Autor: Skender Mustafi
BSc. BA & Msc. BIS
Fitër Bajrami, të nderuar lexues, është festa islame e cila vije pas muajit të Ramazanit. Kjo festë, si gjithë festat, duhet të shfaq një gëzim i cili përshkruan së paku një veprim të rrumbullakuar me sukses. Pra, në bazë, qëllimi i organizimit të festave është përkujtimi me gëzim i arritjes së sukseseve të caktuara në një ose më shumë lëmi në një pjesë të jetës. Në këtë rast, në festën e fitër Bajramit, ne duhet të përkujtojmë dhe përgëzojmë veten dhe të tjerët për sukseset e arritura gjatë muajit të Ramazanit. Ndër sukseset të cilat duhet të kishim arritur gjatë këtij muaji janë: realizimi i detyrave të obligueshme si agjërimi, namazi e fitrat1 si dhe realizimi i veprave vullnetare të cilat gjatë këtij muaji kanë vlerë shumë më të madhe se sa në muajt tjerë gjatë vitit.
Një ditë perëndimi, të nderuar të mi, gjatë kësaj kohe (gusht/shtator) është ditë e gjatë. Kjo ditë gjatë këtyre muajve, “fillon dje dhe mbaron nesër”. Që në rrjedha normale për njerëz si ne, fillon rreth orës 5:30 dhe mbaron afërsisht rreth orës 18:30 (mbrëmja bie rreth orës 9). Pastaj arrin heshtja. Kjo heshtje që shpesh, t’i thyen edhe eshtrat, mendjen dhe të fryn kraharorin e besa edhe të ngërthen në vajë, shpesh i përcjellë me dënesje. Kjo e gjithë vije si pasojë e halleve të kësaj jete, halle të cilat janë të lidhura rreth boshtit të realizimit të të hyrave.
Asnjë herë më parë nuk i kam parë muslimanët tonë më në hall se gjatë këtij Ramazani dhe asnjëherë nuk kam qenë vetë unë më në hall se gjatë këtij Ramazani. Halli im, i shokëve të mi dhe të tjerëve të cilët nuk ishin të gatshëm të fillonin të agjëronin ishte ai i identifikimit të vetes gjatë kësaj faqeje të zbehtë të historisë së bekuar të jetës sonë, histori që deshëm apo jo doemos do të na shfaqet në “Ditën e Provimit”. Arsyet mbi të cilat ngrihet mohimi i realizimit të obligimit të këtij muaji fillojnë nga më të pa arsyeshmet dhe përfundojnë me më qesharaket. Vetë tentimi për tu arsyetuar, në raste të takimeve, është një veprim qesharak, akt i shëmtuar, përbuzës dhe mizor fillimisht ndaj vetes së tyre e pastaj edhe ndaj agjëruesve. Këta tipa njerëzish të cilët mbështesin arsyetimin e tyre mbi argumente të pa qenë, jo që morën vete e tyre në qafë, por na ngushtuan dhe ne në realizimin e dëshirës për të përfituar sa më shumë që është e mundur gjatë këtij muaji dhe për tu gëzuar sa më shumë që është e mundur në këtë festë të shumë pritur. Halli i tyre, pra, është gjetja e arsyeve sa më bindëse për të trumbetuar pamundësinë për të agjëruar dhe për të kryer obligimet tjera.
Është një ndjenjë ankthi dhe shtrëngimi e cila të bën të ju shmangesh takimeve me “arsyexhinjë” të kotë, qofshin edhe familjarë, takime të cilat do të duheshin të ishin të këndshme dhe frytdhënëse, pasuruese të llogarisë e cila duhet të jetë në anën tonë atë “Ditë Provimi”. Kur një takim i thjeshtë, i rastësishëm, të bën të ndjehesh aq keq dhe aq i përbuzur, atëherë si mund që me një të tillë të ulesh në një tryezë iftari dhe së bashku të thoni lutjen e fundit “O All-llah, … , në ty u mbështeta, …”!? Si mund të fitosh të mira, të jesh përfitues me devotshmëri në një kohë që zemra të ndizet flakë kur ballë vetes ke “mikun” i cili as që i ndien erën dhe akoma nuk ka shijuar Ramazanin (edhe pse tanimë po përfundon)!? Hall i madh është për një besimtar në perëndim (të perëndimit) që të vë veten në dilemë për të ftuar një “musliman të zbehtë” për një iftar në një kohë që ai është hutuar në veten e tij dhe kënaqet me vendimin e marrë në një kohë që ti je në dijeni se edhe në këtë ditë perëndimi kryerja e obligimeve është e mundshme. Vërtetë e vështirë, sprovuese, por e mundshme. Reale. Këtë Ramazan besimtarët të cilët kryen obligimet ishin varfanjakë sa i përket forcimit të lidhjeve vëllazërore islame e familjare të gjakut. Sidoqoftë.
Si do të jetë Fitër Bajrami në këto ditë perëndimi?
A është e arsyeshme të jemi të gëzuar?
Sa duhet të jemi të gëzuar?
Kujt duhet shprehur gëzimin?
Në këtë perëndim, ku shumëçka është e egër, ku dimrit të sprovave duhet përballuar me zjarrin e fortë të besimit, bindjes, dijes dhe vëllazërimit, festës do t’i mungojnë ngjyrat e vërteta të gëzimit të mirëfilltë, gëzim i cili do të shfaqte triumfin ndaj nxitjes për të përfituar, triumfin ndaj sprovave për të jetuar në rrugën e drejtë, triumfin ndaj dyshimit dhe sinonimeve të tij. Në këto ditë do të përballen dhe sprovohen besimtarët e devotshëm që përballuan ditët e agjërimit me punë fizike dhe lodhje të madhe, ata do të sprovohen me gjakun e tyre dhe do i zgjasin dorën kësaj dyfytyrësie dhe do t’i thonë: “E gëzofsh Bajramin”. E gëzofsh triumfin e pa arritur. E paç me shëndet dyfytyrësinë e vërtetuar të cilën e ke arritur me shumë
mund, mund të harxhuar për të gjetur arsye për të vërtetuar pafajësinë ndaj të tjerëve dhe për të gënjyer veten. Ja pra, po e fitojmë shpërblimin për mundin e harxhuar gjatë këtij muaji.
Sikur të mund të thosha haptas: “O ti, nëse ke agjëruar Ramazanin, e gëzofsh Bajramin, në këto ditë perëndimi. E ti që tejkalove këtë muaj vazhdo të përfitosh të mirat e këtij perëndimi derisa të lind Dielli nga këtu.”
Por, po them: “O All-llah na i fal mëkatet, na e bëj besimin të dashur në zemrat tona, na i vetëdijeso besimtarët dhe i forco zemrat e tyre në besim duke i larguar nga kjo mos bindje. O All-llah, Ti je më Mëshiruesi, na mëshiro të gjithëve, na bëj të udhëzuar na vulos në faqen e të shpëtuarve.”
1. Fitrat janë obligim për çdo të lirë musliman i cili posedon ushqim për veten e tij dhe për fëmijët e tij, e që ky ushqim i mjafton për natën dhe ditën e bajramit, nëse e ka këtë ushqim obligohet t’i jep fitrat.