Gjatësia ideale e videove për reklamim

Autor: MSc. Skender Mustafi

Tanimë kemi vendosur të bëjmë një video për të shpërndarë një vlerë. Pyetja kryesore është: Cila është gjatësia ideale e një videoje në mënyrë që njëkohësisht të kënaqet dhe motivohet shikuesi për të kaluar në konsumator ?

Njohja me temën

Gjithçka sa i përket vlerës, konstruktit, elementeve dhe idesë së realizimit të një video materiali reklamues është relative, përveç gjatësisë. Sa më i shkurtër është një video material aq më të mëdha janë gjasat që të pranohet, përsëritet, tu sugjerohet e shpërndahet të tjerëve. Dinamika e shpërndarjes së video materialeve është aq e madhe sa që shpesh herë është vështirë të mbahet mend se kush ishte realizuesi i saj dhe cila ishte porosia kryesore. Madje, duke e pasur parasysh që ‘kualiteti i kënaqjes së konsumatorit’ i një video materiali nuk ka të bëjë me kualitetin e regjistrimit të vetë materialit, por me nivelin tërheqës së përmbajtjes kuptojmë që gjatësia e prezantimit luan rolin kryesorë.

Andaj, lind pyetja: Cila është gjatësia ideale e një video materiali? Natyrisht, përgjigja e kësaj pyetje nuk është e thatë dhe e pavarur por rezultat i njohjes së përgjigjes së pyetjeve:

  • Cili është konsumatori ynë?
  • Cila është vlera të cilën planifikojmë të e komunikojmë?
  • Cila është fusha të cilën duam të e mbulojmë?
  • Cili është qëllimi i cili pretendohet të arrihet?
  • Cili është roli i videos në rastin konkret?
  • Ku duam të e publikojmë?
  • Nëse kemi për qëllim platformat e njohura, cila nga ato është synimi ynë kryesore?

Marketingu është kombinim i shkencës dhe artit, andaj nuk mund të gjendet formulë e përgjithshme e cila mund të shfrytëzohet për të realizuar gjërat. Gjithashtu, nuk ka aktivitete të përkryera dhe të pazëvendësueshme. Sidoqoftë, ekzistojnë studime të cilat të bazuara nga fakte konkrete kanë arritur të zhvillojnë korniza të cilat lehtësojnë vendimmarrjen. Këto studime janë të rëndësishme edhe në rastin e zhvillimit të video materialeve.

E rëndësishme është të kuptohet që hulumtuesit e fushës së marketingut bindshëm dëshmojnë se video materialet e suksesshme kanë shkallën më të lartë të kthimit të investimeve se llojet tjera të promocionit. Kjo na lë të kuptojmë se analiza dhe realizimi elementeve për realizim të videove të suksesshme është aktivitet shumë i rëndësishëm.

E rëndësishme është, gjithashtu, të kuptojmë se edhe pse kemi mundësinë të ngarkojmë video të gjata nëpër vendet ku dëshirojmë, nuk do të thotë se duhet ta bëjmë këtë. Video materiali duhet zhvilluar në bazë të parakushteve të caktuara sepse reagimi i njerëzve është jashtëzakonisht i shpejtë.

Hulumtimet sugjerojnë se vëmendja e shikuesit tërhiqet në 10 sekondat e para. Ata të cilët me një lloj dyshimi dhe me pritje të caktuara qëndrojnë edhe më tej deri në 30 sekondat e para përbëjnë 33% të shikuesve. Shikuesit të cilët nuk gjejnë pritjet e tyre në minutën e parë largohen gjithashtu, e që përbëjnë 45% të shikuesve. Së fundi, në përfundim të minutës së dytë, 60% e shikuesve tanimë janë larguar.

Në anën tjetër VidYard shpalosë disa informacione shumë të rëndësishme rreth trendëve të videove të publikuara nga bizneset. Gjithnjë sipas të njëjtëve, në vitin 2018 gjatësia mesatare e videove të ngarkuara nga bizneset ka qenë 4.07 minuta. Mirëpo, 73% e videove të ngarkuara kanë qenë nga dy minuta ose më të shkurtra. Vetëm 2% e ngarkimeve kanë qenë 10 deri në 20 minuta.

Gjatësia ideale e videove nëpër tema dhe portale të ndryshme

Vizitorët e portaleve të ndryshme kanë parapëlqime të ndryshme, ose presin diç tjetër. Vizitori i faqes së ndërmarrjes, tanimë është në dijeni për ekzistimin e ndërmarrjes produkteve e shërbimeve të saja, andaj ka pritje të caktuara. Kur kemi të bëjmë me pritje të caktuara atëherë kuptojmë se vizitori është i gatshëm për diç edhe më informative.

Në anën tjetër vizitorët e Instagram dallojnë nga ato të platformës Twitter dhe nga ato të Facebook. Në anën tjetër YouTube njihet për një lloj tjetër shërbimi, andaj edhe vizitorët kanë pritje tjera nga ato në Facebook.

Andaj, varësisht se vizitorët e cilës platformë i kemi për synim, duhet zhvilluar edhe video materialin.

Në vijim do të shpalosim vlerësimet e hulumtuesve dhe reagimet e shikuesve të videove nëpër platforma të ndryshme.

Facebook

Përdoruesit në këtë platformë janë të prirë të konsumojnë më shumë informacione multimediale të të gjitha llojeve. Andaj, edhe video materialet mund të jenë pak më të gjata. Edhe pse Facebook ofron gjatësinë e një paraqitje të drejtpërdrejtë deri në 240 minuta, ju nuk duhet bërë këtë.

Gjatësia e video materialeve më të suksesshme në këtë platformë ndryshon nga 24 deri në 90 sekonda.

‘Facebook tregimet’ në gjatësi janë të përcaktuara nga Facebook dhe mund të jenë 20 sekonda të gjata.

Paraqitja e drejtpërdrejtë në gjatësi, gjithashtu, është përcaktuar nga Facebook e që mund të jetë 4 orë. Meqë nuk ka kufizim në paraqitjen minimale, studiuesit sugjerojnë një paraqitje prej së paku 10 minutash.

Gjatësia optimale e videove për Facebook:

  • 7 sekonda – video për profil si reklamim në përsëritje
  • 24 – 90 sekonda – reklamim dhe informim i shpejtë
  • 20 sekonda – reklamim dhe informim i shpejtë (Facebook Tregimet)
  • 10 minuta – 4 orë – bashkëveprim me shikuesit dhe reklamim I integruar

Youtube

YouTube është platformë videosh dhe paraqet një ambient komplet ndryshe nga platformat e rrjeteve sociale. Shikuesit vizitojnë YouTube për të parë video dhe janë të mësuar me video të gjata. Sidoqoftë, këtu kemi të bëjmë me reklamim ose prezantim dhe sjellja e shikuesve ndryshon.

Kështu që, meqë YouTube e ka bërë të domosdoshme reklamën të shikohet për 5 sekonda, e bën që dërgimi i porosisë, tek shikuesi, brenda kësaj kohe e bënë videon me gjatësi prej 5-10 sekonda më të suksesshmen. Sidoqoftë, HubSpot thekson se videot me shikueshmëri më të madhe janë ato që kanë rreth 2 minuta.

Gjatësia optimale e videove për YouTube:

  • 5 sekonda – pjesë e domosdoshme e reklamës para se ajo të largohet
  • 15 sekonda – 2 minuta – reklamë standarde
  • 2 minuta – 1 orë – video edukative të cilat në vete kanë të ngërthyer edhe reklamën

Instagram

Në Instagram mund të bëhen tri lloj paraqitje përmes videos. Postimi normal duhet përmbajtur video me gjatësi prej 30 sekondash, gjatësia ideale sipas HubSpot, deri në 60 sekonda.

Lloji i dytë i videove janë ‘Instagram Tregimet’ e që Instagram lejon përpilimin e një ‘tregimi’ i cili mund të shpaloset përbrenda 15 sekondash.

Paraqitja e drejtpërdrejtë në Instagram ka bërë buj kohëve të fundit. Çdo prezantues i suksesshëm dhe ndërmarrje e cila përpiqet të ofrojë konsumatorët përmes ndërveprimit, paraqitet me paraqitje të drejtpërdrejta. Gjatësia ideale në situata të tilla është një orë.

Që të tria versionet e paraqitjeve përmes videos janë të përshtatshme jo vetëm për informim dhe sqarim, por edhe për reklamim. Vetëm lloji i fundit është më i përshtatshëm që gjatë trajtimit të një teme, reklama të integrohet pa shkëputje, por si pjesë e ‘bisedës’.

Gjatësia optimale e videove për Instagram:

  • 15 sekonda – reklamim dhe informim i shpejtë
  • 30 sekonda – reklamim dhe informim i shpejtë
  • 1 orë – bashkëveprim me shikuesit dhe reklamim i integruar

Twitter

Videot të cilat vetë Twitter shfrytëzon për të sqaruar funksionet e platformës nuk janë jo më shumë se 29 sekonda. Për më shumë cilido lloj i videos që ngarkohet, preferohet të mos jetë më i gjatë se 2 minuta e 20 sekonda.

Madje, videot ideale për reklamim duhet të jenë midis 20 dhe 45 sekonda.

Gjatësia optimale e videove për Twitter:

  • 2 minuta e 20 sekonda – video i cilit do lloj
  • 20 sekonda – 45 sekonda – video për reklamim

Pinterest

Pinterest në bazë është platformë fotografish e cila lejon edhe ngarkimin e video materialeve. Meqë vizitorët e platformës janë të prirë të kërkojnë foto, video regjistrimet duhet të jenë të shkurta. Kështu që videot sqaruese, të animuara e reklamuese sugjerohet të jenë mes 15 dhe 30 sekondave të gjata. Pinterest ofron mundësin e ngarkimit të videove deri në 30 minuta gjatësi, por kjo nuk preferohet të e bëni. Madje, edhe nëse realizoni video edukative, i trajtoni temat në nën-tema dhe i shpërndani në më shumë se një video, kështu që secila nga ato do të jetë e shkurtër.

Gjatësia optimale e videove për Pinterest:

  • 15 – 30 sekonda – video sqaruese, e animuar ose reklamuese
  • 30 sekonda – 30 minuta – video edukative ose përshkruese

LinkedIn

LinkedIn ka hapur, gjithashtu, mundësinë e ngarkimit të video materialeve që nga gushti i vitit 2017. Gjithashtu, kjo platformë profesionale për biznes, ka një ndër praktikat më të mira të ngarkimit të video materialeve.

LinkedIn sugjeron ngarkimin e videove nga 30 sekonda deri në 5 minuta.

Sidoqoftë, LinkedIn vizitohet nga njerëz profesionit të cilët zakonisht e kalojnë kohën në mënyrë të organizuar dhe vizitojnë faqet me qëllim të caktuar. Andaj, zhvillimi i video materialeve sqaruese, të animuara e për reklamim sugjerohet të jetë nga 3 sekonda deri në 30 sekonda.

Videot edukative dhe përshkruese sugjerohen të jenë jo më të gjata se 10 minuta.

Snapchat

Si vetë emri i platformë ashtu duhet qenë edhe video. E shkurtë, e qartë dhe tërheqëse, vetëm 10 sekonda. Mos tentoni të shtrydhni tërë vlerat tuaja në atë kohë, por përzgjidhni një porosi mbresëlënëse e cila mbahet mend dhe e cila ndikon që shikuesi të kërkojë videot tjera.

Videot në faqen personale

Vendosja e videove prezantuese në faqen personale i lehtëson vizitorit jo vetëm të kuptojë biznesin e ndërmarrjes suaj, por edhe ndërmarrjen, produktet dhe shërbimet e saja. Në faqe mund të vendosen lloje të ndryshme të video materialeve të cilat duhet përpiluar me gjatësi të ndryshme. Kështu për shembull, një video në faqen e parë e cila shfrytëzohet si një lloj hyrjeje, mund të jetë nga 5 deri në 15 sekonda e gjatë. Në anën tjetër videot e animuara, reklamuese e informuese nga 10 sekonda deri më 2 minuta. Së fundi videot edukative dhe përshkruese deri në 30 minuta.

Le të përmbyllim dhe përmbledhim temën

Të gjitha sugjerimet e mësipërme janë bërë në bazë të vrojtimeve dhe analizave të ndryshme, por se vendimi duhet marrë sipas kushteve konkrete. Varësisht synimeve që duam të arrijmë përmes videos përzgjidhet dhe gjatësia e saj.

Referencat

Komentet nga Facebook:

Po këto i keni lexuar?

One Thought to “Gjatësia ideale e videove për reklamim”

Leave a Comment