Konsumimi i përmbajtjeve mediatike nga fëmijët e moshës 6 deri në 11 vjeç

Autor
Skender Mustafi
MSc. Implementim i Sistemeve të Informimit në Biznes
BSc.-Studiues Çështjet Sociale
Punim shkencor pran FHNW
Lexo tek: Research Gate

Hyrje

Akoma e kam në mur broshurën që «Zyra për Parandalimin e Varësisë në Kantonin e Cyrihut» në vitin 2017 e botoi dhe shpërndau nëpër shkolla. Ndër të tjera, në të theksohet dhe për shkak të ruajtjes së shëndetit të fëmijëve në mënyrë profesionale rekomandohet një qëndrim prej 30 minutash para ekraneve të mjeteve elektronike për fëmijët 3 deri në 5 vjeç ose një kohë prej 1 ore për fëmijët 9 deri në 10 vjeç (Zyra për Parandalimin e Varësisë në Kantonin e Cyrihut 2017). Edhe para periudhës së COVID19, tre fëmijët e mi nga mosha 7 deri në 11 vjeç vinin në shtëpi gjithnjë e më shpesh me detyrat e shkollës që kërkoheshim të kryheshin në mënyrë elektronike përmes mediave të ndryshme (mjete dhe platforma). Gjatë periudhës së izolimit[1] dhe realizimit të mësimit me orar të shkurtuar, ne prindërit duhej të blinim pajisje elektronike shtesë në mënyrë që fëmijët të mund të ndiqnin mësimet në internet. Për ta bërë këtë, të gjithë fëmijët duhej të instalonin ndër të tjerash ‘Microsoft Teams’ në mënyrë që të kishin qasje në mësimet e drejtpërdrejta, dokumentet dhe detyrat e ngarkuara në internet. Tani, edhe pas ‘çlirimit nga gjendja e jashtëzakonshme’ këto media janë pjesë e familjes dhe fëmijët vazhdojnë t’i përdorin ato në formë të përsëritur dhe me intensitet dukshëm më të lartë nga ajo më parë. Në situatën aktuale, rekomandimet e përgjithshme nga instituti i Cyrihut për grup-moshën e shkollës fillore nuk përputhen më. Përveç kësaj, prindërit përballen me një sfidë dhe një përgjegjësi të madhe për të mbështetur fëmijët e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme në marrëdhëniet me median si lidhur me kohën ashtu edhe me mënyrën e konsumimit.

Edhe pse interneti dhe pajisjet e përdorura janë pjesë e jetës së përditshme në këtë shoqëri, grup-mosha e fëmijëve/nxënësve nga 6 deri në 11 vjeç ishte jo vetëm e papërgatitur, por edhe e paaftë për t’u marrë me mediat e vëna në dispozicion. Prandaj lindin shumë pyetje të cilat fillimisht duhet kuptuar në mënyrë që të kuptohet gjendja në të cilën jemi dhe të përcaktohen rrugët të cilat duhet t’i marrim për të zotëruar këtë gjendje. Pyetje të tilla janë:

  • Çfarë janë mediat?
  • Çfarë përfshin termi media digjitale?
  • Cilat janë përparësitë e mediave ekzistuese?
  • Cilat janë rreziqet të cilat ndërlidhen me këto media?
  • A është në gjendje kjo grup-moshë të perceptojë rreziqet të cilat ndërlidhen me këto media?
  • Po rekomandimet në lidhje me kohën optimale të kalimit para ekranit?
  • Dhe shumë pyetje të tjera me vlerë të njëjtë.

Mediat

Termat medium dhe medius vijnë nga latinishtja dhe kanë kuptimin mes ose të jesh në mes (Dudenredaktion 2018). Në këtë kuptim, një medium (shumës: media) është një ndërmjetës i përmbajtjes, i cili mund të jetë në formë teksti, imazhi ose tingulli. Në shoqërinë moderne, fjala media kryesisht i referohet masmedias përmes së cilës shumë njerëz fitojnë qasje tek informacionet. Për shkak të zhvillimit të shpejtë teknologjik, mediat digjitale po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë ​​në jetën e përditshme të shoqërisë sonë. Përveç kësaj, mediat tradicionale si librat, gazetat dhe TV po ofrohen gjithnjë e më shumë në formë digjitale.

Mediat digjitale janë si të gjitha pajisjet e ndryshme elektronike fundore (p.sh. telefonat inteligjentë, tabletët) ashtu dhe aplikacionet që funksionojnë në këto pajisje (p.sh. programet, aplikacionet) dhe përmbajtja e tyre (p.sh. lojërat, videot) (DIVSI 2015: 12). Pavarësisht nga pajisjet, në grupin e mediave digjitale renditet edhe vetë interneti (shih po aty). Përveç kësaj, mediat digjitale përdoren kryesisht për të informuar, edukuar, argëtuar, shkëmbyer dhe bindur veten se informacioni në dispozicion është i vërtetë ose i rremë (Jennings 2018). Përdorimi i medias për të kryer këto aktivitete njihet edhe si konsum mediatik.

Përdorimi i mediave digjitale kuptohet si përdorimi i mediave me ekran për aktivitete të tilla si konsum pasiv, lojëra, komunikim (van Egmond-Fröhlich et al. 2007), ndërveprim dhe argëtim (DIVSI 2015: 13). Nëse krahasohen statistikat e studimeve të MIKE nga viti 2015 deri në vitin 2019, zbulohet se përdorimi i internetit dhe mediave të tjera digjitale nga fëmijët është rritur dukshëm (Suter et al. 2015: 26; Waller et al. 2019: 26). Shumica e fëmijëve përdorin internetin të paktën herë pas here, dhe përdorimi rritet ndjeshëm me hyrjen në shkollë dhe përgjatë kryerjes së shkollës fillore (Waller et al. 2019: 41). Qasja në internet dhe përdorimi i mediave elektronike janë ndikuar edhe nga rritja e numrit të mjeteve elektronike. Si familjet ashtu edhe fëmijët kanë jo vetëm një, por disa pajisje elektronike që mund të kenë qasje në internet. Më shumë se një e treta e fëmijëve 6 deri në 11 vjeç kanë telefonin e tyre personal të mençur dhe rreth një e treta kanë një tabletë (po aty: 29). Duke qenë se pajisjet janë në dispozicion, ato janë edhe media më e preferuar për fëmijët e kësaj grup-moshe. Shumica e tyre i përdorin këto pajisje të paktën herë pas here për të parë video në internet, për të dëgjuar muzikë ose për të luajtur lojëra dhe për të dërguar ose marrë porosi (po aty: 39-41) nga kolegët e tyre në veçanti dhe familjarët dhe rrethi i tyre në përgjithësi.

Përdorimi i mediave digjitale në përgjithësi, dhe në veçanti i mediave të propozuara dhe të kërkuara nga shkolla, mund të jetë në dobi të fëmijëve. Mediat digjitale janë një përditshmëri e pashmangshme jo vetëm për të rriturit, por edhe për fëmijët. Në vend që të mbyllet dhe të fshihet bota e mediave digjitale për fëmijët, duhet të shoqërohen ata teksa e zbulojnë dhe jetojnë këtë botë (Zyrën Federale të Sigurimeve Shoqërore 2018). Që në fazë të hershme të zhvillimit të tyre ndërgjegjësohen fëmijët për rreziqet e mediave digjitale dhe paralajmërohen për to dhe rreziqet në to nga burime të ndryshme, qoftë nga prindërit e tyre apo edhe në shkollë. Kjo mund të jetë ndoshta në një mënyrë joformale dhe joprofesionale, por është një formë e hershme e informimit që në pikëpamje shkencore është e vobektë dhe kërkon përmirësim emergjent e të dukshëm. Martin Hermida shprehet se kontakti me rreziqet nuk është asgjë e pazakontë në internet dhe është pjesë e jetës së përditshme për fëmijët (Hermida 2019: 4). Në rastin konkret të instalimit të mediave digjitale shtesë në familje për të mundësuar mësimin në distancë, rreziku i përdorimit të tij për nxënësit e shkollave fillore nga 6 deri në 11 vjeç është rritur në nivel pothuajse alarmante.

Përballja me konsumimin e mediave

Rreziqet ndaj të cilave ekspozohen fëmijët kur përdorin internetin dhe mediat digjitale mund të ndryshojnë në natyrë. Ato mund të shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta menjëherë gjatë ekspozimit dhe të kenë efekte afatgjata ose afatgjata. Përdoruesit kanë mundësinë e ngarkimit relativisht të lehtë të përmbajtjeve nëpërmjet mediave të ndryshme, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale, mediave të komunikimit ose nëpërmjet mediave që kanë gjithashtu përmbajtje 18+ (po aty: 6). Komunikimi është gjithashtu falas. Shumica e mediave të preferuara të fëmijëve (Waller et al. 2019: 42) mundësojnë një lidhje të lirë, të lehtë dhe falas me të tjerët, u ofrojnë qaje të lehtë dhe komunikim shumë të lirë pedofilëve, mundësojnë kontakt dhe takim falas me persona të huajt, ofrojnë hapësirë për ngacmimin psikik e seksual të pakontrolluar kibernetikë, nuk kanë mundësi kontrolli dhe parandalimi të nxitjes se urrejtjes kibernetike dhe diskriminimit, e të tjera. Përveç kësaj, shumica e mediave që kërkojnë një llogari personale, kërkojnë informacione të ndryshme private. Edhe aplikacionet falas shpesh kërkojnë që, ndër të tjera, të zbulohet numri i kartës së kreditit. Kjo nga ana tjetër çon në çështje rreziku si mbrojtja e të dhënave, privatësia dhe rreziqet financiare.

Është e patjetërsueshme që dëmi afatgjatë nga keqpërdorimi i mediave digjitale të peshohet me kujdes. Me ndryshimin e moshës së fëmijëve dhe rritjen e njohurive për përdorimin e mediave si interneti dhe telefonat inteligjentë, ndryshojnë edhe preferencat e tyre (po aty). Përdorimi i ofertave të papërshtatshme të mediave digjitale nga fëmijët ka një ndikim shkatërrues në konsumin e mëvonshëm. Për shembull, përderisa nëse vetëm 5% e fëmijëve të moshave 6 deri në 7 vjeç përdorin rrjetet sociale, ato përdoren nga më shumë se gjysma e të rinjve të moshave 12 deri në 13 vjeç. Përveç kësaj, sipas të dhënave nga sondazhi shëndetësor zviceran i vitit 2017, 11,2% e adoleshentëve zviceranë ndërmjet moshës 15 dhe 24 vjeç janë të prekur nga problemi i varësisë nën dëmtime afatgjata (Herrmann et al. 2020). Në shumicën e rasteve, sipas raportit, të rinjtë janë të varur nga mediat sociale dhe video-lojërat si dhe nga pornografia, blerja në internet dhe lojërat me para (po aty: 7).

«Fëmijët përjetojnë se si prindërit e tyre ndërveprojnë me aplikacione, pajisje dhe media të ndryshme, por shpesh i perceptojnë ato krejtësisht ndryshe.» (DIVSI 2015: 13) Për fëmijët, të gjitha mediat si telefonat inteligjentë e të ngjashëm nuk janë kryesisht pajisje për organizimin dhe komunikimin e përditshëm, por ata i perceptojnë dhe i identifikojnë ato si pajisje për të luajtur (po aty). Sipas Piaget, fëmijët e kësaj grup-moshe janë në fazën konkrete operative – fazë e zhvillimit mendor të fëmijëve (Siegler et al. 2016). Në këtë fazë ata i kryejnë eksperimentet e tyre në mënyrë jo sistematike dhe sipas paragjykimeve të tyre, kështu që nuk mund të nxirren përfundime të qarta, ata janë të papjekur të mendojnë sistematikisht dhe të imagjinojnë të gjitha kombinimet e mundshme të ndryshoreve (po aty: 128). Përveç kësaj, ata nuk janë në gjendje të spekulojnë për një situatë të caktuar dhe të identifikojnë e vlerësojnë alternativat (po aty: 129). Për më tepër, fëmijët nuk kanë një njohuri dhe të kuptuar adekuat për kufijtë dhe potencialet e veta (po aty). Meqenëse kjo grup-moshë nuk është në gjendje të njohë dhe vlerësojë rreziqet, të rriturit janë përgjegjës për vlerësimin e rreziqeve dhe mundësive të mediave digjitale dhe përgjegjës për marrjen e vendimeve në lidhje me konsumin e mediave nga ana e fëmijëve të tyre (Lembke & Leipner 2018: 215). Një e pesta e fëmijëve në Zvicër i janë shtruar një përkujdese institucionale (p.sh. çerdhe, qendra përkujdesjeje pas shkollës), pothuajse tre të katërtat janë nën përkujdese të një pale të treta (p.sh. gjyshërit, dadot) dhe vetëm rreth një e njëzetat e fëmijëve kanë përkujdesen plotësisht nga prindërit e tyre. (Zyrën Federale të Statistikave 2019)[2]. Pavarësisht nga kjo shtrirje e formave të përkujdesjes, prindërit janë përgjegjës për edukimin e fëmijëve dhe janë ligjërisht të detyruar (Kodi Civil Zviceran (Kujdesi Prindëror) Neni 296 e më pas) të kujdesen për mirëqenien e fëmijëve të tyre.

Zhvillimi i hipotezës dhe gjenerimi i pyetjes shkencore

Pikat e përmendura më sipër tregojnë se familjet janë të pajisura me një shumëllojshmëri të gjerë të pajisjeve elektronike e mediatike. Përveç argëtimit, fëmijët po i shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë mediat për qëllime shkollore e edukative. Pavarësisht përkujdesjes nga palët e ndryshme, prindërit kanë detyrimin të gjejnë një mënyrë të përshtatshme dhe të zbatueshme për të mbështetur fëmijët e tyre në konsumin e tyre të përditshëm mediatik.

Kjo çon në lindjen e pyetjes e cila kërkon hulumtim shkencor dhe ka karakter lokal sepse secili vend duhet reaguar sipas situatë aktuale dhe kushteve lokale:

Si munden prindërit që punojnë t’i mbështesin me kompetencë profesionale fëmijët e tyre të  moshës 6 deri 11 vjeç gjatë shfrytëzimit të tyre të përditshëm të mediave digjitale?

Synimet e kësaj pune duhet të jenë nga njëra anë të zbulohen se cilat janë shanset, rreziqet, por edhe sfidat në konsumin e përditshëm mediatik në ambientet familjare të fëmijëve. Nga ana tjetër, në kuadër të kësaj pune duhet të zhvillohen sugjerime dhe zgjidhje konkrete, të realizueshme për të gjithë prindërit pavarësisht nga klasa e tyre shoqërore. Përveç kësaj, kjo punë duhet të hedhë dritë mbi aftësitë specifike të medias që prindërit duhet të kenë në mënyrë që ata të mund të mbështesin siç duhet fëmijët e tyre.

Referencat

Zyra Federale e Sigurimeve Shoqërore (2018). Jugend und Medien – das Informationsportal zur Förderung von Medienkompetenzen: Medienerziehung – die wichtige Rolle der Eltern. URL: https://www.jugendundmedien.ch/en/medienkompetenz-foerdern/medienerziehung-die-wichtige-rolle-der-eltern [Së fundi qasur më: 04. Januar 2021].

Zyra Federale për Statistikat (2019). Familienergänzende Kinderbetreuung in Haushalten mit Kindern unter 13 Jahren, nach Betreuungsart und Migrationsstatus. Bundesamt für Statistik, Sektion Demografie und Migration.

Zyra për parandalimin e varësisë në kantonin e Cyrihut (2017). TV, Tablet und Handy: Bildschirmmedien: Abhängikeit vemeiden; Tipps für Eltern von Kindern bis 10 Jahre. Kanton Zürich. 7. Auflage, Januar 2017.

DIVSI (2015). DIVSI U9-Studie: Kinder in der digitalen Welt. SINUS und Deutsches Institut für Vertrauen und Sicherheit im Internet. Hamburg.

Dudenredaktion (2018). Medium. Duden online. URL: https://www.duden.de/node/95119/revision/95155 [Së fundi qasur më: 11 Nëntor 2021].

van Egmond-Fröhlich, Andreas/Mössle, Thomas/Ahrens-Eipper, Sabine/Schmid-Ott, Gerhard/Hüllinghorst, Rolf/Warschburger, Petra (2007). Übermässiger Medienkonsum von Kindern und Jugendlichen: Risiken für Psyche und Körper. Dtsch Arztebl 2007; 104(38): A 2560-4.

Herrmann, Manuel/Stortz Cédric/Perissinotto, Célestine (2020). Problematische Internetnutzunh in der Schweiz: Erkenntnisse und Empfelungen der Expert*innengruppe «Onlinesucht», Synthesebericht 2018-2020. Fachverband Sucht und GREA.

Hermida, Martin (2019): EU Kids Online Schweiz. Schweizer Kinder und Jugendliche im Internet: Risiken und Chancen. Pädagogische Hochschule Schwyz, Goldau.

Jennings, Brien J. (2018). What Is Media?: All about Media Series. North Mankato: Capstone Press.

Lembke, Gerald/Leipner, Ingo (2018). Die Lüge der digitalen Bildung: Warum unsere Kinder das Lernen verlernen. München: Redline Verlag.

Kodi civil zviceran (Elterliche Sorge) vom 21. Juni 2013, Art. 296ff. URL: https://www.admin.ch/opc/de/federal-gazette/2013/4763.pdf [Së fundi qasur më: 11 Nëntor 2021].

Siegler, Robert/Eisenberg, Nancy/DeLoache, Judy/Saffran, Jenny (2016). Theorien der kognitiven Entwicklung. Sabina Pauen (botues), Entwicklungspsychologie im Kindes- und Jugendalter. Heidelberg: Springer-Verlag Berlin.

Suter, Lilian/Waller, Gregor/Genner, Sarah/Oppliger, Sabine/Willemse, Isabel/Schawrz, Beat/Süss, Dabiel (2015). MIKE: Medien, Interaktion, Kinder, Eltern. Ergebnisbericht zur MIKE-Studie 2015. Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften (botues),.

Waller, Gregor/Suter, Lilian/Bernath, Jael/Külling, Céline/Willemse, Isabel/Martel, Nicolas/Süss, Daniel (2019). MIKE: Medien, Interaktion, Kinder, Eltern. Ergebnisbericht zur MIKE-Studie 2019. Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften (botues)


[1] Këto përshkrime kanë të bëjnë me kantonin e Cyrihut nga marsi deri në qershor 2020. Gjatë kësaj kohe, disa kantone ishin në një situatë të ngjashme. Në shtetet e populluara me shqiptarë këto periudha ishin madje edhe më të gjata dhe kushtet e zhvillimit të mësimeve ishin të ndryshme. Në Maqedoninë e Veriut, për shembull, për dy vite shkollore edhe pse mësimi ishte i përcjellë me një organizim jo të mirëfilltë prindërit u detyruan ose t’i pajisin fëmijët me mjete digjitale ose tu ofrojnë atyre mjetet e tyre të komunikimit në mënyrë që të kenë qasjen minimale për shkëmbim informacionesh me mësuesit. Për grup-moshën 3 – 11 të fëmijëve shqiptarë vërtetë kërkohen hulumtime të mirëfillta për të parë efektet e këtij ndryshimi dhe më e rëndësishmja është që të gjenden mënyra në njërën anë të menaxhimit të situatës së re nga ana e prindërve dhe në anën tjetër të tejkalohen humbjet e paraqitura gjatë kësaj periudhe.

[2] Fëmijët në shoqëritë shqiptare kanë një strukturë tjetër përkujdesjeje, por kjo nuk e bënë shumë më të lehtë situatën sepse akoma nuk është përgjigjur në mënyrë shkencore pyetja: Sa kanë njohuri prindërit dhe sa përgjegjës janë ata ndaj fëmijëve kur është në pyetje konsumimi mediatik?

Po këto i keni lexuar?