Skender Mustafi
Valuta dhe ndikimi i ndryshimit të vlerës valutore
I. Hyrje
Globalizimi, që nënkupton procesin e largimit të kufijve të cilit do lloj në mënyrë që të lehtësohet shkëmbimi i vlerave të cilit do lloj, nuk prekë vetëm sferën e informimit dhe të tregtimit të drejtpërdrejtë mes vendeve të ndryshme, por edhe ndryshimet dytësore të cilat shpien në ndryshime ekonomike. Ndër të tjera, përcaktimi, ruajtja dhe monitorimi i vlerës valutore brenda një shteti është një proces shumë i rëndësishëm i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë ose të tërthorë në të gjitha fushat. Edhe më i rëndësishëm dhe më me ndikim jo vetëm në ekonominë kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare është përcaktimi, ruajtja dhe monitorimi i vlerave valutore nga ana e shteteve valuta e të cilave është pranuar dhe qarkullon në nivel ndërkombëtar. Çdo ndryshim i vlerës së valutës së një shteti me valutë të shtrirë në tregun ndërkombëtarë siç është, për shembull, Dollari amerikan pasoja si përbrenda shtetit ashtu edhe në nivel ndërkombëtarë.
Në vijim do të mund të kuptoni se çfarë llogaritet valutë, si përcaktohet vlera e saj, cilat mekanizma shfrytëzohen për të ruajtur dhe monitoruar atë vlerë si dhe efektet e ndryshimit të vlerës.
II. Të kuptuarit e valutës dhe vlerës së saj
Me valutë në fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe “njihet njësia bazë e sistemit monetar të një vendi; tërësia e njësive të këtij sistemi” (Fjalori.Shkenca.org, 2015), kurse në aspektin ekonomik valuta është një formë e përgjithshme e parasë e pranuar në nivel kombëtarë ose/edhe ndërkombëtar dhe qarkullon në mënyrë të lire, publike. Në këtë shkrim do të shfrytëzohet edhe fjala monedhë si sinonim i fjalës valutë. Njësitë valutore mund të jenë të emetuara nga letra ose metali. Procesi i emetimit të valutës planifikohet dhe monitorohet nga institucioni i caktuar i qeverisë së një shteti ose një njësie më të gjerë siç është Unioni Evropian për Euron. Instituti shtetëror i cili merret me politikën monetare pak a shumë është i njëjtë në të gjitha shtetet, pra banka qendrore e shtetit. Në Shqipëri, Banka e Shqipërisë është institucioni i vetëm përgjegjës për konceptimin, hartimin, miratimin dhe zbatimin e politikës monetare (Shqipërisë, 2015).
Në përgjithësi, të gjitha shtetet kanë valutën e vetë, shembull siç Shqipëria ka Lekun, Zvicra ka Frangun, Turqia ka Lirën turke, e të tjera. Përjashtim në këtë rast bën Euro që është monedhë e një unioni, shtetet e të cilit kanë pranuar si monedhë të përbashkët të tyre.
III. Përcaktimi i vlerës valutore të një shteti
Nëse shohim të kaluarën rreth mënyrës së përcaktimit të vlerës së valutave do të hasim dy politika të cilat me kohë janë dëshmuar si zgjidhje joadekuate. Në fillim vlera valutore, në gjithë botën, është përcaktuar në bazë të standardit të arit e që për shkak të rritjes së ekonomisë ndërkombëtare dhe mungesës së arit për të mbuluar valutat e emetuara është dëshmuar si standard që duhet tejkaluar. Më pas për një kohë është shfrytëzuar standardi i Dollarit amerikan, standard ky i cili për shkak të përfshirjes aktive të Shteteve të Bashkuara në dinamikën e zhvillimeve ekonomike dhe krizat ekonomiko-financiare që ka përjetuar, është dëshmuar si i pa sigurt.
Sot, vlera monetare përcaktohet duke u bazuar në vlerën e bashkuar të tre kritereve bazë:
- Shkëmbimi ndërkombëtar valutor – vlera monetare e një shteti përcaktohet në bazë të vlerës së shkëmbimit me valutat tjera të shteteve të botës. Kjo vlerë ndryshon gjatë gjithë kohës nën ndikim të zhvillimeve tregtare monetare. Në këtë tregti valutash nuk janë të përfshirë vetëm individët dhe kompanitë e ndryshme, por edhe vetë institucionet e qeverive të shteteve duke e shfrytëzuar si një mekanizëm për stabilizimin e vlerës monetare kombëtare.
- Bonot e thesarit – janë letra me vlerë të emetuara nga institucionet e caktuara të thesarit të një shteti, në këtë rast Banka e Shqipërisë ka një rol të till për bonot e thesarit të Shqipërisë. Meqë bonot e thesarit shiten nga ana e shtetit me një përqindje të paradefinuar, fikse, të interesit, investitorët blejnë ato për të bërë tregti në tregjet dytësore. Në këtë rast shitja e bonove të thesarit është një ankand ku investitorët ofrojnë vlerë të caktuar për bonot duke bërë kështu që të caktohet vlera valutore e një shteti.
- Rezervat e valutave të huaja – vlera valutore e një shteti përcaktohet gjithashtu edhe në bazë të sasisë së valutave të mbajtura në rezervat e shteteve tjera. Pra, vlera e Euros përcaktohet duke kombinuar vlerën e shkëmbimit ndërkombëtar monetar, bonove të thesarit dhe rezervat valutore të mbajtura nga shtetet e ndryshme të botës.
IV. Shkëmbimi monetar
Standardi i parë i përcaktimit të vlerës monetare është më i rëndësishmi dhe më me ndikim si në ekonominë kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Vetë natyra dinamike e këtij sistemi ka bërë që të mund të zhvillohet një treg tërësisht në vete ku shit-blerja e valutave të shteteve të ndryshme është aktiviteti kryesorë. Në këtë treg investitorët e ndryshëm përfitojnë nga ndryshimi i vlerës monetare të shteteve të ndryshme, kurse shtetet investojnë po ashtu në shitblerje të valutave veprim i cili është pjesë e politikës shtetërore për stabilizimin e vlerës monetare kombëtare. Nga parimet ekonomike të rritjes së vlerës së një valute është edhe numri i konsumatorëve. Kështu që, sa më i madh të jetë numri i konsumatorëve të një valute, aq më e madhe është vlera e saj në tregun ndërkombëtar. Ky shpjegim nuk duhet keqkuptuar dhe nuk duhet ngatërruar me vlerën e shkëmbimit të dy monedhave të caktuara. Nga ky parim dhe udhëheqin dy monedhat më të tregtuara në botë e që janë: Dollari amerikan dhe Euro (WebFinance, 2015).
V. Ndryshimi i vlerës valutore dhe ndikimi në ekonomi
Shembull
Shembull jo i zakonshëm, kur kemi parasysh principet e zhvillimit të politikës monetare, është Zvicra e cila ka një monedhë me vlerë të forte dhe stabil jo për shkak të ekonomisë së fortë dhe të eksportit të shtrirë, por për shkak të neutralitetit politik kundrejt shteteve tjera dhe të sistemit bankar që e bën të dallohet nga e gjithë bota. Banka Kombëtare e Zvicrës]] ka mbrojtur nivelin e vlerës së Frangut kundrejt Euros për tri vite duke mbajtur atë në nivel 1€ për rreth 1.20 Franga (Young, 2015). Ndryshimet e fundit të vlerës së Frangut që bënë të barazojë Euron në një me një ka shqetësuar jo vetëm ekonominë kombëtare zvicerane, por edhe atë ndërkombëtare. Kjo rritje e vlerës së Frangut posaçërisht kundrejt Euros rritë përfitimet e kompanive zvicerane meqë Zvicra është konsumatore e madhe e eksportit të eurozonës. Në anën tjetër eksporti, si zakonisht gjatë rritjes së vlerës së monedhës kombëtare, pësoi rënie në vlerë ku kompanitë e mëdha si Swatch Group SA (VTX:UHR) dhe Nestle SA (VTX:NESN) pësuan rënie në vlerë prej 5% kurse ABB Ltd (VTX:ABBN) dhe banka e njohur UBS AG (VTX:OUBS) pësuan rënie prej 3% në vlerë.
Duke marrë parasysh që standardet e trajtuara më sipër janë dinamike dhe si të tilla merren për të përcaktuar vlerën monetare të shteteve, atëherë edhe vlera monetare e shteteve në një masë të madhe është dinamike. Sidoqoftë, ndryshimi i vlerës së valutave të një shteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e tij siç edhe ekonomia e atij shteti, në raste normale, ka ndikim në përcaktimin e bazës së vlerës monetare. Kështu që, sa më i madh të jetë ndryshimi i vlerës aq më i madh është ndikimi në ekonomi. Për këtë qëllim institucioni përkatës shtetëror, siç është Banka e Shqipërisë, është gjithnjë në angazhim e sipër për stabilizimin e vlerës monetare, kuptohen në një nivel të caktuar me një kuotë të caktuar të rrezikut për “valvitje”. Ilustrim për një situate të tillë të një stabiliteti afatgjatë është Figura 2 ku paraqitet raporti mes Lekur shqiptar dhe Euros. Kurse një valëvitje më të madhe mund të shohim tek Figura 3 ku paraqitet raporti mes Lekut shqiptar dhe Dollarit amerikan.
Vënia e një raporti të stabilizuar mes valutës kombëtare dhe një valute tjetër është e ndikuar nga shumë faktorë dhe është i ndërlidhur shumë me fuqinë e ekonomisë kombëtare, posaçërisht me fuqinë eksportuese të një shteti.
Investitorët janë të interesuar të zhvillojnë bizneset e tyre në ekonomitë të cilat kanë valuta stabil. Në rast të shfaqjes së një jostabiliteti valutor ndikimi në investime është i dukshëm. Në këtë rast rritja e vlerës së valutës së një shteti bën që produktet dhe shërbimet e atij shteti të jenë më të shtrenjta, kurse produktet e shteteve tjera të bien në çmim. Në këtë mënyrë importi, për atë shtet, është më i leverdishëm se para rritjes së vlerës valutore. Në anën tjetër, rritja e vlerës valutore të një shteti meqë rritë çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tij duke bërë që kërkesa për ato produkte/shërbime të bie, pra bie eksporti.
VI. Faktorët të cilët ndikojnë kursin e këmibmit
Ndër faktorët më të shpeshtë dhe më me ndikim në ndryshimin e vlerave në kursin e këmbimit të një shteti ose/edhe në tregun e vlerave monetare ndërkombëtare në raste specifike përveç shkallës së interesit të kapitalit monetar, inflacionit dhe shkallës së këmbimit janë:
- Dallimi në inflacion – Shtetet të cilat kanë shkallë më të ulët të inflacionit, me kohë, pozicionohen më mirë se vendet të cilat kanë shkallë më të lartë të inflacionit duke bërë që valuta e tyre të jetë më me vlerë për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë të inflacionit mbi vlerën e valutës dhe pjesët tjera të ekonomisë së shtetit.
- Dallimi në normën e interesit – Norma e interesit, inflacioni dhe shkalla e këmbimit janë të ndërlidhura fort mes vete (Bergen, 2014). Meqë këto faktorë janë të lidhur ngusht mes vete, çdo ndryshim i njërit nga faktorët ndikon në ndryshimin e dy të tjerëve. Kështu, me ndryshimin e normës së interesit automatikisht ndikohet inflacioni dhe shkalla e këmbimit. Norma e lartë e interesit ofron kthim më të lartë të investimeve si dhe tërheq më shumë kapitalin e huaj për dallim nga norma e ulët e interesit.
- Spekulimet – Spekuluesit janë analistët e tregut të kapitalit dhe të tregjeve të përgjithshme. Personat ose/edhe institutet e tilla merren me vlerësimin e gjendjes ekonomike të një vendi ose të ekonomisë në përgjithësi. Në bazë të vlerësimeve të vazhdueshme për zhvillimet ekonomiko-kapitale ata marrin vendime për investime. Kështu, nëse ata besojnë që vlera valutore e një shteti do të rritet në të ardhme, për shkak të faktorëve të ndryshëm, do të investojnë më shumë kapital në valutën e caktuar duke bërë kështu që vlera e asaj valute në treg të rritet. Gjithashtu, edhe spekulimet e përgjithshme ndikojnë tek konsumatorët e thjeshtë që të marrin vendime në këmbimin e kapitalit të tyre në valuta të caktuara.
- Intervenimi i shtetit –Shpesh herë shteti, për të mbrojtur ekonominë e vetë ose një pjesë të sajë, merr vendime afatshkurta ose afatgjata në ndryshimin ose stabilizimin e shkallës së këmbimit kundrejt një valute të caktuar.
- Borxhi publik – Rritja e borxhit të një shteti ndikon në rënien e vlerës së valutës për shkak të rritjes së frikës tek investitorët. Shtetet me borxhe të shumta dhe me valutë të shtrirë në tregun ndërkombëtarë, shpeshherë ç‘vlerësojnë valutën e vetë për të shlyer pjesë të borxheve.
- Ndryshimet tregtare – nëse produktet/shërbimet e një shteti bëhen më atraktive dhe më konkurruese gjithashtu ndikojnë në rritjen e shkallës së këmbimit.
- Zhvillimet politike dhe stabiliteti ekonomik – Trazirat dhe jo stabiliteti politik në një vend ndikojnë në rënien si të investimeve të brendshme ashtu edhe të atyre të jashtme duke bërë kështu që të paraqitet jostabilitet ekonomik në vend. Të dy këta faktorë janë të lidhur ngushtë me shkallën e këmbimit valutor dhe të vlerës së valutës së shtetit që bënë të bie.
- Zhvillimet në vendet tjera – jo rrallëherë është paraqitur krizë rajonale për shkak të ndryshimeve ekonomike brenda një vendi. Madje shkaku i ndryshimit të vlerës së një valute ka ndikuar në destabilizimin e tregut të këmbimit valutor në rajon duke bërë që të zhvillohet një zinxhir rënie vlerash të valutave të vendeve fqinje.
Referencat
- Bergen, J. V. (2014). 6 Factors That Influence Exchange Rates. Retrieved from Investopedia, LLC.: http://www.investopedia.com/articles/basics/04/050704.asp
- Bloomberg. (2015). FOREIGN EXCHANGE CROSS RATES. Retrieved from Bloomberg L.P.: http://www.bloomberg.com/markets/currencies/
- Fjalori.Shkenca.org. (2015). valutë. Retrieved from FJALOR I GJUHËS SË SOTME SHQIPE: http://fjalori.shkenca.org/
- Shqipërisë, B. e. (2015). Banka e Shqipërisë. Retrieved from Banka e Shqipërisë: http://www.bankofalbania.org/
- WebFinance. (2015). currency. Retrieved from WebFinance, Inc: http://www.investorwords.com/1240/currency.html#ixzz3Q2r2pYrP
- XE. (2015). Währungsdiagramme (USD/ALL). Retrieved from XE: http://www.xe.com/de/currencycharts/?from=USD&to=ALL&view=5Y#
- XE. (2015). XE Währungsdiagramme (EUR/ALL). Retrieved from XE: http://www.xe.com/de/currencycharts/?from=EUR&to=ALL&view=5Y#
- Young, A. (2015). Switzerland Underestimated Effect Of Currency Move On Swiss Franc. Retrieved from IBT Media: http://www.ibtimes.com/switzerland-underestimated-effect-currency-move-swiss-franc-1786096