CMMI: modeli i vlerësimit të proceseve dhe menaxhimit të rreziqeve në ndërmarrje

CMMI modeli i vlerësimit të proceseve dhe menaxhimit të rreziqeve në ndërmarrje

Autor: MSc. Skender Mustafi

Njohja me CMMI

CMMI është akronim i fjalëve Capability Maturity Model Integration që në shqip ka kuptimin Integrimi i Modelit të Pjekurisë së Aftësive (IMPA) dhe është zgjerim i CMM- Modeli i Pjekurisë së Aftësive. Në fillim është zhvilluar CMM, madje për fusha të ndryshme veprimi si CMM për inxhinieri sistemesh, CMM për softuerë, CMM për njerëz, e CMM për përvetësim sotueri. Me paraqitjen  e problemit të integrimit të të gjithë CMM-ve në ndërmarrje është paraqitur nevoja për CMMI.

CMMI është familje e modeleve të referimit në fusha të ndryshe si ajo e zhvillimit të produktit, e blerjes së produktit dhe e realizimit të shërbimit. CMMI, në të vërtetë, është një model i përmirësimit të shërbimeve në mënyrë të niveluar. Modeli administrohet nga CMMI Institute që është pjesë e Information Systems Audit and Control Association, kurse është zhvilluar në Carnegie Mellon University (CMU).

CMMI modeli i vlerësimit të proceseve dhe menaxhimit të rreziqeve në ndërmarrje
CMMI modeli i vlerësimit të proceseve dhe menaxhimit të rreziqeve në ndërmarrje

Shfrytëzimi

Sipas CMU, CMMI mund të shfrytëzohet për udhëheqjen e përmirësimit të proceseve mes projekteve, reparteve ose gjithë ndërmarrjes. E gjithë veprimtaria e përmirësimit të proceseve realizohet nëpër faza të cilat njihen si nivele pjekurie. Andaj, mund të kuptojmë se CMMI ndihmon ndërmarrjet në arritjen e përmirësimit të proceseve përmes nxitjes së kulturës produktive dhe efektive e cila zvogëlon rreziqet në zhvillimin e softuerëve, produkteve dhe shërbimeve (White, 2018). Madje, disa nga studiuesit, pohojnë që CMMI, në të vërtetë, është model për udhëheqjen e rreziqeve dhe ndihmon ndërmarrjen në identifikimin dhe udhëheqjen e tyre (EE & Danielson, 2017).

Në vijim do të mund, në pika të shkurtra, të njoftoheni me tërësinë e elementeve të CMMI si dhe karakteristikave kryesore të cilat e mbështjellin atë.

Velrësimi dhe aplikimi

Aplikimi i CMMI në ndërmarrje fillon me vlerësimin e vetë ndërmarrjes dhe proceseve të saja. Konkretisht tri hapësirat kryesore të ndërmarrjes dhe proceset e tyre vlerësohen në detaje: zhvillimi i proceseve dhe shërbimeve, themelimi dhe udhëheqja e shërbimeve, dhe përvetësimi i produkteve dhe shërbimeve.

Metoda kryesore e vlerësimit të proceseve e cila shfrytëzohet nga CMMI-Instituti njihet si SCAMPI e që shpërndahet në tri klasa të ndryshme. Vlerësimi i ndërmarrjes bëhet me kërkesë të sajë dhe në bazë të nivelit të zhvillimit dhe përmirësimit të proceseve bëhet certifikimi i ndërmarrjes nga ana e institutit të CMMI.

Fushat e aplikimit

CMMI mbulon disa hapësira të ndërmarrjes e që në dokumentacion njihen si plejada (ang. Constellations) e që përfshinë:

  • CMMI për zhvillim (CMMI-DEV)
  • CMMI për shërbime (CMMI-SVC)
  • CMMI për përvetësim (CMMI-ACQ) dhe
  • CMM për njerëz (P-CMM) e që ekziston jashtë plejadës së CMMI.

Arkitektura e CMMI

CMMI për zhvillim ka 22 hapësira procesesh, ndërsa CMM për shërbime ka 24. Përdorimi i CMMI mund të bëhet në një paraqitje «në vazhdimësi» ose «në shkallë». Paraqitja në shkallë, që aplikohet më së shpeshti nga ana e ndërmarrjeve, është e ndarë në pesë «nivele pjekurie» e që bashkon fushat e proceseve në këto nivele. Paraqitja në vazhdimësi është e lidhur ngushtë me interesat e ndërmarrjes dhe përzgjedhjen e fushave të proceseve varësisht nga nevoja dhe interesi i saj.

Andaj, dallimi mes këtyre dy paraqitjeve është se tek paraqitja «në shkallë» ndërmarrja duhet tu përmbahet «niveleve të pjekurisë» së bashku me fushat e proceseve në to, të përcaktuara nga vetë CMMI modeli. Në anën tjetër , tek «paraqitja në shkallë» ndërmarrja përzgjedhë fushat e proceseve varësisht nga nevoja dhe interesi i saj.

Më tej, «fushat e proceseve», në vete, përmbajnë, në njërën anë, «Praktika të Përgjithshme» (GPs) dhe «Synime të Përgjithshme» (GGs) dhe në anën tjetër «Praktika Specifike» (SPs) dhe «Synimet Specifike» (SGs).

Referencat

EE, Kathryn & Danielson, Stive (2017). Background to CMMI. Publikuar më 20. Janar, 2017 tek: https://docs.microsoft.com/en-us/azure/devops/boards/work-items/guidance/cmmi/guidance-background-to-cmmi?view=vsts; Së fundi qasur më 14. Janar, 2019

White K., S. (2018). What is CMMI? A model for optimizing development processes. Publikuar më 16. Mars, 2018 tek: https://www.cio.com/article/2437864/developer/process-improvement-capability-maturity-model-integration-cmmi-definition-and-solutions.html; Së fundi qasur më 14. Janar 2019

Po këto i keni lexuar?