Autor: Skender Mustafi
Siç edhe analizuam dhe trajtuam tek artikulli “Gjatësia ideale e videove për reklamim”, në pikëpamjen e biznesit, videot me përmbajtje reklamuese janë më të shpërndarat në internet, me mbi 49% në vitin 2018. Gjithashtu analizat e shumta, të përcjella nga politikat e portaleve të njohura, vërtetojnë se shikuesit më së shumti janë të interesuar rreth videove të cilat ngërthejnë idenë brenda 60 – 90 sekondave.
Sidoqoftë, të gjitha analizat dhe sugjerimet profesionale përqendrohen në realizimin e videove të shkurtra. Për më shumë, është gjithashtu më shqetësuese nëse videot ndërpriten nga ndonjë reklamë (stil televiziv i reklamimit) se sa të pasurit e një doze optimale të reklamimit përbrenda përmbajtjes. Kjo do të thotë, trajtuesi i temës së caktuar përgjatë kohës së ligjërimit ‘thekson’ (reklamon) ndërmarrjen, produkte, shërbime ose karakteristika të cilat në njëfarë mënyre ndërlidhen me temën e cila është duke u zhvilluar. Kjo lloj qasjeje mund të kategorizohet si indbound-video (si rrjedhojë e qasjes së njëjtë me inbound-marketing).
Së fundi, paraqitja e shkurtër nuk është e rëndësishme vetëm për videot për reklamim, por edhe për ato edukative, të identitetit të ndërmarrjes, sqarimit të synimeve të ndërmarrjes, trajtimit të produkteve, shërbimeve e karakteristikave të tyre. Videot sqaruese, në përgjithësi duhet të jenë të realizuara në mënyrë optimale dhe me vlerë maksimale për shikuesin. Ne sugjerojmë një gjatësi prej 7 deri në 90 sekonda për një video profesionale. Forma, formati dhe skenari i realizimit varet tërësisht nga porosia e cila tentohet të përcillet dhe audienca e cila synohet të tërhiqet.
Përshkrimi
Para realizimit të një ideje për një video, si për reklamim ashtu edhe për sqarim, duhet kuptuar dhe analizuar vlera e realizimit të saj. Fillimisht, duhet pasur të qartë se secili projekt ngrihet mbi vlerën e vetë dhe është vështirë në mënyrë të drejtpërdrejtë të krahasohet me projektet tjera. Andaj, krahasimi i një videoje me një tjetër duhet të jetë i dorës së dytë. Veprimi parësorë duhet të jetë analiza e ambientit të jashtë dhe të brendshëm të videos e cila synohet të realizohet.
- Kur flasim mbi ambientin e jashtëm kemi parasysh shikuesin, konkurrencën, ambientin e publikimit, dhe qasjen.
- Në anën tjetër, ambienti i brendshëm përfshinë gjatësinë e videos, porosinë e përpiluar, emocionin i cili synohet të përcillet dhe vlera e cila është për qëllim të deshifrohet.
Në përgjithësi, vlera e një video është e barabartë me kualitetin e saj. Kualiteti i një video ngërthen në vete jo vetëm pjesën e përkryer të realizimit teknik, por edhe skenarin e realizuar me mjeshtri. Tema e përzgjedhur duhet të jetë në përputhje të plotë me synimin i cili është për qëllim të realizohet. Përputhja e këtyre dy elementeve (temës dhe skenarit) shpalosë paletën e mjeteve dhe teknikave të mundshme për realizim të videos. Rrjedhimisht, jo secila ide për video është e përshtatshme të realizohet në mënyrë tradicionale. Në anën tjetër, jo secila temë është e përshtatshme dhe e preferuar të trajtohet në mënyrë klasike e me seriozitet ushtarak. Kështu që me njohjen e temës dhe synimeve (edukatës apo ndikimit) të cilat dëshirohet të arrihen, mund të përzgjidhet formati i videos, gjatësia, teknika e realizimit, mjetet, skenari dhe toni.
Pa dyshim, mënyra e realizimit të një video për shitje të një produkti dallon nga ajo për njoftim të audiencës mbi të. Që të dyja porositë janë të nivelit të lartë të rëndësisë, por që perceptimi dhe pritjet nga ana e konsumatorit të videos është i ndryshëm. Nëse në njërën porosi mund të shfrytëzohet një ton dhe porosi komike, tek tjetra është e papranueshme. Nëse tek njëra qasja mund ose madje është e preferuar të jetë abstrakte, tek tjetra çështjet duhet të jenë konkrete.
Vlera e një video profesionale
Nëse një foto vlen sa njëmijë fjalë, atëherë sa vlen një video, madje edhe 7 sekonde?
Tanimë është vërtetuar, bazuar nga vetë vlera, se videot qoftë edhe të paraqitura vetëm me një version kanë vlerë të madhe për konsumatorin dhe zhvilluesin e saj. Rezultatet për video të ndryshme kanë qenë të kanalizuara nga shumë faktorë ku jo të gjithë mund të ndikohen nga ndërmarrja. Kjo na lë të kuptojmë që vlera e përmbajtjes ka ndikuar në mënyra të ndryshme tek shikuesi. Fjala është gjithnjë për videot kualitative dhe me ndikim. Shikuar nga kjo pikëpamje ndikimin e videove mund të e ndajmë në katër grupe:
- Shumë nga videot kanë kënaqur shikuesin, madje ato mbahen mend nga ata, por që nuk kanë ndikuar aspak në nxitjen e tij ose ndryshimin e qëndrimit të tij.
- Të tjerat kanë kënaqur shikuesin dhe kanë ndikuar që ai të vizitojë ueb faqen e ndërmarrjes dhe të flasin mbi videon me të tjerët.
- Më të dashurat për ndërmarrjet janë ato video të cilat kanë ndikuar që shikuesi të reagojë përmes ndryshimit të tij nga një shikues në një konsumator.
- Në anën tjetër, të tjerët të pakënaqur ose të pa interesuar kanë ndërprerë videon ose e kanë harruar menjëherë pas shikimit të materialit.
Këto vlerësime janë reale dhe kanë kahe të mundshme për shikuesin andaj dhe ndërmarrja duhet pasur parasysh. Gjithashtu, duhet pasur parasysh se njerëzit më tepër pëlqejnë materialet të cilat gjejnë se ato të cilat u ofrohen e u kërkohet t’i ‘konsumojnë’.
Shfrytëzimi i videove profesionale
Duke njohur videot, vlerën dhe sjelljen e shikuesve ndaj tyre, ndërmarrja duhet përcaktuar në mënyrë profesionale vendin dhe mënyrën e paraqitjes së tyre.
Ajo mund të publikojë videot në faqen personale, nëpër rrjete sociale, të integrojë nëpër video-portale, e të tjera.
E rëndësishme në këtë pikëpamje është edhe vlera të cilën arrin ndërmarrja me zhvillimin dhe publikimin e një video profesionale. Kjo vlerë mund të identifikohet në tri forma:
- Një përqindje e shikuesve do të shikojë videon, do të vizitojë faqen dhe do të reagojë përmes kalimit nga shikues në konsumatorë
- Një përqindje e shikuesve do të shikojnë videon dhe do të vizitojnë faqen e ndërmarrjes për tu njohur për së afërmi me profilin dhe ofertën e sajë
- Një përqindje e shikuesve do të shikojë videon dhe nuk do të reagojë, por që do të jet në dijeni për ekzistimin e ndërmarrjes, produktit ose shërbimit të caktuar. Shikues të tillë, në rast të një oferte të mirë do të kthehen më vonë në kohë nevoje ose do të jenë sugjerues për të tjerët.
Në të vërtetë, pasqyra reale e të trajtuarit të shikuesve është përmes ‘hinkës’. Synimi duhet qenë në zvogëlimin e shtresës së sipërme dhe rritjes së shtresave tjera e sidomos të asaj të fundit.
I gjithë suksesi i një videoje varet nga kushtet konkrete e që kërkon një vlerësim të drejtpërdrejtë të elementeve të synimit. Sidoqoftë, më poshtë do të paraqesim gjashtë mënyra që janë treguar të suksesshme për të shfrytëzuar videot e shkurta për marketing:
- Tregoni si bëhet diçka – u tregoni shikuesve tuaj si zgjidhet një problem. Trajtoni probleme të vogla të cilat i mbuloni në mënyrë profesionale. Përmes videove, sqaroni kualitetin, përbërjen, mënyrën e shfrytëzimit dhe vlerat e produktit e shërbimit tuaj. Në këtë mënyrë jo vetëm që ndihmoni shikuesit, por edhe rrisni besimin tek ju. Për probleme të mëdha të njëjtët do tu kthehen si konsumatorë.
- Shfaqni aftësitë tuaja – zhvilloni video të cilat flasin mbi ofertat tuaja dhe problemet të cilat ato zgjidhin. Shpalosni vlerën e çdo oferte që bëni. Trajtoni elementet e produkteve të komplikuara. Njoftoni konsumatorin rreth mundësisë së kombinimit të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme, madje edhe me ato të konkurrencës.
- Publikoni organizimet – njoftoni publikun dhe konsumatorët tuaj rreth organizimeve që bëni. Para çdo organizimi, manifestimi të ndërmarrjes, manifestim të ndonjë feste shtetërore ose të tjera, ndërmarrja duhet realizuar video për të shpalosur oferta të ndryshme për konsumatorët. Ne jemi në një kohë kur prezenca nëpër ueb dhe rrjete sociale është e patjetërsueshme, andaj edhe video paraqitja është e patjetërsueshme.
- Paraqisni një produkt / shërbim – produktet dhe shërbimet duhet patjetër të reklamohen për tu bërë të njohura për konsumatorin. Paraqitja vizuale është më e mira për një informim tërheqës. Realizoni video të shkurta të animuara, e të tjera. Videot ngjallin emocione të cilat e bëjnë ndërmarrjen dhe produktin e saj të paharruar për konsumatorin. Në raste të promovimit të ofertës suaj, përqendrohuni tek njerëzit dhe jo tek oferta. U ofroni vlerë atyre. Flisni mbi vlerën të cilën ata do të konsumojnë dhe për të cilën kanë nevojë e jo për vlerën të cilën ju e keni.
- Kaloni pas skene – flisni mbi ndërmarrjen, produktet e shërbimet duke realizuar video nëpër ambientet e ndërmarrjes. Publiku ka interes të njohë dhe krijuesin e vlerave dhe jo vetëm vlerat. Kalimi ‘nëpër ndërmarrje’ e bënë shikuesin më të afërt me të dhe ofertat e saja më të dashura për të.
- Mos u përqendroni tërësisht në video me buxhet – paraqitja në publik është më e rëndësishme se mosparaqitja andaj mos u përqendroni vetëm në video me buxhet të lartë. Videot duhet të jenë të planifikuara mirë, por realizimi mund të bëhet edhe me kushte minimale. Paraqitje të shumta janë treguara në mënyrë të vazhdueshme të suksesshme jo për shkak të buxhetit të realizimit dhe mënyrë filmi të paraqitjes, por për shkak të paraqitjes atraktive dhe përmbajtjes tërheqëse.
Suksese!