Modeli i kompetencave mediatike nga Heinz Moser dhe zbatimi i tij në praktikë

Autor
Skender Mustafi

Në shoqërinë moderne, fjala media i referohet kryesisht togut të fjalëve “media masive” përmes të cilave shumë njerëz fitojnë qasje tek informacionet. Media janë të gjitha pajisjet e ndryshme elektronike fundore, si dhe aplikacionet dhe përmbajtja që funksionojnë në këto pajisje (DIVSI 2015: 12). ‘Kompetencat mediatike’ janë talentet dhe aftësitë që njerëzit kanë ose që ata fitojnë përmes mediave për të zgjidhur probleme të caktuara, si dhe vullneti dhe aftësitë e lidhura me to për të qenë në gjendje të përdorin zgjidhjen e problemeve me sukses dhe me përgjegjësi në situata të ndryshme (Weinert 2002: 27-28).

Për tu siguruar që një studim përfshin të gjitha llojet e kompetencave mediatike, janë zhvilluar modele të kompetencave mediatike që shërbejnë si mjete për menaxhimin e kompetencave tek individët dhe grupet. Për analizën e ‘aftësive mediatike’, në këtë artikull është shfrytëzuar modeli i zhvilluar nga Universiteti Pedagogjik në Cyrih.

Ky model bashkon kompetencat mediatike, si fusha të gjera të veprimit mediatik, me ‘kompetencat e veprimit personal’, një kombinim që është përcaktuar për një nivel specifik të kompetencës personale (Moser 2010: 67). Pikat fillestare të këtij modeli janë ‘kompetencat kyçe’ të cilat janë të rëndësishme dhe të nevojshme në lëndët përkatëse (po aty: 69). ‘Aftësitë mediatike’ ndahen në tri fusha veprimi:

  • Aplikimi dhe zhvillimi i produkteve mediatike, i cili në thelb përfshin të kuptuarit teknik se si funksionojnë mediat.
  • Shkëmbimi dhe përcjellja e porosive mediatike, që përfshin të kuptuarit dhe përdorimin e mediave për të bashkëvepruar me të tjerët.
  • Reflektimi dhe kritika mediatike, që kanë të bëjnë me të kuptuarit e efekteve etike, kulturore dhe sociale të mediave dhe përdorimin e përgjegjshëm të tyre (vgl. IBE 2007).

Fushat e veprimit ndahen secila në tre fusha të kompetencave personale: “kompetencat profesionale, kompetenca metodologjike dhe kompetenca sociale” (Moser 2010:69).

Fushat e kompetencave të këtij modeli ndahen në katër nivele, të cilat përmbajnë gjithsej 36 fusha kompetencash. Çdo nivel përshkruan kompetencat që duhet të arrihen nga nxënësit (shih po aty: 69). Në vitin 2019, Moser në librin e tij prezantoi një model standard për zbatimin e modeleve të kompetencës (Moser 2019: 200). Për më tepër, për të gjitha 36 standardet e fushave të kompetencës duhet formuluar synime specifike. Në këtë mënyrë mund të përkufizohen kompetencat në një formë në të cilën ato mund të verifikohen në mënyrë empirike (shih po aty).

Promovimi i aftësive mediatike dhe pjesëmarrja në shoqëri

Zhvillimet e përgjithshme teknologjike kanë ndikuar gjithashtu në jetën shoqërore dhe llojin e komunikimit dhe ndërveprimit midis individëve dhe grupeve, si dhe dinamikën dhe emocionet e tyre (Lindgren 2017). Mediat moderne u mundësojnë individëve dhe grupeve të marrin pjesë në mënyrë aktive në shoqëri dhe zhvillimin e përgjithshëm. Si rezultat, kompetencat mediatike janë bërë një kualifikim kyç për ne (shiko Rohs & Bolten 2017) dhe për disa grupe të caktuara shoqërore është bërë një parakusht shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen në rrjedhat dhe zhvillimet shoqërore.

Në mënyrë që individi të jetë në gjendje të përdorë mundësitë që ofrojnë mediat në avantazhin e vetë dhe të jetë në gjendje të përballojë rreziqet në mënyrë të përshtatshme, duhet të fitojë aftësi në shfrytëzimin dhe trajtimin e mediave. Mbi të gjitha, mundësitë shihen në opsionet e zgjeruara për qasje tek informacionet, komunikimi dhe pjesëmarrje shoqërore (Moser, 2019: 227-233).

Nëse përqendrohemi tek grupi i njerëzve me aftësi të kufizuara fizike, mediat mund t’u sigurojë atyre qasje të rëndësishme në jetën e përditshme shoqërore dhe në të njëjtën kohë t’u mundësojë atyre të marrin pjesë në jetën publike dhe kulturore. Përveç kësaj, media mund tu ndihmojnë pjesëtarëve të këtij grupi shoqërore për të tejkaluar ose kompensuar disa pengesa në jetën e përditshme. Dimensionet (fushat e veprimit mediatik dhe kompetencat personale) dhe fushat e kompetencave të lidhura me modelin e Mosers do të shfrytëzohen për të përfaqësuar analizën e kompetencave të këtij grupi shoqërore.

Për të mundësuar qasjen në media, kërkohen aftësi të specializuara për aplikimin dhe projektimin e produkteve mediatike. Përmes këtyre kompetencave, personi me aftësi të kufizuara është në gjendje të instalojë media dhe në varësi të kufizimeve që ka t’i përzgjedhë ato sipas nevojave personale. Aftësitë metodologjike u mundësojnë atyre të përzgjedhin mediat përmes metodave të ndryshme të vlerësimit, p.sh., një vlerësim në internet ose një kërkimin personal mbi mundësitë teknike sipas nevojave personale. Bazuar në aftësitë e tyre shoqërore, ata mund të marrin masat e nevojshme të sigurisë për të mbrojtur mediat, të dhënat dhe veten e tyre.

Për shkëmbimin dhe përcjelljen e mesazheve mediatike, kërkohen aftësi të specializuara si trajtimi adekuat dhe me seriozitet i mediave, shkëmbimi i porosive përmes kanaleve mediatike, hapja dhe rregullimi i hapësirave private të komunikimit e ndërveprimit, etj. Të kesh kompetenca metodike do të thotë të njohësh kapacitetet e llojeve të mediave dhe t’i zbatosh e shfrytëzosh ato në mënyrë të përshtatshme, shembull i tillë është shfrytëzimi i mundësive të mbështetjes kibernetike. Këto kompetenca u mundësojnë pjesëtarëve të këtij grupi shoqërorë të dallojnë, ndër të tjera, se cilat janë kapacitetet e një kompjuteri dhe tableti, apo të një SMS dhe hapësire komunikimi, për t’i përzgjedhur ato sipas nevojave të tyre. Aftësitë sociale në këtë fushë veprimtarie bëjnë të mundur gjetjen e një ekuilibri mes jetës reale dhe asaj virtuale, orientimin drejt jetës reale dhe mbrojtjen nga izolimi.

Në kuadër të fushës së veprimit ‘reflektimi dhe kritika mediatike’ të rëndësishme të klasifikohen nën kompetencat lëndore janë: ndjeshmëria për të drejtat e autorit, besueshmëria për vlerësimin e informacioneve, ndërgjegjësimi për problemet në përdorimin e burimeve të të dhënave dhe qëndrimet e përgjegjshme ndaj mediave për të mbrojtur veten dhe të tjerët. Të jesh kompetent për çështjet mediatike në këtë fushë të kompetencave nënkupton aplikimin e metodave të përshtatshme për të njohur efektet kulturore dhe sociale të mediave. Për këtë, klientët janë në gjendje të informohen për kushtet e kuadrit ligjor të mediave dhe t’i ndjekin ato. Gjithashtu, aftësitë sociale të kësaj fushe të veprimit janë të nevojshme për të siguruar përdorimin e përgjegjshëm të medias. Varësisht nga kufizimet personale të secilit, mundësive teknike dhe situatës së përgjithshme, mediat u mundësojnë individëve të merren me vetëdije dhe pozitivisht me to për të mos dëmtuar veten apo të tjerët. Përveç kësaj, bazuar në këto kompetenca, ata njohin se si shoqëria ndërvepron me mediat dhe përshtaten edhe vetë në përputhje me rrethanat sociale.

Personat me aftësi të kufizuara fizike janë të kufizuar në lëvizshmërinë e tyre, por në aspektin njohës dhe të zhvillimit të mendineve ata janë në gjendje të përdorin mediat e zakonshme, ndërsa disa media duhet të përshtaten varësisht dëmtimeve individuale të tyre. Kështu që shkathtësitë mediatike që ata përvetësojnë u hapin atyre një gamë të gjerë mundësish veprimi. Madje, në varësi të dëmtimit të tyre fizik, ata mund ta përdorin median si një ndihmë në fusha të ndryshme të jetës, në mënyrë që të udhëheqin jetën e tyre më me vetëvendosje. Përveç kësaj, ata mund të zgjerojnë aftësitë dhe kompetencat e tyre sepse përmes shfrytëzimit të mediave fitojnë qasje të pafund në informacione dhe njohuri të reja. Ndër të tjerash, ata mund të marrin pjesë në ofertat e ndryshme të shkollimit të mëtejmë të cilat u rrisin shanset  për punësim në tregun e parë të punës. Një e mirë tjetër është mundësia e zgjerimit të rrjetit shoqërorë, kështu që ata mund të marrin pjesë në diskutime profesionale nëpërmjet mediave të ndryshme, të paraqesin praninë e tyre në publik dhe të punojnë së bashku (Borgstedt & Möller-Slawinsk 2020) me grupe ndërveprimi për të gjetur zgjidhje për nevojat e tyre.

Për këtë grup të klientëve, sfidat janë po aq të lloj-llojshme sa edhe mundësitë. Kostot e blerjes dhe përshtatjes së medias janë ndër sfidat e veçanta dhe kryesore. Mediat zakonisht kanë një dizajn universal të përshtatur për konsumatorë të përgjithshëm. Në varësi të llojit të paaftësisë fizike të një individi, mund të jetë e nevojshme modifikimi dhe përshtatja e mediave, e cila nga ana tjetër shoqërohet me kosto shtesë. Për disa persona me aftësi të kufizuara, ndonjëherë nuk ka media zëvendësuese, kështu që ata janë edhe më të përjashtuar nga pjesëmarrja në shoqëri, pasi edhe kanalet analoge të kontaktit po çmontohen gjithnjë e më shumë. Mbrojtja e njerëzve dhe e të dhënave të tyre është një sfidë tjetër. Gjatë kërkimit të mënyrave të ndihmës dhe mjeteve ndihmëse, shpeshherë kërkohet të jepen të dhëna të shumta personale, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mbrojtjen e tyre. Përveç kësaj, nëse mediat shfrytëzohen për të ndihmuar njerëzit me një mënyrë jetese më autonome, eliminimi i tyre mund të rezultojë në një nivel edhe më të lartë varësie (po aty).

Media: Kompetencat e profesionistëve të punës sociale në ndihmën e fëmijëve dhe të rinjve

Për t’u ofruar fëmijëve dhe të rinjve ndihmë parandaluese, është e rëndësishme të ndërlidhen ofertat e punës sociale me media dhe këto oferta të bëhen të njohura për shoqërinë në mënyrë që të është e lehtë që me shpejtësi të gjenden nga të rinjtë.

Gjatë një kërkimi në Google për oferta ndihme për fëmijë dhe të rinj në faqet zyrtare të qyteteve dhe komunave të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë nuk munda të gjejë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me ndonjë qendër ose institucione për çështje sociale ose institucion për mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve. Edhe pse në disa nga faqet, si ajo e Bashkisë së Tiranës, munda të gjej informacione rreth shërbimeve të ndryshme të llojit të tillë, por jo kontakte dhe platforma konkrete.

Gjithësi, përmes kërkimit arrita të gjejë disa burime tjera të cilat ofrojnë forma të ndryshme të mbështetjes si:

  • CRCA – Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri[1]
  • E4E – Projekti Arsim për Punësim në Maqedoninë e Veriut [2]

Në anën tjetër, gjatë kërkimit nëpër faqet zyrtare të bashkive lokale dhe kantoneve në Zvicër[3] (ku kam bërë dhe këtë hulumtim), në secilën nga ato mund të gjej informacione ose lidhje të cilat të ndërlidhin me institucionet mbështetëse. Madje, mund të gjenden oferta këshillimi në internet që janë të përshtatshme dhe të organizuara sipas nevojave të klientit si fushë veprimi për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve. Do të thotë, jo vetëm që ofertat janë të organizuara mirë, ato kanë kaluar edhe në modele të reja të zhvillimit të duke u përshtatur me zhvillimet teknologjike. Gjithashtu duhet theksuar se të gjitha kantonet ku banon një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve kanë faqe interneti, fletushka dhe botime për udhëzimin e fëmijëve dhe të rinjve rreth konsumimit të ofertave institucionale për mbrojtjen dhe mbështetjen e tyre në pikëpamje të punës sociale.

Një ofertë e tillë zyrtare është ajo e ofruar nga organizata Projuventute[4], 147.ch[5], e cila ofron falas mbështetje profesionale për fëmijët dhe të rinjtë. Kjo ofertë ka një prag të ulët të qasjes[6], është ndërlidhje me bazë besueshme komunikimi dhe shprehjeje dhe mund të kontaktohet gjatë gjithë kohës për të kërkuar bashkëbisedim me profesionistë në fushën e çështjeve sociale edhe atë si përmes telefonit ashtu edhe përmes mesazheve SMS dhe postës elektronike. Bazuar nga përvoja profesionale, mendoj se së paku një qendër e tillë duhet të ekzistojë në secilën nga komunat tona, ku së paku fëmijët dhe të rinjtë mbështeten për tu orientuar lidhur me problemet e tyre.

Për të kuptuar se sa kompetentë duhet të jenë nëpunësit për çështje sociale për të ofruar këshilla përmes kanaleve të mediave të ndryshme, shembull mund të jenë nëpunësit për çështje sociale të organizatës Projuventutit, është e patjetërsueshme që në njërën anë të analizohen të gjitha ofertat nga ana institucionale dhe të gjitha mediat të cilat shfrytëzohen për komunikim me klientët.  Dhe nga ana tjetër, duhet të shqyrtohet sjellja dhe qasja e fëmijëve dhe të rinjve ndaj mediave, do të thotë sa janë të aftë dhe sa kanë mundësi fëmijët dhe të rinjtë tu qasen mediave për të kërkuar ndihmë.

Në këtë mënyrë arrijmë tek trekëndëshi varësie midis:

Organizatës së caktuar (shembull Projuventute) dhe ofertat e tyre,

Nëpunësit social dhe aftësitë e tyre mediatike dhe

Fëmijët dhe të rinjtë që janë të gatshëm të pranojnë ndihmën dhe janë në dijeni mbi ofertat e caktuara.

Nëse marrim për shembull ofertat nga ana e 147.ch, atëherë nëpunësit sociale të organizatës duhet:

  • Të jenë ekspert: Të kenë njohuri mbi mbi ofertat mediatike dhe mundësitë e tyre teknike ashtu që të jenë në gjendje në mënyrë të pavarur dhe sipas nevojës t’i instalojnë ato, të operojnë me to dhe t’i mirëmbajnë. Duhet pasur gjithashtu njohuri mbi strategjitë, dijen dhe përvojat të jenë në gjendje të kërkojnë, të përzgjedhin, përpunojnë dhe administrojnë të dhënat për një temë të caktuar. Të jenë në gjendje të rregullojnë mediat vetë dhe të mbështesin dhe shoqërojnë edhe fëmijët e të rinjtë në këtë drejtim.
  • Të jenë kompetent në shfrytëzimin e mediave të përzgjedhura: T’i njohin kapacitetet e mediave[7] që shfrytëzojnë ose të cilat ofron institucioni në dispozicion dhe t’i shfrytëzojnë avantazhet e tyre për qëllime të ndërveprimeve profesionale me fëmijët dhe adoleshentët. Të dizajnojnë përmbajtjet për t’iu përshtatur mediave specifike. Të tejkalojnë vështirësitë mediatike dhe të shfrytëzojnë përparësitë për interesa specifike.
  • Të jenë kompetent në aspektin social: Të shfrytëzojnë mediat me përgjegjësi të plotë dhe tu qasen atyre ne varësi nga situata dhe niveli i ndërveprimit me rastin e caktuar. Të shfrytëzojnë mediat me vetëdije, pozitivisht dhe në mënyrë të përshtatshme për qëllime profesionale-këshilluese. Të kuptojnë rëndësinë e të dhënave dhe të jenë në gjendje të mbrojnë privatësinë e vetë dhe të fëmijëve e të rinjve me të cilët komunikojnë.

Duke përdorur media për komunikim dhe ndërveprim, fëmijët dhe të rinjtë kanë gjatë gjithë kohës mundësinë t’u drejtohen ekspertëve të çështjeve sociale për pyetjet apo problemet e tyre pa mos pasur nevojë madje as të prezantohen apo të japin informacione tjera duke mbetur tërësisht anonim. Qasja është shumë e lehtë, e shpejtë, anonime dhe privatësia është e mbrojtur në tërësi. Komunikimi mund të jetë i drejtpërdrejtë dhe i fokusuar në nevojat ose problemet individuale. Në varësi të llojit të medias, kontaktet mund të kalojnë në personale me seanca normale ose të mbesin tërësisht anonime qoftë të njëhershme apo edhe të përsëritura. Duhet theksuar se ky punim nuk trajton raste konkrete të të mirave dhe vështirësive të këshillimeve të tilla. Për një gjë të tillë kërkohet një hulumtim tërësisht në vete.

Referencat

Borgstedt, S. & Möller-Slawinski, H. (2020). Digitale Teilhabe von Menschen mit Behinderung. Bonn: Aktion Mensch e.V

DIVSI (2015). DIVSI U9-Studie: Kinder in der digitalen Welt. SINUS und Deutsches Institut für Vertrauen und Sicherheit im Internet. Hamburg. URL: https://www.divsi.de/wp-content/uploads/2015/06/U9-Studie-DIVSI-web.pdf [Zugriffsdatum: 27. Dezember 2020]

IBE (2007). Test Your ICT-Knowledge: Kompetenzmodell und Testsystem für den ICT-Unterricht. Kompetenzzentrum für Bildungsevaluation an der Universität Zürich. URL: https://docplayer.org/907990-Test-your-ict-knowledge-kompetenzmodell-und-testsystem-fuer-den-ict-unterricht.html [Zugriffsdatum: 04. Januar 2021]

Lindgren, S. (2017). Digital Media and Society. London: SAGE

Moser, Heinz. (2010). Die Medienkompetenz und die ‘neue’ erziehungswissenschaftliche Kompetenzdiskussion. Moser Heinz. (Hrsg.), Jahrbuch Medienpädagogik 8: Medienkompetenz und Web 2.0. Wiesbaden: VS Verlag für Sozialwissenschaften, GWV Fachverlage GmbH

Moser, Heinz. (2019). Einführung in die Medienpädagogik Aufwachsen im digitalen Zeitalter. Wiesbaden: Springer VS. DOI: https://doi.org/10.1007/978-3-658-23208-5

Rohs, M. & Bolten, M. (2017). Professionalization of adult educators for a digital world: an European perspective. European Journal of Education Studies, 3(4), DOI: https://doi.org/10.5281/zenodo.390900

Weinert, E. F. (2002). Vergleichende Leistungsmessung in Schulen – eine umstrittene Selbstverständlichkeit. Franz E. Weinert (Hrsg.). Leistungsmessungen in Schulen. Weinheim und Basel: Belz Verlag


[1] https://www.crca.al/

[2] https://www.e4e.mk/sq/ballina/

[3] Shih hyjet për: Cyrih: bit.ly/39eix5v, Bern: bit.ly/38kU27e, St. Gallen: kjh.ch/ und Vintertur: bit.ly/2Lylw0s

[4] https://www.projuventute.ch/de/home

[5] 147.ch

[6] Prag i ulët i qasjes nënkupton hyrjen me lehtësi në kontakt dhe daljen nga kontakti pa probleme dhe pa mos pasur nevojë të dihet identiteti i klienti/klientes

[7] Shebull i nëpunësve të Projuventute, shih: 147.ch/de/dein-kontakt-zu-uns

Po këto i keni lexuar?