Si të shkruaj një letër motivimi v.2

3

Autor: Skender Mustafi

Ky nuk është një artikull të cilit duhet t’i ktheheni dhe të e lexoni tërësisht (edhe pse ndoshta pjesë nga artikulli po) gjatë kohës që shkruani letrat tuaja të motivimit, por SË PAKU NJË HERË DUHET TË E LEXONI NË TËRËSI për të kuptuar çështjen në tërësi.

Para gati dy vitesh shkrova artikullin e parë me këshilla për mënyrën e të shkruarit të një letre të motivimit (shihe: Si të shkruaj një letër motivimi?). Në kohën kur e shkrova nuk e kisha idenë që lexuesit shqiptarë kishin aq nevojë për informacione të këtij lloji. Tani jam i befasuar se si kjo çështje nuk trajtohet nëpër sistemet edukative në gjuhën shqipe, qoftë nëpër shkollat e mesme e madje edhe në universitete. Sidoqoftë. Artikulli në fjalë merret më tepër me çështjen teknike të përpilimit të letrës, gjë që është e mirë për informim dhe realizim të një letre të pranueshme teknikisht, por mësim jo i mjaftueshëm. Kohëve të fundit për shkak të gjendjes dhe vendit në të cilin po jetoj më është dashur të bëj zhvillim të mëtejmë të karrierës duke u larguar nga puna dhe duke vazhduar studimet Mastër. Tani pas përfundimit të studimeve më duhej përsëri të lidhem me tregun e punës për tu ngjitur në vendin i cili më takon (së paku që mendoj se më takon), ose vendin i cili synoj. Për të bërë këtë vendosa të pasoj një kurs profesional për këshillime dhe mbështetje drejt ngjitjes në tregun e lirë të punës. Që nga koha e kursit të vizituar e më pas (deri në kohën e suksesit) kisha vërtetë më shumë suksese në tërheqjen e vëmendjes së punëdhënësve përmes letrave të mia të motivimit. Letër kjo e përmirësuar në esencë me një kurs profesional gjashtë ditorë.

Shkarko: Letër motivimi përshtatur në shqip drejtuar kompanisë Franke (6646)

Nëse kjo është letra e parë e motivimit dhe nuk keni të lexuar akoma informacione se si një letër e tillë shkruhet, atëherë u sugjeroj që të lexoni fillimisht, shpejtë, versionin e parë të artikullit dhe më pas të përqendroheni në këtë artikull.

Sidoqoftë.

Le të nisim fillimisht me kuptimin e kësaj letre. Kjo nuk është kopje ose përmbledhje e CV-së. Kjo nuk është letër e cila shkruhet një herë dhe mbetet e pa ndryshuar gjatë gjithë jetës. Madje kjo letër nuk është  e njëjtë as edhe për dy vende pune në të njëjtën organizatë. Kjo letër tregon motivim. Tregon “zjarrin” tuaj për të qenë pjesë e organizatës tek e cila konkurroni dhe këmbëngulësinë për pozitën për të cilën jeni përcaktuar. Mos u përcakto për çfarëdo vendi pune që sheh në internet ose në ndonjë reklamë qoftë në TV, gazetë ose gjëkundi dhe të shkruash një çfarëdo letre së cilës as ti vetë s’mund t’i thuash se është letër motivimi.

Për të shkruar me sukses një letër motivimi duhet që ju vetë në fund të vendosni çka është me rëndësi e çka jo, dhe si do t’i qaseni komunikimit pasiv me organizatës. Mos harroni se ju jeni një produkt i cili ka mundësinë përmes një shansi të ftohet në intervistë, përkrah numrit të pa njohur të produkteve me cilësi të ngjashme, madje ndoshta edhe më të mira.

Ajo që ndihmon në të shkruarit të letrës së motivimit është përshtatja e modelit të marketingut të njohur AIDA për nevojat tuaja në këtë rast. (AIDA qëndron për Attention Interest Desire Action që në rastin tonë në shqip nënkupton: Tërheqja e Vëmendjes punëdhënësit, Ngritja e Interesit për tu njohur ju, Nxitja e dëshirës për punësimin tuaj, Nxitja e punëdhënësit për veprim, pra thirrjen tuaj për intervistë.) Këtë mund të e bëni duke realizuar me kujdes çdo pjese të letrës suaj dhe duke kompletuar me kujdes dokumentacionin e tërë. Mos harroni të lexuarit dhe të interesuarit tuaj për përmirësimin e letrës suaj të motivimit, për punëdhënësit e vërtetë është element pozitiv meqë tregon se ju keni investuar kohë për të bërë maksimumin për të arritur në pozicionin e dëshiruar.

Shembulli është ndihmësi më i mirë, për këtë dhe në këtë artikull kam ngarkuar letrat e mia të motivimit të cilat më kanë shpjer në intervista. Kjo nënkupton që nga dhjetëra kandidatë, letrat e motivimit më kanë shpjer tek top 3 , 5 ose maksimum 10 kandidatët më të pëlqyer. Edhe atë në kompani të mëdha si T-Systems, SwissRe, Alpiq, Appway e të tjerë. Fatkeqësisht shembujt janë vetëm në anglisht dhe gjermanisht. Shkarkoni pra dhe shihni shpejtë sa për të pasur përshtypje për çfarë po flitet.

Meqë tanimë keni lexuar letrën e parë, ju e dini që mund të shkruajmë dy lloj letrash motivimi: aktive (u shkruaj organizatave pa u mbështetur në ndonjë reklamë për pozicion të hapur) dhe reaguese ( reagojmë me letrën tonë pasi të kemi parë ndonjë reklamë ku kompania kërkon një punëtorë për një pozicion të caktuar)

Le të sqarojmë çdo çështje të rëndësishme të letrës së motivimit që në fund të kemi një letër të plotë.

Paraqitja fizike (dizajni)
Letra e motivimit nuk është patjetër të është e tëra e bardhë, por mund të ketë dizajn. Kuptohet dizajni duhet të është i pranueshëm dhe tërheqës dhe me rëndësi është që dizajni bazë të jetë i aplikueshëm edhe në CV edhe në letrën e referencave për të formuar një identitet personal (anglisht njohur si Corporate Identity)

Adresa e juaj dhe punëdhënësit
Ju mund të shihni shembujt e bashkëngjitur dhe të vëreni që unë nuk i mbështetem, tërësisht, këshillave tradicionale. Radhitjen e adresave e kam bërë duke iu përshtatur dizajnit. Kjo është treguar qasje e suksesshme, meqë ka tërhequr punëdhënësit të më bëjnë ftesë për intervista. Se cilat informacione të i vendosni, mund të shihni shembullin e bashkëngjitur.

Kujt i drejtohemi me letër
I drejtohemi personit të caktuar. Nëse letra është aktive, atëherë ne e kërkojmë dhe e gjejmë një përgjegjës për Burime Njerëzore i cili mund të ishte kyç për drejtimin për të cilin konkurrojmë.  Nëse nuk gjejmë përgjegjës për burime njerëzore, atëherë gjejmë ndokënd i cili mund të ishte përgjegjës për ju dhe do të ishte i interesuar për ju. Nëse sipas informacioneve që gjeni mund të vëreni se organizata ka sektor për burime njerëzore, por personat janë të fshehur, atëherë mund t’i drejtoheni departamentit për shembull me shprehjen Të nderuar përgjegjës për burime njerëzore, ose Të nderuar menaxherë për burime njerëzore, e shprehje të ngjashme. Nëse letra është reaguese, atëherë në çdo reklamë gjendet emri i personit ose departamentit përgjegjës për atë pozicion. Ju i drejtoheni atij personi dhe askujt tjetër.

Titulli
Nëse letra është aktive, shkruani një titull atraktiv. Kuptohet varësisht nga pozicioni që konkurroni. Ju mund të jeni kreativ dhe të shfrytëzoni rastin të tërhiqni vëmendjen dhe dëshirën e punëdhënësit për tu njohur ju. (( kam dëgjuar shumë tregime të suksesshme në këtë drejtim. Ja një. Një zviceran kishte qenë i punësuar tërë jetën e tij, rreth 15 vite përvojë pune, në fabrikën e riciklimit të letrës dhe prodhimit të letrës së tualetit. Pasi kompani e nxjerr nga puna dhe ai kishte përvojë të caktuar në një drejtim të caktuar ai u gjend përball tregut të lirë me resurset e tija të pakta të njohurisë specifike por të zotëruar mirë. Një nga letrat e tij që i solli vendin e ri të punës ishte letër aktive drejtuar një kompanie që kishte nevojë për dituri të ngjashme. Titulli i letrës së tij ishte: “Për dashuri të prapanicës sime.”))) Një nga letrat e bashkëngjitura nga unë është aktive. Nëse letra është reaguese, atëherë në titull vendoset titulli i reklamës së pozicionit sepse kur personi përgjegjës pranon postën elektronike atëherë menjëherë e din se për çfarë arsye i është dërguar posta dhe se duhet kontrolluar më parë nga postat tjera.

Përmbajtja
Përmbajtja ndahet në disa pjesë. Unë po i ndaj në paragrafë për të qenë më i përgjithshëm dhe për të qenë më lehtë për ju që të përqendroheni në letrën tuaj.

Paragrafi i parë flet për kompaninë për të cilën konkurroni dhe për pozicionin për të cilin jeni i interesuar. Shkurt dhe qartë ju shfaqni interesin tuaj për të punuar në atë pozicion tek ajo kompani. Në fund me fjalinë ose pjesën e fjalisë së fundit e përmbyllni duke u shprehur ngjashëm sikur … dhe për këtë u dërgoj aplikacionin tim. Ky paragraf duhet të jetë i shkurtë dhe me informacionet e nevojshme të cilat shprehin virtyte atraktive për ju e që janë fakte për kompaninë. Pra, ju thoni diç që kompania është dhe që juve u pëlqen dhe kjo u tërheq që të punoni atje.

Paragrafi i dytë flet mbi ju. Atë që thatë më sipër e mbështesni me atë që ju keni në aspektin edukativ dhe të përvojës. Varësisht se çka kërkon punëdhënësi në reklamën për punë ju e shkruani edhe këtë pjesë. Nëse përvoja është më me rëndësi, atëherë filloni me përvojën, ose nëse edukimi është me rëndësi, atëherë filloni me edukimin. Nëse kërkohet diç specifike, atëherë përshkruani shkurt ato njohuri ku i keni arritur.

Paragrafi i tretë flet mbi juve si njeri, karakterin tuaj, përkushtimin tuaj, dëshirën tuaj për të punuar vetë ose në ekip etj. Këtë e shkruani varësisht nga karakteristikat që kërkon punëdhënësi.

Paragrafi i katërt shkruhet nëse ju vëreni që ju konkurroni për një pozitë më të lartë nga ajo që keni përvojë, ose për një pozitë më të ulët nga ajo që keni përvojë. Këtu ju sillni argumentet tuaja, përse ju vlerësoni se prapë se prapë punëdhënësi duhet të u marr juve në pozicionin e caktuar.

Në fund në fjalinë e fundit e përmbyllni me shprehjet si Me kënaqësi pres ftesën tuaj për intervistë. ose Me kënaqësi pres njoftimin me ju. ose diç edhe më atraktive se këto shprehjet e mia, por le të jetë qasje profesionale pa mos u lëshuar në privatësi e larisje.

 Ndryshimi i përmbajtjes
Përmbajtja e çdo letër duhet ndryshuar dhe përshtatur, varësisht nga kërkesat në reklamën e punës. Ju nuk duhet futur informacione më shumë se sa çka u kërkohet, përvojën e tërë, edukimin e tërë sepse kjo e “frikëson” punëdhënësin në dy drejtime: ju ose do kërkoni rrogë të lartë herët ose vonë, ose do të kërkoni pozicion më të lartë. Punëdhënësi edukimin dhe përvojën tuaj i sheh në CV, por nëse i shkruani në letër të motivimit, ju i bëni shtypje duke treguar se çfarë keni.

Kuptohet se letra nuk ndryshon në tërësi për çdo konkurrim, por disa pjesë ndryshojnë thuajse çdo herë edhe atë në tërësi. Varësisht nga kompania ku konkurroni dhe pozicioni për të cilin jeni i interesuar mund të ndodhë që letra me letrën të mos kenë po thuaj se asnjë element të njëjtë të përmbajtjes.

Madhësia
Shpresoj të mos bëheni konfuz. Në artikullin e parë kam të shkruar numra se sa fjalë, mesatarisht, duhet pasur letra. Tani i kuptoj sugjerimet e shumë ekspertëve se të thuhet numri i fjalëve është absurd, sepse është përmbajtja dhe qëllimi të cilin duam të e arrijmë i cili përcakton madhësinë. Megjithatë letra ka një madhësi të caktuar mesatare. Për këtë mund të i shihni shembujt e bashkëngjitur.

Çka kam bashkëngjitur në dokumentacion
Kjo nuk shkruhet më në letër të motivimit. Nëse ju shkruani këtë, atëherë në postën elektronike sepse në postë ju shkurt shkruani interesin tuaj për pozicionin dhe jo letrën e tërë. Shembull: I nderuari Z. Filani me interesim të madh aplikoj për pozicionin XY në kompaninë tuaj, për këtë në këtë postë kam bashkangjitur dokumentacionin tim ose dokumentet (dhe i radhisni cilat dokumente i keni bashkangjitur si letra e motivimit, CV, certifikatat, letrat e referencave etj.).

Shkarko

Letër motivimi përshtatur në shqip drejtuar kompanisë Franke (6646) 

SUKSESE!!

Komentet nga Facebook:

3 Komentet

  1. Pershendetje. Desha qe te me ndihmoni se si te shkruaj nje Leter Motivimi per pune. jame duke studjuar FK Ekonomik Banka, Financa dhe Kontabilite. ngase nuk po arrij qe te shkruaj mire vete per shkak se nuk kam shenuar asnjeher dhe nuk arrij dot. Ju faliminderit.

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *