Implementimi i analizës SWOT për profilin personal të punës

Autor: Skender Mustafi

Ideja dhe nevoja

Të shkruarit e aplikacioneve për punë kërkojmë më shumë se përgatitjen e një CV-je dhe një letre të mirë motivimi. Para aplikimit ju duhet të njihni veten tuaj, aftësitë tuaja. Për më tepër ju duhet të njihni tregun e punës dhe kërkesat e këtij tregu. Në këtë mënyrë ju viheni përball të gjithë pjesëmarrësve tjerë në tregun e punës. Në pikëpamjen e punëdhënësit ata janë zëvendës tuaj. Pra, ju jeni një produkt në treg, i cili duhet të gjejë konsumin e tij. Në fund, CV-ja, letra e motivimit dhe dokumentet tjera, si dhe paraqitja juaj në intervistë, janë ambalazhi juaj.

Për të qenë një produkt i suksesshëm në treg:

  • duhet të mos ketë konkurrencë fare ose
  • duhet të jetë produkt “i përkryer” në sytë e konsumatorit.

Ju duhet të bëni gjithçka që të fitoni mundësinë të kyçeni në vendin e dëshiruar të punës. Kështu mund tu jepet mundësia të shprehni të gjithë talentin dhe vullnetin tuaj për atë pozitë. Këtë mundësi nuk do ta keni gjatë aplikimit. Koha e aplikimit është kohë e shkurtër dhe paraqet vetëm fazën e realizimit të strategjisë suaj të marketingut për të tërhequr konsumatorët, pra punëdhënësit.

SQARIM
SWOT qëndron për Strength, Wiknesses, Opportunities dhe Threats e që në shqip i bie Fuqitë, Dobësitë, Mundësitë dhe Rreziqet. SWOT parimisht shfrytëzohet në biznes për të analizuar pozitën e kompanisë përballë konkurrentëve në tregun ose/dhe segmentin e tregut të caktuar.

Mundësia

Për të arritur këtë qëllim ju duhet realizuar një analizë SWOT për profilin tuaj. Kjo u mundëson të merrni një pozicion sa më të qartë rreth vetes suaj, aftësive, mundësive që keni. Gjithashtu edhe rreth mundësive për të përmirësuar veten tuaj, ose së paku strategjinë tuaj të marketingut.

Gjatë kësaj analize të profilit, ju duhet të radhisni të gjitha karakteristikat e rëndësishme që përbëjnë atë. Të tilla që janë me rëndësi për punëdhënësit në llojin e biznesit ose/dhe bizneseve në të cilat dëshironi të kyçeni. Më pas gjatë aplikimit për punë (në letrën e motivimit dhe gjatë intervistës), nga listat e përpiluar e karakteristikave i përzgjidhni vetëm ato që janë të lidhura me pozitën.

Analiza SWOT

Fuqitë

Në listën e fuqive, radhisni të gjitha karakteristikat personale. Aftësitë tuaja si individ dhe njohurit tuaja profesionale të cilat nuk janë të zakonshme për të gjithë njerëzit. Duhet t’i mendoni dhe t’i radhisni të gjitha ato elemente të cilat u ndihmojnë më vonë të dalloheni nga të tjerët. Në këtë listë duhet të gjeni dhe të dalloni një ose disa karakteristika personale ku ju jeni shumë të mirë, siç thonë “talent i lindur”. Kjo ose këto karakteristika u bëjnë të dalloheni nga të tjerët dhe mund të i shfrytëzoni si “armë” në vende të përshtatshme gjatë aplikimeve tuaja.

Dobësitë

Tek dobësitë, radhisni të gjitha dobësitë që keni. Si ato që kanë të bëjnë karakterin tuaj ashtu edhe ato në sferën e njohurive profesionale. Janë të rëndësishme vetëm karakteristikat të cilat janë të lidhur drejtpërdrejtë me tregun e punës në të cilin pretendoni të konkurroni. Duke njohur dobësitë tuaja, ju njihni veten dhe pozicionin tuaj. Më e rëndësishmja është se ju mund të organizoheni që këto dobësi të i ktheni në fuqi. Kjo bëhet duke shfrytëzuar strategji të ndryshme për të ndryshuar elementet negative të karakterit tuaj ose duke studiuar çështjet të cilat nuk i njihni në nivelin profesional.

Mundësitë

Tek mundësitë i radhitni të gjitha ato të mira që u mundësohen në një vend të caktuar për shkak të rrethanave në atë kohë dhe atë vend. Këto mund të jenë të ndryshme nga vendi në vend ose nga industria në industri. Andaj, u nevojiten analiza të ndryshme nëse pretendoni vende të ndryshme dhe tregje të ndryshme pune. Kombinimi optimal i aftësive dhe shfrytëzimi optimal i mundësive janë faktorë kyç për depërtim të suksesshëm në tregun e punës.

Rreziqet

Tek rreziqet radhisni ata indikatorë kundrejt të cilëve nuk keni asnjë mundësi ndonjëherë për t’i ndryshuar. Madje, edhe ata indikatorë që së paku nuk keni mundësi të i ndryshoni në një afat të shkurtët kohor. Identifikimi i rreziqeve u mundëson që të shihni qartë kufizimet tuaja. Në këtë mënyrë mund tu shmangeni vendeve të punës të cilat janë të ndërlidhura me këto karakteristika. Madje të mund të përfitoni duke u koncentruar në ato tregje pune dhe ato kompani të cilat u përshtaten profilit tuaj.

SUKSESE!

Vini Re: Analiza SWOT realizohet për të gjitha rolet për të cilat dëshironi të angazhoheni. Madje, për të gjitha industritë që pretendoni të veproni.

Po këto i keni lexuar?