Autor: Skender Mustafi
Ky shkrim do të duhet të jetë sqarues dhe jo ngatërrues, për këtë dhe zgjodha titullin me kujdes.
Kjo që them vije si pasojë e gjendjes momentale në shoqërinë tonë ku shumica e njerëzve nuk i japin kohë të mjaftueshme analizës dhe të kuptuarit të vlerës e cila ofrohet. Si pasojë e një mosnjohjeje, në të shumtën e rasteve haset një mbivlerësim i diturisë, një rritje e skajshme e sajë, gjë që është qasje e gabuar, e pa vërtetë, mashtruese.
Vlera e diturisë në nivele të ndryshme edukative nuk është e tëra ajo e cila është arritur gjatë të mësuarit ose të studiuarit, por është vetëm ajo e cila mundëson gjenerimin e vlerave të reja për të tjerët.
Le të marrim një shembull për të sqaruar gjendjen.
Le të themi, para fillimit të studimit ju keni dy rrugë: 1) studimi dhe 2) punësimi. Nëse ju zgjidhni studimin, atëherë vlera e gjeneruar gjatë punësimit, në këtë rast fitimet materiale dhe përvoja, janë vlera oportunitare (të mundësisë), kurse vlerat e studimit janë vlera të vërteta. Kështu që nëse ju zgjidhni punësimit, atëherë vlerat e studimit janë oportunitare. Pra, ajo të cilën nuk keni përzgjedhur është vlera të cilën keni mundur të fitoni.
Më sipër unë mora vetëm dy shembuj të një zgjedhje të caktuar kohore, por në jetë jemi të mbushur përplot vendimmarrje të tilla, ku vendosim të arrijmë disa vlera të vërteta duke i lënë të tjerat si oportunitare, ku shumë nga ato janë të pa kthyeshme në kohë.
Në këtë pikëpamje, një paketë studimi në një drejtim të caktuar është një tërësi e vlerave të vërteta të pa vlera të diturisë. Kjo gjendje në një masë të caktuar, së paku në vendet tona, vazhdon të jetë si e tillë deri në përfundim të procesit të studimit e në shumë raste edhe gjatë gjithë jetës.
Kjo vlerë e vërtetë e pa vlerë është si e tillë për një periudhë të caktuar kohore në rrethana të caktuara dhe nëse me të nuk ndërmerret asgjë atëherë kalon në vlerë të pa vërtetë dhe të pa vlerë.
Vlera e vërtetë e pa vlerë, është ajo vlerë e cila është marrë – dituria gjatë studimit, përvoja gjatë një periudhe të caktuar kohore, pasuria e grumbulluar, e të tjerë – gjatë një periudhe të caktuar dhe nga ajo asnjëherë ose shumë pak deri më tani është gjeneruar vlerë tjetër për individin ose shoqërinë. Kjo vlerë – shumë lloj nga kjo – me kalimin e kohës, ç’vlerësohet varësisht nga ndryshimi i ambientit veprues dhe natyra e saj dhe kështu kalon në vlerë të pa vërtetë e të pa vlerë.
Pra, dituria e arritur gjatë studimeve, deri në kohë e gjenerimit të vlerave nga ajo dituri, është vlerë e vërtetë e pa vlerë. Nëse kjo dituri ç’vlerësohet, shembull të dish të shkruash me makinë shkrimi, dhe gjatë gjithë kohës ka qenë e pa shfrytëzuar, atëherë vlera e saj kalon në vlerë të pa vërtetë (je duke mashtruar veten se është dije me vlerë) e pa vlerë (është ç’vlerësuar).
Nga analiza e mësipërme mund të shohim se vlera e dijes dhe e studimit të realizuar nuk është aq e madhe sa shumica nga ne e vlerësojmë. Shumë herë, madje, studimi mund të mos vlej gjë. Kjo është rezultat i mos shfrytëzimit të asaj diturie për të gjeneruar vlera. Pra, dituria jonë ka vlerë aq sa ne gjenerojmë vlerë, direkte ose indirekte, nga ajo, dhe jo aq sa ne mund të kishim gjeneruar vlerë ose aq sa të tjerët gjenerojnë vlerë nga po e njëjta. E pa vlerë mbetet dituria e cila në veten e vetë ka vlerë, por që asnjëherë nuk shfrytëzohet.
Me këtë nuk dua të them që ju nuk duhet studiuar, por se gjatë studimit dhe pas studimit të shfrytëzoni këtë dituri që të gjeneroni vlera për veten tuaj dhe për shoqërinë. Vetëm me gjenerim të vlerës nga dituria e arritur mund të flasim për vlerë të vërtetë diturie.
Fundja, sikur të gjithë studentët, të cilët diplomojnë nga universitetet tona, të fitonin vlerë dhe të gjeneronin vlerë nga ajo dituri që kanë fituar, nëse kanë fituar, atëherë nuk do të kishim, asesi, vend për pa vlerë.