Shqiponja e dhelpra

Shqiponja e dhelpra lidhën miqësi dhe vendosën të banojnë afër njëra-tjetrës, për ta përforcuar kështu edhe më tepër miqësinë. Shqiponja fluturoi në një dru tepër të lartë dhe ndërtoi çerdhen; ndërsa dhelpra mbeti në një kaçubë nën drurin dhe aty polli këlyshët.

Një herë dhelpra doli për të gjuajtur, kurse shqiponja që kishte mbetur pa ushqim, fluturoi poshtë tek kaçuba, ia rrëmbeu këlyshët dhelprës dhe i hëngri bashkë me shqiponjat e veta të vogla. Kur u kthye dhelpra pa se çka i kishte ndodhur, nuk u pikëllua aq për zhdukjen e të vegjëlve të vet se sa për atë që nuk mund të hakmerrej. Nga toka ajo nuk mund t’i bënte gjë shpezës në ajër. Prandaj zuri vend pak larg dhe filloi ta mallkojë armiken – çka është e vetmja armë e të dobtëve dhe e të pafuqishmëve.

Megjithatë, shqiponja që e theu[1] miqësinë, e mori shpejt dënimin. Njëherë, kur disa barinj piqnin mish në prush, ra poshtë fluturimthi dhe rrëmbeu një copë mish, në të cilin kishte mbetur një gacë. Posa çoi mishin në çerdhe të vetë, ia nisi të fryej një erë e fortë, dhe prej gacës morën flakë degët e holla e të thata e kështu shpërtheu një flakë e madhe. Nga kjo, zogjtë e vegjël të shqiponjës, meqenëse ishin pa krahë, ranë në tokë gjysmë të djegur. Dhelpra vrapoi e i gëlltiti në sy të shqiponjës.

Përallëza tregon se ata që shkelin miqësinë, edhe në i shpëtofshin hakmarrjes, prapëseprapë nuk do t’i shpëtojnë dënimit të merituar.

Referencat

– Ezopi (1989), Përrallëza, Nasha Kniga, Lekturë për shkollat fillore në rs të maqedonisë sipas planit dhe programit arsimor. ISBN 86-369-0018-2


[1] Shkeli miqësinë, prishi miqësinë

Po këto i keni lexuar?