Ankandi si instrument i marketingut në internet

Autor: Skender Mustafi

Ankandet janë instrumente shumë të njohura të çmimit si në marketingun tradicional ashtu edhe në marketingun në internet. Synimi i këtyre instrumenteve është që të arrijnë çmimin shitës sa më të lartë të mundshëm. Ajo që duhet kuptuar është se ankandi si instrument i marketingut në internet dallon nga ankandi si instrument i marketingut tradicional pasi që mjetet e ankandit në internet dallojnë nga mjetet e atij tradicional.Strategjitë e këtyre dy instrumenteve varen nga situatat specifike. E mundur është që një strategji e cila mund të përdoret në mjedisin tradicional gjithashtu mund të përdoret edhe për mjedisin në internet.  Në thelb, ankandi është një proces ku individët dhe/ose institucionet konkurrojnë për të drejtën për të blerë ose shitur gjithçka me vlerë (Webster, 2009).

Ankandet në mjedisin tradicional kanë karakteristikat specifike si: vendin e caktuar, kohën, njerëzit dhe dëshminë fizike. Kjo nënkupton faktin se ankadet tradicionale organizohen në një vend të caktuar siç janë sallat ose vende specifike, ato fillojnë në një kohë të caktuar dhe përfundojnë gjithashtu në një kohë të caktuar. Më tej, në to marrin pjesë njerëzit të cilët blejnë dhe shesin artikuj dhe artikuj gjenden po në atë hapësirë si dëshmi fizike.

Në anën tjetër, sistemet e ankandeve në internet janë vende virtuale interneti ku shitësi i shet produktin ose/dhe shërbimin konsumatorit i cili e ofron çmimin më të lartë (Entrepreneur Media, 2010). Në këtë definicion vendi është i nënvizuar, si term i dalluar. Kjo pasi natyra e vendit virtual ndryshon domethënien dhe konceptin e specifikave të sipër përmendura; vendi i caktuar, koha, njerëzit dhe dëshmia fizike në hapësirën tradicionale. Ndërveprimi mes vendit, kohës, njerëzve dhe dëshmisë fizike në sistemet e ankandeve në internet është shumë i lartë, kështu ndjeshmëria e tyre është shumë e lartë.

Si konkludim, ankandi si instrument i marketingut në internet duhet trajtuar si i ndryshëm nga ai i marketingut tradicional, pra këto duhet trajtuar si dy instrumente të ndryshme të çmimit. Kjo pasi edhe pse synimi i tyre është i njejtë, mjetet dhe natyra e tyre është e ndryshme, kështu praktikisht duhet formuluar strategji të ndryshme për t’i realizuar ato.

Referencat
– Entrepreneur Media, I. (2010). Online Auctions. Entrepreneur Media, Inc. Retrieved November 22, 2010, from http://www.entrepreneur.com/encyclopedia/term/82604.html.

  • Webster, T. J. (2009). Introduction to game theory in business and economics (illustrate., p. 412). M.E. Sharpe.

Po këto i keni lexuar?