Autor: MSc. Skender Mustafi
5C1 është njëkohësisht metodë dhe kornizë e cila u mundëson ndërmarrjeve mbledhjen e informacioneve, në njërën anë si brenda ndërmarrjes ashtu edhe jashtë ndërmarrjes dhe në anën tjetër si nga ambienti mikroekonomik ashtu edhe nga ai makroekonomik.
Pesë elementet përbërëse të analizës janë:
- Ndërmarrja; Përmes njohjes së synimeve, objektivave, pozitës, rendimentit, linjës së produkteve dhe shërbimeve të ndërmarrjes, mund të fitohet një pasqyrë rreth gjendjes së ndërmarrjes dhe aftësive të saja për të qëndruar në tregun ekzistues si dhe për të depërtuar në tregje të reja; për të vazhduar me produktet / shërbimet aktuale ose për të zhvilluar produkte ose / dhe për të ofruar shërbime të reja.
- Konkurrenca; Analiza e jashtme fillon me analizën e konkurrencës ku trajtohen të gjithë konkurruesit e drejtpërdrejtë në industrinë përkatëse si dhe ndikimi i tyre në industritë tjera, veprime të cilat mund të shkaktojnë rrezik të drejtpërdrejtë ose të tërthorë për ndërmarrjen. Trajtohen gjithashtu dhe konkurruesit të cilët ofrojnë produkte zëvendësuese e që janë ose mund të jetë rrezik potencial për ndërmarrjen. Faktorët të cilët duhet trajtuar gjatë trajtimit të konkurrencës janë: identifikimi i konkurrentëve, vlerësimi i tyre dhe vlerësimi dhe parashikimi i veprimeve të tyre në të ardhmen (Boundless, 2015).
- Klientët; Varësisht nga lloji i biznesit dhe industria në të cilën vepron ndërmarrja, analiza e konsumatorëve mund të jetë e gjerë dhe e komplikuar. Në shumë raste ndërmarrjet realizojnë analizën PEST për të mbledhur informacione nga makro-ambienti në të cilin veprojnë. Sidoqoftë, faktorët më të rëndësishëm të cilët duhet të merren parasysh gjatë analizës së konsumatorëve janë: demografik, madhësia e tregut ose e segmentit të tij, motivacioni i konsumatorëve, mënyra e reklamimit, kanalet e shpërndarjes si dhe frekuenca e blerjes.
- Bashkëpunëtorët; Janë faktorë shumë të rëndësishëm meqë ndikojnë në realizimin optimal të proceseve të marketingut, rritjen e burimeve të ideve si dhe rritjen e mundësive për veprime të reja biznesi. Nga bashkëpunëtorët mund të jenë agjencitë e ndryshme të marketingut, ofruesit e shërbimeve të marketingut, ofruesit e teknologjive të marketingut ku ofrojnë marketingun si shërbim, furnizuesit, shpërndarësit dhe parterët e ndryshëm. Përmes analizës së situatës ndërmarrja duhet vlerësuar nëse bashkëpunëtorët aktual si dhe ata potencial kanë aftësitë e duhura për të realizuar biznes të suksesshëm.
- Klima; Përfshinë të kuptuarit e makro-ambientit në të cilin vepron ndërmarrja. Për të kuptuar klimën e përgjithshme të realizimit të biznesit, ndërmarrja duhet analizuar ambientin politik, ambientin ekonomik, ambientin socio-kulturorë si dhe ambientin teknologjik. Për më shumë, kjo lloj analize të cilët ndërmarrja duhet realizuar njihet edhe si analiza PEST.
1 5C është akronim i pesë fjalëve në gjuhën angleze të cilat fillojnë me „c“. Company (shqipt.: kampëni), Competitors (shqipt.: këmpetitërs), Customers (shqipt.: kastëmërs), Collaborators (shqipt.: këllabërejtërs), Climate (shqipt.: klaimët)
Referencat
Boundless. (2015). Conducting a Situational Analysis. Nga Boundless Marketing: (URL) https://www.boundless.com/marketing/textbooks/boundless-marketing-textbook/marketing-strategies-and-planning-2/steps-to-creating-a-marketing-plan-28/conducting-a-situational-analysis-151-7221/; Qasur më 19. Shkurt 2016