Autor: Skender Mustafi
MSc. BIS & BSc. BA
Nëse vërtetë më ka mësuar diç kurbeti janë: dhimbja për vendlindje dhe dhimbja për njerëzit që jetojnë në atë tokë sepse vetëm së bashku kanë kuptim të plotë, njohja e vetes dhe njohja e shoqërisë sime nga e cila vijë sepse të harruarit e faktit të prejardhjes pamundëson njohjen e vendit dhe shoqërisë në të cilin gjenden, mbrojtja e identitetit tim sepse ikja nga identiteti për të marrë një identitet tjetër të lë pa identitet. Sa i përket kësaj pikës së fundit duhet theksuar që nëse nuk të pëlqen identiteti që ke si pasojë e parregullsive të mëdha, atëherë duhet luftuar në mënyrë që të përmirësohet, por assesi të tentohet të iket, thjeshtë sepse nuk ka ikje të plotë, por vetëm shkumosje të vetes.
Në këtë shkrim, i detyruar moralisht dhe shkencërisht, do të trajtoj të shprehurit e profesor Xhemal Ahmeti në bisedën e zhvilluar me gazetarin Baton Haxhiu tek emisioni “Zona B” duke lënë tërësisht anash udhëheqësin e emisionit, pyetjet dhe zgërdhierjet e tij. Pjesën e parë të emisionit të cilën kam marrë parasysh, mund të shihni në Youtube.
Informacionet për të cilat flet profesori, janë të pakta dhe është e pa vërtetë se ky ka mundësi t’i qaset një mase aq të madhe të informacioneve që të mund të bëjë një profil informativ mbi një person të caktuar. Në anën tjetër, Zvicra është një ndër shtetet më të rrepta me ligje të theksuara mbi të dhënat dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Kjo nuk nënkupton faktin që këto të dhëna nuk mblidhen nga shteti dhe institucionet e caktuara shtetërore për interesa shtetërore. Kështu, një qasje e tillë mundësuar edhe profesorëve bie tërësisht në kundërshtim më ligjin zviceran dhe me mënyrën e shpalosjes së analizave studimore për interes të këtij shteti. Ajo që nuk duhet keqkuptuar në këtë rast, është fakti që një mori informacionesh me mundësi për “qasje gjysmë publike” është në dispozicion për studiues të ndryshëm. Aq sa profesori e rritë çështjen, është e pa vërtetë, pavarësisht që është profesor universitar. Në të kundërtën, nëse profesori ka “çelësin” e informacioneve të mjaftueshme për të realizuar një profil informacionesh për një personalitet të caktuar publik, atëherë është dorë e zgjatur e cila tenton të bëjë shkundje të dheut nën këmbët e figurave të ndryshme publike si dhe të shoqërisë sonë.
Termi “Zeitgeschichte” që profesori nuk dëshiron të e sqarojë për shkak të kompleksitetit të tij është një përkufizim i thjesht i një fushe të mirëdefinuar studimore. “Zeitgeschichte” që përkthim të pa përshtatur në shqip ka kuptimin “histori e kohës”, përfshinë fushën studimore të historisë më të përafërt me kohën që jetojmë. Ky lloj studimi bëhet me qëllim që të kuptohen proceset reale të cilat janë zhvilluar gjatë kësaj periudhe të caktuar të historisë në mënyrë që të mund të identifikohet rrjedha momentale e atyre proceseve, mundësia e ndikimit tek ato procese dhe që të mund të parashikohen rrjedhat e proceseve në të ardhmen.
Si njeri që kam bërë studimet pas universitare në Zvicër dhe që tanimë po përmbylli një dekadë jetë në Zvicër i rrethuar nga shtresa të ndryshme të popullsisë së këtij vendi dhe i rrethuar nga një ambient i cili çdo ditë përballet me çështje të ndryshme shoqërore të grupimeve të ndryshme, kam arritur së paku të kuptoj mënyrën e komunikimit të informacioneve dhe fakteve nga ana e personaliteteve publike dhe shkencëtarëve zviceran. Jam i befasuar me të “pështymet e fakteve” të pa qene nga ana e profesorit të nderuar. Sidoqoftë, ndër qarqe të nivelit të lartë zviceran, kulturë nga e cila mendon i nderuari se është ushqyer, në asnjë moment nuk bëjnë përgjithësime totale, përveç në raste të shfryrjes politike me prapavijë të caktuar sulmuese edhe atë me gisht të drejtuar tek palët jo zvicerane. E vërtetë është që përgjithësimet kanë marrë hov të madh vitet e fundit sa i përket sulmeve drejt portretit social e politik të muslimanëve. Ky lloj qëndrimi vije si rezultat i mos ekzistimit të forcës adekuate për tu përgjigjur me të njëjtin ton, në mënyrë që të kthjellet uji dhe të zbritet komunikimi në nivel profesional. Pra, deklaratat “në çdo” janë gënjeshtra të kulluara dhe detyrimisht janë të nxitura nga një urrejtje e zjarrtë ndaj grupeve të caktuara. Për më tepër, komunikimi verbal i profesorit i tejkalon kufijtë e kulturës së një akademiku dhe vërteton burimin e komunikimit të tij e që është urrejtja gati e pa kontrollueshme.
Së fundi, për një person i cili analizat e tij i bazon mbi fakte nga burime të besuara, edhe atë nga më shumë se një burim shtetëror, të bazuarit e deklaratave në bazë të njohurive të babait, të një njeriu të pa shkolluar që madje nuk ka pasur mendim të mirë për shkollimin, (këtë e vërteton vetë profesori në fillim të diskutimit), është një dyzim i skajshëm i strategjisë së komunikimit profesional. Tek ne do të thoshin pleqtë, “llaf mas darke”. Ky lloj i komunikimit me fyerje e shpifje, vërtetë është një bisedë pas një ngopjeje të mirë në darkë kur shumica e folësve, të epur për tu shprehur, gjatë tregimit të përrallave, njëkohësisht flasin, pështyjnë, gromësijnë, dhe zgërdhihen.
Pretendimet dhe urrejtja nuk janë dhe nuk mund të jenë bazë e një analize të mirëfilltë të një niveli akademik. Paraqitja publike e një personi siç është Xhelal Ahmeti, nuk vërteton asgjë, por ngrit pluhur ndër popull dhe injorantë për faktin që jeton në Zvicër, një vend i zhvilluar e me edukatë në komunikim, dhe është profesor universitar. Përfundimisht, nëse një shtet, vend, grup shoqëror i ka virtytet e mira, nuk nënkupton detyrimisht që një person i posedon po të njëjtat virtyte, këtë e vërtetoi dhe profesori në këtë emision.