Autor: Skender Mustafi
BSc. BA & Msc: BIS
Përpilimi i një plani të marketingut për çdo vit nuk është edhe një detyrë e lehtë. Veçanërisht kur kemi kuptuar rëndësinë e marketingut në ndërmarrje dhe ndërlidhjen e tij me synimet e saja dhe synimet e reparteve ose pjesëve tjera të saja. Plani të cilin do ta realizoni ose duhet të e realizoni duhet të ofrojë më shumë se informacione. Plani duhet të ofrojë strategji për transformimin e objektivave të biznesit në prioritete dhe synime të marketingut. Për më shumë ai duhet të ofrojë dhe udhëzime reale dhe praktike për të realizuar dhe arritur këto synime.
Realizimi i planeve të marketingut shpeshherë kanë shtyrë ndërmarrjet në dy situate të pavolitshme. Kanë nxitur angazhim maksimal i cili nuk ka dhënë frytet e dëshiruara.
- Realizimi i një plani tepër të komplikuar – i cili është i vështirë për tu kuptuar dhe për këtë arsye edhe i veprueshëm
- Realizimi i një plani të aftë për tu përshtatur dhe zhvilluar – i cili në vete krijon shumë aktivitete, por i cili nuk ka ndikim të mjaftueshëm në biznesin e ndërmarrjes.
Kur kemi parasysh rëndësinë e marketingut në përgjithësi dhe planit të marketingut në ndërmarrje në veçanti duhet të përqendrohemi në realizimin e një plani jo të ndërlikuar dhe të aftë për tu përshtatur që sjellë vlera në ndërmarrje. Vlera të reja pa mos ngarkuar tej mase repartin e marketingut. Pra, duke qëndruar në kornizat e pranueshme të ndërmarrjes.
Në vijim do të trajtojmë gjashtë hapat e rëndësishëm për përpilimin e një plani të suksesshëm të marketingut. Këto hapa njëkohësisht janë dhe pjesë përbërëse të një plani të mirëfilltë strategjik.
- Synimet e biznesit
- Prioritetet e marketingut
- Synimet e marketingut
- Strategjia e marketingut
- Aktivitetet kyçe
- Varësitë dhe rreziqet
1. Synimet e biznesit
Synimet e biznesit janë kufij konkret të cilët ndërmarrja tenton t’i arrijë përbrenda një periudhe të caktuar. Periudha mund të jetë e ndryshme varësisht nga dinamika e biznesit të ndërmarrjes dhe ndryshimet e jashtme ose të brendshme.
Një synim i biznesit mund të jetë arritja një rritjeje të tregut të ndërmarrjes për 12%. Një synim tjetër mund të jetë zgjerimi i tregut të ndërmarrjes në tregun ndërkombëtarë edhe atë në Gjermani dhe Belgjikë. Nga dy synimet e paraqitura mund të shohim se kemi të bëjmë me arritje të definuara qartë dhe jo me vizione të definuara në mënyrë më të përgjithshme. Synimet e përcaktuara, thjeshtë, janë të matshme.
Synimet e biznesit përfshijnë të gjitha repartet dhe proceset e ndërmarrjes. Marketing duhet pasur gjithnjë parasysh këto synime, gjatë gjithë fazave të planifikimit dhe ekzekutimit të aktiviteteve. Marketingu është pjesë e ndërmarrjes dhe assesi nuk duhet të devijojë nga drejtimi i ecjes së sajë. Nëse aktivitetet e marketingut nuk përputhen me synimet e ndërmarrjes, atëherë realizohet shumë aktivitet, por me vlera dhe ndikim minimal.
2. Prioritetet e marketingut
Me përcaktimin pranimin e synimeve të biznesit përzgjidhet rruga e ecjes së ndërmarrjes. Pas kësaj marketing duhet trajtuar situatën dhe duhet vendosur se ku mund të ndikojë dhe si do ta bëjë atë. Në këtë pjesë të planit, poseduesi i planit dhe trupi udhëheqës i marketingut bënë përcaktimin e prioriteteve dhe përzgjedhjen e strategjive e taktikave të cilat do të mbështeten. Gjithashtu, në këtë pjesë qartësohen aktivitetet të cilat nuk do të mbështeten.
Për më shumë, ekipi duhet të jetë i vetëdijshëm për kapacitetet e marketingut të ndërmarrjes. Me këtë njohje merr përsipër detyra dhe përcakton synime të arritshme për marketingun dhe ndërmarrjen. Njohja e resurseve mundëson angazhim optimal dhe arritje maksimale. Nëse në të njëjtën kohë mbështeten më shumë projekte nga ajo që mund të përballohen, ekipi nuk do të jetë në gjendje të bëjë ndikimin e duhur drejt arritjes së synimeve të biznesit.
3. Synimet e marketingut
Synimet e marketingut janë thellim dhe zgjerim i prioriteteve të marketingut. Ato definojnë në mënyrë konkrete atë çfarë marketingu do të bëjë për të mbështetur synimet e biznesit. Rrjedhimisht, këto synime dhe efektet e tyre janë të matshme. Matësit e synimeve mund t’i grupojmë në katër kategori kryesore: ndikimi, dalja, aktiviteti dhe gatishmëria.
- Ndikimi paraqet efektin në synimet e biznesit
- Dalja paraqet rezultatin e veprimeve të marketingut
- Aktiviteti paraqet numrin e veprimeve të ndërmarra
- Gadishmëria paraqet nivelin e përgatitjes së ekipit për të vepruar
4. Strategjia e marketingut
Strategjia është një pjesë shumë e rëndësishme e procesit të planifikimit të marketingut edhe pse shumë biznese e injorojnë atë. Në të shumtën e rasteve ata janë të shtyrë nga dëshira për të vepruara kështu që anashkalojnë atë. Në të shumtën e rasteve një tejkalim i tillë shkakton mjegulli në ndërmarrje. Kur kemi parasysh interesat e shumëfishta të mbështetura nga ide të shumta patjetër duhet pritur si rezultat aktivitete të ndryshme. Kështu që, aktivitetet pa strategji krijojnë, madje, një atmosferë ku të gjithë të përfshirët në marketing veprojnë të pavarur nga njëri tjetri. Veprimet e tilla janë gjithashtu të ndara edhe nga synimet e biznesit ose e tërheqin atë nëpër drejtime të ndryshme.
Strategjia e marketingut është qasja dhe përpjekjet e vazhdueshme të cilat bën ekipi i marketingu për të arritur synimet e përcaktuara. Strategjia e marketingut është drejtpërdrejtë e varur nga njerëzit e përfshirë në realizimin e saj. Andaj, ajo rrotullohet rreth asaj se si ekipi planifikon t’i arrij synimet duke pasur gjithnjë parasysh prioritetet e marketingut dhe duke qëndruar lidhur me objektivat e biznesit.
Strategjia e marketingut nuk është një, por mund të jetë e llojeve të ndryshme duke ndjekur rrugë të ndryshme. Varësisht nga situata në të cilën ndërmarrja gjendet, mund të rrjedhin njëherësh strategji të ndryshme ku secila është në fazën e vetë të zhvillimit. Nga llojet më të rëndësishme të strategjive të marketingut veçojmë strategjinë e:
- Inovacionit – ku bartësit e marketingut sjellin ide të reja përmes të cilave realizojnë planin e marketingut
- Rritjes – e cila zhvillohet me qëllim të rritjes së tregut ose konsumatorëve të një produkt, shërimi, ose vetë ndërmarrjes
- Qëndrimit – realizohet me qëllim të implementimin e marketingut me qëllim të ruajtjes së pozitës aktuale në treg
- Korrjes – është strategji e cila vije pas një pjekurie të caktuar të ndërmarrjes dhe ekipit të realizimit të marketingut. Këta pjesëmarrës shfrytëzojnë pozitën dhe kapacitetet e tyre për tv zhvilluar marketing i cili sjellë vlera maksimale përmes angazhimit dhe investimeve minimale
- Daljes – zhvillohet në raste kur nuk shihet vlerë ose është e pamundur mbështetja e një produkti ose shërbimi të caktuar.
5. Aktivitetet kyçe
Realizimi i marketingut, natyrisht që, ngrihet mbi kryerjen e aktiviteteve të ndryshme. E rëndësishme në rastin e përpilimit të planit të marketingut është identifikimi i aktiviteteve të marketingut, vlerësimi i tyre dhe identifikimi i aktiviteteve kyçe. Andaj, aktivitetet kyçe nënkuptojnë përpjekjet specifike të cilat realizojnë bartësit e marketingut për të ekzekutuar me sukses një strategji. Për më shumë, aktivitetet kyçe nuk përfaqësojnë një listë taktikash, por duhet të jenë pika të përzgjedhura dhe të përshkruara mirë. Përshkrimi zgjerohet në atë masë sa që ofroj detaje se si çdo veprim i realizuar ndikon në synimet e marketingut dhe ato të biznesit.
Së fundi, kjo pjesë nuk është një risi për ndërmarrjen, por bazohet në aktivitetet aktuale të saja. Andaj, fillimisht analizohen aktivitetet aktuale të marketingut. Analiza e aktiviteteve aktuale jep pasqyrë rreth vlerës së tyre për strategjinë e re. Rrjedhimisht, aktivitetet të cila nuk mbështesin strategjinë, ndalen së mbështeturi. Aktivitetet të cilat mbështesin strategjinë, vazhdohen së mbështeturi. Si dhe shtohen edhe aktivitete të reja, specifike për strategjinë.
6. Varësitë dhe rreziqet
Plani i marketingut, siç edhe mund të shihet, nuk është tërësi e pavarur. Çdo aktivitet i marketingut nxitë ndryshime në pjesë të caktuara të synimeve të ndërmarrjes. Kështu që varësitë dhe rreziqet janë pjesë të planit të marketingut.
Identifikimi dhe njohja e varësive dhe rreziqeve që në fillim të realizimit të planit të marketingut u mundëson bartësve të marketingut të mund të planifikojnë më mire. Gjithashtu u mundëson përshtatjen e lehtë të ndryshimeve gjatë periudhës së planifikuar.
Le të përmbledhim
Plani i marketingut nuk është një listë aktivitetesh bazuar në një kornizë të gatshme. Të gjitha kornizat ose përshkrimet e ofruara nga studiuesit janë vetëm udhëzues dhe ndihmës në realizimin e një plani. Assesi nuk mund të merren sugjerimet si të tilla dhe të implementohen ashtu. Çdo ndërmarrje realizon plan marketingu sipas nevojave të veta.
Plani i marketingut mund të realizohet i thjesht ose edhe shumë përfshirës. E rëndësishme në këtë pike është që plani i marketingut të realizohet përmes një përpjekjeje optimale dhe të ofrojë një vlerë maksimale.