Ndër artet e Islamit, këndimi i Kur’anit është më i rëndësishmi dhe më qendrori. Ai është arti i shenjtë suprem i Islamit. Arti i këndimit të Kur’anit sigurisht kombinohet në shumë kontekste me artin e shkrimit të Fjalës së Shenjtë dhe gjithashtu me recitimin e ndodhive e historive, që gjenden në aq shumë sure të Tekstit të Shenjtë.[15]
Nuk mund të flitet për artin dhe spiritualitetin islam, e të mos shtrohet edhe çështja e muzikës, e cila nga pikëpamja shpirtërore është e një domethënieje madhore, jo thjesht në vetvete, por edhe në lidhjen e saj me poezinë, një shembull të së cilës na e ka dhënë Xhelaludin Rumiu. Edhe Kur’ani madje, në prozimin e tij tradicional, është njëkohësisht edhe muzikë edhe poezi, ndonëse tradicionalisht ai nuk klasifikohet si asnjëra prej tyre.
Megjithatë, duke qenë Fjala e Zotit, ai radhitet në një kategori përmbi të gjitha kategoritë e artit njerëzor. Duhet hulumtuar bota islame, në fazat e ndryshme të historisë së saj, si dhe sot, për t’u ndërgjegjësuar mbi praninë e muzikës në shumë prej aspekteve më themelore të kësaj tradite. Thirrja për namaz (ezani) thuajse përherë këndohet[31] ashtu si edhe Kur’ani Fisnik, recitimi i të cilit është më i mrekulluari i të gjitha muzikave për shpirtin e besimtarëve, edhe pse teknikisht ai recitim nuk është quajtur kurrë ‘muzikë’, d.m.th musiqa apo gina.[32][33]
Shumë dijetarë të famshëm islamë, sidomos filozofët, matematikanët dhe mjekët, e njihnin mirë muzikën dhe teoritë e saja, ndërkohë që disa, si Farabiu, Ibn Sina dhe Urmawiu, ishin autoritete të rëndësishme të teorisë Kur’anore.[34] Disa mjekë myslimanë e përdornin muzikën në shërimin e sëmundjeve, si shpirtërore ashtu edhe trupore, dhe mbi dimensionin terapeutik të Kur’anit është shkruar një numër i konsiderueshëm punimesh.[35] Shkrimtarët dhe poetët gjithashtu ishin shpesh të njohur me muzikën, dhe Persia në veçanti ka qenë pothuajse e pandashme gjatë historisë islame, siç na ilustron Kitab al-Agani i Ebu Faraxh el-Isfahanit për periudhën e hershme myslimane. Si në letërsinë arabe, ashtu edhe në atë persiane mund të vërehet lidhja e afërt ndërmjet kryeveprave të poezisë – si Burdah-i apo Gazel-et e Hafizit – dhe përkthimeve të tyre muzikore në pothuajse të gjitha periudhat dhe nënqiejt.[33][15]
Islami e ka ndaluar muzikën që shpie në harrimin e Zotit, dhe ia ka ndaluar edhe atyre myslimanëve, të cilët ajo do i tërhiqte nga bota e përshpirtshme dhe t’i zhyste në duniallëk nëpërmjet dëgjimit të vet. Megjithatë, Islami e ka ruajtur muzikën në aspektin e saj më sublim e prapëseprapë racional, në tërë bashkësinë e tij. Në psalmodinë e vet të Kur’anit dhe këngëve fetare që i kushtohen të Dërguarit (s) dhe ceremonitë e shenjta islame, dhe me anë të dimensionit e tij të brendshëm, Islami e ka bërë muzikën një shkallë që shpie tek prania e Zotit. Ai i ka dhuruar muzikës një cilësi kontemplative e cila është jehona e xhenetit e në të cilën ndërthuren shqisorja dhe asketikja, bukuria e kësaj bote dhe e së tashmes e të këtushmes.[33][15]
Referencat
31. Në disa pjesë të botës islame, si p.sh. në Indonezi, ezani shoqërohet nga lodrat të cilat përhapen nëpër xhungël më larg se zëri i muezinit.
32. Shih L. al-Faruku: Essays on Islamic and Comparative Studies, Herudon, Virginia 1982, fq 44-5.
33. Islami dhe muzika – Seyyed Hossein Nasr
Përkthyer për projektin Wikipedia në gjuhën shqipe.
Përktheu: Skender Mustafi