrje

Në këtë punim do të trajtoj tre elemente të rëndësishme të cilat janë të lidhur drejtpërdrejtë me dhunën ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve e cila reflektohet si rezultat i dhunës në partneritet edhe atë:
• dhuna mes partnerëve,
• cikli i rrjedhës së dhunës mes partnerëve dhe
• dhuna ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve.
Dy elementet e para do të trajtohen vetëm në atë masë sa për tu kuptuar si elementet më të rëndësishme të cilat shpien drejt dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Që në fillim duhet theksuar se si dhunues në partneritet paraqiten që të dy gjinitë ose që të dy prindërit, andaj dhe analiza bëhet për të dy gjinitë respektivisht prindërit. Megjithatë, meqë meshkujt janë të njohur historikisht për dominimin e dhunës, gjuhësisht punimi është shkruar në atë mënyrë që dhunuesi dhe dhunuesja janë emëruar “dhunues”, por që fjala është për të dy gjinitë.

Dhuna mes partnerëve

Dhuna e njërit partner ndaj partnerit tjetër nga studiuesit e punëve sociale shpesh emërohet si dhunë në familje2, megjithatë studiuesit e viteve të fundit bëjnë dallim mes dhunës në familje dhe dhunës në lidhjen mes partnerëve3. Në këtë rast dhuna në partneritet parimisht ka burimin tek marrëdhëniet jofunksionale mes partnerëve dhe është e drejtuar nga njëri partner tek tjetri ose nga të dy partnerët ndaj njëri-tjetrit. Dhuna në marrëdhëniet mes partnerëve bie nën kategorinë e dhunës në familje pasi që kjo lloj dhune shpesh herë nuk buron, zhvillohet dhe qëndron vetëm mes partnerëve, por reflektohet, zhvillohet dhe zhvendoset edhe tek fëmijët dhe adoleshentët ose të moshuarit si në formë të dhunës psikike ashtu edhe në formë të dhunës fizike.

Andaj, dhunë në marrëdhëniet mes partnerëve kemi atëherë kur marrëdhëniet mes partnerëve nuk janë harmonike dhe në mënyrë të përsëritur shfaqen konflikte të cilat përcillen me konfrontim verbal apo edhe fizik.

Cikli i rrjedhës së dhunës mes partnerëve

Dhuna mes partnerëve, sipas hulumtimeve profesionale, rrjedh në një cikël të caktuar i cili fillon me një fazë të caktuar dhe përmbyllet me një fazë e cila njëkohësisht nxitë fillimin e një cikli të ri.

Ciklin e rrjedhës së dhunës mes partnerëve për herë të parë publikoi psikologu i diplomuar gjerman Joachim Lempert4 përvoja e të cilit mbi psikoterapinë, terapinë e fëmijëve dhe terapinë e formësimit shtrihet në një periudhë mbi 25 vjeçare. Fazat e këtij cikli i njohur si “cikli i dhunës” janë shpërndarë në mënyra të ndryshme nga autorët të cilët janë marrë me zhvillimin e tij dhe janë vlerësuar varësisht nga situata dhe rrethanat e dhunës. Madje Zeiler5 kritikon ciklin e Lempert të u jetë drejtuar vetëm burrave si dhunues duke lënë anash gratë si dhunuese kur dihet se edhe ato gjithnjë e më shumë janë dhunuese në familje.

Përkundër kritikës së fundit, ky cikël është shumë i rëndësishëm për të kuptuar dhunën si dhunën mes partnerëve ashtu edhe dhunën ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve si rezultat i dhunës në marrëdhëniet mes partnerëve. Andaj për këtë punim kam përzgjedhur qasjen e katër fazave për të kuptuar dhunën mes partnerëve dhe njëkohësisht dhunën ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve:

  1. Përshkallëzimi i dhunës: Në këtë fazë shfaqet dhuna si rezultat i rrjedhave të ndryshme të marrëdhënieve mes partnerëve. Sa i përket paraqitjes së akteve të dhunshme, nuk duhet kuptuar burimin e konflikteve si probleme përbrenda partnerëve, familjes ose rrethit. Në këtë rast dhunuesi mund të jetë i prekur nga çrregullime të ndryshme mentale, mund të ketë arsye dhe interesa personale të cilat ndikojnë llojin e marrëdhënieve në partneritet, e shumë anomali tjera të cilat reflektohen ndaj lidhjeve në partneritet. Në këtë fazë dhunuesi paraqitet dominues në konflikt dhe shpalosë haptazi dhunën verbale, fizike ose që të dyja. Varësisht nga rrethanat dhe intervenimi i personave të moshuar dhe fëmijëve e adoleshentëve dhuna mund të zgjerohet nga partnerët tek pjesëtarët tjerë të familjes. Pas realizimit të aktit, dhunuesi kalon ngadalë në qetësim dhe heshtje të cilat janë nën-faza të kësaj shkalle të përfshirjes në dhunë.
  2. Marrja dhe dhënia e përgjegjësisë: Në këtë fazë dhunuesi merr përgjegjësi mbi vete, por edhe jep përgjegjësi ndaj partneres. Njëkohësisht e dhunuara merr përgjegjësi mbi vete. Dhunuesi pendohet për aktin ose pjesë të kryera të aktit dhe njëkohësisht arsyeton realizimin e aktit të jetë jo vetëm si rrjedhojë e të metave personale, por edhe si rezultat i veprimeve dhe reagimeve të partneres. Arsyetimi i dhunuesit, në këtë rast, nuk bëhet vetëm ndaj vetes, por edhe ndaj partneres dhe fëmijëve. Në anën tjetër përkundër dhunës së përjetuar, e dhunuara ndjehet fajtore dhe arsyeton aktin e dhunuesit duke kërkuar të metat në sjelljen personale dhe në personalitetin e vetë. Ky arsyetim gjithashtu bëhet ndaj vetes, dhunuesit dhe fëmijëve. Përfshirja e fëmijëve është jo vetëm në përjetimin në formë dëshmie të dhunës mes partnerëve, por edhe përjetim të dhunës në formë psikike duke konsumuar arsyetimet e ndryshme për të cilat “kërkohet” të merret anësim dhe mbështetje.
  3. Faza e muajit të mjaltit: Në këtë fazë dhunuesi tenton të i normalizojë marrëdhëniet në partneritet për këtë arsye dhe sillet me partneren si të jetë “muaji i mjaltit”. Takimet e shumta të psikologëve e nëpunësve social me partnerët nëpër vendet e tyre të banimit kanë vërtetuar se shpesh herë është e pamundur të vërehet konflikt dhe dhunë në partneritet gjatë kësaj faze. Gjatë vizitave të tilla duket të rrjedhë në mënyrë normale në familje. Madje, në këtë fazë, edhe dëmtimet fizike të së dhunuarës arsyetohen nga ajo dhe mbulohen si rezultat i ndodhi tjera. E vetmja mënyrë për të kuptuar dukshëm se kemi të bëjmë me dhunë në partneritet dhe për momentin është duke rrjedhë faza e “muajit të mjaltit” është sjellja e fëmijëve dhe adoleshentëve dhe reflektimi që ata bëjnë. Edhe gjatë kësaj faze fëmijët dhe adoleshentët ndodhen nën stres dhe përjetojnë dhunë fizike pasi që janë në pritje të përsëritjes së dhunës dhe paraqitjes së elementeve të saja.
  4. Faza e plasaritjes: Me “ngopjen” e rrjedhave mes partnerëve në “fazën e muajit të mjaltit” fillojnë përsëri të paraqiten plasaritje në marrëdhëniet mes partnerëve. Andaj dhe fillon të bëhet paraqitja e “karakterit të vërtetë” të dhunuesit. Gjithashtu, fillon e ashtuquajtura ‘përgatitje për dhunë’ nga ana e dhunuesit. Natyrisht që e dhunuara dhe fëmijët ndjejnë ndryshimet dhe vërejnë elementet e së kaluarës në situatën momentale për atë dhe fillojnë të “instalojnë” mekanizmat e vetëmbrojtjes dhe
    mbrojtjes së sistemit familjes siç është tërheqja, mbrojtja e njëri-tjetrit dhe pohimi i çdo kërkese dhe veprimi të dhunuesit. Në anën tjetër, dhunuesi vëren ndryshimin e sjelljes tek partnerja dhe fëmijët dhe zhvillon ndjenjë urrejtjeje, akuzon partneren për manipulim të fëmijëve dhe anësim të tyre, si dhe pozicionon veten në rolin e viktimës në sistemin familjar. Kjo fazë përmbyllet me fillim të ushtrimit të dhunës dhe gjithashtu me fillimit të një cikli të ri të dhunës.

Dhuna ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve

Duhet përkujtuar se dhuna ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve si rezultat i dhunës mes partnerëve është vetëm një nga format e dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Në këtë formë të dhunës kemi të bëjmë me dy lloje të rëndësishme të dhunës:

  1. Dhuna psikike: Në të gjitha fazat e dhunës mes partnerëve, fëmijët dhe adoleshentët përjetojnë në mënyrë të pandërprerë dhunë psikike. Madje edhe në fazën e “muajit të mjaltit” përjetohet dhunë psikike sepse fëmijët dhe adoleshentët janë gjithnjë në pritje të shpërthimit të dhunës. Në konflikt mes partnerëve, dhuna psikike ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve mund të jetë edhe më e gjerë e më e thellë ku fëmijët dhe adoleshentët sulmohen dhe akuzohen si ‘komplotues’ dhe ‘bashkëpërgjegjës’ të rrjedhave problematike e të dhunshme familjare. Madje, në shumë raste dhunuesit u hedhin fajin fëmijëve dhe adoleshentëve dhe i bëjnë ata tërësisht përgjegjës për arsyet e dhunës së ushtruar. Kjo lloj dhune lë pasoja të dukshme tek fëmijët dhe adoleshentët, duke i bërë ata të tërhiqen në vete, të marrin përgjegjësinë mbi dhunën e ushtruar, të çrregullojnë marrëdhëniet me të tjerët qoftë në familje ose në sistemet tjera sociale si shkolla, grupet e aktiviteteve, grupet shoqëria e mund të ndikojë edhe tek humbja e besimit tek partnerët si të rritur.
  2. Dhuna fizike: Dhuna psikike ndaj partneres mund të jetë e “pamjaftueshme” për dhunuesin andaj shfaqë dhunë fizike ndaj saj dhe fëmijëve. Gjithashtu dhuna fizike ndaj partneres mund të jetë hap i parë për tu vazhduar dhe përmbyllur tek fëmijët dhe pjesëtarët tjerë të familjes. Meqë kemi të bëjmë me proces të përsëritur, dhunuesi “i njeh fajtorët” të cilët janë shkak i paraqitjes së dhunës andaj dhe u kthehet gjithnjë atyre dhe ushtron dhunë mbi to me arsyetim edukimi e vetëdijesimi. Përkundër pasojave të dukshme të dhunës fizike, dhuna psikike tejkalon dhunën fizike. Dhuna fizike përfundon me përmbylljen e kohës së ushtrimit të dhunës si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët e adoleshentët. Madje fëmijët dhe adoleshentët groposin këtë lloj dhune thellë në vete dhe i mohojnë vetes atë për shkak të pafuqisë për të ndërmarrë hapa për parandalimin e saj, për shkak të frikës së dëmeve edhe më të mëdha të prindit që mund të përjetojë nga prindi dhunues ose për shkak të frikës së të qenit shkak për rrënimin e sistemit familjar. Edhe pse nuk janë në dijeni se ky sistem tanimë është rrënuar dhe pasojat e dhunës së ushtruar janë afatgjate.
    Pasojat e dhunës fizike mund të jenë: ushtrim të dhunës ndaj vëllezërve e motrave mes vete, ushtrim të dhunës nda fëmijëve tjerë ose edhe shokëve në shkollë. Gjithashtu rezultat i këtij lloj dhune është dobësimi në mësim dhe humbja e shpeshtë me realitetin, pasi që fëmijët dhe adoleshentët tentojnë që situatat t’i tejkalojnë përmes lojës, figurave të imagjinuara, përrallave dhe fantazisë.

Mbrojtja e fëmijëve nga dhuna

Në këtë pjesë do të bëhet trajtimi i zgjidhjeve institucionale të problemeve të dhunës ndaj fëmijëve. Meqë për zbutjen ose mënjanimin e dhunës ndaj fëmijëve përgjegjëse janë institucionet shtetërore, nuk do të shtjelloj format dhe metodat e parandalimit të dhunës ose trajtimit në raste dhune, por mundësitë që ofrojnë vendet ku jetojnë shqiptarët.

Në vendet ballkanike, duke përfshirë këtu edhe shtetet shqiptare dhe rajonet e banuara me shqiptarë akoma mbeten në maja të listave të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve në Evropë. Sipas hulumtimeve në periudha të ndryshme nga UNICEF6 në rajon janë të përhapura të gjitha llojet dhune, por më prekëse janë ato në familje, seksuale dhe psikologjike. Andaj në vazhdimësi shtetet ballkanike në përgjithësi e ato shqiptare në veçanti janë duke u pajisur me mekanizma mbrojtës të fëmijëve. Përmes këtyre mekanizmave bëhet përpjekja për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës ndaj fëmijëve, mbrojtjen e fëmijëve nga përsëritja e
dhunës dhe strehimin e fëmijëve në raste të përshkallëzimit të dhunës në familjes dhe paaftësisë së kujdestarëve për tu përkujdesur për fëmijët e tyre.

Më poshtë do të shpalos në mënyrë të përmbledhur dhe bazike përpjekjet për mbështetje të fëmijëve dhe adoleshentëve në raste dhune në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Në Shqipëri ekziston “Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë dhe Adoleshentë” me numrin e telefonit 116 1117 dhe me faqen e internetit ku të dhunuarit mund të gjejnë informacione dhe të kërkojnë ndihmë. “Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë dhe Adoleshentë ofron këshillim psikologjik për të gjithë fëmijët dhe adoleshentët në Shqipëri dhe ka për qëllim të këshillojë
fëmijët dhe adoleshentët përmes telefonit dhe të referojë nevojat e tyre në institucionet përkatëse. Kjo linjë telefonike është pa pagesë 24/7 dhe në dispozicion të të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve që jetojnë në Shqipëri. Qëllimi kryesor i ALO1168 është mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe adoleshentëve kur ata ndodhen në situatë rreziku dhe të sigurojë një qasje të përshtatshme që të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve t’u garantohen më shumë shërbime në kuadër të një sistemi mbrojtës efektiv dhe parandalues9.

Kontakti qoftë përmes telefonit ose përmes formës së kontaktit me shkrim është anonim dhe personi i cili paraqet rastin është i mbrojtur, andaj të gjithë personat të cilët janë dëshmitarë të dhunës ndaj fëmijëve ose adoleshentëve, kanë informacione për dhunë ndaj fëmijëve ose adoleshentëve, ose kanë kontakte me fëmijë ose adoleshentët të cilët kanë dhe janë duke përjetuar dhunë, ftohen të shfrytëzojë këto shërbime në mënyrë që të rritet vetëdija e kërkimit të ndihmës dhe mohimit të dhunës së cilitdo lloj.

Në raste të përshkallëzimit të dhunës në partneritet e familje dhe rrezikut të dëmtimit permanent të fëmijëve dhe adoleshentëve, “Linja Kombëtare e Telefonit për Fëmijë dhe Adoleshentë” ofron edhe strehim të përkohshëm ose strehim deri në arritje të moshës së pjekurisë për personat e prekur nga dhuna.

Shërbime të mbështetjes së fëmijëve ofron edhe “Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA10)” – “Qendra Kombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Rinjve nga Dhuna Seksuale”. CRCA ofron informacione përmes faqes së internetit, kontakt të drejtpërdrejtë përmes formës së integruar në ueb faqe dhe në faqen zyrtare të organizatës në Facebook11 si dhe kontaktim përmes telefonit +35567500202512.

“Mos duro dhunën, RAPORTOJE ATË!” – Thirr numrin ‘192’

Mbrojtja juridike e fëmijëve dhe adoleshentëve në Kosovë është e definuar përmes neneve dhe akteve të ‘Ligji Nr. 03/ L-182’ të publikuar më 1 korrik 2010 si pjesë e “Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje13”.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF14 i cili bashkëpunon me organizata vendore dhe ndërkombëtare është aktive në ligjësimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Në faqen e internetit të KOMF mund të gjenden vetëm informacione dhe publikime mbi të drejtat e fëmijëve në Kosovë. Fatkeqësisht nuk jepet mundësia e mbështetjes së drejtpërdrejtë të fëmijëve dhe adoleshentëve.

Në Kosovë ekzistojnë nëntë Strehimore nëpër qytete të ndryshme të cilat mund të kontaktohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në raste dhune ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve. Numrat e strehimoreve mund të gjenden në faqen e internetit të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës15. Gjithashtu është i hapur numri zyrtar 192 për kontaktim të drejtpërdrejtë në rast dhune ndaj fëmijëve. Fatkeqësisht edhe ky institucion nuk ofron mundësinë e një kontaktimi të drejtpërdrejtë të profesionistëve të çështjeve sociale për menaxhim dhe tejkalimin të situatës para përshkallëzimit të saj.

Kërkimi i fëmijëve dhe adoleshentëve për mbrojtje ndaj ushtrimit të dhunë në familje është shumë i vështirë dhe i komplikuar në Maqedoninë e Veriut. Sipas organizatës për fëmijë “Deca”, kontakti i parë dhe më i rëndësishëm për raportim të dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve është stacioni më i afërt policor16. Ky hap, shikuar nga perspektiva e punëve sociale jo vetëm që është joprofesional, por është edhe i dhunshëm ndaj lidhjeve familjare, i frikshëm për fëmijët dhe adoleshentët dhe joproduktiv në nivel të përmirësimit të situatës.

Sipas të arriturave të hulumtimit të ofrimit të shërbimeve, institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut shërbimet janë të përziera dhe qartësimi i roleve, detyrave dhe mënyrës së komunikimit me fëmijët dhe adoleshentët deri më tani është akoma i paplotë. Shembull, “SOS Fshatrat e Fëmijëve Ndërkombëtar17” është organizatë e pavarur dhe u drejtohet fëmijëve e adoleshentëve, por që asnjëherë nuk është formësuar në mënyrë të duhur për të plotësuar nevojat e fëmijëve dhe adoleshentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Madje faqja e internetit nuk është zhvilluar as 50% në gjuhën shqipe, përshkrimet në gjuhën shqipe janë artificiale dhe jo të përafërta më ndihmë-kërkuesit e mundshëm edhe pse llogaritet ndër kontaktet më të rëndësishme të raportimit të dhunës ndaj fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.

Shërbimi tjetër i rëndësishëm në Maqedoninë e Veriut është “Kërko Ndihmë18”. Kjo është një platformë digjitale e cila ofron ndihmë juridike falas për të prekurit nga dhuna. Faqes mund t’iu qaset në çdo kohë dhe shërbimet mund të kërkohen edhe në gjuhën shqipe. Edhe pse duhet theksuar se qasja nuk është e drejtpërdrejtë dhe kërkon regjistrim në platformë gjë që vështirëson ruajtjen e privatësisë dhe anonimitetit të fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët kërkojnë ndihmë.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e Republikës së Maqedonisë së Veriut në faqen e saj zyrtare19 bënë thirrje për raportim të dhunës ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve përmes numrit zyrtar 192 si dhe ofron informacione rreth qendrave të strehimit në qytetet e rëndësishme20, por që asnjëri nga këto shërbime dhe asnjëri nga këto faqe nuk janë shqipëruar dhe në këtë mënyrë janë të huaja për ndihmë-kërkuesit shqiptarë.

Përmbyllje

Padyshim se lidhjet e mira mes partnerëve janë shkak i parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve. Në të kundërtën, çdo lloj konflikti në partneritet dhunon edhe fëmijët si në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu edhe në të tërthorë. Ndër hapat më të rëndësishëm në parandalimin e dhunës në familje është kujdesi ndaj marrëdhënieve në partneritet dhe ruajtja e tyre. Në rast të pamundësisë së ruajtjes së lidhjes në partneritet, atëherë duhet gjetur zgjidhje jashtë tyre.

Në rast të përshkallëzimit të dhunës dhe përsëritjes së saj, atëherë duhet kontaktuar personat e besueshëm të cilët mund të bëjnë ndryshime pozitive ose/edhe institucionet përkatës shtetërore. Në këtë pikëpamje Shqipëria është shumë më e përparuar në krahasim me Kosovën dhe Maqedoninë e veriut. Shërbimet e ndihmës sociale të fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga dhuna është për tu dëshiruar.

Gjithashtu duhet theksuar me shqetësim mungesën e çfarëdo lloj shërbimi për mbështetje të të fëmijëve dhe adoleshentëve të prekur nga dhuna familjare nga ana institucionet fetare në këto tri vende. Duke marrë parasysh se bashkësitë fetare islame të të tri shteteve janë ndër bashkësitë fetare më të organizuara dhe më të fuqishme në rajon është tërësisht e pakuptim të mungojnë mundësitë për mbështetje të fëmijëve dhe adoleshentëve të cilët kërkojnë ndihmë socio-psikologjike-shpirtërore. Në këtë pikëpamje bëhet fjalë për mbështetje profesionale në çështjet shpirtërore, të tejkalimit të krizave psikologjike-sociale të shkaktuar nga dhuna dhe të marrjes së iniciativave për organizim institucional siç është rasti i mungesës së mbështetjes së besueshme institucionale në Maqedoninë e Veriut.

Referencat

1 Autori gjithashtu ka titullin Bachelor në Administrim Biznesi dhe Master në Implementim të Sistemeve Informative në Biznes. Është profesionist në punët sociale në fushën e mbështetjes së personave me të meta të shumëfishta dhe në fushën e aplikimit të modeleve të biznesit në internet, autor librash e punimesh shkencore.
2 Këshilli i Evropës (2020). Domestic violence or violence in intimate relationships. Publikuar nga Council of Europe, Avenue de l’Europe F-67075 Strasbourg Cedex, France. URL: https://www.coe.int/en/web/gendermatters/domestic-violence-or-violence-in-intimate-relationships. [Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022].
3 Düttmann, Verena (2021). Gewalt in der Beziehung erkennen und Wege finden. Publikuar nga HelloBetter – eine eingetragene Marke der GET.ON Institut für Online Gesundheitstrainings Gmb. HURL: https://hellobetter.de/blog/gewalt-in-der-beziehung/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
4 Institut Lempert (2022). Wir über uns: Das Institut Lempert. Publikuar nga Joachim Lempert. URL: http://www.lempert.eu/home/ueber-uns/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
5 Zeiler, Tatjana (2020).„UND DANN IST MIR DIE HAND AUSGERUTSCHT“: GEWALT IN PAARBEZIEHUNGEN – TÄTERARBEIT IN BAYERN. Publikuar nga Tatjana Zeiler. BACHELORARBEIT zur Erlangung des akademischen Grades Bachelor of Arts (B.A.), Evangelische Hochschule Nürnberg, Studiengang Soziale Arbeit
6 Vale, Giovanni (2021). Pandemia është një krizë e të drejtave të fëmijëve. Publikuar nga UNICEF. URL: https://www.unicef.org/montenegro/sq/histori/pandemia-%C3%ABsht%C3%AB-nj%C3%AB-kriz%C3%AB-et%C3%AB-drejtave-t%C3%AB-f%C3%ABmij%C3%ABve. [Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022].
7 https://alo116.al/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
8 Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
9 Alo116 (2022). Kontaktim i drejtpërdrejtë me personelin profesional të Alo116 përmes formës për kontaktim përmes shkrimit në faqen e internetit alo116.al. Biseda e realizuar më 08. Nëntor 2022
10 https://www.crca.al/sq/kontakt/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
11 https://www.facebook.com/barnahusALB/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
12 Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
13 https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=2691. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
14 https://komfkosova.org/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
15 https://md.rks-gov.net/page.aspx?id=1,15,2208. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
16 Bashkovska-Zlatova, Natasha (2019). Каде и како се пријавува насилство врз дете?. Publikuar nga ЕФ-ТРИ
ДОО. URL: https://deca.mk/mon-ovaa-i-slednata-nedela-ke-se-pechatat-i-isporachuvaat-uchebnitsi-za-prvovtoro-chetvrto-i-petto-oddelenie/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
17 https://sos.org.mk/sq/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
18 https://pobarajsovet.mk/sq/fillimi/. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
19 https://mtsp.gov.mk/april-2020-ns_article-prijavete-semejno-nasilstvo-instituciite-postapuvaat-servisite-zazashtita-i-poddrshka-se-funkcional.nspx. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
20 https://mtsp.gov.mk/ns_article-prijavi-semejno-nasisltvo.nspx. Së fundi qasur më 08. Nëntor 2022.
– Buskotte, A. (2007). Gewalt in der Partnerschaft. Ursachen/Auswege/Hilfen.
– Hornor, G. (2005). Domestic violence and children. Journal of Pediatric Health Care, 19(4), 206-212.
– Rosenberg, M. B. (2016). Gewaltfreie Kommunikation: Eine Sprache des Lebens. Junfermann Verlag GmbH.
– Prior, M. (2002). MiniMax-Interventionen. Heidelberg: Carl-Auer-Systeme Verlag, 2.

Po këto i keni lexuar?