Vlera e tubimit

Ebu Hurejre r.a transmeton se i Dërguari i Allahut rrëfen një bisedë mes Zotit të Madhërishëm  dhe disa melekëve:

“Allahu ka disa melek të tjerë përveç atyre që shënojnë veprat e njerëzve. Ata ecin rrugëve dhe kërkojnë njerëz që madhërojnë Allahun.  Kur takojnë njerëz që përmendin Zotin e Lartësuar, fillojnë t’i thërrasin njëri tjetrit: ‘Ejani, i kemi gjetur ata që po i kërkoni!’ Atëherë ata mblidhen dhe i rrethojnë me flatërat e tyre deri në qiellin e tokës. Pastaj Allahu i pyet melekët, ndërsa Ai i di më së miri njerëzit:

–          “Çfarë thonë robërit e  Mi?
–          Të lavdërojnë, të madhërojnë, të falënderojnë dhe të respektojnë – përgjigjen melekët.
–          A më kanë parë ata Mua? –
–          Jo o Zoti ynë, nuk të kanë parë.
–          E çfarë do të bënin nëse do të më kishin parë?
–          Sikur të të kishin parë, do Të të madhëronin dhe do të respektonin më shumë.
–          Për çfarë më luten?
–          Të luten për xhennet.
–          A e kanë parë ata xhennetin?
–          Jo o Zoti ynë nuk e kanë parë.
–          Po sikur ta kishin parë?
–     Sikur ta kishin parë, do të kishin synuar pas tij, do të kishin kërkuar dhe do të kishin dëshiruar më shumë.
–          Nga cfarë kërkojnë mbrojtje?
–          Nga zjarri i xhehennemit.
–          A e kanë parë zjarrin e xhehennemit?
–          Jo, nuk e kanë parë.
–          Po sikur ta kishin parë?
–          Sikur ta kishin parë do të frikësoheshin dhe do të iknin më shumë .

Atëherë Allahu thotë:
–          “Ju marr juve dëshmitarë se i kam falur.
–          Në mesin e tyre ka një njeri që nuk është prej tyre, por ka ardhur për disa punë të vetat. Thotë njëri prej melekëve.
–          Ata janë një grup nga cili asnjëri prej tyre nuk do të jetë fatëkeq.” (Buhariu dhe Muslimi)

Po këto i keni lexuar?