Çfarë nënkupton Menaxhimi i Zinxhirit të Furnizimit?

0

Autor: Skender Mustafi

Menaxhimi i zinxhirit të Furnizimit shpesh, shkurt, i thirrur edhe në shqip si SCM (akronim nga anglishtja: supply chain management – SCM) nënkupton kontrollimin e zinxhirit të furnizimit si proces biznesi që nga furnizuesit, përmes kompanisë e deri tek konsumatori. Në këtë pikëpamje, duhet theksuar që zinxhiri i furnizimit nuk përfshinë vetëm produktin fizik dhe aktivitetet e tij, por gjithashtu edhe informacionet të cilat kanë të bëjnë me produktin si dhe përbërësit tjerë të cilët trajtojnë produktin nga faza në fazë, ose hap pas hapi.

Definimi

Në literaturë mund të gjejmë definicione të ndryshme të SCM-it të cilat vënë në theks ndonjë element më shumë se tjetrin ose në përgjithësi përfshijnë më shumë ose më pak elemente si më të rëndësishme. Nga definicionet mësimdhënëse po dallojmë definicionin e bërë nga WebFinance Inc (2013) ku theksohet që menaxhimi i zinxhirit të furnizimit paraqet:

menaxhimin e materialeve dhe rrjedhës së informacioneve në një zinxhir furnizimi që të ofrohet shkalla më e lartë e kënaqjes së konsumatorëve me shpenzimet më të ulëta të mundshme.

Në anën tjetër PhD Robert Handfield (2011) thotë:

Menaxhimi i zinxhirit të furnizimit është menaxhimi aktiv i zinxhirit të aktiviteteve të furnizimit për të maksimizuar vlerën e konsumatorëve dhe për të arritur avantazh të vazhdueshëm konkurrues. Paraqet përpjekje të vetëdijshme nga ana e kompanive furnizuese për të zhvilluar dhe mirëmbajtur zinxhirët e furnizimit në mënyrat më efektive dhe efikase të mundshme.

Për më tepër, autorë të ndryshëm ofrojnë edhe më shumë definicione për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit, por që e tërë baza e këtyre definicioneve është sqaruar me definicionet e mësipërme të marra si shembull.

zinxhiri i furnizimit

Të kuptuarit e menaxhimit të zinxhirit të furnizimit

Duke u mbështetur vetëm në definicionet e mësipërme mund të thjeshtëzojmë sqarimin, fillimisht të zinxhirit të furnizimit e më pastaj edhe mënyrën e menaxhimin të tij. Pra, në një kompani zinxhiri më i thjeshtë i furnizimit është vija nga një furnizues deri tek kompania dhe nga kompania deri tek konsumatori (shih foton më sipër). Kjo vijë që lidh kompaninë me një furnizues dhe një konsumator përmes proceseve të saja njihet si zinxhir i furnizimit. Kuptohet që ky zinxhir është i bazuar në procese të caktuara, të paradefinuara, si tek furnizuesi e konsumatori, ashtu edhe tek kompania. Në mënyrë që ky zinxhir të funksionojë, kompania duhet menaxhuar proceset dhe aktivitetet e tyre në këtë zinxhir, ky angazhim i kompanisë njihet si menaxhim i zinxhirit të furnizimit.

Realisht, duhet kuptuar që zinxhiri i furnizimit nuk është i thjeshtë, por një pjesë shumë e komplikuar e proceseve të kompanisë pasi që kompanitë thuajse në 99% të rasteve nuk kanë të bëjnë vetëm me një furnizues dhe me një konsumatorë. Kështu, meqë zinxhiri i furnizimit mbulon gjithçka nga zhvillimi, bashkëveprimi, prodhimi, e logjistika, madje edhe sistemet e informimit me qëllim të koordinimit të të këtyre aktiviteteve, organizatat të cilat përbëjnë zinxhirin e menaxhimit janë të lidhura mes veti përmes një rrjedhe fizike, informative, dhe financiare.

  • Në këtë rast rrjedhat fizike nënkuptojnë përfshirjen në transportimin, zhvendosjen, dhe ruajtjen e të mirave dhe materialeve, duke përbërë  pjesën bazë dhe më të dukshme të zinxhirit të furnizimit.
  •  Në anën tjetër rrjedhat informative, aspak më të pa rëndësishme se ato fizike, mundësojnë që partnerët e ndryshëm në zinxhirin e furnizimit të mund të koordinojnë planet e tyre afatgjate dhe të kontrollojnë rrjedhën e përditshme të të mirave dhe materialeve përgjatë zinxhirit të furnizimit. Rrjedhat informative nën ndikim të teknologjisë informative, tanimë për shumë kompani janë edhe më të rëndësishme se sa ato fizike, meqë kjo teknologji  ka ndikuar që kompanitë të kenë një lloj motërzimi gjatë bashkëpunimit mes tyre dhe jo vetëm të jenë pjesë e një zinxhiri të furnizimit. Ky lloj i ndërveprim i kompanive mes veti nënkupton integrim të proceseve të biznesit.
  • Së fundi, rrjedhat financiare përcaktojnë llojet, kushtet dhe mënyrën e përcaktimit dhe menaxhimit të pagesave hyrëse dhe dalëse.

Nga analiza e këtyre rrjedhave mund të përqendrohemi në këndvështrimin tjetër që është definimi i aktiviteteve të një kompanie në menaxhimin efikas të zinxhirit të furnizimit. Ndarja dhe të kuptuarit e drejtë e këtyre aktiviteteve mundëson që kompania në mënyrë efikase të përcaktojë marrëdhëniet me kompanitë pjesëmarrëse në të njëjtin zinxhir dhe të menaxhojë ato për të siguruar rrjedhë efektive të proceseve për t’i plotësuar nevojat dhe për të kënaqur konsumatorin. Aktivitetet kryesore që duhet ndërmarrë janë:

  1. Realizimi i planit – praqet pjesën strategjike të menaxhimit të zinxhirit të furnizimit meqë tek ky aktivitet kompanitë përcaktojnë strategji për të mundësuar menaxhimin e të gjitha burimeve të cilat ndihmojnë në plotësimin e nevojave të konsumatorëve. Planifikimi në këtë rast përfshinë përcaktimin e parametrave të përshtatshëm për të strukturuar, monitoruar dhe ristrukturuar zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të funksionojë me efikasitet dhe me shpenzime të ulëta , dhe njëkohësisht tu ofrojë kualitet dhe vlerë konsumatorëve.
  2. Përcaktimi i burimeve – nënkupton shfrytëzimin e parametrave të planit strategjik për të përcaktuar çmimet, proceset e shpërndarjes dhe proceset e pagesës përmes të cilëve elemente bëhet përzgjedhja e furnizuesve të cilët ofrojnë të mirat dhe shërbimet për realizimin e prodhimit. Në këtë tog aktivitetesh bën pjesë dhe ristrukturimi i “paketës” së furnizuesve në rast nevoje për rishqyrtimit të efikasitetit të kësaj pjese të zinxhirit ose të zinxhirit të furnizimit në përgjithësi. Viteve të fundit ky lloj i aktiviteteve është gjysmë i automatizuar përmes teknologjisë informative ku kompanitë ndërlidhen përmes një sistemi për të automatizuar disa nga hapat e marrjes së vendimeve të cilat janë të paracaktuar me kontratën fillestare të bashkëveprimit.
  3. Prodhimi – përfshinë aktivitetet e zhvillimit të planit konkret për realizimin e prodhimit, testimin e prodhimit, paketimit dhe përgatitjen e tij për shpërndarje. Në këtë pjesë kompania, përmes realizimit të këtij plani mund të bëjë matjen e niveleve të kualitetit të prodhimit dhe të produktivitetit të punëtorëve.
  4. Shpërndarja – paraqet pjesën logjistike të menaxhimit të zinxhirit të furnizimit, ku kompanitë koordinojnë pranimin e kërkesave nga konsumatorët, formojnë rrjetin e shpërndarjes dhe shitjes së prodhimit, dhe zhvillojnë sistemin e menaxhimit të pagesave.
  5. Pranimi i kthimeve – mund të paraqesë pjesën më problematike të menaxhimit të zinxhirit të furnizimit si në planifikim ashtu edhe në realizim. Udhëheqësit duhet të realizojnë plan të rrjedhshëm i cili mbulon të gjitha aktivitetet për pranimin e prodhimeve të rikthyera nga konsumatorët dhe t’i mbështesin konsumatorët në kërkesat e tyre në mënyrë sa më efikase dhe me kosto sa më të ulëta.

Synimet e Menaxhimit të Zinxhirit të Furnizimit

Zinxhiri i furnizimit ekziston vetvetiu që në momentin kur kompania bashkëpunon me kompani tjera për të mundësuar realizimin efikas të aktiviteteve të veta dhe për të kënaqur konsumatorin. I tërë angazhimi për të pasqyruar këtë zinxhirë si dhe të gjitha aktivitetet që realizohen në të është i ngritur mbi shpenzime të cilat janë aq të mëdha sa zinxhiri është i komplikuar. Të gjitha këto shpenzime janë të arsyeshme vetëm në rast se ky menaxhim realizohet me qëllim, dhe ia arrin atij qëllimi, të realizimit të përfitimeve për kompaninë. Në shikim të parë duket sikur i tërë angazhimi i kompanisë është i përqendruar në kënaqjen e konsumatorit, por kjo nuk është e vërtetë. Konsumatori është burimi i të hyrave të kompanisë dhe kënaqja e tij është e vetmja mënyrë për të “vjelur” atë.

Le të përsërisim, synimi i kompanisë në thelb nuk është kënaqja e konsumatorit, por gjetja e rrugëve për të rritur përfitimet dhe arritja e tyre. Me menaxhimin e zinxhirit të furnizimit kompania synon të arrijë tre qëllime kryesore:

  1. Zvogëlimin e inventarit
  2. Rritjen e shpejtësisë së transaksioneve
  3. Rritja e fitimit

Qëllimet tjera shumë të rëndësishme të cilat kompania dëshiron t’i arrijë me menaxhimin e zinxhirit të furnizimit janë:

  • Trajektimi, thjeshtëzimi dhe standardizimi i ambientit të veprimit
  • Ruajtja e stabilitetit dhe sigurisë vepruese
  • Krijimi dhe ruajtja e shkathtësisë dhe fleksibilitetit
  • Rritja e shkallës së inovacionit me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve
  • Rritja e shkallës së të mësuarit dhe përvojës së veprimit në këtë fushë

Softuerët për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit

Me zhvillimin e teknologjisë informative janë përmirësuar dukshëm mundësitë e menaxhimit sa më efikas të biznesit në përgjithësi e të zinxhirit të furnizimit në veçanti. Kompani të ndryshme të specializuara në teknologjinë informative kanë zhvilluar aplikacione të ndryshme të cilat mundësojnë menaxhimin e thuajse çdo hapi të këtij zinxhiri, por në fund vendimet përfundimtare i marrin ekspertët e thirrur për çështjet konkrete në situatat konkrete.

Llojet kryesore të softuerëve për menaxhimin e zinxhirit të furnizimit janë:

  • softuerët e planifikimit – të cilët shfrytëzojnë algoritme për të përllogaritur rrugët më të mira për të përmbushur kërkesat
  • softuerët e ekzekutimit – përcjellin  gjendjen fizike të të mirave, bën menaxhimin e materialeve, dhe ofron informacione financiare për të gjitha palët e përfshira në zinxhirë.

Sofuter më të njohur profesional janë:

Referencat

  • WebFinance Inc. (2013), supply chain management (SCM), së fundi vizituar më 23 maj, 2013 tek nyja http://www.businessdictionary.com/definition/supply-chain-management-SCM.html
  • Handfield, R., Ph.D. (2011), Director of SCRC, Bank of America University Distinguished Professor of Supply Chain Management, What is Supply Chain Management?, së fundi vizituar më 23 maj, 2013 tek nyja http://scm.ncsu.edu/scm-articles/article/what-is-supply-chain-management

Komentet nga Facebook:

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Kodi i sigurisë *