Përkujtim – Letër drejt revistës “Euroidea” (2004)

Autor: Skender Mustafi
1 Dhjetor 2004

small1Sot, 19 Mars, 2012, gjeta një nga kritikat që i kisha shkruar më herët unionit të studentëve të Universitetit EJL-it dhe që asnjëherë nuk pa dritë ky reagim. Ajo që do më interesonte tani pas mbi tetë vite, është gjendja e studentëve tani për dallim nga periudha që unë isha student në këtë universitet. Ja pra shkrimi i një studenti (sot do e kisha shkruar më ndryshe).

Titulli: Përkujtim
Nëntitulli:
Letër drejt revistës  “Euroidea”

Kam përshtypjen se jam orientuar në adresë të gabuar. Si mendoni ju gaboj? Kjo përshtypje më është ngjitur për bindje duke ditur se është bërë shprehi në universitet që posa të prish terezinë ndokush menjëherë bie telefoni. Pastaj? Mbaje po ta mbajti. Por mos keni merak miq dhe “armiq” (të e zbus pak) të dashur sepse plagët që shkakton e vërteta shërohen më lehtë dhe janë plagë më të pastra.

Kujtoj sikur sot entuziazmin tim dhe tuajin për të bërë ndryshime. Ne me vrap i futëm “kokrrat” ne arë dhe mbiu kjo që shohim sot. Unë personalisht kam menduar se njerëzit sado pak mërziten kur marrin poste, fundja kanë një sy sa privilegjues aq përgjegjës, por jam i zhgënjyer, shoh se ka dhe të tillë që marrin hapa zhgënjyes edhe atë pa fije turpi. Herën e kaluar përqeshëm të ashtuquajturin union mashtrimesh dhe privilegjesh që të kemi diçka këtë herë, por kot. Nuk duket asgjë nga puna që bëri ose bën “koka” studentore. Duke parë këtë që ndodh tek ne dhe duke krahasuar me atë që ndodh në universitetet perëndimore, sepse jemi në “hap me perëndimin apo jo?”, kam përshtypjen se ata kanë humbur rrugën sepse s’janë në hap me ne që jemi në hap me organizime të ndryshme dëfryese, organizime të dobëta manifestivo-kulturore, revistë kalamajsh dhe debilësh etj.

Pra unë, për dallim nga kolegët e mi që ua hodhën në shesh vetëm disa të meta administratës, jam më i lirë dhe nuk pres aq telefonata sepse kam për temë t’ua përkujtoj të metat tona për të zgjedhurit tonë dhe për revistën dy vjeçare pesë numërshe.

Në thelb unioni i studentëve dhe gazeta studentore janë një mekanizëm nxitës për ndryshime thelbësore sikur në brendi të universitetit, ashtu edhe jashtë tij. Të shikosh rrjedhën e deri tanishme kjo lloj strukture (unioni i studentëve) nuk të len përshtypje se përfaqëson interesat studentore, por thjesht vepron në një drejtim të organizimit të ahengjeve dhe “manifestimeve” që më shumë luajnë rolin e një promocioni të vet strukturës se sa rolin e vet manifestues e kulturorë dhe aspak nuk kryen veprimtarin nxitëse për ndryshime. Gjumë në vazhdimësi. Ëndrra që më parë urrehej. Ndryshimet tanimë janë sfidë që në këto ditë dimri ta prishin ngrohtësinë që sapo ka filluar të marr formën e strukturës së kaluar.

Në anën tjetër, dora e djathtë e unionit, gazeta studentore “Euroidea” është më tepër satirike apo bazë për satirë se sa një revistë e mirëfilltë kulturore , apo çfarë ti thuash? Studentore as 2%. Gjëja e parë që s’ka të bëj me atë se është revistë universitare është se 30 % e përmbajtjes nuk ka të bej aspak me gjëra universitare, 15 % janë gjëra të kota, shkrimi nismëtarë e shndërron stafin e revistës në pronarë (lëmsh konceptesh) si dhe pjesa e mbetur është e mbuluar me çështje universitare që shumica janë gjëra të kota dhe çfarë është me irrituese, plagjiatura është në nivel shumë të lartë.

Kjo është sa për kujtesë dhe do të mbetet kaq me shpresë se do t’u cingëroj ora e zgjimit.

Të dashur miq dhe “armiq” (të e zbus pak) tani po mundohem të mbrohem nga fjalët e mia të thëna më lart që më vonë të mos harxhoni impulse duke më kërkuar për t’u arsyetuar!!

Nëse nuk pajtoheni me mua ma thoni dallimin me dy mandateve te “qeverisë studentore”.

E nëse keni nevojë për fjalëkryqe, humor të vjedhur, jetë VIP-ash, sport yjesh, jetë figurash përrallore e të tjera ju sugjeroj të e blini revistën ””Euroidea”” , kurse problemet tuaja prisni tua zgjedhe Baba dimri me dhurata të vitit të ri dhe për aktivitetet thelbësore social-kulturore, edukativo-arsimore,sportive, ekonomiko-financiare të universitetit prisni t’ju informojë ndonjë medium jashtë universitarë sepse ne kemi qëllime tjera. Universitetit i duhen kuadro.

Po këto i keni lexuar?