Pas përpilimit të CV-së në mënyrë të duhur dhe pas së shkruarit të letrës e cila me të vërtetë flet për motivimin tuaj atëherë ju personalisht e keni radhën. Dallimi i asaj që ju tanimë e keni paraqitur në letër dhe takimit tuaj personal është se dokumentet e dërguar tregojnë atë që ju dini, kurse takimi personal tregon pjesë nga ajo që ju jeni. Dhe kjo është shumë e thjeshtë për përzgjedhësit, nëse pjesa që ju e shprehni nga ajo që ju jeni ju pëlqen atyre, atëherë jeni i pranuar, nëse ajo atëherë jeni i refuzuar.
Për të paraqitur sa më denjë veten tuaj në këtë situatë duhet të keni parasysh dy çështje: pamjen tuaj dhe shprehjen tuaj. Këto dy elemente duhet të përputhen saktësisht me llojin e vendit të punës për të cilin ju po konkurroni. Nga ajo se si do të duhet që ju të dukeni dhe çfarë do të duhej që ju të flisni shprehet edhe në vetë shpalljen për llojin e vendit të punës. Duhet të keni parasysh që të mos e teproni si në veshje ashtu edhe të të shprehur. Nëse e keni parasysh gjendjen e kompanisë, për shembull në sferën e biznesit, ose nëse tanimë keni vizituar kompaninë më parë sa për të përfituar përshtypje rreth sajë atëherë duhet që të keni një stil i cili i përshtatet nëpunësve tanimë që janë në kompani.
Nga elementet më të rëndësishme që duhet të kini parasysh janë:
Veshja e përshtatshme – nëse konkurroni për vend pune në zyrë dhe kompania nuk ka rregull të përpiktë ku nëpunësit duhet të vishen me kollare, atëherë mund në intervistë të shkoni edhe pa të, por me veshje elegante pasi që ato tregojnë përpikërinë tuaj. Nëse konkurroni si nëpunës marketingu ose banke, persona të cilët kanë të bëjnë me konsumatorët dhe veshja e tyre duhet të jetë elegante dhe kollarja pjesë e veshjes së përditshme, atëherë edhe në ditën e intervistës duhet të paraqiteni i veshur si i tillë. Veshja provokuese si xhinset e modës për meshkuj ose minifundet provokues për femra ose veshje të epërme të hapura ose të ngushta, janë të pa pranueshme.
Paraqitja me kohë në intervistë – duhet të jeni i përpiktë. Nuk ka arsye për vonesë. Kërkesa për ndërrimin e terminit ditën e fundit ose orën e fundit është e pa pranueshme.
Të ulurit para intervistuesve – duhet të jetë e përshtatshme. Nëse mes jush dhe intervistuesve gjendet tavolinë atëherë i lëshoni duart deri tek bërrylat mbi tavolinë pa mos e mbështetur barkun në qosh. Mos i kryqëzoni dhe mos i kërcitni gishtat. Mos luani me duar. Mos luani me laps ose stilolaps (nëse e keni marrë për shënime eventuale). Mos i lëvizni këmbët, rrini i qetë. Mos i shtrini këmbët.
Nëse mes jush dhe intervistuesve nuk gjendet asgjë atëherë mbështetuni për ulsëse (jo në pozitë të shtrirë) me këmbë të mbledhura (e pa pranueshme është meshkujt të ulen me këmbë të hapura). Në këtë gjendje mund të vendosni edhe këmbën mbi këmbë në mënyrë elegante.
Çamçakëzi – është i pa pranueshëm. Gjithashtu çfarëdo lloj përtypje duhet kryer para paraqitjes para intervistuesve.
Buzëqeshja – nuk është e ndaluar, por në raste nevoje për buzëqeshje ajo duhet të jetë vetëm e lehtë.
Shprehjet – duhet të i keni reale dhe të përshtatshme me kompaninë dhe vendin për të cilin konkurroni. Mos e teproni me lavdëresa mbi kompaninë dhe mos u shprehni me fjalë superiore mbi çështjet. Fjalët si : perfekt, e pa zëvendësueshme, mrekulli, e pa imagjinueshme, ëndërr dhe të tjera të ngjashme janë të pa vlera. Shprehuni në mënyrë sa më reale. Ju drejtoni intervistuesve gjithmonë me JU dhe me Zotëri ose Zonja Mbiemri.
Përgjigjet – duhen të jenë të drejtpërdrejta. Mos u tregoni as abstrakt dhe e as “të ditur” duke folur shumë, por shprehuni shkurt për pyetjet që u parashtrohen. Dijeni se nëse diçka nuk është e qartë intervistuesit do të kërkojnë sqarim, pra nuk keni nevojë t’i sqaroni gjërat. Mos u shprehni me shprehjet ju e dini që … Mos i zgjeroni përgjigjet. Nëse pyeteni për raportet tuaja me kompaninë e kaluar, shprehuni pozitivisht në raportin profesional pa mos u thelluar në raportet tjera. Mos u përgjigjni: është e futur në CV ose siç e kam cekur në letrën e motivimit... Intervistuesit tanimë kanë analizuar dokumentet tuaja dhe shumë të tjerëve dhe nga ata ti je nga 5% e mbetur kështu që përgjigju direkt edhe pse ajo përgjigje mund të gjendet në dokumentet tua.
Arsyet e largimit nga vendi i fundit i punës – nëse jeni akoma duke punuar në një vend pune dhe konkurroni në një vend tjetër atëherë si arsye merreni mundësinë për tu përmirësuar profesionalisht, mundësinë për të punuar në ambient më të zhvilluar etj. që kanë të bëjnë me zhvillimin tuaj dhe të ambientit të veprimtarisë suaj, por mos e merrni si arsye rrogën (edhe nëse kjo është arsyeja) sepse kjo u paraqet si të etur vetëm për para.
Nëse u ofrohet të pini diçka – merreni së paku një gotë ujë. Pranimi i ofertës, që nuk është patjetër të e pini, u bën të ndjeheni më të afërt dhe shpreh besimin tuaj ndaj kompanisë dhe intervistuesve.
Mjetet elektronike – duhet të jenë të fikura. Celulari ose ndonjë mjet tjetër me sinjal duhet të jetë jashtë përdorimi.
Keni për të pyetur? – Pyesni. Ajo që u intereson rreth kompanisë, vendit të punës, ambientit të punës, por jo rreth pushimeve, të ardhurave shtesë, rrogës e çështjeve që kanë të bëjnë vetëm me ju.
CV – duhet që të keni një kopje nga CV e juaj të cilën e shpalosni kur intervistuesit pyesin rreth çështjeve të ndryshme të cilave mund tu përgjigjeni më saktë me të dhëna nga CV.
Sa rrogë prisni? – Nëse pyeteni rreth rrogës që ju mendoni të keni, përgjigjuni drejtë mos përdorni shprehjen ju e dini…. Mund të thoni: Do të ishte e përshtatshme xxxxx, por nuk është fikse dhe jam i hapur për marrëveshje në këtë drejtim. Ju nuk jeni duke u punësuar për të punuar falas kështu që është e drejta juaj të shpreheni në këtë drejtim, nëse pyeteni.
Falënderoni – për ftesën për intervistë dhe tregoni interes për të qenë pjesë e kompanisë. Kërkoni edhe interes për të njohur arsyet e mos pranimit tuaj nëse merret një vendim i tillë duke u bërë të ditur intervistuesve se kjo do të ishte një ndihmë për ju për tu përmirësuar.