Autor: Skender Mustafi
MSc. BIS & BSc. BA – Marketing & Management
Përmbajtja e një faqeje internet,e e një artikulli, ose një materiali multimedial duhet përgatitur fillimisht për njerëz. SEO vetvetiu nuk është indikatorë i cili e radhitë faqen në afat të gjatë ndër rezultatet e para tek motorët e kërkimit. Motorët e kërkimit si Google & co., e kanë vlerën si pike synimi. Rezultatet me vlerë janë të parat në listë dhe mbeten si të tilla në një afat të gjatë. Këto rezultate janë që cilët u ndihmojnë kërkuesve të arrijnë tek përgjigjet e pyetjeve të tyre. Pra, fillimisht duhet ofruar përmbajtje tërheqëse për grupin e synuar të njerëzve. Pas kësaj vije në shprehje SEO teknike që ndihmon motorët e kërkimit të gjejnë përmbajtjen/ofertën dhe të radhisin atë lartë përballë konkurrentëve me përmbajtje të njëjtë, por pa SEO të mire.
Andaj, para se të fillohet me SEO duhet përqendruar tek këto dy elemente kryesore:
- Njohja e kërkuesit dhe
- Zhvillimi i marketingut inbound
Njohja e kërkuesit
Përgjigja, do të thotë faqja, artikulli ose përmbajtja tjetër, duhet ofruar e përshtatur me mënyrën e kërkimit nga kërkuesit. Kjo nuk nënkupton se ne duhet ndryshuar ofertën tone, por duhet përshtatur mënyrën se si do t’i ofrohemi konsumatorëve. Ofertën e njëjtë mund të e komunikojmë në forma dhe mënyra të ndryshme dhe nga të gjitha ato duhet përzgjedhur më e përshtatshmja, ajo e cila e pret lexuesi ose i pëlqen atij.
Për të gjetur rrugën më të mire të përgatitjes së përmbajtjes në përputhje me kërkesat dhe dëshirat e konsumatorit duhet përgjigjur pyetjeve:
- Kush janë kërkuesit/konsumatorët?
- Çfarë kërkojnë ata?
- Kur kërkojnë ata?
- Përse kërkojnë ata?
- Ku kërkojnë ata?
- Si kërkojnë ata?
Kush janë kërkuesit?
Njihe lexuesin, kërkuesin ose konsumatorin. E kërko atë ku është, në cilat rrethe vepron më së shumti. Kjo njohje nuk është vetëm në pikëpamjen e përgjithshme, por edhe në atë e cila lidhet me ofertën që bëni. Nëse ‘konsumatori’ juaj është student I suksesshëm, atëherë ju e kërkoni atë në universitet ose bibliotekë. Ose, nëse ai kalon shumë kohë në Facebook, nuk do të thotë se kërkon lajme serioze në të. Andaj hulumtoni dhe gjeni, ku kërkon ai lajme serioze? Përse kërkon ai mu aty? Këto pytje dhe të tjera të ngjashme ndihmojnë në krijimin e profileve dhe në njohjen e kërkuesve të informacioneve. Për më shumë, qëllimi është që të njihni segmentin e tregut tuaj dhe të përgatisni përmbajtje për atë grup njerëzish.
Çfarë kërkojnë ata?
Njohja e problemit të konsumatorit është bazë e studimit të marketingut. Madje, të suksesshme janë ato ndërmarrje të cilat e njohin problemin e konsumatorit më mire se vetë ai dhe përgatisin ofertën në një formë befasie për të. Hulumtimi i fjalëve ose togfjalëshave të kërkimit, shërbim i ofruar nga ndërmarrje të ndryshme, mundëson identifikimin e problemit, nevojës ose dëshirës. Vetëm njohja e vërtetë mundëson ofrimin e përgjigjes së duhur dhe të kërkuar. Mjete të tilla të hulumtimit të sjelljes së konsumatorëve ofron: Google, Gjirafa, Bing, Keyword Tool, WordStream, e të tjera.
Kur kërkojnë ata?
Koha e kërkimit ndihmon në publikimin e materialeve dhe organizimin e publikimeve nëpër rrjete sociale dhe reklamimin në internet. Intervali më i ngjeshur kohorë është ai kur më së shumti bëhen kërkesa dhe këto kërkesa mund të përmbushen me oferta të mirëdefinuara dhe të mirë përgatitura. Nga mjetet më të përshtatshme të analizimit të faqes suaj është Google Analytics, ndërsa sa i përket shfrytëzimit të internetit në përgjithësi duhet të shqyrtoni hulumtime të ndryshme për rajonin të cilin e synoni si primarë.
Përse kërkojnë ata?
Më e rëndësishme përmes kësaj pyetje është gjetja e konkurrentëve dhe përmbajtjeve ose shërbimeve zëvendësuese. Thuajse secila përmbajtje dhe ofertë ka diç që e ngjason dhe kështu mund të e zëvendësojë. Njohja e zëvendësuesve e bënë më të qartë atë që ofrojmë dhe kështu mund të e përmirësojmë atë. Nëse ne ofrojmë libra përmes faqes në internet, atëherë duhet parë se si lexuesit kërkojnë nëpër motorët e ndryshëm. Cilat fjalë ose togfjalësh shfrytëzojnë? Cilat rezultate përmes atyre kërkimeve paraqiten të parat në listë? Duke trajtuar këto dhe pyetje të ngjashme, mund të kuptojmë sjelljen e konsumatorit dhe dëshirat e nevojat e tij.
Ku kërkojnë ata?
Kjo pyetje ka të bëjë me njohjen e vendeve të kërkimit, do të thotë njohjen e ofruesve të shërbimeve për kërkim për fushën ose llojin e caktuar të biznesit. Të kërkosh libra në Google dhe Amazon nuk është njëjtë. Të kërkosh destinacione turistike në Tripadvisor ose Tripexpert dhe Google nuk është njëjtë. Gjithashtu, të kërkosh faqe lokale nëpër motorë global të kërkimit nuk është njëjtë.
Ne bëjmë kërkimet në faqen e cila na përshtatet ose ka rezultate më të rafinuara për problemin ose nevojën që kemi. Kështu që, varësisht cilës kategori të biznesit i takojmë, hulumtojmë ofruesit e shërbimeve që mbulojnë ato kategori dhe me rezultatet e arritura i përgjigjemi konsumatorit me përshtatje të mënyrës së komunikimit. Gjithashtu, hulumtimi i këtyre motorëve të kërkimit na mëson se me cilat fjalë kyçe dhe çfarë kërkojnë në të vërtetë konsumatorët. Për më shumë, kuptojmë dhe cilat janë konkurrentët tanë dhe si sillen ata në këto ambiente ku ne shtrihemi ose duam të shtrihemi.
Si kërkojnë ata?
Trajtimi i kësaj pyetjeje ndryshe njihet edhe si optimizim semantik. Do të thotë fillimisht duhet hulumtuar: Si kërkojnë ata të cilët synojmë si konsumatorë? Dhe duke ditur përgjigjen e kësaj pyetjeje bëjmë optimizimin e faqes në mënyrë që t’i përgjigjemi më së miri mënyrës së kërkimit. Pjesë e rëndësishme e këtij hulumtimi është edhe trajtimi i mjeteve të ndryshme elektronike të cilët vizitorët shfrytëzojnë për t’iu qasur faqes suaj. Varësisht përgjigja e kësaj pyetje duhet përqendruar në rregullimin e ueb faqes, me përqendrim tek pjesa dërmuese e vizitorëve. Natyrisht, duke mos lënë anash edhe mundësitë tjera.
Marketingu inbound
Marketingu inbound dhe SEO veprojnë së bashku. Kjo do të thotë që përskaj ofertës kryesore duhet ofruar dhe përmbajtje tjetër e cila është ndihmëse qoftë duke qenë falas ose që ndihmon ofertën kryesore. Në këtë mënyrë tërhiqet lexuesi për të vepruar dhe për tu bërë konsumatorë e madje për tu bërë edhe shpërndarës i fjalës së mirë.
Artikulli përskaj përmbajtjes origjinale dhe me vlerë, duhet qenë I mbushur me mundësi veprimi. Lexuesi duhet ofruar mundësia që përbrenda artikullit të mund të kalojë tek artikuj të ngjashëm të cilët sqarojnë problem të ngjashme. Gjithashtu ofrimi i broshurave ose librave elektronik lidhur me temën, është veprim tërheqës. Ofrimi I materialeve multimediale, gjithashtu bënë pjesë në grupin e aktiviteteve motivuese. Të gjitha këto elemente njihen edhe si ‘Call-to’action’. Përmes tyre nxitet lexuesi të veprojë, të jetë aktiv.
Ndër përmbajtjet e rëndësishme në këtë pikë janë:
- Librat elektronik
- Broshurat
- Versionet e kufizuara të aplikacioneve ose ofertave
- Formularët e ndërveprimit
- Kuponët e ndryshëm, e të tjerë
- Ofrimi i versioneve falas të produkteve ose shërbimeve, e të tjera