Përgatiti: Skender Mustafi
Hyrja e një punimi është njëra nga tri pjesët kryesore promovuese të punimit tuaj kërkimor, përkrah abstraktit dhe përfundimit. Shpesh herë mentorët profesorët/kërkues shkencorë kërkojnë që kërkimin që ju ose ata propozojnë të e shpalosni përmes hyrjes, Kështu ata kuptojnë përmbajtjen dhe mënyrën se si ju do ta shtjelloni temën që po propozoni për kërkim ose kuptojnë se sa dhe si e keni kuptuar temën që u është ofruar për kërkim. Për më tepër, hyrja është nga pjesët e para që lexohet nga të interesuarit për të lexuar temën që do të shtjelloni. Nëse përmbajtja nuk është domethënëse, tërheqëse dhe e plotë në kuptimin e vetë atëherë lexuesi nuk lexon punimin sepse nuk është tërhequr nga përmbajtja ose pasi që nuk ka arritur të shohë se çka në të vërtetë ofron punimi.
Pra, përmbajtja është pjesë e rëndësishme e punimin dhe duhet shtjelluar me shumë vëmendje. Nëse nuk e keni kuptuar temën e propozuar për nga mentori (qoftë profesor ose kërkues shkencorë) atëherë më mirë pyesni mentorin tuaj për çështjet të cilat u janë të mjegulluara. Sidoqoftë, edhe nëse mendoni se e keni kuptuar temën, pasi që të keni shkruar hyrjen i dërgoni atë mentorit tuaj dhe kërkoni të e shqyrtojë dhe të japë qëndrimin dhe sugjerimet e tij. Në këtë mënyrë ju do ta kuptoni temën më mirë dhe kërkesat e mentorit tuaj. Sidoqoftë në fund të fundit nëse tema është me karakter kërkimor-edukativ atëherë fjalën e fundit e ka mentori, pra i plotësoni kërkesat dhe “dëshirat” e tij duke shkruar temën që ai kërkon (kuptohet duke u bazuar në fakte dhe duke sjellë argumente nga kërkimi juaj, por kjo realizohet në vetë temën).
Kur ta shkruaj?
Hyrja shkruhet akoma para se të fillohet të shkruhet tema. Madje edhe para se të përpilohet struktura e përmbajtjes, pasi që me hyrje propozohet tema e cila do të shtjellohet.
Si ta shkruaj?
Kjo varet nga mentori dhe tema.
Nëse tema është e shkurtër që mbuton 7-10 faqe A4, atëherë hyrja është zakonisht një kapitull me një ose dy paragrafë.
Nëse shkruani temë të gjatë ose tezë për Master (që mbulon 80-120 faqe) dhe mentori kërkon hyrje konkrete pa hyrë edhe në sqarime më të vogla dhe tema pason një hipotezë e cila ka argumente të qarta, atëherë e shkruani në një kapitull me rreth 70% – 100% të një faqeje A4 me font Calibri 11 (Calibri është fonti standard tek versionet e reja të Microsoft Word).
Nëse tema është më e komplikuar duke shqyrtuar disa nën-hipoteza dhe mentori kërkon një hyrje më të qartë atëherë mund të e zgjeroni hyrjen duke e kaluar në 2-3 faqe A4 me të njëjtin font. Në këtë rast hyrjen mund të e ndani në disa nën-kapituj duke e bërë të qartë, të lehtë për të përcjellë, atraktive dhe të këndshme për lexim. Shembull: Nën-kapitujt mund të radhiten si vijon: Prapavija e temës kërkimore, Shpalosja e problemit, Qasja kërkimore.
Vini Re: Shembulli është vetëm si ilustrim, nuk nënkupton se duhet përcjellë po në të njëjtë formë.
Sa e gjatë duhet të jetë?
Siç përmendëm më sipër varet nga tema, nëse është e shkurtër atëherë në një ose dy paragrafë me rreth dhjetë fjali, kurse nëse është më e gjatë nga 1 deri në 3 faqe. Kini kujdes që edhe nëse hyrja zgjatet, zgjatja të realizohet me kujdes duke mos humbur kuptimin e hyrjes dhe duke ruajtur atraktivitetin për lexuesin.
Çka duhet të shkruaj?
Hyrja duhet pasuar një shtrirje logjike e cila mbulon elementet kërkimore dhe problematikën e temës në tërësi. Pavarësisht shkruhet hyrje e shkurtë apo e gjatë, ajo duhet përmbajtur të gjitha elementet. Elementet kryesore të cilat duhet trajtuar në hyrje janë:
- Prezantimi i temës
- Hyrje në temë përmes paraqitjes së gjendjes së përgjithshme në sferën që tema mbulon.
- Paraqitja e idesë kërkimore dhe shpalosja e problemit kërkimor (shpalosja e tezës)
- Të metat nga gjendja e paraqitur zakonisht janë motivim për përmirësim, pra shkurt paraqisni se ajo gjendje ose ai problem i caktuar u motivon të realizoni kërkimin në këtë punim.
- Shpalosni tezën tuaj rreth problematikës që do të kërkohet…
- Paraqisni pyetjen/t kërkimore…
- Shpalosni: Çfarë po kërkoni?
- Shpalosni: Çka po tentoni të sillni në dritë përmes këtij kërkimi?
- Si do të realizoni kërkimi?
- Prezantoni metodën kërkimore të cilën vlerësoni të e shfrytëzoni kërkimin…
- Shpalosni mjetet të cilat vlerësoni të i shfrytëzoni për të realizuar kërkimin…
- Jepni një përshkrim të shkurtër të “vijës” kërkimore e cila do të paraqitet në punimin tuaj. Pra, përshkruani rrjedhshëm se si kapitujt të ndërlidhur mes vete do të shtjellojnë problematikën dhe do tu shpien në përfundim.
Efekti i hyrjes…
Elementet e mësipërm nuk janë statik, ata mund të kombinohen dhe mund të radhiten sipas nevojës dhe dëshirës, por duhet mbajtur mënd efektin e hyrjes: Informative, Efektive, Atraktive, Shkencore, e Këndshme për lexim. I gjithë funksioni i hyrjes është që lexuesin të informojë rreth asajë se çfar problemi është hasur nga ju, çka u ka motivuar që të shtjelloni atë problem, çka do të shtjelloni në këtë punim, cilat metoda kërkimore do t’i shfrytëzoni për të realoziar këkimin dhe si do të rrjedhë procedura kërkimore. Dhe efekti i përgjithshëm është që hyrja të jetë shkak që lexuesi të mos largohet pas leximit të gjysmës së saj ose pas leximit të polotë të saj, por që ai të nxitet që të lexojë kërkimin e plotë.