Vlera e emrit të Web faqes

Autor: Skender Mustafi

Hyrje
Në botë ekzistojnë vetëm me prapashtesat com, net, org, info, biz, us, mbi 119 milion emra faqesh (DomainTools, LLC 2011). Atëherë sa faqe ekzistojnë tërësisht? Mirë, themi se e kemi një numër, le të themi 3 miliardë faqe, atëherë ku është faqja që ju keni regjistruar? Unë po ju tregoj. Populli thotë:” Gjilpëra në kashtë.”

Ajo që dua të ju them nuk është se ju duhet të tërhiqeni nga realizimi i qëllimit tuaj, por duhet të jeni të kujdesshëm duke përcaktuar synime të qarta dhe strategji edhe më të qarta për të arritur ato synime. Edhe më e qartë duhet të jetë për ju se çka është trend nuk është gjithmonë e dobishme.
Këtë e kanë shijuar edhe kompani të mëdha dhe individë të shumtë gjatë viteve 1995 – 2000 vite të njohura si “dot com boom ose dot com bubble” (Daily News 2010). Kjo situatë ka treguar se emrat si google, yahoo, twitter, facebook etc nuk kanë asnjë vlerë. Ajo që ka vlerë është shërbimi që ato ofrojnë. Nëse sot Google.com do të dështojë në ofrimin e shërbimit të kërkimeve në motorin e sajë atëherë shumë shpejtë një shërbyes tjetër do të bëhet më i njohur e më i dashur. Bing nuk është emër më pak interesant se Google, por shërbimi është më i dobët për atë dhe nuk arrin të njëjtin nivel ose të e kaloj këtë të dytin.
Nëse arrijmë që të kuptojmë çështjen e vlerës së emrit, atëherë është shumë më e lehtë që të zhvillojmë idenë mbi baza të shëndosha dhe të pavarura.

Emri

Ju duhet të e keni të qartë që emri i faqes suaj duhet të përkojë me idenë dhe me vendin. Emri duhet i “çoroditur” aq sa ideja është “e çoroditur”, siç është puna e Facebook që kishte investim fillestar 500 000 Dollar Amerikanë, ose Google që në vitin 1998 kishte investim fillestar prej 100 000 Dollar Amerikanë. Nëse nuk jeni në gjendje që të lidheni me shërbimet online më shumë se sa me emrin dhe me pak shërbime të cilat nuk janë të strukturuara në mënyrë të mirëfilltë, atëherë përmbahuni tek strategjia : Emër përkatës për idenë dhe vendin.

Pra, nëse ju keni ide të ofroni thyerjen e gurëve në internet, atëherë emëroni faqen tuaj “gurthyesi” dhe nëse shërbimi të cilin e ofroni e ka për qëllim konsumin nga Shqipëria atëherë duhet të e blini prapashtesën “.al”. Emri është pjesë shumë e rëndësishme për marketing të suksesshëm dhe për të mbjellë besim tek konsumi. Emra me com, net, org ka secili, është stërmbushur tregu me emra të tillë dhe ju nëse përqendroheni në një treg të tillë atëherë gjilpëra juaj është futur thellë në kashtë. Përcaktimi për një emër të përshtatshëm me një prapashtesë të përshtatshme e bën faqen tuaj që të gjendet shumë më lehtë.

Përfundim

Si përfundim ja disa pika tek të cilat duhet të mbështeteni:
– Emri i faqes suaj qoftë personale ose e kompanisë, duhet të bazohet mbi qëllimin se përse e regjistroni atë.
– Nëse keni kompani në një vend të caktuar, atëherë emëroni faqen me prapashtesë të atij vendi sepse konsumatorët kanë më shumë besim tek ajo që e njohin si të tyren.
– E zgjidhni emrin e përshtatshëm dhe të lehtë për tu mbajtur mend.
– Mos e ndërroni emrin çdo vit ose kur tu teket sepse i fusni në konfuzion konsumatorët tuaj.
– Mos përdorni emra blogjesh, forumesh e emra të sistemeve tjera shoqërore sepse ndikojnë në rënien e seriozitetit të kompanisë suaj për angazhim të shërbimeve online.

Referencat

  • DomainTools, LLC, Domain Counts & Internet Statistics, 18 Janar 2011, http://www.domaintools.com/internet-statistics/, Së fundi vizituar më 18 Janar 2011.
  • New York Daily News, Boom and Bust Economy, 2010, http://www.nydailynews.com/money/useconomytimeline/index.html, Së fundi vizituar më 18 Janar 2011.
  • Forbes, The World’s Billionaires: #785 Mark Zuckerberg, 2008, http://www.forbes.com/lists/2008/10/billionaires08_Mark-Zuckerberg_I9UB.html, Së fundi vizituar më 18 Janar 2011.
  • Google Inc., Google history , 2011, http://www.google.com/corporate/history.html, Së fundi vizituar më 18 Janar 2011.

Po këto i keni lexuar?