Autor: Skender Mustafi
13 Maj, 2010
Mbi ne
Kaherë në rajon të Kumanovës ishte e njohur shprehja: “Në Tabanovc bie daullja, llojanasit hedhin valle mbi plehra.” Shprehje të cilën gjithmonë e merrja si ngacmuese dhe qesharake. Si i ri nuk isha në gjendje të e kuptoja mënyrën se si shpesh herë populli i thotë fjalët, si i bën gjestet e si i hedh vallet. Për atë nuk mund të i hidhërohem popullit të ngratë për pa diturinë dhe pa pjekurinë që ka për çështjet e jetës socio-politike sot, por patjetër duhet të i hidhërohem bijve të këtij populli të cilët janë edhe më të pa pjekur, edhe më të pa vetë dijshëm, edhe më të verbër, edhe më të edukuar se prindërit e tyre.
Është shumë evidente që kur një në të drejtë dhe një në të pa drejtë grinden për një kohë të gjatë, në fund që të dy i kaplon turpi. Njërin për shkak të pa drejtësisë, kurse tjetrin për shkak të pa aftësisë për të zgjedhur çështjen në kohë. Ja kështu jemi bërë ne kur kemi parasysh raportet dy anësore qoftë lidhur me sferën socio-ekonomike qoftë me atë politike. Ne sot nuk jemi mirë as më prindërit, as me fqinjët e as me politikanët. Ndërlidhjet tona në shumë sfera janë dobësuar ose edhe janë shkëputur edhe atë vetëm si pasojë e pa pjekurisë në disa raste, e pa aftësisë në disa raste dhe e pa mundësisë në raste tjera. Brumi i popullit tonë, rinia e edukuar e në edukim e sipër, nuk është në gjendje, vlerësim i bërë duke marrë parasysh reagimet e deritanishme dhjet viteve të fundit, të vlerësojë ndërlidhjet qofshin ato sociale, ekonomike apo politike dhe të marrë një qëndrim stabil e të vetëdijshëm lidhur me këto sfera të jetës sonë. Thjeshtë, mungon dituria, aftësia apo vullneti, apo që të gjitha për të arritur këtë. Strategjia e fajësimit të të tjerëve është një politikë ngecëse e cila gjithnjë e më shumë shton vullnetin për pasivitet dhe dobëson moralin për të ndërmarrë hapa konkret drejt ndërrimit të gjendjes së caktuar duke pritur që “fajtori” vetë të ndërmarrë veprime për të rikthyer gjendjen drejt së mirës. Qëndrim shumë i përhapur tek ne, por i kotë, i pa bazë në dije, thjeshtë sepse “fajtori” nëse do të ishte i tillë, që do të rikthehej të përmirësonte “gabimin”, nuk do ta kishte bërë atë që në fillim.
Një strategji e tillë e tërheqjes nuk na bën neve më pak fajtorë se sa ata të cilët po thyen koren e tharë të jashtëqitjes. Në këtë humbje jemi të zhytur që të dy palët.
Rreth nesh
Pra, ne duhet të vetëdijesohemi dhe të marrim çështjen tonë në duart tona. Neve po na mungon, ose na është turbulluar, vetëdijesimi i cili shpie drejt të kuptuarit të raporteve të ndërlidhjeve në sferat e jetës sonë. Nëse ne do të arrimë, ose e kemi arritur këtë pikë, atëherë patjetër duhet të marrim qëndrim të caktuar dhe të mbrojmë atë qëndrim në zemrat dhe mendjet tona. Mbajtja e një qëndrimi të caktuar me dije dhe vetëdije dhe me bindje se është i vërtetë dhe shpie në të mirën personale dhe shoqërore është arma më e fortë e një njeriu sepse ky brumë jep mundësinë për të shprehur veten në demokracinë e brishtë që po jetojmë. Pas pjekjes së vetes sonë, duke i dhënë pasqyrë të pastër të ambientit politiko-shoqërorë, ne do të mund të kërkojmë shpatull të ngjashme për të qarë hallin. Pa dyshim se një shpatull të tillë do ta gjejmë, ndoshta jo në familje, por jam i sigurt se një e tillë ekziston në rrethin e ngushtë shoqërorë. Nëse ne do të jemi të tillë, në vetëdije, atëherë nuk do të ngurrojmë të kërkojmë shpatulla si tonat për të qarë hallet që kemi. Kjo na ngrit në një nivel më të lartë të vetëdijes së pastër, vetëdije e cila nuk ekziston në nivel të duhur edhe tek grupimet e ngjashme, qofshin ato formale ose jo formale. Formimi i një indi të tillë vetëdijeje të pastër nga njerëz të edukuar dhe me vullnet për të parë se si e mira triumfon ndaj së keqes është i patjetërsueshëm për ne. Ndoshta një ind i këtillë nuk mund të ketë një fyt i cili nxjerr fjalë të cilat i arrin veshit të duhur, por së paku një gumëzhimë do të arrijë të tek ai vesh.
Miq të dashur! Neve nuk na takon të jemi neutral në çështjet tona. Ne duhet të zbardhim dijen tonë, duhet të shprehim qëndrimet tona dhe duhet mbrojtur ato, fundja nëse nuk na e mban me vepër e me fjalë, atëherë me zemër të qëndrueshme dhe të fortë.
Me ne
Çfarë po ndodh me ne sot?
Ne jemi një tërësi e cila ka kapacitet, dituri dhe zemër e cila e urren këtë gjendje dhe dëshiron të e ndërrojë patjetër drejt së mirës. Sot ne kemi shumë punë dhe halle. Duart e fëlliqura po thyejnë koret e halleve tona dhe po na i shtojnë ato dhe ne po i harrojmë punët, kështu këto duar po i kryejnë punët tona ashtu siç duan. Ne kemi rënë në aso halli tani sa që jemi bërë që të tjerët të na e qajnë hallin. Hallet tona i largon vetëm puna. Ne duhet të i kryejmë punët tona. Ne duhet të jemi të zotët e vetes dhe mendjes sonë.
“Me ne po luajnë macet dhe minjtë” qoftë në sferën e besimit, qoftë në atë socio-ekonomike e qoftë në atë politike. Destabilizimi i jetës shoqërore shqiptare në njërën anë dhe ruajtja e ftohtë e stabilitetit të kësaj jete tek maqedonasit në po të njëjtit shtet është argument i qartë i thënies që thash në fillim të artikullit dhe asaj në fillim të këtij paragrafi. Problemet e besimit të krijuara përmes grupimeve të ndryshme, ato ekonomike të ndërlidhura me abuzime morale e korruptuese si dhe ato shoqërore përmes përcaktimeve partiake bazuar në interes janë thikat që po na presin në shtetin në të cilin maqedonasit, shtetas të “barabartë” me ne, nuk po i jetojnë aspak. Thjeshtë, askush nuk mund të e mohojë se 99.9% e punësimeve publike janë bërë përmes korrupsionit material e politikë. Pajtohem se këto probleme i kanë krijuar të tjerët, por nëse kërkojmë fajtorin atëherë patjetër do të gjejmë edhe veten tonë aty, si pjesëmarrës pasiv në pohimin e mohimeve qoftë me ndonjë “po, po”, qoftë me lëvizje koke në shenjë pohimi, apo qoftë edhe me heshtje.
Nëse shfletojmë historinë e largët apo të afërt të këtij rajoni shohim se jeta jonë ka qenë dhe është një valle që deshëm apo s’deshëm, po e luajmë. Ne gjithë ditën mund të flasim mbi atë se si është fuqia jonë politike, se si gjysma e tyre janë vagabondë, gjysma hajna, gjysma të pa ditur, gjysma po mësohen duke bërë përvojë, gjysma të poshtër, gjysma të pa fytyrë, gjysma të korruptuar, gjysma korruptues, e gjysma-gjysma, dhe në fund të arrijmë në përfundim se ne nuk po ndërmarrim asgjë. Së paku të vetëdijesojm zemrën se tradhtarët, korruptuesit, të poshtrit dhe shokët e tyre duhet urryer pa lëkundje. Ne jemi bijë të atyre të cilët në këtë jetë në këto troje kanë luajtur lloj-lloj valleje dhe kanë arritur që me një shkallë të lartë suksesi të mbijetojnë, veprojnë, të krijojnë vlera dhe t’i bartin vlerat tona deri në këtë kohë. Dhe ne për dhjetë vite vetëm po i rrahim shuplakat dhe po bëjmë 1 dekadë heshtje. Jemi bërë aq të mjerë sa që për kohën jemi “kafshatë që s’kapërdihet”. Neve po na vrasin, po na rrahin, po na fyejnë në komb e familje, po na qeshin e përqeshin dhe ne po heshtim, jo për një interes, por për një shpresë se ndoshta do të kemi një interes. Sa shumë jemi larguar nga vetvetja.
Për ne
Vëllezër. Ne duhet t’i bëjmë thirrje vetes sonë për të protestuar këtë strategji të hedhjes së fajit nga qoshja në qoshe. Ne duhet të sjellim vetëdijen që sot e një milion vite nuk vjen vetë. Ne duhet të shpërndajmë vetëdijen tek të tjerët si lëmoshë e cila do të sjell shpëtim të përbashkët nga përbindëshat të cilëve nuk u ka mbetur veç trupit asgjë nga çështja njeri. Ne duhet të kuptojmë se këta të mjerë nuk janë asgjë tjetër veç një makine gëlltitse e cila nuk është duke njohur as norma morale e as njerëzore, por qëllimi i vetëm është gëlltitja e kësaj bote me të gjithë të mirat dhe të këqijat e saja. Ne duhet caktuar synimet tona, ashtu siç i kanë këta njerëz synimet e veta, sepse vetëm me synime mund të përballen synimet e armikut dhe të mposhten ato duke mbetur si një njollë e poshtër kuislingësh e grabitqarësh. Neve nuk na sjell dobi kënga, qoftë ajo fetare ose jo fetare, por puna e drejtë e cila i ka dhënë njeriut identitetin e vërtetë, njeri. Mbledhja rreth boshtit të pastër të së vërtetës duke formuar një trup të vetëm dijeje e bindje është shpëtimi i vetëm për ne. Dhënia e mundësisë që të tjerët të tallen me ne në çfarëdo pore të jetës është poshtërim për ne.
Kjo valle e cila edhe ashtu na ka këputur, duhet të ndërpritet, por për të bërë këtë ne duhet kapur në një dorë shkopinjtë e fort dhe në dorën tjetër daullen dhe të luajmë vallen tonë derisa të tjerët luajnë të tyren dhe të vazhdojmë kështu derisa të kuptojnë se vetëm duke bërë një valle të përbashkët zhurma kalon në muzikë përndryshe do të luajmë valle mbi plehra sa të jetë jeta.