Autor: Skender Mustafi
MSc. BIS & BSc. BA
Marketingu
Që nga momenti kur në mendje kemi vlerën dhe konsumatorin gjithashtu kemi dhe marketingun. Në të vërtetë, me të nxitur mendimet mbi krijimin dhe shpërndarjen e vlerës, nënkupton të menduarit rreth marketingut. Do të thotë, rreth mënyrës se si do të ndahemi nga turma në treg dhe të jemi të dukshëm dhe të njohur për konsumatorin. Marketingu është kudo ku flitet rreth diçkaje sado e vogël të është ajo.
Për ndërmarrjen, nevoja për marketing është sikur për njeriun nevoja për ushqim e ujë. Pa ato nuk ka jetë.
Ndërmarrja e suksesshme dhe ajo e cila ka për qëllim suksesin, që para lindjes fillon të merret me marketing. Ndërmarrjet e tilla lindin duke bartur kureshtjen e njohjes së përgjigjeve të qindra pyetjeve.
Kush jam unë? Çfarë vlera kam? Çfarë vlera ofroj për të tjerët? Cilët janë ata të cilët mund të kenë interes për vlerat që kam? Ku janë ata? Si mund t’i njoh dhe të më njohin? Si mund tu ofrohem?
Të gjitha këto pyetje të përgjithshme, e shumë pyetje tjera specifike, janë ndërtues të marketingut. Andaj, ndërmarrja duhet përgjigjur, vlerësuar dhe vepruar sipas rezultateve të arritura.
- Të gjitha pyetjeve duhet përgjigjur?
- Jo.
Duhet përgjigjur të gjitha pyetjeve të rëndësishme për biznesin e ndërmarrjes. Deri në atë masë sa ato ndikojnë më mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthorë në rritjen e vlerë së ofruar dhe të konsumuar të ndërmarrjes. Kjo është e lidhur ngushtë me njohjen e vetes (ndërmarrjes), konsumatorëve, tregut dhe marketingut. Në momentin që ndërmarrja arrin këtë njohje, arrin të pozicionohet në një pozitë e cila e bënë të njohur e madje edhe të dashur për konsumatorin.
Për këtë është i nevojshëm kombinimi optimal i të gjitha funksioneve (4p, 7p, 11p, …) dhe instrumenteve të marketingut përmes një strategjie konkrete marketingu. Për më shumë, varësisht nga lloji i biznesit dhe pozita në treg, duhet vlerësuar intensiteti i qasjes në llojet e ndryshme të tregut (rajonal, kombëtarë, ndërkombëtarë, kontinental, ndërkontinental; tradicional, elektronik, digjital, i produkteve, i shërbimeve, i produkteve dhe shërbimeve). Madje, duhet vlerësuar kanalet e komunikimit dhe duhet përzgjedhur më të përshtatshmet për ndërmarrjen.
Funksionet dhe instrumentet e marketingut
Për të kuptuar dhe aplikuar marketingun duhet kuptuar funksionet dhe instrumentet e tij. Funksionet e marketingut marrë nga anglishtja njihen si xP d.m.th. 4p, 7p, 11p, etj.
Funksionet bazë të marketingut, të njohura si 4p, janë:
- produkti (product),
- çmimi (price),
- promocioni (promotion) dhe
- vendi (place).
Studiuesit e marketingut, varësisht nga qasja e studimit marrin parasysh edhe funksionet tjera si:
- njerëzit (people),
- proceset (processes),
- dëshmia fizike (physical evidence),
- personalizimi (personalization),
- pjesëmarrja (participation),
- etj.
Në mënyrë që ndërmarrja të realizojë funksionet e mësipërme ajo shfrytëzon instrumente të ndryshme të cilat kanë të bëjnë me secilin nga funksionet. Instrumentet e marketingut janë tërësi e mjeteve të marketingut të cilat ndërmarrja shfrytëzon për të implementuar strategjitë e marketingut. Shembull, ankandi është instrument i çmimit; reklama është instrument i promocionit; etj.
Miksi i marketingut të një ndërmarrjeje përfshinë funksionet dhe instrumentet të cilat ndihmojnë ose mundësojnë arritjen e synimeve të marketingut në veçanti dhe ndërmarrjes në përgjithësi. Natyrisht, tërësia e miksit të marketingut varet dhe nga lloji i marketingut.
Llojet e marketingut
Marketingu i ndërmarrjes është kombinim i llojeve të ndryshme të marketingut, miks I llojeve të marketingut. Strategjia e marketingut të ndërmarrjes është e ngritur mbi kombinimin optimal të të gjitha llojeve të marketingut të cilat ndërlidhen me ndërmarrjen dhe produktin ose shërbimin e saj.
Në literaturë dhe burime të ndryshme informacionesh mund të gjejmë lista dhe grupime të ndryshme të llojeve të marketingut. Një e tillë është bërë nga Matt Press që paraqet një listë me 159 lloje të marketingut.
Për më shumë rreth llojeve të marketingut, kërkoni në internet ose literaturë profesionale. Më poshtë do të shpalosim vetëm disa lloje të rëndësishme të marketingut. Grupimi kryesorë i llojeve të marketingut është ai tradicional dhe në internet. Këto dy lloje të marketingut, madje dallojnë edhe për nga funksionet dhe instrumentet e tyre. Edhe pse I kanë të njëjta funksionet dhe instrumentet veprojnë ndryshe.
Lloje tjera të marketingut, pa mos marrë parasysh grupimin e tyre janë, marketingut:
- social,
- direkt,
- i rrjeteve sociale,
- digjital,
- inbound,
- i përmbajtjes,
- motorëve të kërkimit,
- sjelljes,
- markës,
- produktit,
- shërbimit,
- ndërmarrjes,
- e të tjerë.
Përmbledhje
Marketingu është kudo, madje edhe në biseda të zakonshme. Që në momentin kur fillojmë të flasim për një gjë, të përshkruajmë atë, kemi të bëjmë me marketing. Gjithashtu, cilido aktivitet i brendshëm apo i jashtëm i ndërmarrjes, pa marketing të suksesshëm, është i pavlerë.
Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të marketingut dhe të aplikimit të tij, ndërmarrja duhet përqendruar në mënyrë profesionale në realizimin e tij. Kjo duhet të jetë e lidhur ngushtë gjithashtu me rrjedhat në treg dhe trendët aktuale të marketingut.
Realizimi gjysmëprofesional i marketingut jo vetëm që nuk sjell sukses, por gjithashtu konsumon pa masë mjete dhe kohë. Natyrisht, një marketing I tillë shpie në dështim të ndërmarrjes dhe zhdukje të saj.
Referencat
Press, M. (2019). A whopping 159 types of marketing described, demystified and debunked. Së fundi qasur më 10.06.2019 tek: https://www.splashcopywriters.com/blog/types-of-marketing
Mustafi S. (2018). Marketingu: Qasje shkrencore-islame. Fjalaime!, Shkup, f. 315, ISBN: 978-608-245-271-5 –