Autor: Skender Mustafi
Shumë faktorë si ata teknologjik, politik, zhvillimi i biznesit e të tjerë, ndikojnë mbi suksesin dhe zhvillimin e biznesit, por në këtë artikull do të përqendrohem vetëm mbi interntetin dhe ndikimin e tij mbi zhvillimin e biznesit në të ardhmen.
Në të ardhmen, në trilogjinë e zhvillimit të biznesit dhe internetit, secili element do të ndikojë mbi njëri tjetrin, sikur që zhvillimet e suksesshme të biznesit do të ndikojnë mbi zhvillimet teknologjike me investime të larta në to, gjithashtu edhe inovacionet teknologjike do të ndikojnë mbi zhvillimin e biznesit duke mundësuar përcaktimin dhe arritjen e synimeve të reja. Për më tepër, zhvillimet teknologjike me rendiment të lartë dhe mundësi të reja, do të nxisin edhe më tepër përmirësimin e shërbimeve në internet si dhe do të ndikojnë mbi rritjen e përmbajtjes së tij. Në këtë mënyrë, efekti i investimeve në teknologjinë informative do të ndikojë mbi suksesin e përgjithshëm të kompanive. Për më shumë, më tej do të shqyrtoj dy karakteristika të rëndësishme nga pikëpamja e zhvillimit të internetit dhe biznesit: së pari parashikimi i përmirësimit të internetit në të ardhmen dhe së dyti e ardhmja e zhvillimit të biznesit ndikuar nga përmirësimet e internetit.
E ardhmja e Internetit
Vlerësuar nga ndryshimet në të kaluarën dhe ato aktuale, Interneti vazhdimisht do të rritet, gjithashtu do të rritet edhe përmbajtja e tij mundësuar nga aktiviteti i njerëzve dhe projektimit automatik elektronik. Për më tepër, kompjuterët e mençur, siç është Watson (IBM, 2011), kompjuter me inteligjencë artificiale prodhuar nga IBM, në mënyrë inteligjente do të shfrytëzojnë përmbajtjen e internetit për të përzgjedhur, kombinuar dhe shtuar përmbajtje të re varësisht nga nevojat dhe dëshirat e konsumatorëve. Madje, teknologjitë mundësuese siç është kompjuteri personal dhe mjetet e tjera teknologjike do të bashkohen në një pikë të vetme, rrjeti i internetit, për të përmbushur nevojën elektronike të konsumatorëve. Në këtë mënyrë, aktivitetet e internetit do të jenë të përbashkëta për të gjitha llojet e teknologjive elektronike. Meqë mjetet janë të ndryshme, për të njëjtin rrjet elektronik dhe të njëjtën përmbajtje, ofruesit e shërbimeve të interneti gjithnjë e më tepër do të zhvendosen drejt ueb platformave të përbashkëta për të gjitha mjetet elektronike. Kështu, kombinimi i teknologjisë së lartë në njërën anë, dhe kompjuterizimit në re (në anglisht: cloud computing) dhe internetit inteligjent në anën tjetër, do të mundësohet vetë zhvillim i internetit; ky zhvillim do të paraqesë hapërimin drejt botës virtuale. Këtë e pohon qartë Steve Ballmer duke pohuar se ky është zhvillimi i cili bashkon nën një spektër kompjuterin, telefonin, televizionin dhe kompjuterizimin në re (Niccolai, 2009). Në vend të ruajtjes së botës së tërë të të dhënave në mjetet personale siç janë kompjuterët, Tablet Pc ose telefonat e mençur, ato të dhëna do të ruhen në “re”, me qasje të lirë në çdo kohë, nga çdo vend dhe nga çdo lloj mjeti elektronik që kemi nevojë ose/dhe dëshirë (Marshall, 2011). Pra, pesha do të kalojë nga mjetet personale në rrjetin e internetit. Ky zhvillim sugjeron që e ardhmja do të lëvizë gjithnjë e më tepër drejt lëvizshmërisë pasi që interneti dhe përmbajtja e tij do të mund të qasen “nga të gjitha anët me të gjitha mjetet”.
Prodhimi masiv teknologjik dhe “nevoja për më shumë konsumatorë ” do të mundësojë çmime të ulëta për teknologjitë e internetit dhe qasjen në rrjet. Ky veprim do të shpejtojë shtrirjen e rrjetit të internetit dhe konsumatorëve në të gjithë botën. Si pasojë, me rritjen e Internetit, do të rriten dhe mundësitë për dëmtim të tij, për atë “The Economist” (2010) parasheh se “eksiton rreziku i ndarjes së internetit nëpër tërësi gjeografike dhe komerciale.” Në këtë mënyrë, teknologjia e internetit nuk do të shtrihet proporcionalisht. Ngjashëm do të ndodhë edhe me përmbajtjen e internetit ndikuar nga dallimet kulturore dhe politike të vendeve dhe regjioneve të ndryshme.
Le të përmbledhim. Interneti do të rritet, do të jetë më i mirë, më i shpejtë, por dhe më i cenueshëm nga sulmet e mundshme. Për më tepër, njerëzit, në të ardhmen, do të kenë nevojë vetëm për mjete të thjeshta elektronike për të pasur mundësi t’i qasen hapësirës së tyre të punës në internet. Në këtë mënyrë interneti do të bëhet vend virtual i aktiviteteve të përditshme që sot kryhen në mjete personale elektronike. Përfundimisht, interneti do të ndikojë edhe më tej në thelb të strategjive dhe mundësive të biznesit duke e bërë atë gjithnjë e më të varur nga interneti.
E ardhmja e biznesit nën ndikim të zhvillimit të internetit
Interneti ka filluar procesin e ndryshimit të bizneseve – me rëndësi në këtë rast janë bizneset industriale të themeluara tradicionalisht dhe që janë shtytës të ekonomisë me prodhimet e tyre -, dhe ky ndryshim do të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen. Bizneset do të vazhdojnë intensivisht të depërtojnë drejt rrjetit të internetit. Për më tepër, teknologjia e internetit do të jetë teknologjia bazë, mundësuese e cila siguron rrjedhën e pa ndërprerë të informacioneve përbrenda kompanive dhe jashtë tyre mes kompanive, konsumatorëve dhe furnizuesve. Në këtë mënyrë, kompanitë e suksesshme të së ardhmes do të kenë funksione tërësisht të ndërlidhura me teknologjinë e internetit. Kompanitë e vogla dhe të mesme gjithnjë edhe më tepër do të varen nga njëra tjetra, por me një shkallë relativisht të mesme, me mundësi për ndryshim të partnerëve. Në këtë pikëpamje varshmëria mes kompanive industriale do të jetë shumë e lartë pasi që investimet do të jenë të mëdha në ndërtimin e rrjetit për rrjedhën e ndërsjellët të informacioneve. Në anën tjetër, për më tepër, disa nga industritë si shitjet e muzikës, shtypi, shitjet e abonimeve të ndryshme dhe biletave, e të tjera të ngjashme, do të jenë shërbime që ofrohen vetëm në internet.
Ndikimi i internetit, për shkak të ndikimit të tillë të bizneseve të reja në treg, do të detyrojë kompanitë që shpesh të ndryshojnë dhe/ose përmirësojnë modelin e biznesit të tyre. Për më tepër, teknologjitë e internetit do të bëhen edhe më komplekse, gjithashtu edhe përmbajtja do të jetë më e madhe dhe më komplekse, në këtë mënyrë ndërlidhja mes ofruesve të shërbimeve në internet dhe bizneseve që kanë nevojë për këto shërbime do të rritet dukshëm.
Për në fund, e ardhmja e biznesit do të jetë vend dinamik, global dhe inovativ. I tërë ky zhvillim nuk është pjesë e ndonjë shkence fantastike, por është hulumtim i ndryshimeve mes biznesit tradicional dhe të ardhmes mbi baza digjitale. Për këtë, element kyç në të ardhmen e biznesit është aftësia për të propozuar në vazhdimësi mjetet si të dëshmuara, fleksibile dhe shërbimet e kombinuara të cilat përfshijnë përshtatjen e markës – në vend të ri-krijimit – në proceset e biznesit. (Mills, 2007).
Referencat
– IBM (2012), Watson, Marrë më 22 Prill 2012 nga http://www-03.ibm.com/innovation/us/watson/index.html
– Marshall, G. (2011), The future of the internet revealed, Marrë më 22 Prill 2012 nga http://www.techradar.com/news/internet/the-future-of-the-internet-revealed-930700
– Mills, S. (2007), The future of business., IBM, Aligning business and IT to create an enduring impact on industry, Thought leadership paper, Copyright IBM Corporation 2007, RAW11032-USEN-00
– Niccolai, J. (2009), PC Is Just One of ‘Three Screens,’ Ballmer Says, Marrë më 22 Prill 2012 nga http://www.pcworld.com/article/156641/pc_is_just_one_of_three_screens_ballmer_says.html
– The Economist (2010), A virtual counter-revolution, Marrë më 22 Prill 2012 nga http://www.economist.com/node/16941635