Kompjuterizimi në Re: Anët pozitive dhe negative të

Deri më tani, përmes artikujve në këtë seri, arritëm të fitojmë një fotografi më të plotë mbi Kompjuterizimin në Re (Cloud Computing) duke parë llojet e shërbimeve që mund të fitohen/ofrohen si dhe format e organizmit të kësaj teknologjie. Në shikim të parë gjithë këto të mira duken të pa prekshme nga të metat që ky rrjet i ka ose mund t’i ketë, por që analiza më e detajuar na sjell në dritë disa të meta të cilat i ka vetë teknologjia dhe disa të cilat ia shton sjellja njerëzore. Këto të meta vërtetë në përmasa të përgjithshme e vënë në pikëpyetje suksesin e një teknologjie të tillë. Këtë fakt e vërteton edhe mos suksesi i kompanive të mëdha botërore në ofrimin e këtyre shërbimeve tek bizneset e vendeve të ndryshme. Natyrisht, varësisht nga lloji i modelit të bizneseve shumë kompani kanë arritur të joshin tek Retë e tyre personat privat dhe kompanitë e vogla. Të tilla të suksesshme janë Google, DropBox, pCloud, NextCloud, etj..

Autor: Skender Mustafi
BSc. Administrim Biznesi
MSc. Sistemet Informative të Biznesit

Më poshtë do të përmbledh anët më të rëndësishme pozitive dhe ato më të rëndësishme negative të kësaj teknologjie në mënyrë që në fund, në një artikull në vazhdim, të mund të analizojmë edhe përfitimin ekonomik dhe të mund të kemi njohuri për zhvillimin e strategjive të mundshme për depërtim në treg ngjitur mbi këtë teknologji. Vini re, meqë analiza e anëve pozitive dhe negative është pjesë e këtij artikulli dhe jo analizë e tërësishme në vete, do të shfaqë në të njëjtat lista anët pozitive dhe negative si për konsumatorët ashtu dhe ofruesit e shërbimeve.

Kompjuterizimi në Re: Anët pozitive

Ulja e shpenzimeve

Në vazhdim do të shohim që thuajse çdo anë pozitive e kompjuterizimit në re ka të bëj edhe me uljen e shpenzimeve, gjë që është mase e logjikshme kur bëhet fjalë për pranimin e kësaj teknologjie si të përshtatshme. Kompjuterizimi në re ulë të gjitha llojet e shpenzimeve të cilat do të duhej të realizoheshin në rast të implementimit të një modeli privat të teknologjisë. Gjatë shfrytëzimit ose ngritjes së kësaj teknologjie kompania ka një ose një numër të vogël të kontratave të caktuara me ofruesit e shërbimeve në Re dhe tejkalon të gjitha ato kontrata me furnizuesit e konsumatorët e vetë në zinxhirin e furnizimit me lloje të ndryshme të burimeve për të ndërtuar, mirëmbajtur e përditësuar teknologjinë private.

Depërtim i lehtësuar në treg

Të gjithë ata të cilët kanë ide për të cilat mendojnë se mund të sjellin sukses mund të themelojnë kompani që t’i qasen tregut ndërkombëtar. Në këtë rast kompjuterizimi në re lehtëson depërtimin duke ofruar shërbime të cilat janë shumë më të lira nga ato të investimit personal. Kështu, kjo teknologji ka ulur në minimum barrierat e hyrjes në treg dhe daljes nga tregu.

Përshtatja ndaj kërkesave

Kompanitë planifikojnë menaxhimin e kërkesave dhe mbi vëllimin e caktuar të kërkesave ngritin sistemet përkatëse përgjegjëse, megjithatë kërkesat nuk janë të shtrira në mënyrë proporcionale duke bërë të nevojshme investime shtesë të cilat sjellin teknologji e cila mbulon vetëm një periudhë të caktuar të kërkesave, pra mbulojnë kulmin ose/dhe kulmet e kërkesave.  Kompjuterizimi në re mundëson që përmes burimeve të cilat posedon të mund të tejkalohen këto periudha të kulmimit të kërkesave edhe atë me shpenzime shumë të ulëta, shpenzime të bazuara në sasi të konsumuar të shërbimeve.

Qasja tek shërbimet

Qasja tek Retë është e përnjëhershme me çmime shumë të ulëta. Përshtatja e modeleve për nevojat e biznesit është shumë e shpejtë, madje ekzistojnë edhe kompani të specializuara për këshillime biznesi të cilat mund të mbështesin kompanitë në nevojë. Shërbimet janë kudo dhe mund tu qasen konsumatorët në shumë forma përmes të gjitha llojeve të mjeteve të cilat kanë mundësi të instalojnë shfletuesit ose/dhe softuerët për kyçje në re.

Zhvillimi i shpejtë i produkteve

Modelet e gatshme të cilat mund të huazohen në çdo kohë me sasi sipas nevojës dhe me kushte të gatshme për të vepruar ofrojnë mundësi të drejtpërdrejtë të veprimit në to. Zhvillimi i produkteve për kompanitë është bërë shumë i lehtë meqë ato kanë ambientin e gatshëm për të filluar hulumtimet dhe për të vënë në prove produktet. Shumë kompani të vogla dhe të mesme kanë arritur suksese të konsiderueshme pas kalimit në modelet përkatëse në Re.

Ulja e sasisë së investimeve shtesë

Tejkalimi i kapaciteteve nuk ka nevojë të mbulohet me investime të reja në teknologji, por vetëm huazim i përkohshëm në Re. Investimet kapitale dukshëm janë më të ulëta duke bazuar modelet e biznesit në modele të gatshme teknologjike për të cilat nuk duhet bartur asnjë përgjegjësi në efikasitet e karakteristika tjera. Thënë shkurtë, nuk ka të pa pritura të cilat mund të destabilizojnë rrjedhën e biznesit meqë këto i “gëlltitë”  ofruesi i teknologjisë në Re duke lënë konsumatorët të përqendrohen në aktivitetet bazë të biznesit të tyre.

Ndërveprimi

Bashkëpunimi me partnerët është bërë shumë më i lehtë duke marr parasysh llojet e ngjashme të teknologjisë të shfrytëzuara në modelet e caktuara të Kompjuterizimit në Re. Gjithashtu edhe bashkëveprimi me konsumatorët, qofshin persona privat ose kompani, është lehtësuar duke mundësuar që të gjitha veprimet të realizohen në Re të ngritura mbi një strategji ngjashme mes tyre.

Kompjuterizimi në Re: Anët negative

Rrjedhshmëria

Shërbimet duhet të jenë 7×24 të gatshme për qasje nga cilido klient dhe nga cilido vend e mjet. Natyrisht që ekzistojnë marrëveshje të cilat ngrihen mbi bazë të një tolerance të caktuar, por kjo nuk nënkupton mbulimin e një kohe të gjatë. Nëse një rrjet kaq i madh i sofistikuar dhe i komplikuar has në problem serioze, atëherë i tërë biznesi, varësisht nga modeli, mund jo vetëm të pësojë humbje të mëdha, por edhe të zhduket. Ndër kompanitë më të rrezikuara në këtë pikëpamje janë ato të mëdhatë me procese, furnizues dhe konsumatorë të shumtë dhe kompanitë e mesme dhe të vogla të cilat janë të përziera, tradicionale-elektronike, ose vetëm elektronike. Për më tepër, janë ofruesit e shërbimeve në Re ata të cilët mirëmbajnë modelin dhe të cilët marrin vendime për freskimin e burimeve të tyre, qoftë rrjeti, platformë, apo softueri, kështu që pranuesit e shërbimeve duhet të pajtohen me atë që kompanitë ofrojnë.

Siguria

Interneti është një ambient i cili nuk ka 100% siguri. Teknologjia e kompjuterizimit në Re, në shumë raste, është edhe më pak e sigurt. Këtë mund të e vërtetojmë vetë me lajmet mbi humbjen e të dhënave nga kompanitë e ndryshme si Sony, DropBox e kompani të tjera. Këto janë vetëm disa shembuj ku fjala është për të dhënat personale të përdoruesve, siç është emir, mbiemri, adresa, gjinia e të tjera, kurse tek Kompjuterizimi në Re kemi të bëjmë me të dhëna të shumta të konsumatorëve që në fakt paraqesin pronën e tyre. Kjo “pronë” përfshinë të gjitha llojet e të dhënave si të fshehtat e bizneseve të tyre, proceset, konsumatorët, furnizuesit e të tjerë. Për më tepër gjatë analizës së „Rrymës së Mençur“, një punim shkencor, kam analizuar dhe pjesën e sigurisë së të dhënave dhe kam arritur të shoh më në detaje situatën në teknologjitë si Kompjuterizimi në Re, humbjet janë thuajse të pa mbulueshme.

Privatësia

Ka vetëm një model të kombinuar i cili siguron privatësinë e të dhënave, Retë Private të ngritura dhe të mirëmbajtura nga vetë kompania e cila ruan të dhënat në të. Të gjitha modelet tjera janë të diskutueshme në sferën e privatësisë. Shumë pyetje lindin në rast të planifikimit për të kaluar në Re si: Ku i ruan të dhënat ofruesi i shërbimeve? Kush kontrollon ato të dhëna? Ku janë të shtrirë serverët e ofruesit të shërbimeve? Çfarë ligje ka ai shtet në të cilin gjenden serverët? Pastaj, nëse merret vendim për largim nga Kompjuterizimi në Re lindin pyetje tjera: A do të mund të merren të gjitha të dhënat? Si mund të sigurohet që ofruesi i shërbimit do t’i shkatërrojë të dhënat e biznesit pas largimit? Sa informacione ka mbledhur ofruesi i shërbimit dhe si i shfrytëzon ato për të ngritur biznes në një ose treg tjetër? Pas gjithë kësaj analize mund të kthehemi në fillim të planifikimit dhe të vlerësojmë: Ja vlen të kalohet në Re?

Shpenzimet e pa pritura

Vetëm kompanitë e përcaktuara për këtë teknologji mund të mbijetojnë në tregun e ofrimit të shërbimeve në Re. Kompanitë të cilat planifikojnë të kalojnë në Re dhe në të vërtetë kalojnë tek kjo teknologji, kërkojnë efikasitet të plotë dhe siguri “të plotë”, kështu që ofruesi i shërbimeve në Re duhet të jetë gati. Zakonisht këto kompani kalojnë në Re meqë kjo teknologji është e shtrirë dhe ndërlidhur në atë mënyrë që të ofrojë shfrytëzim të optimizuar të të gjitha burimeve duke plotësuar nevojat e tyre në punë me të dhëna të shumta të cilat nuk mund të mbulohen nga teknologjia e brendshme e kompanisë. Këtu e kemi fjalën për të dhëna të përmasave marramendëse siç është rasti me konsumatorët e kompanisë Sony të cilët çdo ditë gjenerojnë mes 4 dhe 12 terabajt të dhëna. Ky vëllim i të dhënave realizohet me një punë të një numri të madh të njerëzve të cilët gjatë tërë kohës shfrytëzojnë rrjetin i cili duhet të jetë i përshtatshëm për këtë masë konsumatorësh. Gjatë një investimi të brendshëm, si shembulli i Sony-t, shumë shpejtë mund të vije deri tek pika ku kapacitetet teknologjike nuk mund të mbulojnë kërkesat dhe të lindin dilema rreth kalimit në Re, investimit në një model të caktuar, kalim në tërësi tek një ofrues shërbimesh në Re, etj. Duke ditur që zhvillimet në treg janë të pa pritura, gjithashtu mund të vlerësohet se edhe shpenzimet në zgjidhje të reja janë të pa pritura dhe nuk mund të planifikohen në afat të gjatë.

Vlerësimi i përfitimit

Teknologjia e Kompjuterizimit në Re është një pishinë ku kompania mbledh të gjitha dhënat. I analizon ato në mënyrë që të merren vendime për strategjitë e reja të biznesit. Kështu, sa më e madhe të është kjo pishinë, aq më shumë të dhëna janë mbledhur. Sa më shumë të dhëna janë mbledhur aq më e vështirë është të analizohen ato dhe të nxirren informacione me vlerë. Sa më e lartë të jetë shkalla e gjasës në analizën e të dhënave, aq më të larta janë shpenzimet dhe më e ultë vlera e nxjerrë. Një shembull të përshtatshëm ven në pah ekspertët e IBM-it gjatë analizës së “Rrymës së Mençur” ku potencojnë mungesën e 1% të të dhënave në analizën e 1 000 000 ofruesve të tyre. Pra, nëse kemi 1 milion shtëpi nga merren të dhënat dhe në të kemi një mungesë prej 1% të të dhënave, atëherë kemi 10 000 qeli të zbraza, ose të diskutueshme. Nëse kjo përqindje merret për bazë në një afat vetëm 30 ditorë, atëherë kemi 300 000 qeli të zbraza në një pishinë prej 30 milion qelive me të dhëna. Kjo paraqet një rrjetë e cilat vërtetë është sfidë për ekspertët të cilët tentojnë të nxjerrin informacione frytdhënëse, me vlerë për të zhvilluar strategji. Ngjashëm është me kompanitë të cilat mbledhin të dhënat në Re.

Burimet njerëzore

nga elementi i mësipërm tanimë mund të marrim me mend sa ekspertë nevojiten për të analizuar të dhënat të cilat realisht duhet ndarë në grupe të cilat mbulojnë tërësi të ndryshme të pjesëve, proceseve, departamenteve e shkallëve të kompanisë. Nga kjo situatë lindin pyetjes si: A mund të mblidhet numri i nevojshëm i ekspertëve? A mund të gjinden ekspertë të nivelit i cili mund të nxjerrë informacione në mënyrë statistikore si dhe strategjike? e të tjera.

E merr ashtu si ta jap

Për kompanitë e mesme dhe të vogla Kompjuterizimi në Re është shërbim i cili mund të merret ashtu si ofrohet me një mundësi të vogël ose pa asnjë mundësi për të ndikuar tek ofruesi i shërbimeve. Këto kompani marrin shërbimin me kushtet e kompanisë e cila ofron teknologjinë gjë e cila mund të paraqesë probleme të ndryshme shkak i mos reagimit me kohën nga ofruesi i shërbimeve. Këto probleme nuk mund të tejkalohet përveç ndërrimit të atij ofruesi me një tjetër ku niveli i varësisë është po i  njëjti. Ia vlen të ndërmerret një hap i tillë?

Po këto i keni lexuar?