Analiza e Poterit – Pesë forcat

Autor: Skender Mustafi

Struktura e njohur me emrin “Pesë forcat e Porterit” ose “Analiza e Porterit”, për të analizuar industrinë dhe zhvillimet e strategjisë së biznesit, u zhvillua nga Michael E. Porter në Shkollën e Biznesit të Haruardit ( origjinal: Hardward Business School) në vitin 1979. Porter merr për bazë pesë forca të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë në suksesin e biznesit të një ndërmarrje që më pas nga kjo analizë të nxirret në pah vlera të cilën ndërmarrja krijon dhe kapë, si dhe strategjitë të cilat mundësojnë zhvillimin e suksesshëm të biznesit duke përballuar forcat shtytës.

Shkarko grafikun me mundësi përpunimi në MS Visio [Download not found]

Forcat të cilat Porter vlerëson si të rëndësishme në strukturën e tij janë:

Kërcënimi i bizneseve të reja
Tek kjo forcë merren parasysh të gjithë faktorët të cilët nxisin dhe mundësojnë hyrjen e bizneseve të reja në tregun e caktuar. Analiza e faktorëve nxitës të tregut si profiti, zhvillimi i tregut, rritja e tregut, rënia e nevojës për investime e të tjera, pastaj faktorët tjerë për kompanitë ekzistuese si biznesi i ngjashëm, ekzistimi i teknologjisë së ngjashme e të tjera, shfaqin gjendjen aktuale të ndërmarrjes drejtpërdrejt përball hyrjes së bizneseve të reja në treg. Kjo nuk nënkupton vetë analizën e kompanive të cilat shfaqin interes për hyrje në llojin e caktuar të biznesit, por analizën e kushteve të përgjithshme duke marrë tregun si një organizëm në zhvillim e sipër ku qasje kanë të gjitha kompanitë dhe hyrja e konkurrentëve mund të jetë e pa pritur.

Për më shumë tek kjo pjesë duhen marr parasysh edhe forcat mbrojtëse të ndërmarrjes si “të drejtat e autorësisë”, “patentat”, “marka e produktit”, “ekonomia e ndryshimit të produktit”, nevojat për kapital, kostot e ndërrimit të llojit të biznesit për kompanitë ekzistuese, qasja tek konsumatorët, besueshmëria e konsumatorëve, lojaliteti i konsumatorëve, rregulloret politike shtetërore e të tjera.

Kërcënimi nga produktet ose shërbimet zëvendësuese
Produktet zëvendësuese shpesh herë kanë ndikim më të madh se sa vetëm të shfrytëzuar nevojën përkohësisht duke i shfrytëzuar si zëvendësim për produktin kryesor. Konsumatorët shpesh ndjehen më të kënaqur me produktin zëvendësues duke e shfrytëzuar si produkt kryesor dhe duke e lënë atë të ndërmarrjes si zëvendësues ose edhe tërësisht pas dore. Pra, ndërmarrja duhet shqyrtuar produktet të cilat mund të plotësojnë pjesë nga nevoja e konsumatorëve të vetë. Gjithashtu duhet vlerësuar edhe tendencën e konsumatorëve për të kaluar drejt produktit/produkteve zëvendësuese. Për më tepër nga faktorët që duhet marr parasysh janë: stabiliteti i konsumatorëve, çmimet e produkteve zëvendësuese, niveli i plotësimit të nevojave të konsumatorëve nga ana e produkteve zëvendësuese, kostot e konsumatorëve për të kaluar tek produktet zëvendësuese, numri i produkteve zëvendësuese në treg, identifikimi i produkteve zëvendësuese me ndikim të madh ndaj produktit të ndërmarrjes, ndikimi i produkteve zëvendësuese për të zhvlerësuar produktin e ndërmarrjes e të tjera.

Fuqia e konsumatorëve për pazarllëk
Këtu merren parasysh të gjitha mundësitë të cilat konsumatorët i kanë për të futur nën presion ndërmarrjen për të ulur çmimet ose për të rritur kualitetin. Ky faktor më tej ndikon drejtpërdrejt në ndjeshmërinë e konsumatorëve ndaj ndryshimit të çmimeve. Pra, sa më i përgjithshëm të jetë produkti, sa më shumë të ekzistojnë produkte zëvendësuese, sa më lehtë të jetë për konsumatorët të kalojnë nga një produkt tek tjetri , aq më të ndjeshëm do të jenë konsumatorët ndaj rritjes së çmimeve. Nga faktorët që duhet marr parasysh në këtë pjesë janë: përqendrimi i konsumatorëve tek kompania ose produktet/shërbimet e saja, shkalla a varshmërisë së konsumatorëve ndaj kanaleve ekzistuese të shpërndarjes,mundësia informuese e konsumatorit, varshmëria e konsumatorit nga ndërmarrja ose/dhe produkti/shërbimi i saj, sasia blerëse, ndjeshmëria e konsumatorëve ndaj ndryshimit të çmimeve e të tjera.

Fuqia e furnizuesve për pazarllëk
Tek kjo pjesë analizohen faktorët të cilët ndikojnë në zinxhirin e furnizimit, fuqinë e ndërmarrjes për të ndikuar tek çmimet dhe kualiteti i furnizuesve të sajë. Nëse në treg ekzistojnë një numër i “mjaftueshëm” i furnizuesve të cilët ofrojnë produkte/shëbime të ngjashme atëherë ndërmarrja mund të përcaktohet për furnizuesin i cili ofron produkte/shërbime të cilat krijojnë më së shumti vlera për ndërmarrjesn. Gjithashtu ndikimi i ndërmarrjes është më i lartë ndaj furnizuesve ekzistuese sepse mundësitë për kalim nga njëri në furnizuesin tjetër janë relativisht të mira, duke ruajtur vlerën dhe cilësinë e produkteve/shërbimeve. Nga faktorët të cilët duhet marrë parasysh në këtë pjesë janë: kostot e ndërrimit të furnizuesit, shkalla e ndryshimit të imputeve, ndikimi i imputeve të reja në rritjen e kostove dhe në ndryshimin e produktit, imputet zëvendësuese që gjenden në treg, fuqitë e kanaleve të shpërndarjes dhe rrjedha e shërbimeve në to, ndikimet ligjoro-politike dhe të sindikateve, konkurrenca mes furnizuesve e të tjerë.

Rivaliteti përbrenda industrisë
Identifikimi i rivalëve, pridukteve dhe shërbimeve të tyre si dhe analiza e ndikmit të tyre ndaj biznesit të kompanisë, në ditët e sodit, është i pa mjaftueshëm. Shkalla e rivalitetit dhe shkalla e ndryshimit të intenzitetit të rivalitetit është nga faktorët kyç në biznesin modern i cili është tej mase i ndikuar nga zhvillimet teknologjike të cilat mundësojnë zhvillim relativisht të shpejtë të bizneseve të rivalëve duke krijuar përparësi nganjëherë të pa arritshme konkuruese. Përkrah zhivllimit të strategjive mbijetuese dhe rritëse, ndërmarrja duhet përqëndruar në përcjelljen e hapave të rivalëve si dhe shpejtësinë e hedhjes së atyre hapave. Për më tepër nga kjo gjendje ndërmarrja duhet të parashohë hapat e pa hedhur të kokurrencës për të zhvilluar strategji konkurruese dhe për të ndëmarrë veprime konkurruese biznesi. Nga faktorët që duhet analizuar në këtë pjesë janë: përparësitë konkurruese bazuar në zhvillimet inovative, lloji i biznesit dhe mundësitë që ai krijon përmes veçorive ndaj konkurrencës, ndikimi i konkurrencës tradicionale dhe asaj në Internet, zhvillimi i konkurrencës në internet, ndikimi i konkurrencës globale në tregun lokal ose regjional të ndërmarrjes, niveli i shtrirjes së marketingut të ndërmarrjes, strategjitë e fuqishme konkurruese e të tjera.

Përmbledhje
Struktura e analizës së faktorëve ndikues të biznesit duhet shfrytëzuar në rang të ndërmarrjes dhe jo në rang të sektorëve ose departamenteve të saja. Në analizat e realizuara nga kompani të ndryshme (analiza të bvra publike) dhe nga studiues të ndryshëm mund të vërejmë se “Pesë forcat e Porterit” mund të shfrytëzohen edhe për vlerësimin e faktorëve të biznesit për një lloj të caktuar të biznesit si pjesë nga tërësia e biznesit të ndërmarrjes. Shembull i tillë është analiza e biznesit në zhvillimin e marketingut, nga ana e Google Inc., në telefoninë celulare si pjesë e strategjisë së përgjithshme të marketingut të kompanisë. Për fund duhet të merret parasyshë që kjo analizë duhet të pasyqrojë gjendjen aktuale të kompanisë dhe duhet të mundësojë zhvillimin e strategjive për zhvillimin e biznesit dhe përcaktimin e vlerës së krijuar, vlerës së shpërndarë dhe fitimit të realizuar nga ana e ndërmarrjes.

Po këto i keni lexuar?