Shkenca Islame[1] është shkenca e cila buron nga Kur’ani dhe është e bazuar në doktrinën e Njëjësisë (Teuhidit – Besimit në një Zot të vetëm) e cila e përbën qendrën e Shpalljes Kur’anore. Ajo është zhvilluar brenda kornizës së të kuptuarit islam mbi universin nga njëra anë dhe të shkencës nga ana tjetër.
Ekziston një trup i një diturie të organizuar, e cila mund të quhet shkencë islame dhe e cila është islame, jo pse është kultivuar nga ana e myslimanëve, por për më tepër, sepse ajo përputhet me parimet, normat dhe qëllimet e Shpalljes islame dhe pse organikisht është e lidhur me të.
Asnjë shkencë nuk mund të quhet islame vetëm pse etimologjikisht rrjedh prej fjalës sciencia, e cila është ekuivalente e fjalës el -‘ilm, ose nga fakti se një mysliman, pa marrë parasysh devotshmërinë e tij, e zhvillon dhe i kontribuon asaj. Për më tepër se një milenium, shkencëtarët myslimanë e kanë zhvilluar këtë trup të shkencës duke u inspiruar nga traditat e mëhershme shkencore, mirëpo këtë gjithnjë e kanë bërë duke e integruar atë që e kishin adoptuar nga këto burime në botëkuptimin islam dhe kështu kanë krijuar njërën ndër traditat më të njohura shkencore në botë. Pra, mu kjo është ajo tradita që e përbën atë të cilën ne e quajmë shkencë islame.[2][3]
Shkenca Islame i referohet zhvillimit të shkencës nën civilizimin Islam mes shekujve VIII dhe XV, vite të cilat njihen edhe si Vitet e Arta Islame.[4] Kjo shkencë gjithashtu njihet edhe si shkenca arabe, shkaku se shumica e teksteve të kësaj periudhe u shkruan në gjuhën arabe, lingua franca e civilizimit Islam. Civilizimi Islam në vete përfshiu shkencëtarët më produktivë të kohës, të cilët nuk ishin të gjithë arabë, por nga ata kishte jo arabë si dhe jo myslimanë e që të gjithë vepronin në ombrellën e civilizimit Islam në territoret Islame.
Një numër i madh i shkencëtarëve modernë si Bertrand Russell,[5], Robert Briffault, Will Durant, Fielding H. Garrison[6], Alexander von Humboldt, Muhammad Iqbal, Abdus Salam dhe Hossein Nasr konsiderojnë se shkenca moderne ka lulëzuar nga shkencëtarët myslimanë, të cilët ishin pionierë të metodave shkencore duke paraqitur qasjen moderne empirike, eksperimentale dhe kuantitative të hetimeve shkencore. Disa skolastikë, si Donald Routledge Hill, Ahmad Y Hassan,[7] Abdus Salam,[8] dhe George Saliba,[9] i referohen arritjeve si: “Revolucioni shkencor Islam”.[10][11]
Lindja e shkencës Islame
Gjatë zgjerimit të hershëm të territoreve Islame, arabët myslimanë fillimisht të udhëhequr nga Khalid ibn al-Walid pushtuan Perandorinë Sassanido-Persiane dhe më shumë se gjysmën e Perandorisë Bizantine- Romake dhe themeluan Perandorinë Arabe përmes Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikës Veriore përcjellë nga zgjerimet tjera përmes Pakistanit, Italisë jugore dhe Gadishullit Iberian. Si rezultat i këtij zgjerimi qeveria Islame trashëgoi diturinë dhe aftësitë e Lindjes së Mesme Antike, Greqisë Antike, Persisë Antike si dhe Indisë dhe këto dituri i zhvilloi dhe zgjeroi më tej gjatë gjithë Viteve të Arta Islame. Studiuesit myslimanë dituritë e gjetura në territoret në të cilat shtrihej shteti Islam i zgjeruan dhe zhvilluan më tej në një shkallë shumë të lartë shkencore si dhe bënë zbulime të reja në lëmit përkatëse.[12]
Arti i prodhimit të letrës u mor nga dy të burgosur kinezë të Betejës së Talasit në vitin 751, ku si rezultat i kësaj u krijuan fabrika letre në Samarkand dhe Bagdad. Arabët përparuan teknikën kineze duke përdorur lecka lineni në vend të lëvoreve të manit.
Shkencëtarët myslimanë dhe bizantinë dallonin shumë në qëndrimet e tyre ndaj shkencës. Bizantinët shtuan shumë pak në shkencën e huazuar nga greko-romakët duke qëndruar në tmerr të prijësve të tyre. Kjo mund të sqarohet nga fakti se zgjerimi Islam jashtë Arabisë kishte përfshirë tre nga qytetet e tyre prodhuese, si Aleksandria, Kartaga dhe Antiohi. Për shkak të humbjes së qeverisë shumë të aftë dhe të centralizuar si dhe për shkak të zgjerimit arab në Anatoli, shumica e qyteteve Bizantine nuk mund t’i përkushtoheshin arti dhe shkencës dhe me të madhe iu kthyen zhvillimit të bujqësisë ekzistenciale për të siguruar ekzistencën.
Shumica e shkencëtarëve shumë të njohur arabë dhe iranianë jetuan dhe vepruan gjatë viteve të arta islame.
Numri i punimeve origjinale në gjuhën arabe, të shkruara në shkencën e matematikës është shumë më i madh se numri i punimeve të shkruara në gjuhën greke dhe latine së bashku.[13]
Referencat
1. Ç’është shkenca Islame, Prof. Dr. Sejjid Husejn Nasr, Përkthyer nga anglishtja nga: Mr. Rejhan Neziri
2. Po aty tek referenca 1.
3. Po aty tek referenca 1.
4. Shkenca arabe – anglisht
5. Bertrand Russell, 1945, ”History of Western Philosophy”, libri 2, pjesa 2, kapitulli X
6. Fielding H. Garrison, ”History of Medicine”
7. Ahmad Y Hassan dhe Donald Routledge Hill, 1986, ”Islamic Technology: An Illustrated History”, faqe. 282, Cambridge University Press. – anglisht
8. Abdus Salam, H. R. Dalafi, Mohamed Hassan, 1994. ”Renaissance of Sciences in Islamic Countries”, faqe. 162. World Scientific, ISBN 9971507137. – anglisht
9. George Saliba, 1994, ”A History of Arabic Astronomy: Planetary Theories During the Golden Age of Islam”, faqe. 245, 250, 256-257. New York University Press, ISBN 0814780237. – anglisht
10. Abid Ullah Jan, 2006, ”After Fascism: Muslims and the struggle for self-determination”, “Islam, the West, and the Question of Dominance”, Pragmatic Publishings, ISBN 978-0-9733687-5-8. – anglisht
11. Salah Zaimeche, 2003, An Introduction to Muslim Science, FSTC. – anglisht
12. Bernard Lewis, ”What Went Wrong?” – anglisht
13. N. M. Swerdlow, 1993. “Montucla’s Legacy: The History of the Exact Sciences”, ”Journal of the History of Ideas” ”’54”’ (2), faqe. 299-328 [320]. – anglisht
Përktheu dhe përshtati: Skender Mustafi
Përkthyer për projektin Wikipedia Shqip