Përgatiti: Skender Mustafi
Pse artikullin?
Në një artikull më parë përpilova një listë softuerësh për përpilimin e UML diagrameve duke shkuar nga ajo që lexuesit e kësaj hapësire me të parë shkurtesën UML e dinë për çfarë është fjala. Por pasi pushova nga lundrimi për përpilimin e atij artikulli dhe pas kërkimit në Google pashë të arsyeshme të shkruarit e një artikulli mbi UML dhe UML diagramet.
Çka është UML?
UML është akronim që rrjedh nga fjalët Unified Modeling Language (në shqip: Gjuhë e Uniformuar e Modelimit). UML është gjuhë një gjuhe modeluese në fushën e Software Engineerin, sistem i orientuar ndaj objekteve (anglisht: object-oriented system) vegël për vizualizimin,specifikimin, ndërtimin dhe dokumentimin e elementeve të një sistemi softuerik. Një përkufizim të zgjeruar e bën dhe Bunjaku (2008): “UML është gjuhë vizuale e thjeshtë, e zgjerueshme, dhe shprehëse për modelim. Ajo është grup i simboleve dhe rregullave për modelimin e sistemeve të softuerit, të kompleksiteteve të ndryshme. UML e mundëson krijimin e modeleve të thjeshta të softuerit, të dokumentuara mirë dhe që kuptohen lehtë.”
UML shfrytëzon grup të teknikave të shënimeve grafike për për të përpiluar modelet vizuale.
Për më tepër UML është pranuar nga Object Management Group (OMG) si standard për modelimin e programeve të orientuara në objekte.
Cilat teknika shfrytëzon UML?
UML kombinon teknikat e ndryshme të modelimit si teknikat e modelimit të të dhënave që përfshijnë diagramet e ndërlidhjes së pjesëve, teknikat e modelimit të biznesit, teknikat e modelimit të ndërlidhjes së objekteve, si dhe teknikat e modelimit të komponentëve. Për më tepër UML ka sintetizuar shënimet e metodës Booch, të teknikës së modelimit të objekteve (anglisht: Object-Modeling Technique shkurt OMT) si dhe të inxhinierimit të softuerëve të orientuar në objekte (anglisht: Object-Oriented Software Engineering).
Dallimi mes modeleve dhe diagrameve në sistem
Modeli në UML përmban dokumentimin i cili nxit veprimin e elementeve dhe diagrameve, kurse diagramet janë paraqitje grafike të modeleve të sistemit. Kështu diagramet paraqesin dy pamje të ndryshme të modeleve të sistemit:
- Pamja statike vë në theks strukturën statike të sistemit edhe atë duke shfrytëzuar objektet, atributet, veprimet dhe ndërlidhjet. Në këtë lloj të pamjes përfshihen diagramet e klasës dhe diagramet e përbërë të strukturës.
- Pamja dinamike, gjithashtu e njohur edhe si pamje e sjelljes vë në theks sjelljen dinamike të sistemit duke shfaqur ndërveprimin mes objekteve. Kjo lloj pamje përfshinë diagramet e sekuencës, diagramet e aktivitetit dhe diagramet e gjendjes.
Çka janë UML diagramet?
UML diagramet paraqitje e pjesshme grafike e modelit të sistemit në formë dizajni. Kështu, diagramet përmbajnë elementet grafike (pra simbolet) të cilat ndërlidhin komponentët në një model të vetëm reprezentativ. Që në fillim po flisnim për diagrame, pa në shumës, meqë në UML ekzistojnë disa lloje të diagrameve të cilat dallohen për nga lloji primar i simboleve grafike. Shembull në këtë rast mund të marrim një diagram i cili si simbole primare ka klasat, pra fjala është për diagram të klasave.
Duhet pasur parasysh që llojet e ndryshme të diagrameve nuk janë të definuara në formë të prerë. Kështu që varësisht nga softueri që shfrytëzohet për modelim, përzierja e llojeve të diagrameve është e mundur në një masë të caktuar.
Kategoritë dhe llojet e diagrameve
Në versionin e fundit të UML diagramet ndahen në 14 lloje të shpërndara në dy kategori: UML diagramet strukturorë dhe UML diagramet e sjelljes me nën kategorinë UML diagramet e ndërveprimit.
- UML diagramet strukturorë
- Diagramet e klasave
- Diagramet e komponentëve
- Diagramet e përbërjes së strukturës
- Diagramet e shpërndarjes
- Diagramet e objekteve
- Diagramet e paketave
- Diagramet e profilit
- UML diagramet e sjelljes
- Diagramet e aktivitetit
- Diagramet e gjendjes
- Diagramet e përdorimit të rastit
- UML Diagramet e ndërveprimit
- Diagramet e parapamjes së ndërveprimit
- Diagramet e sekuencës
- Diagramet e komunikimit
- Diagramet e kalimit të kohës
- Si bëhet modelimi me UML?
- Modelimi bëhet përmes mjeteve, pra softuerëve për përpilimin e UML modeleve.
Referencat
- Bunjaku R., (2008), Zhvillimi i Softuerit në Ekip – Koncepte Themelore, Marrë më datën 7 Shtator, 2012 nga https://sites.google.com/site/kalabuli/ZhvISofNeEkip.pdf?attredirects=0
- UML-Diagrams (2012), UML, Marrë më datën 7 Shtator, 2012 nga http://www.uml-diagrams.org/
- SmartDraw (2012), What is UML?, Marrë më datën 7 Shtator, 2012 nga http://www.smartdraw.com/resources/tutorials/uml-diagrams/#/resources/tutorials/Introduction-to-UML