Autor: Skender Mustafi
MSc. në Sistemet Informative të Biznesit
BSc. në Administrim Biznesi
Video në marketing inbound
Reklamimi tradicional dita ditës është u bërë formë e padëshiruar për konsumim. Konsumatorët janë duke u bërë ‘imun’ ndaj reklamave të ndërmarrjeve dhe produkteve të tyre. Arsyeja për një sjellje të tillë është përqendrimi i porosisë së reklamës tek interesi i ndërmarrjes. Reklama flet për ndërmarrjen dhe vlerat e saja dhe jo për konsumatorin, nevojat, dëshirat dhe problemet e tij.
Sidoqoftë, në treg është duke marrë hov një strategji tjetër e komunikimit me konsumatorët. Kjo strategji është e koncentruar në ofrimin e vlerave akoma pa blerë produktin ose pa rezervuar shërbimin e që njihet si marketingu inbound. Marketingu inbound është tërësi aktivitetesh marketingu të cilat janë të koncentruar në ofrimin informacione konsumatorit dhe njëkohësisht mundësinë për të shuar problemin për të cilin është informuar. Ndër pjesët më efektive të marketingu inbound është paraqitja multimediale. Llojet e ndryshme të video materialeve jo vetëm që po shkurtojnë kohën e informimit dhe po ulin monotoninë e konsumatorit për të lexuar, por gjithashtu po i ofrojnë mundësinë konsumatorit të jetë më afër ndërmarrjes dhe vlerave të saja.
Kujdes gjatë zhillimi të video materialeve
Nuk është njësoj zhvillimi i një video materiali nga një përdorues personal në Youtube, njohur si Youtuber (Jutubër) dhe zhvillimi i një video edukative nga një ndërmarrje ose institucion. Nga organizata kërkohet përkryerje dhe nuk tolerohet asnjë lloj gabimi. Andaj, duhet pasur kujdes kur kemi të bëjmë më zhvillimin e video materialeve. Duhet njohur motivi i porosisë, lloji i konsumatorit dhe porosia e cila dëshirohet të përcillet. Duke njohur këto elemente duhet përcaktuar mënyra e zhvillimit të porosisë.
Nuk janë njësoj një reklamë me personazhe, një reklamë përmes llojeve të ndryshme të animacioneve , një video edukative, e të tjerë. Andaj, patjetër duhet zhvilluar llojin e përshtatshëm të komunikimit në secilin lloj të porosisë që dëshirojmë të përcjellim.
Karakteristikat kryesore të një video edukative
Më poshtë do të paraqesim karakteristikat kryesore që duhet pasur një video edukative.
- Tema e regjistruar në video duhet të jetë tërheqëse. Një video tërheqëse dallon nga një e cila është e pavlerë dhe monotone duke qenë specifike, konkrete në përmbajtje dhe e dobishme për shikuesin. Video materialet edukative (dhe ato të reklamimit të drejtpërdrejtë) dallojnë dukshëm nga ato të përgjithshmet. Përmbajtja duhet të jetë e regjistruar në mënyrë specifike duke u përputhur me nevojat e konsumatorit, pa mos përsëritur asgjë në mënyrë të panevojshme dhe duke qenë serioz në përcjelljen e vlerave.
- Video edukative duhet pasur strukturë të organizuar. Struktura duhet përputhur me përmbajtjen dhe është e lehtë për shikuesin për tu ndjekur. Kjo do të thotë që përmbajtja në asnjë moment nuk duhet komplikuar në atë masë saqë shikuesi të humb rrjedhën.
- Zhvillo më shumë video edukative. Nëse materiali është i komplikuar, atëherë le të përcillet porosia përmes më shumë videove edukative. Në asnjë mënyrë tema nuk duhet komplikuar përmes nën-temave të ndryshme. Janë dy arsye të rëndësishme për shpërbërjen e temës dhe zhvillimin e video materialeve për nën-temat e ndryshme:
- shpërbërja e temës në nën-temat e saja dhe zhvillimi i videove materiale e bënë të mundur që të interesuarit për një nën-temë të caktuar të mund të e gjejnë me lehtësi atë
- një video edukative me metrazh të gjatë me dhjetëra nën-tema humb efektin tërheqës në të shikuar dhe vlerën në përcjelljen e porosisë
- Përmbajtja duhet të shfaqë porosinë përmes pamjeve. Videot edukative nuk duhet përmbajtur vetëm fjalë e fjalime, por duhet shfaqur, demonstruar dhe ilustruar përmbajtjen për të cilën flitet. Dëshmimi i asaj për të cilën flitet, përmes formave të ndryshme të aktiviteteve është elementi që e bënë videon tërheqëse dhe me nivel të lartë edukimi.
- Skripti i përmbajtjes duhet qenë kompakt dhe me porosi të qartë. Tema e përzgjedhur:
- duhet trajtuar në pika të shkurta,
- me demonstrime e ilustrime,
- duhet përfshirë shembuj konkret ose të ndërlidhet me një shembull përgjatë gjithë trajtimit të saj
- nuk duhet munguar pyetjet retorike dhe përshtatja e tonit të zërit me porosinë
Suksese!