Raporti mes marketingut në internet dhe marketingut tradicional

Autor: Skender Mustafi

“Pyetja kyçe nuk është të aplikojmë teknologjitë e Internetit – kompanitë nuk kanë zgjidhje tjetër nëse dëshirojnë të qërojnë konkurrent – por si ta aplikojmë atë.” (Chaffey, Ellis-Chadwick, Mayer, & Johnston, 2009, p. xiii). Pas konsiderimit se si të aplikohen këto teknologji, pyetja tjetër e cila duhet përgjigjur është:
○ Si e konsiderojnë kompanitë marketingun në internet dhe raportin e tij ndaj marketingut tradicional? (Mustafi et al. 2011)

Shumë autorë, si Allen (2006), theksojnë se marketingu në internet nuk dallon nga marketingu tradicional. Në fakt, përkrahësit e këtij mendimi theksojnë se marketingu në internet është vetëm një shtesë e drejtpërdrejtë e marketingut tradicional, kështu marketingu direkt dhe porosia përmes postës zbatohen në marketingun në internet gjithashtu.

Disa kompani, në këtë aspekt, kanë zhvilluar ambiente të tilla ku marketingu në internet dhe marketingu tradicional veprojnë të pa varur në dy reparte të ndryshme. Kompani të tjera, siç janë kompanitë e reja me veprim të orientuar në internet, mbështesin mendimin se marketingu tradicional është më shumë si një shtesë e strategjisë së marketingut në internet, se sa një strategji në vete (West, 2010).

Siç mund të shohim, raporti mes marketingut në internet dhe atij tradicional shihet si i ndryshëm varësisht nga rëndësia e marketingut në internet dhe rëndësia e përgjithshme e biznesit elektronik në krijimin e vlerave për kompanitë. Në këtë aspekt, teknologjitë e reja kanë ndikim të madh në zhvillimin e mëtejmë të marketingut në internet, kështu, siç përfundon Dejv Çafi me të tjerët, rezultatet e arritura nga  teknologjitë duhet të përcaktojnë sasinë e investimeve në marketingun në internet dhe jo adaptimi i teknologjive (Chaffey et al. 2009). Për këtë, investimet dhe zhvillimet e strategjive të marketingut nuk duhet realizuar bazuar në raportin e vlerësuar mes marketingut në internet dhe atij tradicional dhe në ndikimin e tij në të arriturat e kompanisë së caktuar.

Sidoqoftë, e gjithë kjo, nuk jep një definim të qartë të raportit mes marketingut në internet dhe marketingut tradicional. Për të kuptuar dhe për të parë nëse marketingu në internet nuk ofron asgjë tjetër veç se instrumente të reja marketingu, në njërën anë funksionet bazë (4P) të marketingut dhe instrumente të zgjedhura edhe nga marketingu në internet edhe nga ai tradicional duhet shqyrtuar dhe në anën tjetër integrimi i marketingut në kompani duhet analizuar.  Kështu, sipas Mustafi et al., vendimtare në identifikimin e raportit të saktë janë përgjigjet e pyetjeve si:

  • A janë funksionet e marketingut në internet të njëjta si ato të marketingut tradicional?
  • Sa është i thellë dallimi mes instrumenteve të marketingut në internet dhe atij tradicional?
  • A mund kompania të arrijë objektiva dhe synime të reja me këto instrumente dhe funksione?
  • A ka nevojë kompania për strategji të reja në implementimin e instrumenteve të përzgjedhura në arritjen e synimeve të njëjta ose të ndryshme?
  • A duhet që kompania të përdorë mjete të ndryshme në arritjen e synimeve të njëjta me instrumentet e njëjta?

Për tu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet kuptuar se funksionet dhe instrumentet e marketingut në internet varen drejtpërsëdrejti nga integrimi i përgjithshëm i biznesit në të gjitha pikëpamjet. Për këtë, duhet studiuar forcën ndikuese të marketingut në internet në planin e përgjithshëm të marketingut dhe ndikimin në strukturën e përgjithshme të marketingut.
Referencat
– Allen, R. G. (2006). Multiple Streams of Internet Income: How Ordinary People Make Extraordinary Money Online. (R. G. Allen, Ed.) (2nd ed., p. 272). New Jersey: John Wiley and Sons.
– Chaffey, D., Ellis-Chadwick, F., Mayer, R., & Johnston, K. (2009). Internet Marketing: Strategy, Implementation and Practice. (D Chaffey, Ed.) (Third Edit., p. 702). Pearson Education Limited.
– Mustafi, S., Jost, L., Nguyen, T. (2011), The Relationship Between Online and Offline Marketing”, FHNW
– West, R. (2010). Traditional Marketing Services. Roger West Creative & Code a Division of Roger West, LLC. Retrieved November 23, 2010, from http://www.rogerwestcreative.com/roger-west-services/creative/traditional-marketing/traditional-marketing.aspx.

Po këto i keni lexuar?