Definimi i marketingut tradicional

Skender Mustafi
shkëputje e përshtatur nga libri:
“Maqketingu: Qasje shkencore-islame”
ref. Mustafi S. (2018). Marketingu: Qasje shkrencore-islame.
Fjalaime!, Shkup, f. 315, ISBN: 978-608-245-271-5

Meqë marketingu është rritur dhe zhvilluar vazhdimisht nën ndikim të paraqitjes së praktikave, teknologjive e qasjeve të reja, idetë dhe definicionet e marketingut kanë qenë gjithnjë në ndryshim e sipër. Definicione të plota të kohëve të fundit janë nxjerrë nga burime të ndryshme profesionale ku një ndër to është edhe bordi i drejtorëve të Organizatës Amerikane të Marketingut (AMA). Ky Bord (AMA, 2003) definon marketingun si

“aktivitet, tërësi institucionesh dhe procesesh të të krijuarit, komunikuarit, shpërndarjes dhe shkëmbimit të ofertave të cilat kanë vlera për konsumatorët, klientët, partnerët dhe shoqërinë në përgjithësi”.

 AMA në mënyrë të qartë vë në pah konsumatorin si më të rëndësishmin përkrah të gjithë pjesëmarrësve tjerë në aktivitetet për t’i ofruar vlerë për konsumim. Klientët, partnerët dhe shoqërinë në përgjithësi duhet kuptuar gjithashtu nën termin konsumatorë, por që në të vërtetë janë grupe njerëzish ose organizata të cilat kanë marrëdhënie të caktuara me ndërmarrjen. Në mënyrë të qartë është përcaktuar dizajni i pikës së të krijuarit vlerë, pikës e cila konsumon vlerën dhe lidhësja mes tyre që përfshinë aktivitetet e strategjitë përkatëse të cilat ndikohen nga lloji i konsumatorit.

Në anën tjetër njëri nga studiuesit më të njohur të marketingut, Filip Kotler, njeh marketingun si shkencë dhe art të hulumtimit, krijimit dhe shpërndarjes së vlerës për të kënaqur nevojat e tregut të synuar në përfitim. Madje, ai thekson që,

marketingu identifikon nevoja dhe dëshira të pa plotësuara të konsumatorëve; definon, matë dhe vlerëson madhësinë e tregut të identifikuar dhe potencialin e përfitimit të ndërmarrje
(Kotler, 2012).

Kotler në këtë pjesë të definicionit të tij të zgjeruar ofron një perspektivë më të gjerë nga ajo që ofron AMA duke shtrirë më gjerë horizontin e marketingut, ku marketingu njëkohësisht është shkencë e cila definon, matë dhe vlerëson dhe art i plotësimit të nevojave dhe dëshirave. Sipas Kotler marketingu si shkencë merret me identifikimin e nevojave për vlerë dhe mundësive për të krijuar e shpërndarë atë, kurse si art merret me joshjen e konsumatorëve, kuptohet, nëse e gjithë kjo situatë i mundëson përfitime ndërmarrjes.

Instituti i Kualifikuar i Marketingut (Chartered Institute of Marketing – CIM) pohon se

“marketingu është proces udhëheqës i cili është përgjegjës për identifikimin, parashikimin dhe përmbushjen me profit të kërkesave të konsumatorëve. Ky proces thërret për vendimmarrje udhëheqëse mbi produktin, çmimin, shpërndarjen, promocionin dhe shitjen personale dhe në disa instanca në shërbim ndaj konsumatorëve”
(The Chartered Institute of Marketing, 2011).

Për dallim nga AMA dhe Kotler, CIM përqendrohet tek funksionet bazë të marketingut, 4P, dhe i tërë aktiviteti realizohet vetëm në rast të realizimit të fitimit nga ana e ndërmarrjes duke mos lënë anash edhe realizimin e aktiviteteve në shërbim të konsumatorëve, kuptohet që nëse këto aktivitete përputhen me interesat e ndërmarrjes.

Edhe pse në pikën më të lartë të të gjitha definicioneve, autorët vënë vlerën, ata mbështesin atë me elemente tjera të cilat në situata të ndryshme kanë rëndësi të ndryshme. Për Pirs Brentli (Brantley, 2014), për konsumatorët emocionet janë më të rëndësishmet. Rene Blo`dxhet1 (Blodgett, 2014) marketingun e njeh si komunikim mes ndërmarrjes dhe konsumatorit. Ndërsa për Kris Garet2 (Garrett, 2014) dhe Deborah Wienstein3 marketingu është më shumë se një komunikim, është ndërtim i marrëdhënieve mes ndërmarrjeve dhe konsumatorëve. Së fundi, në anën tjetër En Hendli4 mbështetë vetëm njërën anë të komunikimit duke vënë në theks mënyrën se si ndërmarrja tregon tregimin për të tërhequr konsumatorët.

Së fundi, perspektivat, instrumentet e marketingut, mundësitë teknologjike dhe strategjitë janë të shumta. Ne mund në vazhdimësi të sjellim qëndrime të ndryshme të ekspertëve të cilat janë me vlerë dhe të dëshmuara në praktikë. Megjithatë, duhet të kemi parasysh që perceptimi nuk është ligj fiks në të cilin të gjithë besojnë, ose mendim që së paku ka një nivel sinqeriteti (Blythe, 2008), andaj meqë marketingu në masë të madhe mund të definohet dhe kapet vetëm përmes perceptimit, atëherë të përqendruarit në të kuptuar të theksuar të tij është veprim më i përshtatshëm. Nga shtjellimet e studiuesve të ndryshëm dhe implementimit në praktikë, mund të konkludojmë se

 marketingu paraqet një tërësi aktivitetesh, të paradefinuara, të ndërmarrjes për të krijuar dhe shpërndarë vlerë për veten dhe palët tjera.

Me palët tjera nënkuptohen si konsumatorët të cilët konsumojnë vlerën në mënyrë direkte ashtu edhe mjedisi i cili ndikohet qoftë drejtpërdrejtë qoftë tërthorazi nga vlera e shpërndarë.

Fusnotat

1  CEO dhe themelues i Magic Sauce Media; magicsaucemedia.com

2  konsultues i bizneseve në internet

3  presidente e Strategic Objectives; strategicobjectives.com

4  CCO tek MarketingProfs dhe bashkautore e librit “Content Rules”; Përkthimi në shqip: Rregullat e Përmbajtjes; marketingprofs.com; contentrulesbook.com

Referencat

AMA. (2003). Definition of Marketing. Publikoi American Marketing Association: https://www.ama.org/AboutAMA/Pages/Definition-of-Marketing.aspx, Qasur më 18. shtator 2014

Brantley, P. (2014). Twitter. Publikoi Twitter: https://twitter.com/tipsforbrands/status/513032304361365504; Qasur më 19. shkurt 2016

Blodgett, R. (2014). MarketDone.com. Botuar nga: Marketing with Fresh Ideas – Unique Approaches. Marrë nga: http://marketdone.com/. Qasur më 22 shtator 2014

Blythe, J. (2008). Essentials of Marketing. Pearson Education Limited.

Garrett, C. (2014). Chris Garrett on New Media. Publikoi New Media: http://www.chrisg.com/. Qasur më 22 shtator 2014

Kotler, P. (2012). FAQs on Marketing. Marshall Cavendish International (Asia) Pte Ltd.

The Chartered Institute of Marketing. (2011). An Overview of Marketing. Publikoi CIM: http://www.cim.co.uk/marketingplanningtool/intro.asp; Qasur më 29 tetor, 2014

Po këto i keni lexuar?