Si të shkruaj një letër motivimi v.2

Koha nevojshme për ta lexuar shkrimin, rreth 7 minuta

Autor: Skender Mustafi
Përditësuar më 12.10.2018

Sipas të gjitha gjasave, gjatë kohës që shkruani letrën tuaj të motivimit, ky nuk është një artikull të cilit duhet t’i ktheheni dhe të e lexoni tërësisht, por vetëm pjesë pjesë. Sidoqoftë, këtë shkrim duhet të e lexoni së paku një herë në tërësi në mënyrë që të kuptoni vlerën dhe rëndësinë e letrës së motivimit.

Për më tepër, mund të e lexoni shkrimin ‘‘Si të shkruaj një letër motivimi?’ në të cilin vihen në theks elemente tjera të rëndësishme të letrës së motivimit.  Artikulli në fjalë merret më tepër me çështjen teknike të përpilimit të letrës. Qasja e tillë është e mirë për informim dhe realizim të një letre të pranueshme teknikisht, por mësim jo i mjaftueshëm. Në anënt tjetër, ky artikull trajton letrën e motivimit në mënyrë që të e kuptoni dhe të e shkruani në nivel të lartë për pozitën që konkurroni.

Nëse kjo është letra e parë që ju shkruani dhe nuk keni të lexuar akoma informacione se si një letër e tillë shkruhet, atëherë u sugjeroj që të lexoni fillimisht, shpejtë, versionin e parë të artikullit dhe më pas të përqendroheni në këtë artikull.

Çka është letra e motivimit?

Kjo nuk është kopje ose përmbledhje e CV-së. Kjo nuk është letër e cila shkruhet një herë dhe mbetet e pa ndryshuar gjatë gjithë jetës. Madje kjo letër nuk është  e njëjtë as edhe për dy vende pune në të njëjtën organizatë. Kjo letër tregon motivim. Tregon “zjarrin” tuaj për të qenë pjesë e kompanisë tek e cila konkurroni. Gjithashtu, shprehë këmbënguljen për pozitën për të cilën jeni përcaktuar. Mos u përcaktoni për çfarëdo vendi pune që shihni në internet. As për ato që shihni në ndonjë reklamë qoftë në TV, gazetë ose gjëkundi dhe të shkruash një çfarëdo letre së cilës as vetë s’mund t’i thoni se është letër motivimi.

Për të shkruar me sukses, një letër, duhet që ju vetë në fund të vendosni çfarë është me rëndësi e çfarë jo. Gjithashtu, vlerësoni se si do t’i qaseni komunikimit pasiv me organizatën. Mos harroni, ju jeni një produkt i cili ka gjasa përmes një letre të mirë të ftohet në intervistë pune. Letra e mirë u jep përparësi kundrejt numrit të konkurrentëve me cilësi të ngjashme, madje ndoshta edhe më të mira.

AIDA

Ajo që ndihmon në të shkruarit të letrës është përshtatja e modelit të marketingut të njohur AIDA për nevojat tuaja. (AIDA qëndron për Attention Interest Desire Action që në rastin tonë në shqip nënkupton: Tërheqja e Vëmendjes punëdhënësit, Ngritja e Interesit për tu njohur ju, Nxitja e dëshirës për punësimin tuaj, Nxitja e punëdhënësit për veprim, pra thirrjen tuaj për intervistë.) Këtë mund të e bëni duke analizuar me kujdes çdo pjese të letrës suaj. Gjithashtu, duhet duke kompletuar me kujdes dokumentacionin e tërë. Mos harroni të lexuarit dhe të interesuarit tuaj për përmirësimin e letrës, për punëdhënësit e vërtetë, është element pozitiv. Letra tregon se ju keni investuar kohë për të bërë maksimumin për të arritur në pozicionin e dëshiruar.

Shembulli është ndihmësi më i mirë, për këtë dhe në këtë artikull kam ngarkuar letrat e mia të motivimit të cilat më kanë shpjer në intervista. Intervista ngërthen top 3 kandidatët më të pëlqyer nga dhjetra të tillë. Edhe atë në kompani të mëdha si T-Systems, SwissRe, Alpiq, Appway e të tjerë. Fatkeqësisht shembujt janë vetëm në anglisht dhe gjermanisht. 

Meqë tanimë keni lexuar letrën e parë, ju e dini që mund të shkruajmë dy lloj letrash motivimi: aktive dhe reaguese.

Elementet

Elementet më të rëndësishme të letrës së motivimit janë paraqitur më poshtë.

Paraqitja fizike (dizajni)

Letra e motivimit nuk është patjetër të ketë prapavijë të bardhë, por mund të ketë dizajn. Kuptohet, dizajni duhet të jetë i pranueshëm dhe tërheqës. Gjithashtu, dizajni bazë duhet të jetë i aplikueshëm në CV edhe në letrën e referencave për të formuar një identitet personal.

Adresa e juaj dhe punëdhënësit

Ju mund të shihni shembujt e bashkëngjitur dhe të vëreni që unë nuk i mbështetem, tërësisht, këshillave tradicionale. Radhitjen e adresave e kam bërë duke i përshtatur dizajnit. Kjo është treguar qasje e suksesshme. Se cilat informacione të i vendosni, mund të shihni, gjithashtu, shembullin e bashkëngjitur.

Kujt i drejtohemi me letër

I drejtoheni një personi të caktuar. Nëse letra është aktive, atëherë kërkoni një përgjegjës për ‘Burime Njerëzore’ i cili mund të ishte kyç për pozitën për të cilën konkurroni.  Po nuk gjetët përgjegjës për burime njerëzore, atëherë kërkoni një i cili mund të ishte përgjegjës për ju dhe do të ishte i interesuar për ju. Së fundi, nëse nuk gjeni dot përgjegjës, atëherë mund t’i drejtoheni departamentit për shembull me shprehjen:

  •  Të nderuar përgjegjës për burime njerëzore, ose
  • Të nderuar menaxherë për burime njerëzore,
  • e shprehje të ngjashme.

Nëse letra është reaguese, atëherë në çdo reklamë gjendet emri i përgjegjësit ose departamentit përgjegjës për atë pozicion. Ju i drejtoheni atij personi dhe askujt tjetër.

Titulli

Nëse letra është aktive, shkruani një titull atraktiv. Kuptohet varësisht nga pozicioni që konkurroni. Ju mund të jeni kreativ dhe të shfrytëzoni rastin të tërhiqni vëmendjen dhe dëshirën e punëdhënësit për tu njohur ju. Një nga letrat e bashkëngjitura nga unë është aktive.

Nëse letra është reaguese, atëherë në titull vendoset titulli i reklamës së pozicionit. Kjo pasi, kur përgjegjësi pranon postën elektronike atëherë menjëherë e din se për çfarë arsye i është dërguar posta dhe se duhet kontrolluar që më parë.

Përmbajtja

Përmbajtja ndahet në disa pjesë. Unë po i ndaj në paragrafë për të qenë më i përgjithshëm dhe për të qenë më lehtë për ju që të përqendroheni në letrën tuaj.

Paragrafi i parë 

Paragrafi i parë flet për kompaninë për të cilën konkurroni dhe për pozicionin për të cilin jeni të interesuar. Shkurt dhe qartë ju shfaqni interesin tuaj për të punuar në atë pozicion tek ajo kompani. Në fund me fjalinë ose pjesën e fjalisë së fundit e përmbyllni duke u shprehur ngjashëm sikur … dhe për këtë u dërgoj aplikacionin tim. Ky paragraf duhet të jetë i shkurtë dhe me informacionet e nevojshme të cilat shprehin virtyte atraktive për ju e që janë fakte për kompaninë. Pra, ju thoni diç që kompania është dhe që juve u pëlqen dhe kjo u tërheq që të punoni atje.

Paragrafi i dytë 

Paragrafi i dytë flet mbi ju. Atë që thatë më sipër e mbështesni me atë që ju keni në aspektin edukativ dhe të përvojës. Varësisht se çka kërkon punëdhënësi në reklamën për punë ju e shkruani edhe këtë pjesë. Nëse përvoja është më me rëndësi, atëherë filloni me përvojën, ose nëse edukimi është me rëndësi, atëherë filloni me edukimin. Nëse kërkohet diç specifike, atëherë përshkruani shkurt ato njohuri ku i keni arritur.

KUJDES: Mos shkruani informacione që janë në CV, por diç që nuk është shkruar në CV e që është interesante dhe e rëndësishme për pozicionin dhe ndërmarrjen.

Paragrafi i tretë

Paragrafi i tretë flet mbi juve si njeri, karakterin tuaj, përkushtimin tuaj, dëshirën tuaj për të punuar vetë ose në ekip etj. Këtë e shkruani varësisht nga karakteristikat që kërkon punëdhënësi.

Paragrafi i katërt

Paragrafi i katërt shkruhet nëse ju vëreni që ju konkurroni për një pozitë më të lartë nga ajo që keni përvojë, ose për një pozitë më të ulët nga ajo që keni përvojë. Këtu ju sillni argumentet tuaja, përse ju vlerësoni se prapë se prapë punëdhënësi duhet të u marr juve në pozicionin e caktuar.

Në fund në fjalinë e fundit e përmbyllni me shprehjet si Me kënaqësi pres ftesën tuaj për intervistë. ose Me kënaqësi pres njoftimin me ju. ose diç edhe më atraktive se këto shprehjet e mia, por le të jetë qasje profesionale pa mos u lëshuar në privatësi e larisje.

Ndryshimi i përmbajtjes

Përmbajtja e çdo letre duhet ndryshuar dhe përshtatur, varësisht nga kërkesat në reklamën e punës. Ju nuk duhet futur informacione më shumë se çka u kërkohet. Duke futur përvojën e tërë dhe  shkollimin e tërë ju “frikësoni” punëdhënësin në dy drejtime:

  • ju ose do kërkoni rrogë të lartë herët ose vonë, ose
  • do të kërkoni pozicion më të lartë.

Punëdhënësi, shkollimin dhe përvojën tuaj i sheh në CV, por nëse i shkruani në letër të motivimit, ju i bëni shtypje duke treguar se çfarë keni.

Kuptohet se letra nuk ndryshon në tërësi për çdo konkurrim, por disa pjesë ndryshojnë thuajse çdo herë edhe atë në tërësi. 

Madhësia

Shpresoj të mos bëheni konfuz. Në artikullin e parë kam të shkruar numra se sa fjalë, mesatarisht, duhet pasur letra. Tani i kuptoj sugjerimet e shumë ekspertëve se të thuhet numri i fjalëve është absurd. Është përmbajtja dhe qëllimi të cilin duam të e arrijmë i cili përcakton madhësinë. Megjithatë, letra ka një madhësi të caktuar mesatare. Për këtë mund të i shihni shembujt e bashkëngjitur.

Çka kam bashkëngjitur në dokumentacion

Ky informacion nuk shkruhet në letër të motivimit. Ky informacion shkruhet në fund të tekstit të letrës elektronike përmes së cilës dërgoni aplikacionin.

Shembull

I nderuari Z. Filani
me interesim të madh aplikoj për pozicionin XY në kompaninë tuaj, për këtë në këtë postë kam bashkangjitur dokumentacionin tim ose dokumentet (dhe i radhisni cilat dokumente i keni bashkangjitur si letra e motivimit, CV, certifikatat, letrat e referencave etj.).

Shkarko

SUKSESE!!

Komentet nga Facebook:

Po këto keni lexuar?!!

3 Thoughts to “Si të shkruaj një letër motivimi v.2”

  1. blinera

    Pershendetje. Desha qe te me ndihmoni se si te shkruaj nje Leter Motivimi per pune. jame duke studjuar FK Ekonomik Banka, Financa dhe Kontabilite. ngase nuk po arrij qe te shkruaj mire vete per shkak se nuk kam shenuar asnjeher dhe nuk arrij dot. Ju faliminderit.

  2. Përshëndetje Blinera,
    e shkarkoni këtë shembull http://fjalaime.ch/wp-content/plugins/download-monitor/download.php?id=53 që kam ngarkuar. Dhe në baz të shembullit shkruani një letër për nevojat tuaja, dmth për pozitën dhe kompaninë në të cilën dëshironi të kontaktoni. Pastaj atë letrën që keni përpiluar mund të e dërgoni tek kontakt@fjalaime.ch dhe ne do ta kontrollojmë dhe do të të japim sugjerime.

    Suksese!

  3. […] shkruarit e aplikacioneve për punë kërkojmë më shumë se përgatitjen e një CV-je dhe një letre të mirë motivimi. Para aplikimit ju duhet të njihni veten tuaj, aftësitë tuaja. Për më tepër ju duhet të […]

Leave a Comment