Ueb faqja mund të jetë e ndërtuar në mënyra të ndryshme duke përfshirë elemente të kategorizuara të cilat ndërtojnë strukturën e sajë. Nga elementet kryesore janë: faqet dhe shkrimet në blog. Le të themi se kemi një faqe për një ndërmarrje e cila nuk ka blog të instaluar. Në një ueb faqe të tillë kemi vetëm faqe, ndryshe njohur në anglisht si ‘landin pages’. Nëse kemi edhe blog të instaluar, atëherë kemi të bëjmë me publikimin e artikujve të ndryshëm dhe me gjenerim në vazhdimësi të faqeve të blogut. Si faqet kryesore, ashtu edhe ato të blogut kanë nevojë për rregullim dhe optimizim. Le të fillojmë me elementet kryesore të rregullimit të brendshëm të ueb faqes.
Nyja (linku) e një faqeje
Ju mund të hapni një faqe për kontakt dhe kjo faqe ka nevojë për një nyje. Rregullimi i nyjës duhet bërë që në fillim edhe atë me një strategji të mirë-menduar. Nyjat janë shumë të rëndësishme për motorët e kërkimit sepse ato përmbajnë kuptimin e gjithë faqes në një ‘rresht’. Sipas vlerësimeve të shumta, gjatësia optimale e nyjës duhet të jetë nga 75 deri në 120 karaktere. Sidoqoftë, më shumë duhet përqendruar tek kuptimi i nyjës e si të dorës së dytë gjatësinë e saj. Gjithashtu edhe nyjat e shkrimeve tuaja në blog duhet të vlerësohen dhe mendohen mirë.
Qëllimi kryesorë është që ajo nyje të mbetet e pandryshuar ‘përgjithmonë’. Nyjat e pandryshueshme dhe të vizituara e bëjnë artikullin më atraktiv dhe për motorët e kërkimit më me vlerë. Ndryshimi i nyjave jo vetëm që shkakton paraqitjen e gabimeve 404, e që janë shumë të padëshiruara nga motorët e kërkimit, por gjithashtu edhe i ngatërron vizitorët. Ndryshime të tilla bëjnë që motorët e kërkimit të ç’vlerësojnë jo vetëm nyjën e caktuar, por edhe ueb faqen në përgjithësi.
Titulli i faqes ose shkrimit
Vini re, nëse shfrytëzoni WordPress, Joomla, ose ndonjë sistem tjetër të menaxhimit të përmbajtjes, gjatë hapjes së një faqeje të re ose shkrimit të ri titulli dhe nyja rregullohen automatikisht. Do të thotë, sapo të shkruani titullin, rregullohet dhe nyja sipas titullit. Duhet të e vlerësoni nëse e doni këtë apo jo. Titulli dhe nyja mund të jenë të ndryshme dhe të kenë ndikim pozitiv në afat të gjatë. Sistemet e menaxhimit të përmbajtjes, si WordPress, e lejojnë një gjë të tillë. Shembull, ju mund të e hapni një faqe ‘Rreth nesh’, por nyja të jetë ‘ndërmarrja-Fjalaime!’. Titulli i kësaj faqe mund të ndryshojë më vonë sipas nevojës dhe dëshirës, por nyja duhet të mbetet e pandryshuar. Gjithashtu edhe gjatë shkrimeve në blog. Shumë shkrime të vjetra mund të jenë interesante me përditësime. Shembull nëse vitin e kaluar keni shkruar një shkrim me titull ’20 faqet interesante shqiptare’ këtë vit mund të e përditësoni të njëjtin artikull me titull ’30 faqet më interesante shqiptare’. Nëse nyjën fillestare e keni bërë ’20-faqet-interesante-shqiptare’, atëherë ky ndryshim nuk do të kishte kuptim. Megjithatë, nëse nyja do të ishte ‘faqet-interesante-shqiptare’ atëherë nuk luan rol cilin titull më vonë do ta shfrytëzoni. Madje, nyja është tek motorët e kërkimit dhe asnjëherë nuk ka pësuar shkëputje ose humbje të saj.
P.S. Ridrejtimi i një nyjeje (redirection) tek një nyje tjetër nuk radhitet në listën e nyjeve me rezultate tek motorët e kërkimit.
Teksti i faqes
Fillimisht, teksti duhet të jetë me vlerë për lexuesin. Sa i përket pjesës teknike, teksti duhet të jetë I shpërndarë nëpër pjesë dhe nën-pjesë duke shfrytëzuar H1, H2, H3, etj., sipas nevojës. Paragrafët dhe fjalitë duhen të jenë të shkurta sepse është më lehtë për t’i lexuar. Fjala kyçe të cilën dëshironi të e shfrytëzoni si kryesore, duhet përsëritur më shumë në tekst pa mos e tepruar.
Nyjat e brendshme dhe të jashtme
Teksti të cilin keni shkruar sigurisht ka pjesë të cilat i keni sqaruar më në detaje në shkrime tjera, andaj bëni nyja në tekst me shkrimet tuaja tjera. Do të thotë çdo nyjë e cila lidh një artikull të faqes suaj (të njëjtë) është nyjë e brendshme. Gjithashtu bëni nyja edhe me faqe të jashtme, faqe të të tjerëve, burime informacionesh. Fillimisht mund të mendoni se ju po reklamoni faqe të huaj në faqen tuaj, por ka dy efekte shumë të rëndësishme pozitive edhe atë: teksti bëhet më atraktiv për lexuesin sepse mund të përcjellë më lehtë përmbajtjen dhe për motorët e kërkimit lidhjet e brendshme dhe të jashtme janë një nga elementet e rëndësishme për vlerësimin e shkrimit dhe faqes.
Si t’i optimizoj përmbajtjet multimediale
Nëse keni faqe e cila funksionon jashtë sistemeve për menaxhim të përmbajtjes si WordPress, Joomla, etj, atëherë i ngjishni (compressing) materialet multimediale përmes mjeteve të jashtme ose shërbimeve të ndryshme në internet. Nëse shfrytëzoni WordPress, atëherë instaloni shtesa të ndryshme (plugins) të cilat mundësojnë ngjeshjen e materialeve multimediale (foto, video, audio). Shtrydhja e materialeve multimediale rritë shpejtësinë e faqes duke mundësuar një vlerësim të mirë nga ana e mjeteve për vlerësim të faqeve si dhe duke ofruar një përvojë të mirë për vizitorët. Sipas vlerësimeve të ekspertëve shpejtësia e hapjes së faqes është për vizitorët tri herë më e rëndësishme madje edhe se pamja e ueb faqes.
Rregullimi i fjalëve kyçe
Fjalët kyçe duhet hulumtuar dhe trajtuar përmes mjeteve ose shërbimeve të ndryshme profesionale. Varësisht nga përmbajtja që ofroni, duhet përzgjedhur fjalët kyçe. Shpesh here mendojmë se kërkuesit nëpër motor të kërkimit shfrytëzojnë fjalët të caktuar kyçe sepse neve na duken interesante, por në të vërtetë ato janë shumë pak ose aspak të shfrytëzuara. Andaj shfrytëzoni shërbime për vlerësimin e fjalëve kyçe, potencialin e tyre dhe përdorimin nga ana e kërkuesve. Një mjet I tillë është dhe Google Keyword Planner I cili mundëson hulumtimin e fjalëve kyçe dhe njohjen e potencialit të secilës veçmas.
Gjatë shfrytëzimit të fjalëve kyçe është e rëndësishme që të dihet se sinonimet kanë kuptim të njëjtë për Google. Gjithashtu sinonimet e tog fjalëve kanë po ashtu kuptim të njëjtë. Andaj, shfrytëzoni tog fjalësh (long tail kyewords) si fjalë kyçe për artikullin. Kjo do të thotë, nëse kërkoni ‘artikull marketingu’, ‘artikull për marketing’, e të ngjashme, parimisht kanë kuptim të njëjtë për motorët e kërkimit, andaj edhe nuk duhet të I shfrytëzoni dy e tri here.
E rëndësishme, gjithashtu, është se secila faqe ose shkrim duhet të ketë minimum një fjalë kyçe dhe maksimum tri fjalë kyç qofshin ato si fjalë të vetme ose togfjalësh.
Rëndësia e tjetër dhe me vlerë të lartë është se fjalët e përzgjedhura kyçe për tu shfrytëzuar për një faqe ose shkrim duhet të gjenden në këto vende:
- Në nyjë
- në titull
- në një ose disa nëntituj (H1, H2, H3, …) dhe
- në tekst disa herë (pa mos e tepruar)
Autor: Skender Mustafi
MSc. Business Information Systems
BSc. Business Administration – Marketing & Management