Citimi është një zbukurim dhe pasuri në fjalën e shkruar.
Nëse një sjellje e caktuar është përhapur në një shoqëri nuk do të thotë se është e drejtë dhe se duhet vepruar po në të njëjtën mënyrë. Edhe pse ky nuk është një shkrim i cili vlerëson të tjerët më duhet të theksoj se është bërë zakon që shkrimet në gjuhën shqipe të jenë të pastër nga referencat. Shikuar nga prizmi shkencor, fitohet përshtypja se autori ka zbuluar të gjitha të arriturat në shkrim ose ka pasur të gjitha mendimet vetë pa ndikim të askujt. Në të vërtetë, shkrimet shkencore pa asnjë referencë janë pjesërisht ose plotësisht plagjiaturë e hapur.
Autor:
MSc. Skender Mustafi
plagjiatura
Çka është plagjiatura? Fjala plagjiaturë në fjalorin e gjuhës shqipe definohet si vijon: “Paraqitja nga dikush e një vepre të një tjetri ose e një pjese të saj sikur të ishte e vetja.” (shih shkenca.org p.v.: plagjiaturë) Gjithashtu, më duhet të theksoj se në rregullat ndërkombëtare të vlerësimit të plagjiaturës është edhe vjedhja e idesë dhe paraqitja e saj me fjalë, fjali e mendime tjera. Andaj, për t’iu shmangur plagjiaturës dhe për të qenë etik ndaj veprave të huaja dhe veprës sonë duhet që të citojmë burimet nga të cilat kemi marrë dituri të caktuara.
citimi
Çka do të thotë të citosh? Në fjalorin e gjuhës shqipe kuptimi modern i fjalës “citoj” është i definuar vetëm pjesërisht. Aty definohet fjala citoj me kuptimin “Jap fjalë për fjalë një pjesë të shkurtër nga një vepër ose nga shkrimi i një autori, përdor një citat.” (shih shkenca.org p.v.: citoj) Në të vërtetë, këtij definicioni duhet shtuar edhe pjesa: Jap në mënyrë kuptimore ose të vlerësuar të një shkrimi, definicioni, ideje ose mendimi të një autori ose vepre.
Me qëllim kam shfrytëzuar “të një autori ose vepre” sepse mund të bëhet plagjiaturë e autorit ose e veprës. Në kornizat e vlerësimeve të punimeve shkencore kur autori merr mendimet e veta nga një vepër paraprake dhe nuk citon atë llogaritet plagjiaturë, pra ‘vetë plagjiaturë’. Një fenomen shumë i përhapur tek hulumtuesit shqipfolës ku magjistrat dhe doktorët e shkencave shfrytëzojnë punimet e tyre të diplomës për të “prodhuar” punime shkencore. Në këtë kuptim, autori duhet cituar shkrimet, idetë ose mendimet nga veprat e tij të mëparshme dhe nuk duhet marrë ato si të tilla.
Shkarkoni postimin falas si PDF
llojet e citimit
Kur kemi të bëjmë me citimet duhet dalluar tri forma kryesore të citimit të cilat mund të paraqiten gjatë shfrytëzimit të literaturës shkencore:
- Citimi i drejtpërdrejtë – këtu mund të merret kuptimi i plotë i definicionit të citimit nga fjalori i gjuhës shqipe. Do të thotë, shkëputet tekst nga një shkrim ose vepër e një autori dhe merret pa asnjë ndryshim duke e futur në thonjëza. Gjatë përpilimit të punimeve shkencore duhet patur kujdes që të mos merren citime të shumta të drejtpërdrejta sepse tejmbushja e punimit me të tilla llogaritet lloj i plagjiaturës dhe është veprim i pa pranueshëm. Andaj, në punimet shkencore duhet shfrytëzuar sa më pak citime të drejtpërdrejta.
- Citimi i tërthortë – lloji më i preferuar i citimeve. Këtu kemi të bëjmë me marrje të mendimeve, ideve, definicioneve e shkrimeve të një autori lidhur me temën e caktuar, analizimin e tyre dhe paraqitjen nëpërmes mendimeve, vlerësimeve e fjalive tona. Në fund të përfundimit të “shtjellimit” duhet patjetër cituar burimi nga i cili është marrë ajo tërësi.
- Citimi i dorës së dytë – mund të jetë citim i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i dorës së dytë. Ky lloj citimi bëhet kur në citojmë një pjesë të një shkrimi në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthorë por që ky shkrim është i marrë nga një vepër tjetër. Pra, përmes citatit themi se mendimi është marrë nga autori i cili është cituar tek vepra e autorit që po citojmë.
forma e një citimi
Pyetjes: Si duhet të citoj në shkrimin tim?, duhet në dy drejtime:
- Citimi i drejtë është ai i cili kërkohet nga bartësi i përgjegjësisë ose institucioni tek i cili dorëzohet punim. Nëse ju jeni autor dhe përcaktoheni për një lloj citimi, atëherë është e drejta juaj (nëse është mirë apo jo mirë është çështje tjetër). Nëse mentori, institucioni, revista shkencore, ose një përgjegjës tjetër kërkon një lloj të caktuar citimi atëherë duhet përgjigjur kërkesës dhe ky është lloji i drejtë i citimit.
- Në të kundërtën, nëse jeni të lirë të vendosni për formën e citimit mund të gjejmë forma të ndryshme të citimit të zhvilluara nga institucione të njohura ndërkombëtare. Ndër llojet më të njohura të citimit janë stilet:
- APA
- MLA
- Harvard
- Chicago
- Turabian dhe nga
- IEEE
Patjetër duhet theksuar se citimi ka dy pjesë përbërëse të cilat janë të pandashme në strukturën e një punim qoftë shkrim shkencor ose libër: citimi në brendi të tekstit dhe përmbledhja në listën e referencave.
Shembuj për tre llojet e citimit
Citim i drejtpërdrejtë:
““Shëtitja” e lirë në internet, nëpër aplikacionet e mjeteve elektronike, shëtitja me mjetet elektronike i ngjason shëtitjes së lirë nëpër rrugë pa mos u interesuar fare nëse ato janë për këmbësorë, për biçikleta, për automjete, rrugë kryesore, apo autostrada.” (Mustafi 2014)
Citim i tërthortë:
Shfrytëzimi i mediave për të lundruar pa përgjegjshëm në internet i ngjason papërgjegjësisë në komunikacion. (sipas Mustafi 2014)
Citim i drejtpërdrejtë i dorës së dytë:
“për të përshkruar rritjen e vazhdueshme dhe qasjen ndaj të dhënave, qoftë të strukturuara apo të pa strukturuara” (SAS Institute 2014 në Mustafi 2014).
Citimi i tërthortë i dorës së dytë:
Big data përshkruar rritjen e vazhdueshme të të dhënave pavarësisht strukturës së tyre (sipas SAS Institute 2014 në Mustafi 2014).
Referencat
Mustafi, Skender (2014). „Big Data”– Thika me dy tehe. Publikues: Fjalame!. URL: https://fjalaime.ch/big-data-thika-me-dy-teha/ (vizituar më – këtu shkruani datën në të cilën keni vizituar këtë nyje për herë të fundit)
Referencat
Shkenca.org (p.v.). plagjiaturë. URL: http://fjalori.shkenca.org/ (vizituar më 15 Janar 2021)
Shkenca.org (p.v.). citoj. URL: http://fjalori.shkenca.org/ (vizituar më 15 Janar 2021)