Autor: Skender Mustafi
BSc. në BA dhe MSc. në BIS
Format e pagesës
Ky artikull është rezultat i një nxitjeje si të rrjedhave historike e po ashtu edhe të zhvillimeve të reja ne sferën e shitë-blerjeve, si aktivitet ekonomik. Trajtimi i formave të pagesës gjatë procesit të shit-blerjeve është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të mund të kuptohen mundësitë të cilat i kemi si ndërmarrje dhe konsumatorë, gjatë realizimit të këtij aktiviteti. Në vijim do të shpalosim të gjitha format e pagesës duke i paraqitur ato në mënyrë kronologjike.
- Shkëmbimi si formë pagese – Shkëmbimi i materialeve mes shitësve dhe blerësve është nga format më të hershme në historinë njerëzore. Implementimi i një forme të këtillë e bën një shitësi të jetë njëkohësisht dhe blerës duke ditur që ai njëkohësisht duhet të jep mallin e tij për një mall tjetër, si shkëmbim. Kjo formë, parahistorike, edhe sot e kësaj dite mund të haset dhe është shumë atraktive nëpër shumë vende të botës. Një shtytje të madhe në ngritje të autoritetit të kësaj forme, dekadën e fundit, ka pasur vetë interneti ku janë hapur shitore shkëmbimesh të cilat mundësojnë shkëmbim mallrash jo vetëm në nivel lokal, por edhe në nivel ndërkombëtarë. E meta: Fakti që kjo formë është lidhur ngushtë me ‚teorinë e gjasës‘ e bënë që të mos jetë e rëndësishme në nivel industrial. Kështu, që një shitës të mund të shesë mallin e tij duhet të gjejë një blerës i cili shet mallin për të cilin ka nevojë shitësi i parë dhe blenë mallin të cilin ofron ai. Pra që të dy palët pjesëmarrëse duhet të jenë të interesuara në mallin e njëra-tjetrës në mënyrë që shitë-blerja të realizohet me suksese.
- Pagesa përmes monedhave të arit dhe argjendit – Poseduesi i monedhave të arit mund të blejë mallin e dëshiruar, kuptohet nëse vlera e monedhës së arit mbulon vlerën e mallit. Vetë ari garanton vlerën e vetë dhe nuk ka nevojë asnjë person apo institucion të garantojë për këtë vlerë. E meta: Monedhat e arit me kohë humbin në peshë e që është element kryesorë në vlerën e tij. Monedhën e arit nuk e bën me vlerë vetëm forma e saj, por edhe pesha dhe lëgurimi. Meqë përdorimi i madh bën që pesha të bie, bie dhe vlera e vetë monedhës pas një periudhe të caktuar. Transaksionet moderne nuk mund të paramendohen të paguhen me ari jo vetëm për shkak të angazhimit të madh në transportim të tij nga një shitës tek tjetri, nëpër gjithë botën, por edhe për shkak të rrezikut të lartë të plaçkitjes së tij.
- Pagesa përmes monedhave – Duke pasur parasysh vërshtirsitë të cilat paraqet pagesa me ari është paraqitur monedha e cila si e tillë është e pa vlerë, por që emetuesi i saj garanton (me ari) mbulimin e vlerës së saj, të shkruar, në çdo kohë. Paraja nuk ka vlerë, këtë e dëshmojnë inflacionet e shumta nëpër vendet e ndryshme të botës, por atë e bën me vlerë garancioni të cilin e ofron pala e cila emeton atë1. E meta: Në nivel individual, mënyrë që blerësi të mund të jetë i gatshëm të realizojë blerje, në çdo kohë, ai është i detyruar të bartë me vete, gjatë gjithë kohës, para të gatshme. Në nivel industrial, zhvillimet e mëdha tekniko-teknologjike dhe ato të biznesit ndërkombëtarë, kanë bërë që të rritet lartë dinamika e aktiviteteve të biznesit. Kjo rritje ka bërë të nevojshe rritjen e efikasiteti dhe saktësisë në realizimin e transaksineve. Paraja në këtë rast, edhe pse e garantuar në vlerë, e rigjenerueshme dhe më e lehtë se ari në manipulim, është bërë mjet i „rëndë“ për ekonominë ndërkombëtare për shkak të rreziqeve të shumta në përdorimin e saj.
- Pagesa virtuale – Transaksionet e botës moderne janë të pa paramendueshme pa pranin e transaksioneve virtuale. Kjo formë e pagesës gjatë shitë-blerjeve ka bërë që dinamizmi në biznes dhe në pagesa të rritet në nivel shumë të lartë. Pagesa përmes kartelës bankare është nga mënyrat bazë të pagesës virtuale. Rrjedhimisht, me rëndësi është, që në fillim, të kuptohet se kjo metodë na largon edhe një hap nga burimi i vlerës. Pra, institucioni i cili ofron formën e pagesës së caktuar virtuale na garanton që shifrat të cilat i kemi në llogarinë tonë në çdo kohë mund t’i shndërrojmë në monedha dhe monedhat i mbulon sipas premtimit në garancion. Sidoqoftë, për ne po kryen punë dhe nuk është duke na shqetësuar korniza mbi të cilën janë ngritur këto sisteme. Edhe pagesa virtuale, e cila ka aplikim në gjithë botën, dhe që ka mundësi më të lehtë dhe më atraktive aplikimi, ka hasur në pengesa të cilat kan shpier drejt defilimit të kësaj forme:
- Pagesa përmes kontos elektronike – Të pasurit e një llogarie bankare, viteve të fundit, në mënyrë automatike nënkupton të pasurit e një llogarie elektronike e cila nuk është asgjë më shumë se të pasurit qasje, në çdo kohë, në llogarinë personale bankare. Aplikacionet për mjetet e ndryshme elektronike mundësojnë që t’i qasemi kontos personale dhe të realizojmë transaksionet e caktuara, në çdo kohë.
- Pagesa përmes celularit – Celularët e mençur kanë bërë revolucion edhe në fushën e financave në nivel personal dhe atë industrial. Sidoqoftë, jo vetëm aplikimi i mençur tek celularët, por edhe nevojat e ndryshme kanë ndikuar në zhvillimin e mundësive të reja për realizimin e transaksioneve. Celularët e mençur dhe mundësitë që ata ofrojnë në masë të madhe janë duke u shfrytëzuar për nevoja personale, dule lehtësuar kështu si realizimin e transaksioneve ashtu edhe të transferit të lehtë, të shpejtë e të sigurtë të të hollave. Kështu, mund të shfrytëzohen numrat e caktuar për thirrje përmes të cilëve mund të realizohen pagesat. Mund të bëhet transfer i parave dhe pagesa e blerjeve përmes dërgimit të SMS porosive si dhe mund të bëhet pagesa e drejtpërdrejtë përmes skanimit të celularit në lexuesit e ndryshëm të zhvilluara nga kompani me qasje të zhvilluar financiare në botë4.
Në ekonominë moderne të bazuar, në masë të madhe, mbi zhvillimet e hovshme teknologjike, ne jemi të shftyrë jo vetëm nga nevoja, por edhe për nevojën. Ndërmarrjet e mëdha me investimet e tyre gjigante në ide inovative në fushën e financave jo vetëm që motivojnë e nxisin, por edhe detyrojnë konsumin të veprojnë sipas ofertave të tyre. Natyrisht që veprime të tilla janë të mbështetura nga vetë shtetet dhe institucionet e tyre. Zhvillimet e fundit sa janë inovative, tërheqëse e mbreslënëse, aq janë të rrezikshme dhe oqean në të cilin mund të peshkohet gjithçka personale. Çdo veprim i yni është informacion i cili i mundëson ndërmarrjeve të hedhin kurthat e ndryshme financiare e të marketingut për të na kapur, përmes plotësimit të dëshirave dhe nevojave tona. Unë me fjalët e fundit nuk dua të nxis frikë tek ju, por vetëm të ngjalli nevojën tuaj për të qenë vigjilent në veprimet tuaja gjatë shfrytëzimiz të begative moderne teknologjike.
Referencat
- Në monedhat e Britanisë së Madhe mund të lexohet dëshmia e garancionit. Bank of England (2015), Current Banknotes, Së fundi vizituar më 22 Prill, 2016 tek http://www.bankofengland.co.uk/banknotes/pages/current/default.aspx
- Raiffeisen Bank (2016), Raiffeisen Birekt, Së fundi vizituar më 22 Prill, 2016 tek Raiffeisen Online
- Square, INC. (2016), 3 New Payment Methods You Should Start Accepting Now, Së fundi vizituar më 22 Prill, 2016 tek https://squareup.com/townsquare/3-new-payment-methods-you-should-start-accepting-in-2016/
- Google Wallet është një nga mundësitë e pagesës përmes celularit. Kjo lloj pagese dhe transferimi parashë është bërë shumë e njohur dhe e aplikuar edhe në vendet Afrikane për shkak të nevojës për siguri dhe nevojës për mos mbajtje të parave të gatshme gjatë udhëtimeve dhe shit-blerjeve të ndryshme.