Autor: Skender Mustafi
Hyrje
Marketingu në internet, posaçërisht në gjuhën angleze, emërohet me shumë emra të ndryshëm që janë sinonime të fjalës “online”. Autorë të ndryshëm përdorin fjalët ose shkurtesat internet, “i” ose “i-” (psh. iMarketing, i-Marketing), elektronik, “e” ose “e-” (psh. eMarketing ose e-Marketing), digjital dhe disa përdorin fjalën ueb (web) që nga shumica e autorëve ueb marketingu shihet si pjesë e marketingut online.
Reklama e parë në internet u paraqit në vitin 1993 (O’Reilly Media, 2008), tridhjetë vite pas paraqitjes së internetit. Që nga ajo kohë, vazhdimisht u rrit interesi i kompanive për të bërë biznes në internet dhe kjo u reflektua në investimet e mëdha në këtë drejtim që në vitin 2008 vetëm në SHBA arriti shifrën prej 23 miliardë Dollarë Amerikan (PriocewaterhoseCoopers LLP, 2009).
Gjatë gjithë kësaj kohe të ndryshimeve dinamike të mjedisit në internet dhe në të njëjtën kohë të përmirësimit të instrumenteve të marketingut në internet, shumë autorë u përfshinë në gjetjen e fjalëve të duhura për të definuar marketingun në internet. Disa nga definicionet me kohë humbën kuptimin për shkak të ndryshimeve të marketingut dhe të tjerat ndikuan të kuptuarit e përgjithshëm të marketingut në internet, rëndësinë dhe rolin e tij në strategjinë e përgjithshme të kompanisë.
Definimi
Ekziston një numër njerëzish që kanë shkruar së paku diçka dhe e kanë emëruar atë si definicion të marketingut në internet. Disa nga këta autorë bazojnë definicionet në studimet e tyre e të tjerët në ndryshimet e internetit dhe në suksesin e arritur të kompanisë nga ndikimi i marketingut në internet.
Një nga autorë më të njohur të kësaj fushe Chaffey (2007), definoi marketingun në internet si “aplikim i teknologjive digjitale të cilat formojnë kanale në rrjet (ueb, posta elektronike, baza të të dhënave, si dhe celularë/pa tel & TV digjitale) për të kontribuar në aktivitetet e marketingut që synojnë tërheqjen dhe ruajtjen fitimprurëse të konsumatorëve (Me procese të kanale të shumëfishta blerjeje dhe me ciklin e jetës së konsumatorëve) përmes përmirësimit të njohurive të konsumatorëve (profileve, sjelljeve, vlerave dhe shtytësve së lojalitetit të tyre), pastaj duke dhënë komunikime të integruara në shënjestër dhe shërbime në internet që përputhen me nevojat e tyre individuale.” Ai gjithashtu përmblodhi definicionin: “Marketingu në internet është arritja e objektivave të marketingut duke aplikuar teknologjitë digjitale.” Më herët në bashkëpunim me P. Smith, Chaffey duke u bazuar në definicionin e marketingut tradicional të “UK Chartered Institute” theksoi se “e-Marketingu mund të identifikojë, parashikojë dhe përmbushë me efikasitet nevojat e konsumatorëve.” (P. Smith & Chaffey, 2005).
P.R. Smith (P. R. Smith, 2003) deklaroi se marketingu në internet “është thjeshtë tregtimi në internet – mbajtja afër konsumatorëve duke formuar lidhje me ata, të mbajturi e tyre të gëzuar dhe të kënaqur në rrjet. E-Marketingu përfshinë dialogje dinamike, reagime të vazhdueshme dhe një varg të mjeteve të reja…”
Të tjerët (Strauss, Ansary, El-Ansary, & Frost, 2005) e definojnë marketingun në internet si përdorim të teknologjisë informative për procesin e krijimit, komunikimit dhe shpërndarjes vlerë në drejtim të konsumatorëve dhe për menaxhimin ndërlidhjet me konsumatorët në mënyra që sjellin i sjellin përfitime organizatës dhe aksionarëve të sajë. Ose thjeshtë si rezultat i teknologjisë informative të aplikuar në marketingun tradicional.
Në anë tjetër Michie (2007) specifikon se: “Në thelb internet marketingu është gjithçka që bën, së bashku në rrjet dhe jashtë rrjeti, për të ndikuar njerëzit për të blerë produktin ose shërbimin tuaj nga një medium në rrjet siç është ueb faqja.
Konkludim
Të gjithë autorët, me fjalë të njëjta ose të tjera, pajtohen se marketingu në rrjet ngrihet mbi teknologjinë digjitale (emëruar si teknologji elektronike, interneti ose informative). Disa nga ata, si Michie, madje i llogarisin edhe veprimet jashtë rrjeti si veprime që shtynë suksesin e marketingut në rrjet dhe veprimeve në rrjet. Pjesa e mbetur e të kuptuarit të marketingut në rrjet, dallon. Chaffey si bazë të definicionit të marketingut në rrjet përcakton teknologjinë digjitale e cila formon kanale në rrjet, për P.R. Smith konsumatori është në qendër dhe duhet mbajtur afër, i kënaqur dhe në dialog dinamik. Autorë të tjerë vënë theks mbi krijimin e vlerës nga konsumatorët duke përdorur teknologjinë informative dhe të gjitha mjetet të cilat përdoren për të shtyrë krijimin e kësaj vlere pa marrë parasysh në rrjet ose jashtë rrjeti shihen si pjesë të marketingut në rrjet.
Referencat
– Chaffey, D. (2007). Top 10 E-marketing strategies of today and tomorrow. Site implemented by Dave Chaffey. Retrieved November 29, 2010, from http://www.davechaffey.com/E-marketing-Insights/Internet-marketing-articles/Top-10-E-marketing-strategies.
– Michie, J. (2007). Street smart internet marketing: tips, tools, tactics & techniques to market … (p. 307). Street Smart Internet Market.
– OʼReilly Media, I. (2008). Adam Engst Publisher, TidBITS Publishing Inc. OʼReilly Media, Inc. Retrieved November 29, 2010, nga http://www.toccon.com/toc2008/public/schedule/speaker/313.
– PriocewaterhoseCoopers LLP. (2009). IAB Internet Advertising Revenue Report (p. 21). Marrë nga http://www.docstoc.com/docs/5134258/IAB-2008-Report.
– Smith, P. R. (2003). Great answers to tough marketing questions (2nd ed., p. 298). Kogan Page Publishers.
– Smith, P., & Chaffey, D. (2005). eMarketing eXcellent The Heart of eBusiness.
– Strauss, J., Ansary, A. I., El-Ansary, A., & Frost, R. (2005). E-marketing (4th ed., p. 456). Pearson/Prentice Hall.